Allahu i Lartmadhëruar e ka përshkruar veten e Tij nëpërmjet Kuranit famëlartë dhe haditheve të Profetit, paqja qoftë mbi të, me emra dhe atribute të shumta. Nëpërmjet këtyre emrave dhe atributeve besimtarët arrijnë të njohin Krijuesin e tyre.
Pohimi dhe pranimi i tyre ashtu siç janë përmendur në Kuran dhe në hadithet profetike është detyrë për çdo besimtar, ngase kështu ka vepruar Profeti, paqja qoftë mbi të, dhe shokët e tij dhe kështu kanë vepruar të gjithë dijetarët e mirëfilltë të kohërave të hershme të fesë Islame. Kushdo që i mohon apo nuk i pranon ato ashtu siç janë përmendur në Kuran dhe hadithe ai ka kundërshtuar praktikën e Profetit dhe të shokëve të tij, si dhe të gjithë dijetarëve të mirëfilltë të kohërave të hershme të Islamit.
Emrat e Allahut dhe atributet e Tij nuk janë të ngjashëm me emrat dhe atributet e krijesave. Ato janë të përsosura dhe unike. Në Kuranin famëlartë citohet: “Asgjë nuk është sikur Ai.” |Shura: 11|
Forma dhe realiteti i atributeve të Tij është diçka e fshehtë për ne. Shpjegimi i formës dhe realitetit të tyre është i pamundur dhe i ndaluar. Askush nuk i njeh të gjithë emrat dhe atributet e Allahut të Madhëruar. Ne njohim aq sa na është treguar në Kuranin famëlartë dhe në hadithet profetike të cilat janë të caktuara me argument nga Kurani dhe hadithi. Askush nuk e ka të drejtën të sajojë emra apo atribute për Allahun e Madhëruar nga vetja e tij. Atributet e Tij ndahen në dy kategori kryesore:
1 – Disa nga atributet që Allahu i’a ka përshkruar vetes së Tij lidhen me Qënien e Tij si; shikimi, dëgjimi, fuqia, dija, pavdekshmëria etj. Disa lidhen me veprat e Tij, si zbritja në qiellin e dunjasë në një të tretën e fundit të natës, të qeshurit, qëndrimi mbi Arsh etj.
2 – Atributet që Allahu i Madhëruar i’a ka mohuar Vetes së Tij, si; vdekshmëria, gjumi, harresa, pafuqia, lodhja etj.
Mohimi i atributeve të Allahut të Madhëruar që Ai i’a ka përshkruar vetes së Tij në Kuran apo në hadithet e sakta është kufër (dalje nga Islami), siç veproi Xhehm bin Safuani dhe pasuesit e tij që njihen si xhehmit, dhe Vasil bin A’ta me pasuesit e tij që njihen si Mu’tezilët. Përngjasimi i Allahut me krijesat është gjithashtu kufër, siç veproi Mukatili dhe pasuesit e tij që njihen si Mushebiheh ose Muxhesimeh.
Këto dy pikëpamje (mohimi i atributeve të Allahut dhe përngjasimi i Tij me krijesat) janë në mënyrë unanime të devijuara dhe janë konsideruar si kufër nga dijetarët.
Dijetarët e Ehli Sunetit i kanë kundërshtuar në të gjitha kohërat këto dy pikëpamje.
Përshtati: Rexhep Milaqi
Dosje: Allahu
Të Ngjashme
- Rëndësia e njohjes së emrave dhe cilësive të Allahut Udha e Besimtarëve
- Emrat dhe atributet e Allahut të Madhëruar Udha e Besimtarëve
- Kur pasionet bëhen idhull dhe Zot Ibën Rexheb el Hanbeli
- A mund të ndikojë mësyshi edhe në këtë rast? Emin Bilali
- Si ka mundësi që Allahu ua jep dynjanë jobesimtarëve?! Emin Bilali