Dobi dhe mësime të përfituara nga historia e Musait – Pjesa e tretë

April 29, 2018

23– Ajeti Kuranor ku njëra nga vajzat i drejtohet babait të saj duke i thënë: O babai im, – tha njëra nga ato të dyja – merre këtë njeri në shërbim! Sigurisht që njerëzit e fortë dhe të besueshëm janë më të mirët që dikush mund të marrë në shërbim”. [Kasas: 26]

Me anë të këtyre dy cilësive (tipareve) plotësohen dhe realizohen të gjitha punët. Cilido që merr drejtimin e një zone apo shërbime të ndryshme, zanat,  apo gjëra që synojnë ruajtjen dhe mbikqyrjen ndaj punëtorëve nëse ai i plotëson këto dy cilësi:

1- Të jetë i fortë për t’a kryer atë punë sipas rastit dhe llojit të punës.

2- Të jetë i besueshëm në kryerjen e saj. Në këtë rast realizohet puna dhe arrihet qëllimi dhe frytet, ndërsa mangësitë dhe problemet ndodhin atëherë kur neglizhohet në njërën apo të dyja këto tipare.

24– Prej moralit të lartë është edhe përmirësimi i sjelljes me të gjithë ata që i lidh puna me ty; qofshin shërbëtorë, fqinj, grua, fëmijë, punëtor etj. Këtu përfshihet lehtësimi i punës ndaj tyre, kjo bazuar në fjalën e plakut nga Medjeni që i tha Musait: Unë nuk dëshiroj të t’i rëndoj gjërat. Ti do të shohësh në dashtë Allahu, se jam një njeri i mirë.” [Kasas: 27]

Nga ky ajet mësojmë gjithashtu se nuk ka problem nëse punëdhënësi gjatë punës së tij, këmbimeve apo pagesës, t’a cilësojë veten me sjellie të mirë, me kusht që ai të jetë i vërtetë në atë që thotë.

25– Lejimi i veprimeve, transaksioneve, qerasë etj. pa patur nevojë për dëshmitarë, bazuar në ajetin Kuranor: Allahu është Dëshmues për atë që folëm.” [Kasas: 28]

Pak më parë e përmendëm se përmes dëshmisë ruhen detyrimet dhe pakësohen grindjet, dhe njerëzit në përmbushjen e këtyre detyrimeve janë në nivele të ndryshme.

26- Mrekullitë me të cilat Allahu e ndihmoi Musain si p.sh. në transformimin e shkopit në gjarpër që lëvizte dhe rikthimi i tij në gjendjen e mëparshme. Apo rasti i dorës të cilën e fuste në xhepin e tij dhe kur e nxirrte dilte e bardhë pa asnjë mangësi për ata që e shihnin. Apo mëshira e Allahut dhe mbrojtja që i bëri Musait dhe Harunit nga Faraoni dhe paria e tij, duke çarë detin në momentin kur Musai e qëlloi me shkopin e tij duke hapur kështu 12 shtigje prej ku kaluan dhe shpëtuan, ndërsa populli i faraonit u shkatërrua. Apo mrekulli të tjera që vinin radhë për cilindo që i shihte apo dëgjonte, e të cilat janë përcjellë tek ne në formën më të sigurtë përmes librave qiellorë dhe që i kanë përcjellë brezat. Të gjitha këto nuk i mohon veçse injoranti, mendjemadhi dhe zindiku. Të gjitha mrekullitë e Profetëve janë të këtij rangu (në vërtetësinë që kanë).

27- Ndëshkimi më i madh i robit është atëherë kur ai bëhet udhërrëfyes dhe ftues për tek e keqja, ashtu sikurse prej mirësive më të mëdha është kur robi bëhet udhërrëfyes dhe udhëzues për tek e mira. Allahu i Lartësuar kur flet për Faraonin dhe parinë e tij thotë: Ne i bëmë ata udhëheqës që thërrisnin për në zjarr.” [Kasas: 41]

Ndërsa për të dërguarit thotë: “Ne i bëmë ata udhëheqës që udhëzonin sipas urdhërit Tonë.” [Enbija: 73]

28- Në këtë histori tregohet vërtetësia e profetësisë së Muhamedit (alejhi selam) i cili na tregoi për këtë ndodhi si dhe për ngjarje të tjera në mënyrë të detajuar. Ai i tregoi duke vërtetuar Pejgamberët e mëparshëm dhe duke përkrahur të drejtën e qartë, paçka se nuk ishte prezent në ato vende, nuk ka mësuar në asnjë vend për të njohur të gjitha ato detaje, as nuk është ulur me njerëz të ditur. Jo, ajo ishte shpallje nga Mëshiruesi Mëshirëploti,  ishte Profetësi që zbriti prej Fisnikut, Dhuruesit të mirësive, për të tërhequr vërejtjen e të gjitha krijesave.

Për këtë arsye, në fund të historisë Allahu i Lartësuar thotë: “Ti nuk ke qenë as pranë Turit kur Ne thirrëm Musain.” [Kasas: 46]

“Ti (o Muhamed) nuk ke qenë i pranishëm në anën perëndimore (të Turit) kur Ne i’a besuam Musait Misionin (Profecinë), dhe as nuk ke qenë dëshmitar i kësaj ngjarjeje.” [Kasas: 44]

“Ti nuk ke banuar midis banorëve të Medjenit që t’iu lexoje shpalljet Tona, por Ne gjithnjë kemi çuar të dërguar.” [Kasas: 45]

Kjo është njëra nga format me të cilat pohohet (vërtetohet) profetësia e Muhamedit (alejhi selam).

29- Shumë dijetarë kanë përmendur se nga përgjigja që Musai i dha Zotit të tij kur e pyeti për shkopin: Ç’është ajo që mban në dorën e djathtë o Musa? Ai u përgjigj: Ky është shkopi im me të cilin mbahem dhe shkund gjethe për dhentë e mia, dhe më shërben edhe për punë të tjera.” [Ta ha: 17-18]

Kanë thënë: Nga ky ajet përfitohet pëlqimi i mbajtjes së shkopit për shkak të këtyre dobive ndihmëse që gjenden në të, sepse Musai tha: “…më shërben edhe për punë të tjera.”

Gjithashtu, përfitohet edhe mëshira ndaj kafshëve dhe mirësia ndaj tyre duke larguar çdo gjë që i dëmton.

 

“Kisasul Enbija” – (Historitë e Pejgamberëve) nga Abdurrahman bin Nasir es Seadi (Allahu e mëshiroftë).

Përktheu: Fatjon Isufi

Loading...