Obligueshmëria e distancimit nga përfolja e ndereve të të tjerëve

December 9, 2010

Obligueshmëria e distancimit nga përfolja e ndereve të të tjerëve
Hytbe e mbajtur nga shejhu i nderuar: Husejn Ali Shejh në xhaminë e Profetit salallahu alejhi ue selem .
“O ju të cilët keni besuar, kijeni frikë Allahun ashtu sic duhet dhe mos vdisni ndryshe vecse duke qenë muslimanë”
O ju muslimanë, nga të metat e mëdha dhe sëmundjet e rënda të cilat kanë prekur shoqëritë muslimane, është përhapja e vesit të thashethemeve, të cilat nuk bazohen në ndonjë fakt të prerë apo të ngrihen mbi ndonjë argument të qartë.
Kjo është një portë fitneje dhe një sprovë e madhe për islamin dhe muslimanët.
Kjo për vetë faktin se transporti i fjalëve të pa baza, shkakton prishjen e zemrave, coroditjen e mendjeve, shkatërrimin e vëllazërisë mes muslimanëve, sjell fatkeqësi dhe të këqija të panumërta, të pamasa.
Nuk i takon një shoqërie islame angazhimi me fjalë që përhapen dhe biseda që qarkullojnë, të cilat kanë si mbështetje të vetme paragjykimin, hamendësimin, supozimin, duke mos pasur kurrfarë verifikimi apo qartësimi. Kjo shkakton dëme të mëdha dhe përmban mëkate të mëdha. Për këtë arsye ka ardhur ndalimi i qartë nga zotëriu i njerëzisë salallahu alejhi ue selem në lidhje me këto parime të shëmtuara dhe sjellje të devijuara, sic transmetohet në dy Sahihet ku thotë: “Vërtetë Allahu urren për ju:thashethemet, pyetjet e shumta dhe shpërdorimin e pasurisë”.
Ibnul Kajjimi ka thënë: Kush është i preokupuar me xhenetin dhe Firdeusin, nuk ka kohë të merret me thashetheme, e kush distancohet nga njerëzit shpëton nga të këqijat e tyre’.
O ju vëllezër muslimanë! Shenjtëria e nderit në islam është e madhe, ndaj për këtë arsye konsiderohet nga zullumi më i madh cënimi i nderit(personalitetit) të ndonjë muslimani dhe shkelja e të drejtës së tij, vetëm e vetëm për shkak të pasioneve të verbëra apo ndjekjes së dikujt në mënyrë naive fanatike të rëndomtë. Është saktësuar se Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “ Kamata është 72 nivelesh. Niveli më i ulët është sikur të kryejë incest me të ëmën, ndërsa niveli më i rëndë është cënimi i nderit(personalitetit) të vëllait të tij” dhe thotë në hadithin tjetër: “ Kamata më e rëndë është ofendimi i ndereve(personaliteteve të njerëzve)”
Ndaj detyra e cdokujt që i trembet qëndrimit para Zotit të tij, që ia ka frikën momentit të daljes para Allahut, është që t`i largohet përzierjes në thashethemet e thashethemaxhinjve, të mos e angazhojë veten me gjëra që e dëmtojnë fenë e tij dhe që e bëjnë të rrezikojë me zemërimin e Zotit të tij.
Transmetohet në hadithin e saktë të cilin e përcjell Ahmedi dhe Ebu Daudi se Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush thotë për një besimtar atë që nuk është e vërtetë , Allahu do e fusë të banojë në radgatul habal( pellgu i qelbit dhe lëngjeve që dalin nga banorët e zjarrit) derisa të shlyejë atë që ka thënë”. Po ashtu në dy sahihet transmetohet thënia e Profetit salallahu alejhi ue selem : “ Kush i beson Allahut dhe Ditës së Fundit, le të thojë fjalë të mira ose le të heshtë”. Gjithashtu transmetohet tek Taberaniu me zinxhir hasen se Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “ Mos fol me gjuhën tënde vecse të mira dhe mos e zgjat dorën tënde vecse tek dicka e mirë”.
Vëllezër muslimanë! Nga mëkatet e qarta është nxitimi në përhapjen e lajmeve që nuk bazohen në fakte dhe përcjellja e bisedave që nuk kanë argumente. Zoti ynë thotë: “O ju të cilët keni besuar, nëse vjen ndonjë mëkatar i prishur me ndonjë lajm, jini të qartë(verifikojeni), ashtuqë të mos cënoni një popull padrejtësisht nga injoranca, e më pas të pendoheni për atë që bëtë” (Huxhurat 6)
Dijetarët e kanë theksuar fort faktin se nga shenjat e budallallëkut është mos verifikimi, gjurmimi i lajmeve të sajuara, hamendësimeve të kota, gjuetia e bisedave të trilluara, paragjykimi i muslimanëve dhe interpretimi sipas supozimeve të mbrapshta dhe të dyshimta. Vëllezër muslimanë! Rruga e besimtarëve të mirë,të devotshëm dhe të bindur ndaj Zotit të tyre, është përmbajtja ndaj parimeve islame, sic ua ka mësuar Krijuesi i tyre, ku ndër të tjera është: Mos përzierja në thashetheme me thashethemaxhinjtë, përkundrazi qëndrimi i tyre është zbatimi i fjalës së Allahut: “Kur e dëgjuan shpifjen, pse nuk menduan mirë besimtarët dhe besimtaret, njësoj sic do dëshironin për vetet e tyre, e të thonin: Kjo është shpifje e qartë” (Nur 12).
Nga ky ajet kuptohet qartë ndalesa nga përfshirja në përhapjen e lajmeve të pavërteta dhe distancimin nga lajmet që nuk tregojnë realitetin, sepse e dëgjojnë ajetin Kuranor: “ Ata të cilët duan që të përhapet imoraliteti në mesin e besimtarëve, do kenë dënim të dhimbshëm në këtë dunja dhe në Ahiret” (Nur 19). Kanë thënë dijetarët: Ky kërcënim ka të bëjë me ata që thjesht e dëshirojnë përhapjen e dickaje të tillë, e cfarë mund të thuhet për ata që e kanë marrë përsipër atë gjë(sajimin e shpifjes dhe përhapjen e saj)?!
Vëllezër muslimanë e keni detyrë distancimin nga e kota në fjalë, në të gjithë gamën e saj, dhe nga vulgariteti në të gjitha format që ai shfaqet, ku ndër të tjera përfshihet nxitimi për ofendimin e ndereve(personaliteteve) të muslimanëve në fenë e tyre, në besueshmërinë e tyre, pa asnjë të drejtë apo fakt. Allahu thotë në lidhje me robërit e shpëtuar: “ Janë ata të cilët distancohen nga e kota(në thënie dhe vepra)” (Muminun 3) dhe thotë: “ E kur ata dëgjojnë dicka të kotë, i kthejnë kurrizin(distancohen, e shpërfillin atë)” (Kasas 55)
Nxjerrja e vendimeve për ndokënd nga muslimanët pa qartësuar shkaqe të konsiderueshme fetarisht, pa sjellë gjëra të prera, as fakte të sakta, as argumente të qarta është gjë shumë e shëmtuar në islam, që shkakton sherr të rrezikshëm dhe fatkeqësi të madhe.
Kush iu shmanget parimeve fetare dhe rregullave akademike fisnike të larta, ka rënë në dërdëllitje të kota dhe në budallallëk të shprehur, duke u shndërruar në ofendues, tallës, me fjalë dhe vepra, agresor ndaj muslimanëve, i devijuar nga rruga e drejtë, lënës i drejtësisë së paanshme.
Dije mirë o ti kritikues! Se nderet e muslimanëve janë gropë nga gropat e zjarrit të xhehenemit, ndaj ki kujdes nga të qënurit në buzë të asaj grope, sic e ka shprehur këtë Ibn Dekik el Ijdi.

Dije se nëse ti i bën xherh një muslimani pa e verifikuar cështjen dhe pa qenë i matur, ke kryer një akuzë ndaj një muslimani të pafajshëm dhe e ke damkosur me një damkë të keqe, e cila do i ngelet padrejtësisht përgjithmonë, por edhe mëkati i kësaj vepre do të të ngelet ty përgjithmonë.-
Nga llojet më të rënda të gibetit,më të dëmshmet, më të shëmtuarat dhe më shkaktaret e belave, por njëkohësisht që meriton dhe ndëshkimin më të ashpër, është ajo që shkruhet, megithëse nuk ka kurrfarë baze apo mbështetje, përkundrazi është vetëm injorancë e theksuar në lidhje me realitetin e gjërave, ekstremizëm i tejskajshëm në paragjykimin e gabuar ndaj muslimanit.Kjo gjë e shkruar më pas lexohet nga të gjithë, por mos harro se banorët e qiellit dhe të tokës do jenë dëshmitarë kundra teje për atë që ke shkruar.
O ti që bën këtë lloj gabimi! Kujto atë që transmetohet nga Profeti salallahu alejhi ue selem në dy Sahihet ku thotë: “ Njeriu flet një fjalë duke mos i dhënë rëndësi, por që me të zhytet në zjarr në një distancë më të largët se ndërmjet lindjes dhe perëndimit”. Le të përkujtojë muslimani se Allahu do e pyesë për dëgjimin, shikimin, zemrën, atë që ka thënë, dije se Allahu është Mbikqyrës i yti, Dëshmues i thënieve dhe veprimeve të tua.
Dije se e vërteta-si në këtë dunja dhe në Ahiret- do triumfojë, do shtohet dhe lartësohet, ndërsa e kota do poshtërohet, ultësohet dhe zhduket. Shpifja dhe trillimi sado që mund të fryhet dhe lartësohet në horizont dhe përhapet ndërmjet muslimanëve, në të vërtetë po e tërheq të zotin e saj përposhtë në humnerë, po e zhyt në përfundimin e keq, si në dunja dhe në Ahiret.
Të gjithë ne, duhet tu përmbahemi kritereve të përcaktuara me sheriat të cilat i solli Profeti ynë, Muhamedi salallahu alejhi ue selem , kritere që përfshijnë cdo fushë, qoftë dhe në fushën e lajmeve që përhapen. Gjithashtu gjithmonë duhet të kemi parasysh mbikqyrjen e Allahut, të Gjithpushtetshmit, Ngadhënjyes.
Imam Ahmedi ka thënë: Nuk kam parë dikë që të ketë folur për njerëzit vecse ka rënë dhe ai vetë.
Le të përkujtohet ai që e lëshon lapsin apo gjuhën e tij në xherh dhe ofendim, me fjalë të pabazuara në dicka të qëndrueshme, përkundrazi vetëm me padituri rreth gjendjes konkrete dhe mos paraftyrim sic duhet të situatës reale, le ta dijë se është duke bërë zullum dhe duke shkelur të drejtën e tjetrit. Le të ketë frikë për veten e tij nga ndonjë dua që udhëton natën, ndërkohë që ai është i shkujdesur, sepse Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “ Ruaju nga lutja e atij që i është bërë padrejtësi, sepse nuk ka pengesë mes saj dhe Allahut”.
Të vërtetën ka thënë poeti:

Zullumqarit i vërtiten dhe grumbullohen të zezat
Sepse Allahu e ka vendosur që zullumi t`i shkatërrojë të zotët e vet.
Allahu u bekoftë ju dhe mua me Kuran, e na bëftë dobi me udhëzimin dhe dalluesin e të vërtetës nga e kota që gjendet në të. I thashë këto fjalë dhe i kërkoj falje Allahut për vete dhe ju dhe për të gjithë muslimanët, kërkojini falje sepse Ai është Mëkatfalës, Mëshirues.
(Pjesa e dytë e hytbes)
E më pas:
O ju muslimanë, u porosis ju dhe veten time me devotshmërinë ndaj Allahut, fshehtas dhe haptas, në dukje dhe në brendësi, në fjalë dhe në vepra.O ti musliman! Lumturia dhe shpëtimi në cdo sprovë është të zbatosh fjalën e Profetit salallahu alejhi ue selem : “Frenoje gjuhën tënde, të të mjaftojë shtëpia jote dhe qaj për mëkatet e tua”.
Transmeton Ibn Sa`di në et-Tabakat nga Mutarrif bin Abdullah bin Shihir se ai tha: Kam ndenjur shtatë vjet në kohën e fitnes së IbnZubejrit, duke mos përcjellë lajme dhe as duke kërkuar që të njoh lajme prej saj, e megjithatë nuk shpëtova paq(nga përfolja).
Ndaj o musliman si është gjendja e atij që përfshihet me thashethemaxhinjtë dhe që përflasin nderet e muslimanëve?!
Nëse dëgjon dikë që sulmon një musliman, mos e beso, por verifikoje, tregohu i matur, kërkoje të vërtetën, ndiqe të pastërtën dhe mos u bëj palë ndihmuese në përhapjen e informacioneve dashakeqe që qarkullojnë, apo të lajmeve të pabazuara, sepse në hadith Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “I mjafton njeriut si e keqe që të flasë cdo gjë që dëgjon”.
E në fund, dijeni se Allahu na ka urdhëruar me një gjë madhështore, e cila është shtimi i salavateve dhe selameve për Profetin fisnik salallahu alejhi ue selem .
Përktheu: Shuajb Rexha, Ebu Duxhanah.

Loading...