Histori e mrekullueshme pendimi – Pjesa e parë

September 28, 2021

Të nderuar vëllezër! Kur Allahu i Madhëruar flet për shokët e Profetit – sal lall llahu alejhi ue sel lem – thotë: “Pati disa burra prej besimtarëve që ishin të sinqertë në besën që i’a dhanë Allahut. Disa prej tyre e mbajtën fjalën e tyre (e çuan në vend premtimin, duruan në vështirësi dhe ranë dëshmorë në rrugë të Allahut), e disa të tjerë presin t’a çojnë në vend dhe nuk kanë ndryshuar.”

Pra, Allahu i quajti ata “burra”, e prej cilësisë më të shquar të burrave është se ata e mbajnë fjalën. Allahu na bëftë të tillë.

Për njërin prej këtyre burrave do të flasim sot me lejen e Allahut të Lartësuar.

Kanë transmetuar autorët e dy “Sahiheve” (Buhariu 8/86, 93 dhe Muslimi: 2769) duke thënë: Abdullahu i biri i Kab bin Malikut ishte ai që e orientonte Kabin – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – kur ai humbi shikimin. Thotë (Abdullahu): E kam dëgjuar Kab Ibn Malik – radijallahu anhu – të tregonte historinë e tij kur mbeti mbrapa dhe nuk i’u bashkua të Dërguarit të Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – në betejën e Tebukut.

Beteja e Tebukut ka ndodhur në vitin e 9 të hixhretit. Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – u nis të përballej me Romakët dhe me disa prej arabëve që kishte dëgjuar se po planifikonin të sulmonin Medinen. Kështu që u doli para të gjitha këtyre ngjarjeve dhe u nis me një ushtri prej rreth 30.000 besimtarësh. Kur arriti në vendin e quajtur Tebuk, në veri-perëndim të Arabisë Saudite në kufi me Jordaninë, qëndroi atje më shumë se 10 ditë e më pak se 20 por asnjë ushtri nuk erdhi të përballej me të. Allahu hodhi frikë në zemrat e armiqve të tij në largësinë një muaj siç i kishte premtuar, dhe kjo ishte nga veçoritë e tij – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Gjatë kësaj kohe nënshkroi disa marrëveshje me disa fise arabe të krishtera të cilat do të paguanin xhizjen, dhe në këmbim do fitonin sigurinë e muslimanëve. Kjo ishte një tregim force për të gjithë ata që mendonin t’a sulmonin shtetin Islam të Medines.

Kabi tregon: Nuk kam mbetur pas të Dërguarit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – në asnjë betejë që ka zhvilluar përveç asaj të Tebukut. Unë s’kam marrë pjesë as në betejën e Bedrit por askush nga ata që s’kanë marrë pjesë në atë luftë nuk është qortuar, sepse i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – dhe muslimanët dolën për karvanin e Kurejshëve (dhe nuk mendonin se do të luftonin). Por Allahu i Lartësuar i bashkoi ata me armiqtë rastësisht (pa dëshirën apo synimin e mëparshëm të palëve). E megjithatë unë kam qenë dëshmitar me të Dërguarin e Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – në natën e Akabesë kur dhamë besën për Islamin, dhe nuk do të dëshiroja që t’a ndërroja atë me Bedrin edhe pse Bedri përmendet më shumë në mesin e njerëzve se ajo.

Historia ime kur mbeta pas të Dërguarit të Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – në betejën e Tebukut ishte se kurrë s’kisha qenë më i fortë e as më i mundshëm se sa në atë luftë. Pasha Allahun se para asaj kurrë s’kisha mbledhur dot bashkë dy kafshë për udhëtim, veçse në atë betejë. Sa herë që i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – dëshironte të dilte për në ndonjë betejë aludonte për ndonjë drejtim tjetër të ndryshëm nga ai që synonte, derisa erdhi kjo betejë ku i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – doli në mesin e një të nxehti të madh dhe u nis për udhëtim të gjatë në mes të shkretëtirës pa ujë (623 km larg Medines). U mblodhën një numër shumë i madh ushtarësh dhe ai ua tregoi haptas destinacionin e tij që të përgatiteshin për luftë, pra u tregoi se ku dëshironte të arrinin. Atë ditë muslimanët ishin aq të shumtë në numër sa nuk u mbajt asnjë regjistër për t’i regjistruar, pra s’u mbajt shënim emri i askujt nga ata që do të merrnin pjesë.

Nuk kishte ndonjë që donte të mungonte (në këtë betejë) veçse mendonte se mungesa e tij nuk do të vihej re, vetëm nëse zbriste shpallje prej Allahut. I dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – po përgatitej për luftë në një kohë kur frytet ishin pjekur (dhe kishte ardhur koha e vjeljes së tyre), dhe pemët bënin hije e unë e kisha mendjen tek ato. Kështu i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – u përgatit dhe bashkë me të edhe muslimanët. Edhe unë nisa të përgatitesha por sapo filloja përgatitjen e lija dhe nuk bëja asgjë, dhe thosha me vete: Unë mund të përgatitem kur të dua. – Dhe kështu e zvarrisja këtë punë dhe e zvarrisja ndërkohë që njerëzit vazhdonin përgatitjet me zell, derisa u nis i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – dhe bashkë me të edhe muslimanët. Unë s’kisha bërë gati asgjë dhe vazhdova t’a lija për më vonë derisa më iku karvani dhe e humba atë luftë (nuk mora dot pjesë në të). Atëherë vendosa të nisem dhe t’i arrij – dhe ah sikur t’a kisha bërë – por nuk e kisha të shkruajtur.”

Këtë e thotë Kabi – radijallahu anhu – pasi çështja kishte mbaruar, pra pas disa vitesh kur kishte mbaruar kjo histori. Argumentimi me kaderin përpara se të veprojë njeriu dhe të thotë: Po t’a kem të shkruar do të falem, po t’a kem të shkruar do të agjëroj etj. kjo nuk lejohet sepse Allahu na ka krijuar që të falemi e të agjërojmë prandaj ne duhet të japim mundin tonë për t’i bërë këto. E nëse pas kësaj e harrojmë ndonjë namaz apo nuk arrijmë dot t’a kryejmë pasi kalon koha e tij, atëherë mund të themi: “S’e kisha të shkruar.” Ama përpara se të ndodhë vepra ne nuk e dimë se ç’është e shkruar, dhe nuk lejohet të merremi me këtë pjesë por duhet të merremi me atë që kërkon Allahu prej nesh.

Këtu vërejmë dëmin e dynjasë; frytet, pemët, gjëja e gjallë, dynjaja, ajo nuk duhet të të angazhojë nga adhurimi i Krijuesit dhe Dhuruesit të tyre. Ai t’i dhuroi ato që të të sprovojë me to dhe të shikojë se si do të jesh në adhurime.
Po ashtu shohim dëmin e vonesës: ‘do ta bëj’, ‘do ta bëj’. Zvarritja dhe lënia për më vonë të humbasin shanset për vepra të mira dhe ajo që vjen pas tyre është vetëm pendim dhe keqardhje për rastin e humbur dhe për shansin e çuar dëm. Sidomos kur shikon të tjerët që kanë përparuar dhe t’a kanë kaluar. Prandaj mos rri mbas karvanit por kalëro bashkë me ta dhe garo. Shikoni tani çfarë ndjenjash e pushtonin Kabin dhe çfarë trishtimi:

Pasi i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – doli nga Medina fillova të dilja mes njerëzve. Më trishtonte fakti që nuk gjeja askënd si vetja, askënd që të ngushëllohesha (që edhe ai kishte mbetur pas si unë, sepse kur shikon edhe të tjerë që kanë të njëjtin hall me ty sikur të lehtësohet pak halli). Nuk gjeja dikë të tillë përveç dikujt që ishte i zhytur në hipokrizi, ose ndonjë burrë që Allahu i Lartësuar e kishte justifikuar prej njerëzve të dobët (dhe kjo padyshim i’a shtonte edhe më shumë pikëllimin dhe pendimin, dhe kjo është zemra e gjallë që e ndien peshën e fajit). Të Dërguarit të Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – nuk i kishte shkuar mendja tek unë, nuk më kishte kujtuar veçse kur arriti në Tebuk. Kur ishte ulur në mesin e njerëzve në Tebuk kishte thënë: Po Kab ibn Maliku? Një burrë prej fisit Benu Selemeh tha: I mori mendjen veshja (rrobat e tij) dhe i pëlqeu vetja (e kapi veten Kabi dhe i mori mendjen luksi e i hyri vetja në qejf).

Shikoni si thotë sahabiu: “një burrë nga fisi filan”, pa e përmendur me emër për të mos e demaskuar atë që e përgojoi, sepse tashmë atë me siguri e kanë këshilluar dhe e ka kuptuar gabimin dhe i ka kërkuar falje Allahut për të. Prandaj nuk bën të turpërohet pas kaq kohësh që ka kaluar kjo histori sidomos kur Islami i tij është përsosur. E shikoni çfarë shoqërie ishte ajo e sahabëve o vëllezër! E kush prej nesh nuk gabon? Po çfarë do të bëjmë ne? Do të vazhdojmë gjatë gjithë jetës të mbajmë mend rrëshkitjet e njëri-tjetrit dhe të mbajmë deftere për gjynahet e të shkuarës? Kjo nuk është sjellje e besimtarit sepse besimtari mbulon, pranon justifikimin e të tjerëve dhe fal e harron: “A nuk dëshironi që edhe Allahu t’ju falë juve?” Sidomos kur Islami i atij që dikur gaboi është përsosur dhe ka ndërruar e është rregulluar. Allahu i Madhëruar thotë: “Me të vërtetë veprat e mira i shlyejnë të këqijat.” Përmirëso atë që të ka mbetur nga jeta, të falet ajo që ke gabuar, – por jo kur vazhdon të biesh nga gabimi në gabim.

Shikoni tani mbrojtjen e nderit të vëllait në mungesë. Dikush e përfoli mbas krahëve dhe u mbajt sekret emri i tij, ndërsa dikush tjetër i doli në mbrojtje dhe u shfaq emri i tij. Pra e mira që bëri u shfaq me krenari që të ishte shembull për gjithë besimtarët që gjenden në të njëtjën situatë, në situatën ku flitet keq për një besimtar në mungesë të tij, në një rast ku nuk mund të dëgjohet versioni dhe justifikimi i tij.

I tha Atij Muadh ibn Xhebeli – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – : Sa e keqe është ajo që the! Pasha Allahun o i Dërguari i Allahut, nuk dimë për të veçse mirë.” Ndërsa i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – heshti.

Në një rast vet Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka marrë në mbrojtje nderin e shokut të tij në mungesë. Itban bin Malik – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – përcjell se Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – tha: Ku është Malik ibn Duhshum? – Një burrë tha: Ai është hipokrit, nuk e do Allahun dhe as të Dërguarin e Tij. Atëherë Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – i tha: Mos thuaj ashtu! A nuk e shikon se ai ka thënë ‘La ilahe il lall llah’ fjalë me të cilën kërkon të arrijë kënaqësinë e Allahut, dhe Allahu i’a ka bërë të ndaluar zjarrit atë njeri që thotë ‘La ilahe il lall llah’ duke dashur me këtë kënaqësinë e Allahut.” (Transmeton Buhariu)

Pra gabimi i sahabit më sipër ishte i dyfishtë: Foli për zemrën gjë për të cilën ne s’kemi dituri, pra përmendi dashuri dhe urrejtje gjëra që janë vepra të fshehta të zemrës, të cilat nuk i di veçse Allahu dhe neve nuk na lejohet të hulumtojmë për to. Dhe gabimi i dytë; përfolja në mungesë, gibeti. Shikoni çfarë fitoi sahabiu Malik ibn Duhshum, kur vet i Dërguari i Allahut e pastroi figurën e tij dhe e nderoi kur kërkonin t’a ulnin, tha: Ai tha ‘La ilahe il lall llah’ me sinqeritet, Ai e do Allahun. Çfarë dëshmie! Dhe nga kush? Nga vetë i Dërguari i Zotit. Lum për ty o Malik bin Duhshum! Allahu qoftë i kënaqur me ty dhe me ne!

Po ashtu Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka thënë: “Kush e mbulon të metën e muslimanit Allahu do t’a mbulojë të metën e tij në Ditën e Gjykimit.” (Buhariu)

Në një hadith tjetër ka ardhur: “Kush e mbron nderin e vëllait të tij në mungesë është detyrë për Allahun që t’a çlirojë atë nga zjarri.” Transmeton Ahmedi në “Sahihul Xhamiu” (6240).

 

Vijon….

Dosje: ,

Loading...