Çfarë nënkuptojmë me besimin në ditën e fundit?
Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut!
Dije, Allahu të dhëntë sukses në bindjen ndaj Tij, se ajo që nënkuptohet me besimin në ditën e fundit është:
Besimi me vendosmëri në gjithçka për të cilën na ka lajmëruar Allahu në Librin e Tij dhe i Dërguari, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, prej gjërave që do të ndodhin pas vdekjes. Kjo përfshin edhe besimin në shenjat e Kiametit të cilat do të ndodhin (shfaqen) para ditës së fundit; vdekjen dhe gjërat që e shoqërojnë njeriun kur është në shtratin e saj (vdekjes), çfarë vjen pas vdekjes e përkatësisht sprova e varrit si dhe dënimi ose kënaqësia në të, fryrja në Sur dhe ringjallja, qëndrimi dhe tmerret e ditës së ringjalljes, detajet e tubimit të madh dhe llogaridhënies, detajet e Xhenetit dhe kënaqësive të tij më e madhja e të cilave do të jetë shikimi i Fytyrës së Allahut, Xhehenemi (zjarri) dhe mundimet e tij ku më i ashpri do të jetë pamundësia e shikimit të Zotit nga ana e tyre (jobesimtarëve). E gjithë kjo duke vënë në jetë atë që kërkon ky besim.
Nëse ky besim realizohet dhe zë vend në zemrën e një personi, ai do të japë fryte të mëdha duke përfshirë:
1 – Dëshirën dhe përkushtimin për të bërë vepra dhe adhurime me shpresën për të arritur shpërblimet e asaj dite.
2 – Frikën nga kryerja e mëkateve ose miratimin e tyre nga droja e ndëshkimit të asaj dite.
3 – Besimtari do të ngushëllohet për gjithçka që i mungon nga luksi dhe kënaqësitë e kësaj bote për shkak të shpresës së tij për kënaqësitë dhe shpërblimet e Ahiretit (botës tjetër).
Lusim Allahun e Madhërishëm të na bekojë me besim të sinqertë dhe siguri të patundur në besimin që kemi! Amin!
Shiko librin “Ea’lam es sunnetil menshurah” fq. 110, dhe “Komenti i tri parimeve” nga Shejh Ibën Uthejmin fq. 98-103.
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: Dita e Gjykimit
Të Ngjashme
- Çfarë gjykimi ka këndimi i sures el Fatihah në namazin e xhenazes? Udha e Besimtarëve
- A lejohet që një person të punojë si haxham (praktikues i hixhames)? Udha e Besimtarëve
- Bashkimi i namazit të xhumasë me atë të ikindisë Udha e Besimtarëve
- Emrat dhe atributet e Allahut të Madhëruar Udha e Besimtarëve
- Kur pasionet bëhen idhull dhe Zot Ibën Rexheb el Hanbeli