Libri: “Bulugul meram min ediletil ahkam”
Arritja e qëllimit lidhur me argumentet e dispozitave.
Autori: Ibn Haxher el Askelani
Kapitulli i pastërtisë: Dispozitat e ujrave
1 – Ebu Hurejra ka transmetuar se Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, në lidhje me detin ka thënë: ‘’Uji i tij është pastrues, ngordhësira e tij është hallall (e ligjshme për t’u ngrënë).’’
Grada e hadithit:
Këtë hadith e ka transmetuar; imam Maliku, Shafiu, Ahmedi, Ebu Daudi, Nesaiu, Tirmidhiu, Ibn Maxheh dhe Ibn Ebi Shejbeh, dhe ky është versioni i tij. Është saktësuar nga Ibn Huzejmeh dhe Tirmidhiu. Imam Tirmidhiu ka thënë: E kam pyetur Buhariun në lidhje me këtë hadith, dhe ai mu përgjigj që është i saktë.
Shpjegimi i hadithit:
Ebu Hurejra: Thuhet se emri i tij në periudhën paraislame ishte AbduShems (robi i diellit), ndërsa kur pranoi fenë islame u quajt Abdullah ose Abdurrahman (Robi i Allahut, Robi i të Gjithëmëshirshmit). Ishte nga fisi Deus i Jemenit. Ai pranoi Islamin dhe u shpërngul në Medine në vitin e shtatë të hixhretit. Ai ishte sahabiu i cili i përcolli botës islame më shumë hadithe se çdokush tjetër nga i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Ndërroi jetë në vitin 59 sipas hixhretit në moshën 78 vjeçare. U varros në varrezat e Bekijes, Allahu qoftë i kënaqur me të. (“Tabekat Ibn Sad”, “Tarihul kebir” i Buhariut, “Sijer alam en nubela” i Dhehebiut.)
Ky hadith ka ardhur si përgjigje e një pyetjeje që i’u parashtrua Profetit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, nga një person i cili i tha: “O i Dërguar i Allahut, ne lundrojmë në det dhe me vete marrim vetëm pak ujë. Nëse e përdorim për abdes na merr etja, ndaj a të marrim abdes me ujin e detit? I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, tha: Uji i tij është pastrues, dhe ngordhësira e tij është e ligjshme (që të konsumohet).’’ (“El Muueta” e Malikut 46.)
Nëpërmjet këtij hadithi mësojmë dy gjëra:
E para: Uji i detit është i pastër dhe i vlefshëm për t’u përdorur për abdes, gusël, dhe për të pastruar papastërtitë dhe ndyrësitë e ndryshme.
E dyta: Gjallesat e detit janë të lejuara për t’u ngrënë edhe nëse janë të ngordhura, pra nuk është kusht të kapen të gjalla dhe të theren.
Mendimet e shkollave juridike lidhur me ngrënien e gjallesave të detit:
Shkolla Hanefite: Vetëm familja e peshkut është e lejuar që të hahet. Imam Kasani shkruan: “Sa i takon llojit të gjallesave që jetojnë në det ato janë të gjitha të ndaluara të hahen, përveç peshkut në veçanti. Ngrënia e tij është e ligjshme me përjashtim të peshkut të ngordhur që qëndron mbi sipërfaqen e ujit. Ky është mendimi i dijetarëve tanë.’’ (“Bedaiu Sanai”, vëllimi 3, fq. 35.)
Argumenti i shkollës hanefite sa i takon çështjes se vetëm peshku dhe llojet e tij lejohen të hahen nga mesi i gjithë gjallesave të detit, është hadithi i Profetit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ku thuhet: ‘’Na janë lejuar dy lloje ngordhësirash; peshku dhe karkaleci.’’(Ahmedi 5723, dhe Ibn Maxheh 3314. Mbi saktësinë e këtij hadithi ka dilemë. Disa e cilësojnë të dobët, ndërsa disa e cilësojnë të saktë si fjalë sahabiu e jo si fjalë e Profetit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.)
Ky hadith shpjegon hadithin e Ebu Hurejrës, radijallahu anhu, dhe sqaron se fraza “ngordhësira e tij është hallall’’ nënkupton peshkun dhe llojet e tij në veçanti.
Pjesë e argumentit të hanefive është edhe fakti që Allahu i Madhëruar e dërgoi Profetin, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, për të ndaluar gjërat e ndyta, dhe se gjallesat e tjera të detit veç peshkut janë të ndyta. Sa i takon peshkut të ngordhur pa shkaqe të jashtme që qëndron mbi ujë, shkolla hanefite e ndalon ngrënien e tij bazuar në transmetimin e Xhabirit nga Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ku thuhet: ‘’Atë që e hedh deti apo që ngel në breg nga zbatica hajeni, ndërsa atë që ngordh dhe qëndron mbi ujë mos e hani!’’ (Ebu Daudi 3815. Imam Neueuiu ka thënë në shpjegimin e tij ndaj Sahihut të Muslimit, se është i dobët me unanimin e dijetarëve të hadithit. Shejh Albani dhe Shejh Shuajbi e kanë dobësuar gjithashtu.)
Gjithashtu, ata mbështeten edhe tek logjika se një peshk i tillë që ka ngordhur vetvetiu dhe qëndron mbi ujë është prishur, dhe për pasojë është i dëmshëm për shëndetin.
Kriteri i hanefive në konsiderimin e diçkaje nga gjallesat e detit si të ligjshme për t’u ngrënë, është bërja pjesë e tij në familjen e peshqve. Kush bën pjesë nga gjallesat e detit në familjen e peshqve, është e ligjshme të hahet. Për rrjedhojë; balena, peshkaqeni dhe ngjala hahen, sepse ato bëjnë pjesë në familjen e peshqve. Imam Merginani shkruan: “Ngjalat dhe të gjitha llojet e peshqve mund të hahen pa problem.” (“El Hidajeh”, vëllimi 4, fq. 354.)
Shkolla Malikite, Shafiite, Hanbelite dhe Dhahirite janë të mendimit se; në përgjithësi gjallesat e detit janë të ligjshme të konsumohen pa dallim, bëjnë pjesë në familjen e peshqve apo jo, të kapura të gjalla apo të ngordhura, bazuar në ajetin e Kuranit: “U është lejuar gjahu i detit dhe ushqimi i tij, si mjet jetese për ju dhe për udhëtarët.’’ | El Maide: 96. Ky argument është i përgjithshëm dhe nuk bën asnjë përjashtim. (Megjithatë edhe në mesin e dijetarëve të këtyre tri shkollave ka diskutime mbi disa gjallesa të detit si: qeni i detit (foka), derri i detit (delfini), bretkosa dhe krokodili.)
Ibn Hazmi në librin e tij “El Muhal-la’’ shkruan: Të gjitha gjallesat e ujit që jetojnë vetëm në të, janë të lejuara të hahen pa asnjë përjashtim. (“El Muhal-la”, çështja nr. 990.)
Ibn Uthejmini, radijallahu anhu, në librin “Esh sherh el mumtia’’ thotë: Gjallesat e detit janë të gjitha hallall dhe nuk ka në të asgjë të ndaluar. Të gjitha gjallesat e detit hahen pa përjashtim, të gjallat dhe të ngordhurat, bazuar në fjalën e Allahut të Madhëruar: “U është lejuar gjahu i detit dhe ushqimi i tij, si mjet jetese për ju dhe për udhëtarët.’’ | El Maide: 96. Ibn Abasi ka thënë: “Gjahu i detit është ai që kapet i gjallë, ndërsa ushqimi i tij është ai që kapet i ngordhur.’’ (“Esh Sherh el Mumtia”, vëllimi 15, fq. 35.)
Komisioni i përhershëm i fetvave në Arabinë Saudite, në fetvanë me nr. 5828 shkruan:
Sa u takon gjallesave të detit që jetojnë vetëm në të është se ato janë të lejuara për t’u ngrënë, bazuar në fjalën e Allahut të Madhëruar: ‘’U është lejuar juve gjahu i detit dhe ushqimi i tij, si mjet jetese për ju dhe për udhëtarët.’’ | El Maide: 96.
Gjykimi mbi karkalecin e detit, gaforren, midhjen, kallamarin etj.
Sipas shumicës së shkollave juridike ato janë të gjitha të lejuara të hahen pa asnjë problem, bazuar në ajetin e mësipërm i cili është tekst konkret në këtë çështje dhe është i përgjithshëm.
Ndërsa sipas shkollës hanefite, ato janë të ndaluara për shkak se nuk bëjnë pjesë në familjen e peshqve. Këtu përjashtohet karkaleci i detit në lidhje me të cilin dijetarët e shkollës hanefite janë në dilemë, sepse sipas disa gjuhëtarëve ai bën pjesë në familjen e peshqve, dhe sipas disa të tjerëve nuk bën pjesë në të. Ibn Durejdi në “Xhemheretul lugah”, Demiri në “Hajatul hajeuan” dhe të tjerë, e kanë klasifikuar atë në familjen e peshqve. Nga dijetarët hanefij që e kanë lejuar ngrënien e karkalecit të detit mund të përmendim: Ish myftiu i Indisë Abdurrahim Laxhpuri, Shejh T’hanvi, Myfti Taki Uthmani – ish Gjykatësi suprem i Pakistanit etj.
Autori i fjalorit ‘’Xhemeheretul lugah’’, Ibn Durejdi (321 h) shkruan:
وإرْبيان: ضرب من الْحيتَان
‘’Karkaleci i detit është lloj peshku.’’(“Xhemheretul lugah”, vëllimi 3, fq. 414.)
Autori i librit ‘’Hajatul hajevan’’, Alamah Demiri (808 h), e përkufizon karkalecin e detit si pjesëtar të familjes së peshqve dhe thotë:
الروبيان هو سمك صغير جدا أحمر
‘’Karkaleci i detit është një lloj peshku shumë i vogël me ngjyrë të kuqe.’’(“Hajatul hajevan” vëllimi 1, fq. 514.)
Përktheu dhe përshtati: Rexhep Milaqi
Dosje: Bazat
Të Ngjashme
- Drejtësia – Themeli i qëndrueshmërisë së shoqërisë Shehul-Islam Ibn Tejmije
- Zullumi – rrënuesi i popujve dhe shoqërive Dr. Fatmir Strumi
- Mashkulli dhe femra – Vazhdimësia e njerëzimit Udha e Besimtarëve
- Prej rregullave dhe dispozitave të kurbanit Dr. Fatmir Strumi
- Festat joislame – Dita e 1 Majit Dr. Fatmir Strumi