Gjykimi i festimit të natës së 15 të muajit Shaban – Beraetit

April 29, 2018

Shejh Abdurrazak el Bedr ka thënë: Lusim Allahun Bujar që me mirësinë dhe bujarinë e Tij të na i mundësojë të gjithëve arritjen e Ramazanit, të na pasurojë me mirësitë dhe begatitë e Tij, dhe të na mundësojë një agjërim dhe namaz nate (teravi) sipas rregullave; me besim dhe duke llogaritur shpërblimin tek Ai, në atë formë me të cilën Ai është i kënaqur me ne!

Çështja e dytë që dëshiroj të vë në dukje ka të bëjë me natën e 15 të muajit Shaban. Nuk do zgjatem shumë në këtë pikë, por dua të tregoj se imami dhe shejhu Ibën Bazi ka një broshurë me vlerë dhe shumë të dobishme në lidhje me natën e 15 të muajit Shaban. Kjo broshurë gjendet e botuar si libër më vete si dhe te përmbledhja me fetvatë e tij.

Ai e fillon këtë broshurë me një parathënie ku i mëshon me forcë faktit për tu kufizuar te suneti autentik i ardhur nga i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, dhe paralajmërimi ndaj bidateve, dhe se çështja është ashtu siç ka thënë Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Kush punon një vepër e cila nuk është në përputhje me këtë çështjen (fenë) tonë, ajo është e refuzuar.”

Më pas ai sqaron se s’ka asnjë argument të saktë nga Profeti fisnik që të tregojë për legjimitetin e faljes së namazit të natës në natën e 15 të muajit Shaban, dhe as për ligjshmërinë e agjërimit të ditës së 15 të muajit Shaban. Çdo gjë që transmetohet në lidhje me këtë, nuk saktësohet nga Profeti fisnik, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

Ai në këtë broshurë përcjell fjalë nga dijetarët, ku tregohet se nuk saktësohet asnjë hadith nga Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, në lidhje me vlerën e faljes së namazit në natën e 15 të muajit Shaban, apo për vlerën e agjërimit të ditës së 15 të Shabanit. Të gjitha hadithet që transmetohen në lidhje me të nuk saktësohen nga Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

Ai sqaron në të se festimi i kësaj nate që veprohet nga disa njerëz është bidat, për të cilin nuk ka asnjë bazë në udhëzimin e Profetit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, dhe as në udhëzimin e sahabëve të tij të ndershëm.

Ai ka shkoqitur në formë të dobishme çdo gjë që lidhet me këtë natë, në broshurën me titull; “Gjykimi i festimit të natës së 15 të muajit Shaban”.

 

Përktheu: Unejs Sheme

Dosje:

Loading...