A u mbytën të gjitha gjallesat që jetonin në tokë kur Allahu solli përmbytjen e madhe?

March 26, 2021

Pyetje: A u mbytën të gjitha gjallesat që jetonin në tokë – përveç atyre që qenë me Nuhun në anije – kur Allahu solli përmbytjen e madhe? A mund të konsiderohet kushdo që është në tokë si pasardhës i atyre që ishin në anije (me Nuhun)?

Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut. Teksti i qartë i Kur’anit tregon se të gjithë ata që ishin në tokë u mbytën nga përmbytja (tufani) dhe asnjë njeri ose kafshë nuk shpëtoi, përveç atyre që Nuhu mori me vete në anije.

Allahu i Lartësuar thotë: “Kështu, Ne e shpëtuam atë dhe ata që ishin me të në anije, kurse të tjerët që mbetën pas i fundosëm.” [Shuara; 119-120.]

“Kur arriti urdhri Ynë e uji nisi të gufojë nga sipërfaqja e tokës, Ne i thamë: Ngarko në anije nga çdo lloj gjallese nga një çift dhe familjen tënde, – përveç atyre kundër të cilëve ka qenë fjala e dënimit – dhe besimtarët! Por shumë të paktë ishin ata që i kishin besuar atij”  [Hud 40.]

“Por ata e quajtën gënjeshtar, kurse Ne e shpëtuam atë dhe të gjithë besimtarët që ishin në anije me të. Pastaj i bëmë zëvendës (të atyre që u zhdukën) dhe i fundosëm ata që përgënjeshtruan shpalljet Tona. Shikoje sesi ishte përfundimi i atyre që ishin paralajmëruar.” [Junus 73.]

Tekstet Kuranore tregojnë se toka u popullua pas kësaj vetëm nga pasardhësit e Nuhut (Paqja qoftë mbi të!). Sa për besimtarët që kishin shpëtuar bashkë me të në anije, asnjë nga pasardhësit e tyre nuk mbeti. Kështu që të gjithë njerëzit në tokë vijnë nga Nuhu (Paqja qoftë mbi të!).

Allahu i Lartësuar thotë: “Kur Nuhu Na thirri (në ndihmë), Ne iu përgjigjëm: E shpëtuam atë dhe familjen e tij prej katastrofës së madhe, i lamë në jetë vetëm pasardhësit e tij dhe e bëmë atë përkujtim për brezat e tjerë. Paqja qoftë me Nuhun ndërmjet gjithë krijesave! Ne kështu i shpërblejmë punëdrejtët. Ai është vërtet nga robërit Tanë besimtarë, pastaj i fundosëm të tjerët.” [Safat 75-82.]

Ali bin Ebi Talha transmeton nga Ibn Abasi se ka thënë: Nuk kishte mbetur askush përveç pasardhësve të Nuhut (paqja qoftë mbi të!).

Katade në lidhje me fjalën e Allahut “I lamë në jetë vetëm pasardhësit e tij”, ka thënë: Të gjithë njerëzit janë nga pasardhësit e Nuhut (paqja qoftë mbi të!). Tefsir el-Kuran el-Adhijm, Ibn Kethir 7/22.

El-Hafidh Ibn Kethir (Allahu e mëshiroftë!) thotë: Dijetarët kanë mendime të ndryshme në lidhje me numrin e njerëzve që ishin me të (Nuhun) në bordin e anijes.

Transmetohet nga Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: Ishin tetëdhjetë burra të shoqëruar nga gratë e tyre. Kab el Ahbar thotë se ishin shtatëdhjetë e dy njerëz. Kanë thënë gjithashtu se ishin vetëm dhjetë veta.

Një numër komentatorësh kanë thanë: Uji u ngrit derisa u bë pesëmbëdhjetë krahë mbi majën e malit më të lartë në tokë. Këtë mendim kanë dhënë ithtarët e librit. Gjithashtu kanë thënë se ishte tetëdhjetë krahë dhe se ajo e mbuloi tokën në gjatësinë dhe gjerësinë e saj, fushat, terrenin e thyer, malet, rajonet e shkreta dhe shkretëtirat me rërë, dhe nuk mbeti askush nga ata që kishin jetuar në tokë, as të rinj e as të moshuar.

Imam Maliku ka transmetuar nga Zejd bin Eslem i cili thotë: Popullsia në atë kohë mbushte fushat dhe malet.

Allahu nuk i dha askujt prej atyre besimtarëve që ishin me të (Nuhun) fëmijë ose pasardhës, përveç Nuhut (paqja qoftë mbi të). Allahu i Lartësuar thotë: “I lamë në jetë vetëm pasardhësit e tij” [Safat 37:77.] Kështu që të gjithë që jetojnë sot mbi faqen e dheut nga të gjitha rracat, janë bijtë e Ademit të cilët rrjedhin nga tre bijtë e Nuhut, domethënë; Sam, Ham dhe Jafith. Ibn Kethiri në El-Bidaje uen-Nihajeh 1 / 111-114.

Dijetari i madh Tahir bin Ashur (Allahu e mëshiroftë) thotë: Fakti që fraza “I lamë në jetë vetëm pasardhësit e tij” fillon me përemër, është për të treguar ekskluzivitetin. Me fjalë të tjera: Nuk kishte mbetur askush nga njerëzimi përveç atyre që Allahu i shpëtoi me Nuhun në anije, nga pasardhësit e tij, pastaj ata që kishin ardhur prej tyre. Askush nuk kishte mbetur nga bijtë e Ademit përveç pasardhësve të Nuhut. Kështu që të gjitha kombet janë pasardhës të tre bijve të Nuhut. Kuptimi i dukshëm i kësaj është se ata që besuan me Nuhun përveç bijve të tij, nuk patën asnjë pasardhës.

Ibn Abasi ka thënë: Kur Nuhu doli nga anija, burrat dhe gratë që ishin me të vdiqën përveç djemve dhe grave të tij. Kështu që ne mund t’i përgjigjemi kontraditës së dukshme midis këtij ajeti dhe ajetit në Suren Hud: “Ne i thamë: Ngarko në anije nga çdo lloj gjallese nga një çift, familjen tënde – përveç atyre kundër të cilëve ka qenë fjala e dënimit – dhe besimtarët! Por shumë të paktë ishin ata që i kishin besuar atij.” [Hud 11:40]. Ky ajet aludon në idenë se përmbytja e mbuloi tërë tokën dhe i shkatërroi gjithë njerëzit përveç atyre që Nuhu mbarti në anije. (Et-Tahrir uet-Tenuir, 23/47)

Në lidhje me fjalët e Allahut që thotë: “Ju jeni pasardhës të atyre që Ne i mbartëm me Nuhun! Ai ka qenë vërtet një rob mirënjohës.” [El-Isra 17: 3]

Si dhe fjala e Allahut që thotë: “Këta janë ata të cilët Allahu i begatoi nga profetët pasardhës të Ademit, të atyre që Ne i mbartëm me Nuhun, nga pasardhësit e Ibrahimit dhe të Izraelit dhe nga ata që Ne i udhëzuam dhe i zgjodhëm. Kur iu lexoheshin vargjet e të Gjithëmëshirshmit, binin në sexhde dhe qanin.” [Merjem 19:58]

Këto fjalë nuk tregojnë për vazhdmisëinë e pasardhësve të besimtarëve të cilët Nuhu (paqja qoftë mbi të) i mbajti me vete. Përkundrazi, janë për qëllim djemtë e Nuhut (paqja qoftë mbi të) pasardhësit e të cilëve mbijetuan, jo besimtarët e tjerë.

Dijetari i madh Shenkijti (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Ajeti: “Ju jeni pasardhës të atyre që Ne i mbartëm me Nuhun! Ai ka qenë vërtet një rob mirënjohës.” – tregon se asnjë nga pasardhësit e atyre që kishin lundruar në anije me Nuhun nuk mbijetuan, përveç pasardhësve të Nuhut. Ashtu si thuhet në ajetin tjetër: “I lamë në jetë vetëm pasardhësit e tij dhe e bëmë atë përkujtim për brezat e tjerë.” [Safat 37:77]

Edua el Bejan; 3/13.

Allahu e di më së miri!

Përshtati: Fatjon Isufi

Loading...