Origjina e teshehudit

March 6, 2021

Ajo që përmendet në pyetje lidhur me ekzistimin e një historie që flet për origjinën e teshehudit dhe se ajo ka ndodhur gjatë ngritjes së Profetit sal-lallahu alejhi ue sel-lem në qiell (Miraxh), është diçka për të cilën nuk ka asnjë bazë në Islam.

Dijetarët e komisionit të përhershëm u pyetën: A është teshehudi që ne e lexojmë në namaz i njëjti që përdori i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem kur bëri sexhde në Sidretul Munteha gjatë Miraxhit?

Ata u përgjigjën: Transmetohet nga Ibën Mesudi se ka thënë: “I Dërguari i Allahut sal-lallahu alejhi ue sel-lem më mësoi teshehudin duke më mbajtur dorën mes duarve të tij, njësoj si të më mësonte një sure nga Kurani: “Et-tehijatu Lil-lahi ue-salavatu ve’t-tajjibatu, es-selamu alejke ejuhen-nebiju ue rahmetullahi ue berekatuhu. Es-selamu alejna ue ala ibadi l-lahi salihin. Esh-hedu en la ilahe il-lAllah ua esh-hedu enne Muhammeden abduhu ue resuluhu! (Të gjitha përshëndetjet, lutjet dhe fjalët e pastra i takojnë Allahut. Paqja qoftë mbi ty o Profet, mëshira e Allahut dhe bekimet e Tij! Paqja qoftë mbi ne dhe mbi robërit e drejtë të Allahut. Dëshmoj se askush nuk ka të drejtë të adhurohet përveç Allahut, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij!)

Sipas një versioni tjetër, Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur dikush nga ju ulet gjatë namazit, le të thotë: Et-tahijatu Lil-lahi…” – dhe kur erdhi tek fjalët; “ue ala ibadi l-lahi salihin (Paqja qoftë edhe mbi robërit e drejtë të Allahut)”, tha: – Nëse e bëni këtë, ju keni përshëndetur me selam çdo rob të drejtë të Allahut në qiell dhe në tokë.  Dhe në fund tha: – Le të përzgjedhë pas kësaj gjithçka që dëshiron të kërkojë (në lutjen e tij).” Mutefekun alejhi.

Ahmedi transmeton hadithin e Ebu Ubejdes nga babai i tij Abdullah bin Mesudi, i cili ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue  sel-lem ja mësoi teshehudin dhe e udhëzoi atë për t’ua mësuar edhe njerëzve: “Et-tehijatu Lil-lahi”, – dhe e përmendi deri në fund atë.

Tirmidhiu ka thënë:

Hadithi (transmetimi) i Ibën Mesudit është hadithi më i saktë në lidhje me teshehudin dhe me të kanë vepruar shumica e dijetarëve prej sahabëve dhe tabiinëve.

Ebu Bekr el-Bezar ka thënë: Ai është hadithi më i saktë në lidhje me teshehudin. Gjithashtu ka thënë: Ky hadith është transmetuar përmes njëzet e ca rrugëve, dhe prej atyre që janë shprehur të sigurtë për këtë ishte dhe Bagaviu në librin “Sherh es-sunnah”.

Nisur nga kjo bëhet e qartë se kjo formë e teshehudit është më e sakta që është transmetuar nga i Dërguari i Allahut sal-lallahu alejhi ue sel-lem.

Në lidhje me atë nëse Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e ka lexuar teshehudin kur shkoi në sexhde në Sidretul Munteha natën e Miraxhit, ne nuk dimë ndonjë bazë për të thënë nëse ai bëri sexhde tek ai vend gjatë natës së Miraxhit.

Nuk është e lejueshme të përhapen mesazhe të tilla që nuk janë saktësuar ose që përmbajnë risi (bidate) në besime ose veprime. Askush nuk duhet t’i përhapë ato derisa të kontrollojë nëse janë të provuara dhe të sakta.

Transmetohet nga Hafs ibën Asim se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “I mjafton njeriut si gënjeshtër të flasë për gjithçka që dëgjon.” E përcjell Muslimi me nr. 5.

 

AbdulAziz bin Baz,

AbduRrazak Afifi

Abdullah ibn Gudejan

Shejh Abdullah ibn Ku‘ud.

Fetaua el-lexhneh ed daimeh 7 / 6, 7.

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...