Hadithi i dytë: “Shembulli im dhe shembulli i Mesazhit me të cilin më ka dërguar Allahu.”
Ebu Musa (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) tregon: I dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Shembulli im dhe shembulli i Mesazhit me të cilin më ka dërguar Alllahu, është si ai njeriu që shkoi tek një popull dhe u tha: Kam parë me sytë e mi ushtrinë armike dhe unë për ju jam këshilluesi i zhveshur. [1] Shpëtoni, shpëtoni! Një grup prej tyre i besoi atij dhe u larguan natën ngadalë dhe fshehurazi, kështu që shpëtuan, ndërsa pjesa tjetër e quajti atë gënjeshtar kështu që armiku i kapi ata në mëngjes dhe i shkatërroi.”[2]
Ndërsa tek Muslimi përcillet nga Ebu Musa (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), se i dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Vërtetë, shembulli im dhe shembulli i mesazhit me të cilin më dërgoi Allahu është si ai njeriu që shkoi tek populli i vet dhe u tha: O populli im, unë kam parë me sytë e mi ushtrinë armike dhe unë për ju jam këshillues i zhveshur, prandaj shpëtoni! Një grup prej tyre u bind dhe u largua me natë, fshehurazi. Ndërsa një grup tjetër e përgënjeshtroi dhe qëndruan në vendet e tyre, dhe kështu armiku i sulmoi në mëngjes dhe i shkatërroi. Ky pra është shembulli i atij që më bindet mua dhe ndjek mesazhin me të cilin erdha, dhe shembulli i atij që më kundërshton dhe e përgënjeshtron mesazhin me të cilin u dërgova.”[3]
Kuptimi i përgjithshëm i hadithit
Ky shembull i përshkruar kaq bukur nga i dërguari i Allahut (alejhi selam) e sidomos përmendja e “këshilluesit të zhveshur”, nuk ishte diçka e panjohur për njerëzit që e dëgjonin. Ata e dinin se kur dikush shihte armikun që donte të sulmonte, befas hiqte rrobën dhe prej një distance të largët bënte me shenjë për të treguar rrezikun që po i kanosej popullit. Ky përshkrim do të shërbente edhe më vonë për cilindo që vinte apo sillte një lajm të madh dhe të rëndësishëm.
A mund të ketë lajm më të rëndësishëm për njeriun se sa të njoftohet për shpërblimin apo për ndëshkimin që e pret tek Allahu nëse ai nuk kthehet me pendim dhe bindje ndaj Zotit dhe të dërguarit të Tij (alejhi salatu ue selam)?!
Në këtë hadith Profeti (alejhi selam) shëmbëllen gjendjen e tij dhe të vërtetën që solli me këshilluesin e sinqertë dhe të vërtetë, serioz në këshillimin e popullit të tij dhe të kujdeshshëm, që t’i shpëtonte nga një e keqe e sigurtë pas të cilës fshihet një rrezik i madh. Prandaj, kushdo që i bindet këshilluesit merr shkaqet dhe i largohet rrezikut, shpëton, në të kundërtën nëse e përgënjeshtron dhe e lë si asgjë, shkatërrohet![4]
Dobi dhe mësime
1 – Ibn Batal në komentimin e këtij hadithi tek Sahihu e Buhariut, thotë: Këtë shembull Profeti (alejhi selam) e solli që të njoftonte umetin e tij për frikën që duhet të kenë nga përfshirja në ndalesat e Allahut dhe rënia në mëkate. Ai mori këtë shembull sepse ishte diçka që ata e dinin dhe e kishin parë në jetën e tyre. E gjithë kjo me qëllim që të ishte më e kuptueshme për ta dhe më ndikuese si këshillë. [5]
2 – Ky hadith pohon qartë domosdoshmërinë e bindjes ndaj Profetit (alejhi selam), sepse bindja ndaj tij konsiderohet bindje edhe ndaj Allahut të Lartësuar. Në këtë kontekst, Allahu i Lartësuar thotë: “Kush i bindet të dërguarit, i është bindur Allahut.”[6] Besimtari nuk mund të pretendojë bindjen ndaj Zotit pa treguar bindjen ndaj të dërguarit të Tij. Në bindjen ndaj Profetit (alejhi selam) është shpëtimi, ndërsa në kundërshtimin e tij qëndron humbja e qartë në këtë botë dhe në botën tjetër.
3 – Metodika e thirrjes së Profetëve është e shoqëruar gjithmonë me përgëzimin e popujve ose me përkujtimin (qortimin) e tyre. Si përgëzimi ashtu edhe qortimi (përkujtimi) lidhet me jetën që bën njeriu në këtë botë, apo me atë që do ti ndodhë në botën tjetër. Profetët i përgëzojnë të devotshmit për një jetë të mirë në këtë botë, siç thotë Allahu në Kuranin Famëlartë: “Cilido mashkull apo femër që kryen vepra të mira duke qenë besimtar, Ne do t’a bëjmë që të kalojë një jetë të mirë dhe do t’a shpërblejmë sipas veprave më të mira që kanë bërë.”[7]. Po ashtu, u premtojnë siguri dhe se do të bëhen mëkëmbësit e tokës. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu u ka premtuar atyre prej jush që besojnë dhe bëjnë vepra të mira se do t’i bëjë mëkëmbës në Tokë ashtu si i ka bërë ata para tyre, dhe do t’ua forcojë fenë me të cilën Ai është i kënaqur dhe frikën do t’ua shndërrojë në siguri. Le të më adhurojnë Mua e të mos më shoqërojnë asgjë (në adhurim). Sa për ata që pas kësaj mohojnë (besimin), pikërisht ata janë të mbrapshtët.”[8]
Nga ana tjetër i frikësojnë mëkatarët duke u kujtuar mjerimin e tyre në jetën e kësaj bote, siç tregon Allahu në Kuranin Famëlartë duke thënë: “Kushdo që i kthen shpinën këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar.”[9] Në të njëjtën kohë u përkujtojnë atyre dënimin dhe shkatërrimin që mund t’u vijë nga Zoti i Madhëruar, siç thotë Allahu në Kuran: “Nëse ata shmangen, thuaju: Ju paralajmëroj me rrufenë që goditi fiset Ad dhe Themud.”[10]
Gjithashtu i përgëzojnë të devotshmit me xhenetet e amshueshme. Allahu i Lartësuar thotë: “Atë që i bindet Allahut dhe të dërguarit të Tij, Ai e shpie në kopshte nëpër të cilët rrjedhin lumenj dhe ku do të qëndrojnë përherë. Kjo është fitorja e madhe.”[11] Dhe i frikësojnë mëkatarët dhe të pabindurit me dënimin e madh në botën tjetër. Allahu i Lartësuar thotë: “Ndërsa atë që nuk i bindet Allahut dhe të dërguarit të Tij dhe shkel kufijtë e vënë prej Tij, Allahu e shpie në zjarr ku do të qëndrojë përherë dhe për të ka ndëshkim poshtërues.” (Suretu Nisa;14) [12]
4 – Ibn Haxher el Askalani në librin e tij “Fet’hul Bari” sjell një fragment të Tajibiut i cili thotë: Grupin e parë (ata që e morën këshillën) të përmendur në hadith Profeti (alejhi selam) e identifikoi me bindjen, ndërsa grupin e dytë (ata që nuk e dëgjuan këshillën) i identifikoi me përgënjeshtrimin, për të na treguar se bindja paraprihet gjithmonë nga besimi, ndërsa përgënjeshtrimi vjen si pasojë e kundërshtimit. [13]
5 – Cilido që fton në rrugën e Allahut duhet të ndjekë shembullin e Profetit (alejhi selam) në mënyrën e thirrjes së tij ndaj njerëzve. Allahu i Lartësuar thotë: “Në të dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë që shpreson tek Allahu dhe dita e fundit, dhe e përmend shumë Allahun.”[14] Të tregojë butësi dhe të ndiej keqardhje ndaj atyre që nuk përgjigjen. Allahu i Lartësuar na tregon për Profetin (alejhi selam) duke thënë: “Tashmë ju ka ardhur një i dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni, ua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët.”[15] Në këtë hadith Profeti (alejhi selam) e shëmbëllen veten me këshilluesin që heq rrobën e tij dhe kërkon me ngulm të shpëtojë popullin e tij. Gjithashtu, çdo thirrësi i kërkohet që të përdorë metoda të cilat përputhen me kuptimin e atyre që ai i fton dhe përshtatet me gjendjen e tyre. [16]
6 – Ky hadith na mëson se njerëzit e kanë shumë të nevojshëm përkujtimin dhe këshillimin. Në rrëmujën e kësaj jete, mes dallgëve të sprovave dhe epsheve që kanë mbytur shoqërinë njerëzore, çdo njeri ka nevojë të përkujtohet, të këshillohet dhe t’i vihet në dukje kotësia e dunjasë nëse nuk jetohet në bindjen ndaj Allahut. Sot që po shkruaj këto fjalë e gjithë bota është duke u përballur me virusin e frikshëm Covid 19… çdo gjë është paralizuar, njerëzit janë mbyllur në shtëpitë e tyre, ekonomia ka ngecur dhe çdo shenjë e një jete të zakonshme sa vjen e venitet. Kjo që po ndodh duhet të shërbejë si një përkujtim i mirë që na tregon se kënaqësitë e kësaj bote nuk qëndrojnë përherë me ne, dhe se një ditë herët apo vonë kemi për t’ia dorëzuar shpirtin Krijuesit të gjithësisë. Atëherë, pse e gjithë kjo harresë? Pse e gjithë kjo neglizhencë ndaj përkujtimeve dhe argumenteve që vijnë nga Zoti i Lartësuar?!
Allahu thotë: “Ti (o Muhamed) paralajmëroi njerëzit për ditën që atyre do t’ju vijë dënimi, e keqbërësit do të thonë: O Zoti ynë, na lër edhe pak kohë! Ne do ti përgjigjemi thirrjes Tënde dhe do t’i pasojmë të dërguarit!”[17]
Në një ajet tjetër Allahu i Lartësuar thotë: “Prandaj këshillo me Kuranin këdo që ka frikë paralajmërimin Tim!”[18]
Gjithashtu ka thënë: “Por këshillo, se vërtet këshilla u bën dobi besimtarëve.”[19]
7 – Ky hadith ka ngjashmëri të madhe me një ngjarje tjetër e cila ka ndodhur në vitet e para të shpalljes, kur Profeti (alejhi selam) u urdhërua që të paralajmëronte farefisin e tij më të afërt. Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) thotë: Kur zbriti fjala e Allahut: “Paralajmëroje farefisin tënd më të afërt.”[20] – i dërguari i Allahut shkoi dhe qëndroi mbi kodrën Safa dhe filloi të thërriste me zë të lartë: O fisi beni Fihr, O fisi beni Adij… dhe të gjitha fiset e tjera Kurejshite të cilët u mblodhën. Ai që nuk kishte mundësi të prezantonte e dërgonte dikë në vend të tij që të shihte cfarë bëhej. Aty erdhi Ebu Lehebi (xhaxhai i Profetit) dhe Kurejshët e tjerë. Profeti (alejhi selam) u tha: Si mendoni nëse do t’ju lajmëroja se kuajt e ushtrive (armike) janë pas kësaj lugine dhe janë gati t’u sulmojnë. A do të më besonit? Njëzëri ata thanë: Po, asnjëherë nuk na ke gënjyer! Atëherë Profeti (alejhi selam) u tha: Atëherë t’a dini se unë jam paralajmërues para se t’u vijë dënimi i dhembshëm! Ebu Lehebi ja priti duke thënë: U thafsh! Për këtë na ke mbledhur? Dhe kështu zbriti surja Mesed e cila fillon me fjalët: “Iu thafshin duart Ebu Lehebit, dhe u thaftë në gjithçka!”[21]
Përmblodhi: Fatjon Isufi
[1] Zakon i vjetër arab që kur dikush shihte ushtrinë armike, i hiqte rrobat dhe i përdorte për t’u dhënë shenjë njerëzve të vet. Shih “Muhtesar Sahih el Buhari” fq. 796, botimi i AIITC.
[2] E përcjell Buhariu me nr. 6482.
[3] E përcjell Muslimi me nr. 2283.
[4] Për më tepër shiko “El Emthal fi Kelami en Nebij” fq. 19.
[5] Sherh Ibn Batal ala Sahih el Buhari 10/194.
[6] Suretu Nisa: 80.
[7] Suretu En-Nahl: 97.
[8] Suretu Nur: 55.
[9] Suretu Taha: 124.
[10] Suretu Fusilet: 13.
[11] Suretu Nisa: 13.
[12] Shkëputje nga libri “Pejgamberët dhe shpalljet” i Omer el Eshkar fq. 47.
[13] Fet’hul Bari 11/317.
[14] Suretu Ahzab: 21.
[15] Suretu Teube: 128.
[16] Për më tepër shiko “El Emthal fi Kelami en Nebij” fq. 19.
[17] Suretu Ibrahim: 44.
[18] Suretu Kaf: 45.
[19] Suretu Dharijat: 55.
[20] Suretu Shuara: 214.
[21] E përcjell Buhariu me nr. 1394 dhe Muslimi me nr. 208.
Dosje: Profetët
Të Ngjashme
- A keni dëgjuar për ujin e zemzemit? Udha e Besimtarëve
- Dobi të përfituara nga 40 hadithet e imam Neveviut Salim Et-Tauijl
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve