Veçoria e tetë: Shami është vendi i xhamisë së begatë Aksa

November 5, 2021

Veçoria e tetë: Shami është vendi i xhamisë së begatë Aksa.

Njerëzit kudo që kanë banuar në tokë, përveç gjurmëve të banimit kanë lënë edhe gjurmët e kulturës dhe të bindjeve të tyre. Gjëja më e shtrenjtë për besimtarët është besimi, sepse Allahu i Madhëruar ua ka bërë të ditur qëllimin e krijimit të njerëzve, prandaj dhe gjurmët e kulturës së tyre në tokë tregojnë për besimin që ata kanë mbajtur dhe rëndësinë që i kanë kushtuar atij. Në Sham besimtarët e hershëm na kanë lënë trashëgimi një xhami të begatë për adhurimin e Allahut, e cila njihet me emrin Xhamia Aksa.

Xhamia Aksa ndodhet në Sham dhe ekzaktësisht në Palestinë, në qytetin e vjetër “Ilija” ose “El-Kuds” siç e quajnë myslimanët, ose ndryshe “Jeruzalem” siç njihet nga bota e krishterë.

Emrat e xhamisë Aksa dhe kuptimet e tyre.

Xhamia Aksa në histori njihet me disa emra, ku tre emrat më të njohur janë:

1- El-Mesxhid El-Aksa që do të thotë: Xhamia më e Largët.

Xhamia Aksa është quajtur me këtë emër për shkak se ajo në lidhje me Qaben është më larg se xhamia e profetit Muhamed -alejhi selam- në Medine. Ajo me këtë emër është përmendur në Kuran ku Allahu i Madhëruar thotë:

سُبْحَانَ الَّذِي أَسْرَى بِعَبْدِهِ لَيْلًا مِنَ الْمَسْجِدِ الْحَرَامِ إِلَى الْمَسْجِدِ الْأَقْصَى الَّذِي بَارَكْنَا حَوْلَهُ

I lartësuar qoftë Allahu i Cili e nisi robin e Tij për udhëtim natën, nga Xhamia e Shenjtë (Qabeja) për në Xhaminë Aksa rreth së cilës kemi hedhur begatinë Tonë.” Suretu El-Isra: 1.

2- Bejtul-Makdis që do të thotë: Shtëpia e Pastrimit.

Xhamia Aksa është quajtur me këtë emër sepse ajo është vend ku njeriu pastrohet nga gjynahet, siç thonë komentuesit e haditheve. Ajo me këtë emër është përmendur shpesh herë si në fjalët e Profetit -alejhi selam- ashtu dhe në fjalët e sahabëve, tabi’inëve etj.

Xhabir bin Abdilah -radiallahu anhu- tregon se e ka dëgjuar Profetin -alejhi selam- duke thënë: “Kur Kurejshët më përgënjeshtruan (për udhëtimin brenda natës për në xhaminë Aksa), shkova te Hixhri (një vend bosh në formën e një gjysmë rrethi përbri Qabes) ku Allahu ma zbuloi Bejtul-Makdisin dhe unë fillova t’u tregoj rreth saj.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

El-Bera bin El-Azib -radiallahu anhu- tregon: “Jemi falur me Profetin -alejhi selam- në drejtim të Bejtul-Makdis gjashtëmbëdhjetë apo shtatëmbëdhjetë muaj, pastaj u urdhëruam të ndryshojmë në drejtim të Qabes.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

3- Mesxhid Ilija që do të thotë: Xhamia e qytetit të Ilijasë.

Xhamia Aksa është quajtur me këtë emër për shkak se Jeruzalemi vendi ku ndodhet kjo xhami në Sham njihet edhe me këtë emër -siç u tha më lart, ose [Ilija] është vetë xhamia sepse fjala [Ilija] e cila vjen nga hebraishtja do të thotë Shtëpia e Allahut, siç thonë dijetarët e gjuhës arabe.

Edhe ky emër mendohet të jetë përmendur nga Profeti -alejhi selam- në hadithin e ndalimit të udhëtimit me përjashtim të tre xhamive të begata, sepse në një prej transmetimeve të këtij hadithi Ebu Hurejra -radiallahu anhu- tregon se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Udhëtohet vetëm për në tre xhami: Xhamia e Qabes, xhamia ime dhe xhamia e Ilijasë.” E transmeton Muslimi. Mirëpo ka mundësi që hadithi të jetë përcjellë me kuptim d.m.th. transmetuesi ka përdorur fjalët e tij për të përcjellë hadithin profetik dhe kështu ky emërtim i bie të jetë nga transmetuesit. Megjithatë, emërtimi ka qenë i njohur te sahabët dhe tabi’inët sepse ka ardhur edhe në hadithe të tjera.

Ndërtimi i xhamisë Aksa.

Nuk dihet me saktësi se kush e ka ndërtuar këtë xhami, por e sigurt është se ajo është ndërtuar pas Qabes. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:

إِنَّ أَوَّلَ بَيْتٍ وُضِعَ لِلنَّاسِ لَلَّذِي بِبَكَّةَ مُبَارَكًا وَهُدًى لِلْعَالَمِينَ

Shtëpia e parë e ndërtuar për njerëzit është ajo e Bekës (e Mekës), e bereqetshme dhe udhëzim për mbarë botët.” Suretu Ali Imran: 96.

Pastaj kur flet për ndërtimin e Qabes thotë:

وَإِذْ يَرْفَعُ إِبْرَاهِيمُ الْقَوَاعِدَ مِنَ الْبَيْتِ وَإِسْمَاعِيلُ رَبَّنَا تَقَبَّلْ مِنَّا إِنَّكَ أَنْتَ السَّمِيعُ الْعَلِيمُ

Përkujto kur Ibrahimi ngriti themelet e shtëpisë (së Allahut) së bashku me Ismailin, duke thënë: O Zot! Pranoje prej nesh se Ti je Dëgjuesi dhe i Dijshmi!” Suretu El-Bekara: 127.

Këto dy ajete së bashku tregojnë për dy fakte:

I pari: Xhamia Aksa është ndërtuar pas Qabes përderisa Qabja është xhamia e parë.

I dyti: Xhamia Aksa nuk mund të jetë ndërtuar para kohës së Ibrahimit -alejhi selam- përderisa ai është ndërtuesi i Qabes, xhamisë së parë[1].

Në këtë përfundim çon gjithashtu edhe një hadith i Profetit -alejhi selam- i përcjellë nga Ebu Dherri -radiallahu anhu- i cili tregon:

E pyeta Profetin -alejhi selam: Cila xhami është ndërtuar e para?

Profeti -alejhi selam- më tha: Xhamia e Shenjtë (Qabja).

I thashë: Pastaj cila?

Profeti -alejhi selam- më tha: Xhamia Aksa.

I thashë: Sa ka pasur mes tyre?

Profeti -alejhi selam- më tha: Dyzet vjet. Pastaj ku të të kapë namazi falu se aty është xhami.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Ky hadith i cili na jep një distancë kohore prej dyzet vjetësh mes dy xhamive, përveçse pohon atë që u tha më lart na mundëson gjithashtu të hulumtojmë më saktë edhe për ndërtuesin e mundshëm të saj.

Bazuar në këtë distancë kohore të përmendur në hadith, mund të themi se për ndërtuesin e kësaj xhamie duhet të merren parasysh edhe tre fakte të tjera:

I pari: Xhamia Aksa duhet të jetë ndërtuar nga dikush prej familjes së Ibrahimit -alejhi selam- ose vet Ibrahimi -alejhi selam-, ose dikush tjetër prej pasardhësve të tij në Sham sepse ai dhe familja e tij përbënin besimtarët e asaj kohe në atë zonë.

I dyti: Xhamia Aksa nuk mundet të jetë ndërtuar nga pasardhësit e vonshëm të Ibrahimit -alejhi selam- sepse ata që janë vonë nuk përshtaten me periudhën 40 vjet të përmendur në hadith.

I treti: Xhamia Aksa duhet të jetë ndërtuar nga ndonjë profet i familjes së Ibrahimit -alejhi selam- sepse Allahu i Madhëruar te gjurmët e profetëve të Tij hedh begatinë. Said bin El-Musejjib, dijetari i madh i tabi’inëve -Allahu e mëshiroftë- thoshte: “Nuk ka itikaf veçse në xhaminë e ndonjë profeti[2] – çfarë do të thotë se itikafi vlen vetëm në xhamitë e profetëve pasi vetëm atje ka shumëfishim sevapesh, ndërsa të tjerat të gjitha janë njësoj. Përderisa në xhaminë Aksa ka shumëfishim sevapesh -siç do të vijë- atëherë ajo patjetër është ndërtuar nga ndonjë profet.

Këto karakteristika nuk mund të plotësohen vetëm se nga tre veta: Ibrahimi -alejhi selam-, Is’haku -alejhi selam- dhe Jakubi -alejhi selam. Pas Jakubit -alejhi selam- nuk duhet parë për ndërtimin e kësaj xhamie sepse pas tij koha zgjatet shumë më shumë se 40 vjet dhe ashtu dalim jashtë këtij përcaktimi.

Ibrahimi -alejhi selam- ka më pak mundësi t’a ketë ndërtuar këtë xhami sepse rreth tij janë përmendur shumë ngjarje në Kuran dhe në Sunet dhe kjo nuk përmendet. Pastaj ai historikisht dihet se ka jetuar në Hebron, sot qyteti Khalil në Palestinë, e jo në El-Kuds vendi ku ndodhet xhamia Aksa.

Is’haku -alejhi selam- profeti i cili erdhi pas Ibrahimit -alejhi selam-, për nga ana kohore e përmendur në hadith mundet t’a ketë ndërtuar atë, por edhe ai nuk njihet për këtë veprim.

Ndërsa Jakuni -alejhi selam- ka më shumë mundësi të jetë ndërtuesi i saj pasi është edhe profeti i tretë i kësaj familjeje në Sham, edhe koha e tij është e mundshme. Duke qenë se kjo xhami ka qenë e nderuar nga Beni Israilët të cilët janë pasardhësit e tij në Sham, atëherë i përshtatet që ai të jetë ndërtuesi i saj. Jakubi -alejhi selam- duhet t’a ketë ndërtuar këtë xhami para se të largohej me bijtë e tij për në Egjipt, sepse ata atje kanë qëndruar gjatë deri në kohën e Musait dhe të Harunit -alejhima selam.

Ibn Kethiri, historiani i njohur i Islamit -Allahu e mëshiroftë- thotë: “Sipas Ehli Kitabit, Jakubi -alejhi selam- është ai i cili e ka themeluar xhaminë Aksa e cila është xhamia e Ilijasë -Allahu e nderoftë! Kjo  gjë duket e drejtë dhe për të dëshmon edhe hadithi i Ebu Dherrit -radiallahu anhu. Pra, atë e ka ndërtuar Jakubi -alejhi selam- i cili është Israili, pas ndërtimit të Qabes nga i dashuri i Allahut dhe biri i tij Ismaili me dyzet vjet.[3]

Edhe Kurani jep shenja se xhamia Aksa ka qenë para Musait -alejhi selam, dhe ja dy vende ku mendohet se bëhet fjalë për të.

Allahu i Madhëruar kur tregon për Musain -alejhi selam- pas shpëtimit të tij dhe të Beni Israilëve nga Faraoni, thotë se ai i tha popullit të tij:

يَاقَوْمِ ادْخُلُوا الْأَرْضَ الْمُقَدَّسَةَ الَّتِي كَتَبَ اللَّهُ لَكُمْ وَلَا تَرْتَدُّوا عَلَى أَدْبَارِكُمْ فَتَنْقَلِبُوا خَاسِرِينَ

O populli im! Hyni në tokën e pastruar të cilën ua ka caktuar Allahu, dhe mos u zmbrapsni që të mos ktheheni të mundur.” Suretu El-Maide: 21.

Fjala e Allahut [Hyni në tokën e pastruar], thuhet se është përshkrim i Bejtul-Makdisit.

Gjithashtu, kur Allahu i Madhëruar përmend historinë e Josha bin Nun -alejhi selam, profeti i cili mori drejtimin e Beni Israilëve pas Musait -alejhi selam-, thotë:

وَإِذْ قُلْنَا ادْخُلُوا هَذِهِ الْقَرْيَةَ فَكُلُوا مِنْهَا حَيْثُ شِئْتُمْ رَغَدًا وَادْخُلُوا الْبَابَ سُجَّدًا وَقُولُوا حِطَّةٌ نَغْفِرْ لَكُمْ خَطَايَاكُمْ وَسَنَزِيدُ الْمُحْسِنِينَ

Përkujto kur u thamë (Beni Israilëve): Hyni në këtë fshat dhe hani ç’të doni prej tij! Te porta të hyni të përkulur duke thënë ‘Falna!’ që Ne t’ju falim gjynahet tuaja dhe t’ua shtojmë mirësitë punëmirëve.” Suretu El-Bekara: 58.

Fjala e Allahut [Hyni në këtë fshat] d.m.th. Hyni në Bejtul-Makdis, siç thonë shumica e komentuesve të Kuranit si; Katade, Ismail Es-Suddij dhe Er-Rabij bin Enes El-Bekrij -Allahu i mëshiroftë. Madje për këtë ngjarje ka ardhur edhe një hadith i saktë ku Profeti -alejhi selam- thotë: “Dielli nuk është ndalur për shkak të ndonjë njeriu përveçse për Joshën kur ai u nis (për të çliruar) Bejtul-Makdisin.” E transmeton Ahmedi dhe e saktëson sheih Albani.

Ky përfundim në të cilin arritëm nuk bie në kundërshtim me një hadith tjetër të saktë i cili do të vijë më poshtë, ku thuhet se atë e ndërtoi Sulejmani -alejhi selam. Sulejmani është ndërtuesi i dytë i saj pas kthimit të Beni Israilëve nga Egjipti, siç sqaron Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë- në historinë e profetëve ku thotë: “(Hadithi i ndërtimit të Sulejmanit -alejhi selam-) Ka për qëllim dhe Allahu e di më së miri, se ai është rindërtuesi i saj, sepse siç thamë mes tyre (mes Qabes dhe xhamisë Aksa) ka dyzet vjet. Nuk ka thënë njeri se mes Sulejmanit dhe Ibrahimit ka dyzet vjet veçse Ibn Hibani, dhe mendimin e tij nuk e ka përkrahur njeri dhe as e ka thënë kush para tij.[4]

Vendi i xhamisë Aksa.

Xhamia Aksa është ndërtuar në qytetin El-Kuds në Palestinë, mbi një kodër të ulët dhe me majë të sheshtë. Ajo me këtë përshkrim mendohet të jetë përmendur në Kuran, ku Allahu i Madhëruar thotë:

وَجَعَلْنَا ابْنَ مَرْيَمَ وَأُمَّهُ آيَةً وَآوَيْنَاهُمَا إِلَى رَبْوَةٍ ذَاتِ قَرَارٍ وَمَعِينٍ

Ne e bëmë të birin e Merjemes dhe nënën e tij mrekulli, dhe i strehuam ata te një kodër e sheshtë dhe me ujë të rrjedhshëm.” Suretu El-Muminun: 50.

Katade -Allahu e mëshiroftë- në komentim e këtij përshkrimi thotë: “Ai vend është xhamia Aksa.”[5]

Ibn Kethiri pas këtij citati thotë: “Ky përcaktim është më afër me përshkrimin e ajetit të Kuranit, dhe Allahu e di më mirë të vërtetën.[6]

Në mes të vendit të sheshtë gjendet një shkëmb i cili ka qenë kibla e Beni Israilëve dhe kibla e parë e ymetit tonë.

Sot vendi i sheshtë i kësaj kodre është i rrethuar me një mur të trashë me disa porta, dhe toka që rrethohet nga ky mur quhet Xhamia Aksa.

 Vlerat e xhamisë Aksa.

Xhamia Aksa sipas lajmeve të përcjella rreth saj përmban disa vlera:

E para: Xhamia Aksa është xhami e ndërtuar nga profetët e Allahut për adhurimin e Tij.

Ndërtimi i xhamisë Aksa nga profetët e Allahut të Madhëruar tregon se ajo xhami është ndërtuar mbi bazën e devotshmërisë për të cilën shquhen profetët e Allahut. Rreth kësaj baze, Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:

لَمَسْجِدٌ أُسِّسَ عَلَى التَّقْوَى مِنْ أَوَّلِ يَوْمٍ أَحَقُّ أَنْ تَقُومَ فِيهِ

Xhamia e ndërtuar mbi bazën e devotshmërisë që në ditën e parë të saj e meriton me shumë se çdo tjetër të falesh në të.” Suretu Et-Teube: 108.

Fjala e tij [mbi bazën e devotshmërisë] d.m.th. për hir të Allahut dhe për t’a adhuruar Atë, pa e përzier adhurimin e Tij me asnjë nijet tjetër qoftë ai shirk i madh, apo i vogël si; syefaqësia, fama etj.

Kështu, i pari ndërtues i xhamisë Aksa është Jakubi -alejhi selam -siç u tha më lart-, pastaj e rindërtoi atë Sulejmani -alejhi selam-, pastaj u kujdesën për të profetët e Beni Israilëve dhe ndjekësit e tyre. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me dy xhamitë e tjera: Qabja dhe xhamia e Medinës, sepse edhe ato u ndërtuan mbi bazën e devotshmërisë, e para nga Ibrahimi -alejhi selam- dhe tjetra nga profeti Muhamed -alejhi selam.

E dyta: Xhaminë Aksa e kanë mbushur me dhikër dhe ibadet profetët e Beni Israilëve dhe ymeti i tyre.

Ymeti i Beni Israilëve ka pasur shumë profetë dhe shumë adhurues, aq sa kur i janë shfaqur në ëndërr Profetit tonë -alejhi selam- ka kujtuar se është ymeti i tij – siç u përmend te veçoria e dytë.

Disa nga ngjarjet e profetëve të përmendura në Kuran mendohet të kenë ndodhur në xhaminë Aksa, si ajo e Zekerijës, Merjemes, Jahjës dhe Isait -alejhim selam.

Në suren Ali Imran bien në sy dy mihrabë; njëri i Zekerijës dhe tjetri i Merjemes, dhe ato mendohen të jenë të xhamisë Aksa.

Zekerija -alejhi selam- mendohet gjithashtu të ketë qenë kujdestari i xhamisë Aksa, kurse Merjemja -alejha selam- mendohet të jetë vajzë e dhuruar për xhaminë Aksa për t’i shërbyer asaj.

Në lidhje me Jahjën dhe Isain -alejhima selam- ka ardhur një hadith i saktë ku thuhet se ata i mblodhën Beni Israilët në xhaminë Aksa për t’u përcjellë atyre porositë e Allahut të Madhëruar. El-Harith el-Esharij -radiallahu anhu- tregon se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Allahu e porositi Jahjën të birin e Zekerijës -alejhi selam- me pesë porosi që ai vet t’i ruante ato dhe t’i urdhëronte Beni Israilët t’i ruanin ato, mirëpo ai u vonua dhe Isai -alejhi selam- i tha atij: Allahu të ka porositur me pesë porosi që t’i ruash ato dhe t’i urdhërosh Beni Israilët t’i ruajnë. Atëherë, ose do t’i urdhërosh ti ata ose do t’i urdhëroj unë! Jahja -alejhi selam- i tha atij: Kam frikë se nëse do t’a bësh këtë gjë para meje Allahu do të ma shembë tokën poshtë këmbëve, apo dp të më dënojë (me diçka tjetër). Atëherë, ai i mblodhi Beni Israilët në Bejtul-Makdis dhe xhamia u mbush plot aq sa u ulën edhe nëpër ballkone….” E transmeton Ahmedi dhe Tirmidhiu, dhe e saktëson sheih Albani.

E treta: Xhamia Aksa është kibla e Beni Israilëve dhe kibla e ymetit tonë para se të ktheheshim nga Qabja.

Kibla e Beni Israilëve ka një histori të vjetër fillimi i së cilës është koha e profetit Musa -alejhi selam. Këtë çështje e ka përmendur historiani i njohur i Islamit Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë, i cili shënon: “Ehlu Kitabi thonë se Allahu e urdhëroi Musain -alejhi selam- të ndërtojë:

1- Çadrën e grumbullimit prej druri të akacias, të mbuluar me lëkura bagëtish dhe të zbukuruar me mëndafsh, flori dhe serm.

2- Tabutin (arkën e dëshmisë) prej druri të akacias.

3- Tryezën e ushqimit prej druri të akacias.

4- Shandanin e ndriçimit (mbajtësja e kandilëve) prej floriri.

5- Altarin (vendin i kurbaneve).

Ata çadrën e tyre të grumbullimit e ngrinin çdo fillim viti në Pranverë, dhe po ashtu edhe tabutin e dëshmisë i cili -Allahu e di më së miri- është ai i përmenduri tek fjala e Allahut në Kuran:

“Shenja e sundimit të tij është t’ju vijë tabuti i cili jep qetësi prej Zotit tuaj dhe mban ato gjëra që ka lënë familja e Musait dhe familja e Harunit, i mbajtur nga melaiket. Kjo është një mrekulli prej Zotit tuaj nëse jeni besimtarë.” [7]

Në librat e tyre thuhet se çadra ka qenë para se të adhuronin viçin, ngjarje e cila ka ndodhur para se ata të hynin në Bejtul-Makdis.

Çadra e grumbullimit ka qenë me Beni Israilët edhe gjatë kohës së humbjes së tyre në shkretëtirë, dhe ata faleshin në drejtim të saj. Ajo ishte kibla dhe Qabja e tyre, dhe imami i tyre ishte Musai -alejhi selam-, ndërsa ai që kujdesej për vendin e kurbanit ishte Haruni -alejhi selam. Kur vdiq Haruni e më pas Musai -alejhima selam- vazhduan bijtë e Harunit në vend të babait të tyre, kurse në lidhje me profetësinë dhe udhëheqjen pas Musait vazhdoi shërbëtori i tij Joshua bin Nun -alejhi selam- i cili është ai që i futi ata në Bejtul-Makdis -siç do të vijë më poshtë. Qëllimi këtu është se kur sundimi i tij (i Joshua bin Nun) u stabilizua në lidhje me Bejtul-Makdisin, ai e vendosi çadrën mbi shkëmbin e Bejtul-Makdisit dhe ata faleshin në drejtim të saj. Pastaj, kur çadra u prish ata u falën në drejtim të vendit i cili është shkëmbi, prandaj dhe ajo ishte kibla e profetëve pas tij deri në kohën e profetit Muhamed -salallahu alejhi ue selam- i cili gjithashtu është falur në drejtim të saj. Muhamedi -alejhi selam- para hixhretit falej para Qabes (në drejtim të Bejtul-Makdisit), ndërsa pas hixhretit ai u urdhërua të falej në drejtim të Bejtul-Makdisit (dhe e kishte të pamundur të drejtohej nga Qabja sepse ajo i binte atij në anë të kundërt). Ai është falur në drejtim të saj gjashtëmbëdhjetë apo shtatëmbëdhjetë muaj, pastaj kibla u ndryshua për të qenë në drejtim të Qabes e cila është edhe kibla e Ibrahimit.[8]

Përsa i përket faktit se kibla e Beni Israilëve ka qenë kibla jonë e parë, kjo gjë është përmendur në Kuran ku Allahu i Madhëruar thotë:

قَدْ نَرَى تَقَلُّبَ وَجْهِكَ فِي السَّمَاءِ فَلَنُوَلِّيَنَّكَ قِبْلَةً تَرْضَاهَا فَوَلِّ وَجْهَكَ شَطْرَ الْمَسْجِدِ الْحَرَامِ وَحَيْثُ مَا كُنْتُمْ فَوَلُّوا وُجُوهَكُمْ شَطْرَهُ وَإِنَّ الَّذِينَ أُوتُوا الْكِتَابَ لَيَعْلَمُونَ أَنَّهُ الْحَقُّ مِنْ رَبِّهِمْ وَمَا اللَّهُ بِغَافِلٍ عَمَّا يَعْمَلُونَ

Ne e shohim kthimin e fytyrës tënde herë pas herë nga qielli, dhe Ne do të të drejtojmë nga kibla që të pëlqen. Atëherë, drejtoje fytyrën tënde nga Xhamia e Shenjtë dhe kudo që të jeni drejtoni fytyrat tuaja nga ajo! Ata të cilëve u është dhënë libri e dinë se ajo është e vërteta prej Zotit tënd, dhe Allahu nuk është i shkujdesur ndaj asaj që ata veprojnë.” Suretu El-Bekara: 144.

El-Bera bin Azib -radiallahu anhu- në lidhje me këtë ngjarje tregon: “Profeti -alejhi selam- është falur në drejtim të Bejtul-Makdis gjashtëmbëdhjetë apo shtatëmbëdhjetë muaj. Ai pëlqente të drejtohej nga Qabja ndaj dhe Allahu i zbriti ajetin: “Ne e shohim kthimin e fytyrës tënde herë pas herë nga qielli, dhe Ne do të drejtojmë nga kibla që të pëlqen.” Kështu, ai u kthye nga Qabja dhe mendjelehtët prej njerëzve të cilët janë hebrenjtë thanë: Çfarë i shtyu ata të ndryshojnë kiblen që kishin? Thuaj: Të Allahut janë Lindja dhe Perëndimi. Ai udhëzon kë të dojë për në rrugën e drejtë.” E transmeton Buhariu.

E katërta: Xhamia Aksa mban gjurmët e profetit tonë Muhamed -alejhi selam.

Profeti ynë Muhamedi -alejhi selam- para se t’i zbrisnin degëzimet e Islamit dhe ritet e tij, ka ndërmarrë një udhëtim për në xhaminë Aksa me urdhërin e Allahut të Madhëruar dhe nën shoqërinë e Xhibrilit -alejhi selam, dhe pastaj prej aty është ngjitur për në qiejt e lartë.

Për këtë ngjarje ka folur Kurani dhe Suneti. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:

سُبْحَانَ الَّذِي أَسْرَى بِعَبْدِهِ لَيْلًا مِنَ الْمَسْجِدِ الْحَرَامِ إِلَى الْمَسْجِدِ الْأَقْصَى الَّذِي بَارَكْنَا حَوْلَهُ لِنُرِيَهُ مِنْ آيَاتِنَا إِنَّهُ هُوَ السَّمِيعُ الْبَصِيرُ

I lartësuar qoftë Allahu i Cili e mori robin e Tij për udhëtim natën nga Xhamia e Shenjtë (Qabja) për në xhaminë Aksa, rreth së cilës kemi hedhur begatinë Tonë.” Suretu El-Isra: 1.

Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë- në komentimin e ajetit thotë: “Ajo xhami është Bejtul-Makdis apo Ilija. Ajo është vendi i profetëve që prej kohës së Ibrahimit të dashurit të Allahut, prandaj ata u mblodhën të gjithë atje dhe ai u priu në vendin dhe në shtëpinë e tyre. Kjo tregon se ai është prijësi i madh dhe udhëheqësi i dalluar -paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi të gjithë profetët!”[9]

Detajet e këtij udhëtimi kanë ardhur në hadithet e profetike dhe ja një prej tyre.

Enes bin Malik -radiallahu anhu- tregon se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Më erdhi Xhibrili me Burakun i cili është një lloj kafshe e bardhë, e gjatë më shumë se gomari dhe më e shkurtër se mushka, i cili i hedh këmbët atje ku i arrin shikimi. Hipa mbi të derisa erdha te Bejtul-Makdisi dhe e lidha atë te hallka ku i lidhnin profetët kafshët e tyre të udhëtimit. Pastaj hyra në xhami dhe fala dy rekate. Pastaj më erdhi Xhibrili me dy enë; njëra me verë dhe tjetra me qumësht, dhe unë zgjodha qumështin. Atëherë ai më tha: Zgjodhe natyrshmërinë e pastër (d.m.th. adetet e Islamit). Pastaj u ngjita për në qiell …” E transmeton Muslimi.

Udhëtimi për në xhaminë Aksa, lidhja e Burakut te vendi i profetëve, falja në xhaminë e ndërtuar nga profetët e Beni Israilëve, dhe bashkimi i tyre për t’u falur pas tij, tregon mes të tjerash për vlerën e xhamisë Aksa dhe për vlerën e Profetit tonë -alejhi selam- për të cilin ishin në dijeni të gjithë profetët para tij dhe ymetet e tyre.

E pesta: Xhamia Aksa është vend i begatë ku shumëfishohen sevapet.

Xhamia Aksa është si dy xhamitë e tjera: Qabja dhe Xhamia Profetike, në lidhje me begatinë dhe shumëfishimin e sevapeve.

Në lidhje me begatinë e xhamisë Aksa Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Sulejmani i biri i Daudit -alejhima selam- kur mbaroi ndërtimin e Bejtul-Makdisit i kërkoi Allahut tre gjëra:

E para: Gjykim (të drejtë) si gjykimi i Tij, dhe Allahu i Madhëruar i’a dha.

E dyta: Pushtet që të mos e ketë kush si ai pas tij, dhe Allahu i’a dha.

E treta: Kushdo që vjen në këtë xhami pa synuar gjë tjetër veç namazit, t’a pastrojë atë nga gjynahet (e të bëhet) si atë ditë që e ka lindur nëna e tij. Shpresoj t’i jetë dhënë edhe e treta.” E transmeton Ahmedi, Ibn Maxhe dhe Nesaiu, dhe e saktëson shejh Albani.

Ndërsa në lidhje me shumëfishimin e sevapeve në xhaminë Aksa, Profeti -alejhi selam- njofton: “Një namaz në xhaminë time është sa katër namaze në Bejtul-Makdis. Sa vendfalje e mirë është ajo!” E transmeton Taberani, Hakimi, Bejhakiu, dhe e saktëson shejh Albani.

Vlerësimi i përmendur i namazeve në këtë xhami, duke patur parasysh se një namaz në xhaminë e profetit Muhamed -alejhi selam- është i barabartë me një mijë namaze krahasuar me xhamitë e tjera veç Qabes -siç jemi njoftuar në hadithe të tjera-, tregon se secili nga këto katër namaze në xhaminë Aksa vlen sa dyqind e pesëdhjetë namaze në xhamitë e tjera, përveç Qabes dhe xhamisë së profetit Muhamed -alejhi selam.

Për shkak të këtyre begative Profeti -alejhi selam- e radhiste Xhaminë Aksa përkrah dy xhamive të tjera, dhe thoshte: “Nuk ndërmerret udhëtim veçse për në tre xhami; xhaminë e Qabes, xhaminë time dhe xhaminë Aksa.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi. Namazet nuk dallojnë nga një xhami në tjetrën, me përjashtim të këtyre tre xhamive.

Kujdestaria e xhamisë Aksa ndër shekuj.

Për xhaminë Aksa janë kujdesur për një kohë të gjatë Jakubi -alejhi selam- dhe bijtë e tij me pasardhësit e tyre në Sham, të cilët quhen ymeti i Beni Israilëve deri në kohën e largimit të Isait -alejhi selam, ose më saktë pak kohë pas largimit të tij.

Kujdestaria e Beni Israilëve apo e hebrenjve -siç u njohën ata më vonë- në lidhje me xhaminë Aksa ndahet në tre periudha:

Periudha e parë: Nga ndërtimi i saj deri në largimin e Jakubit -alejhi selam- se bashku me bijtë e tij për në Egjipt.

Periudha e dytë: Koha pas kthimit të Beni Israilëve nga Egjipti kur ata nën udhëheqjen e Josha bin Nun -alejhi selam- rikthyen xhaminë Aksa në duart e tyre. Për këtë ngjarje profeti Muhamed -alejhi selam- ka thënë: “Dielli nuk është ndalur për shkak të ndonjë njeriu përveçse për Joshën kur ai u nis (për të çliruar) Bejtul-Makdisin.” E transmeton Ahmedi dhe e saktëson sheih Albani.

Kjo periudhë ka vazhduar deri kur Beni Israilët u armiqësuan me profetët e Allahut dhe vranë profetin Esh’ija -alejhi selam, i cili ka jetuar pas kohës së artë të Sulejmanit -alejhi selam. Allahu i Madhëruar dërgoi kundër tyre një mbret të egër dhe idhujtar nga Babilonia, mbretin Bukhatnasr, i cili vrau shumë prej Beni Israilëve, rrënoi xhaminë Aksa dhe e mori pjesën e mbetur të tyre si skllevër në Babiloni.[10]

Periudha e tretë: Koha nga kthimi i Beni Israilëve nga Bibilonia deri në vrasjen e profetit Jahja dhe largimin e Isait -alejhima selam-. Beni Israilët në kohën e Jahjës dhe Isait -alejhima selam- përsëritën sërish armiqësimin e tyre me profetët e Allahut, dhe Ai atëherë i ndëshkoi sërish me një tjetër mbret të egër dhe idhujtar, mbretin romak Titus. Ky mbret vrau shumë prej Beni Israilëve, rrënoi xhaminë Aksa dhe e përzuri pjesën tjetër nga Palestina për t’u shpërndarë nëpër tokë.[11]

Xhamia Aksa pas kësaj ngjarjeje nuk ka qenë më nën kujdestarinë e Beni Israilëve apo hebrenjve, dhe qyteti i Ilijasë apo Jeruzalemi ka kaluar nën sundimin të Romakëve të cilët ishin idhujtarë dhe nuk u interesonte çështja e saj deri në vitet tre qind pas Isait -alejhi selam, kohë në të cilën romakët kaluan në krishtërim. Kalimi i Romakëve në krishtërim nuk ndryshoi gjë në lidhje me xhaminë Aksa, sepse ata për inat të hebrenjve të cilët u sollën keq me Isain e shndërruan vendin e kibles së tyre në vend mbeturinash. Ajo kështu ka vazhduar edhe për tre qind vjet të tjera deri në kohën e çlirimit të saj nga sahabët -radiallahu anhum, siç e tregon Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë. [12]

Periudha e katërt: Koha islame e xhamisë Aksa e cila fillon nga çlirimi i saj në vitin 15 sipas hixhretit e vazhdon deri në fund të Dynjasë.

Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:

وَأَنَّ الْمَسَاجِدَ لِلَّهِ فَلَا تَدْعُوا مَعَ اللَّهِ أَحَدًا

Xhamitë janë të Allahut ndaj mos i shoqëroni Atij askënd në lutje.” Suretu El-Xhin: 18.

Ndërsa në një ajet tjetër thotë:

مَا كَانَ لِلْمُشْرِكِينَ أَنْ يَعْمُرُوا مَسَاجِدَ اللَّهِ شَاهِدِينَ عَلَى أَنْفُسِهِمْ بِالْكُفْرِ أُولَئِكَ حَبِطَتْ أَعْمَالُهُمْ وَفِي النَّارِ هُمْ خَالِدُونَ إِنَّمَا يَعْمُرُ مَسَاجِدَ اللَّهِ مَنْ آمَنَ بِاللَّهِ وَالْيَوْمِ الْآخِرِ وَأَقَامَ الصَّلَاةَ وَآتَى الزَّكَاةَ وَلَمْ يَخْشَ إِلَّا اللَّهَ فَعَسَى أُولَئِكَ أَنْ يَكُونُوا مِنَ الْمُهْتَدِينَ

Nuk u takon idhujtarëve të përkujdesen për faltoret e Allahut përderisa ata vetë dëshmojnë se janë mosbesimtarë. Të kota do të jenë veprat e tyre dhe në zjarrin e Xhehenemit do të qëndrojnë përgjithmonë. * Faltoret e Allahut i vizitojnë dhe i mirëmbajnë vetëm ata që besojnë Allahun dhe Ditën e Fundit, falin namazin, japin zekatin, dhe nuk i frikësohen askujt përveç Allahut. Sigurisht që këta janë në rrugë të drejtë.” Suretu Et-Teube: 17-18.

Ajeti i parë tregon për qëllimin e ndërtimit të xhamive dhe se ato janë ndërtuar për adhurimin e Allahut, ndërsa ajeti i dytë tregon se të drejtën për t’u përkujdesur për to e kanë pikërisht ata që e realizojnë atë qëllim dhe ata janë besimtarët e drejtë me besim të pastër dhe me nënshtrim për Allahun, kusht të cilin nuk e plotësojnë pas ardhjes së profetit Muhamed -alejhi selam- veçse pasuesit e tij. Mbi bazën e këtij qëllimi apo urtësie Allahu i Madhëruar caktoi çlirimin e xhamisë Aksa për t’a kaluar atë nën kujdestarinë e ymetit të fundit, ymetit të Muhamedit -alejhi selam, dhe për t’i shënuar kështu asaj një epokë të re ‘Epoka Islame’.

Çlirimi i xhamisë Aksa është paralajmëruar nga vet profeti Muhamed -alejhi selam- kur ai i numëronte Auf bin Malikut -radiallahu anhu- shenjat e orës së fundit të Dynjasë, dhe i thoshte: “Numëro gjashtë ngjarje para Orës së Fundit: Vdekja ime, pastaj çlirimi i xhamisë Aksa….” E transmeton Buhariu e të tjerë.

Shenja e çlirimit të xhamisë Aksa është shfaqur në kohën e Omerit -radiallahu anhu- aty nga viti i 15 sipas hixhretit, koha kur ushtritë Islame të udhëhequra nga sahabët -radiallahu anhum- mundësuan çlirimin e Shamit.

Imam Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë ngjarje shënon: “Në vitin 15 sipas hixhretit dy komandantët e ushtrive myslimane Ubu Ubejde dhe Amr bin El-As -radiallahu anhuma- pasi çliruan të gjitha vendet përreth qytetit të Kudsit – vendi ku ndodhet xhamia Aksa – rrethuan Kudsin. Banorët e Kudsit pas atij rrethimi të fortë i kërkuan Ebu Ubejdes të bëjnë një marrëveshje por me kusht që të vijë Omeri -radiallahu anhu- prijësi i myslimanëve në atë kohë. Omeri -radiallahu anhu- shkoi në Kuds dhe bëri me ta një marrëveshje e cila rregullonte çështjen e të krishterëve në qytet, dhe ata i dorëzuan atij qytetin. Kështu u çlirua xhamia Aksa dhe u përmbush profetësia.”[13]

Librat e hadithit kanë ruajtur edhe momentet e para të hyrjes së Omerit -radiallahu anhu- së bashku me Kabin, një tabi’in i asaj kohe me prejardhje hebraike -Allahu e mëshiroftë. Transmetimet përmendin se: “Omeri në ato momente e pyeti Kabin: Ku është vendi i shkëmbit (kibla e Beni Israilëve)? Kabi i tha: Mat nga muri i cili është nga ana e luginës së Xhehenemit (luginë përbri xhamisë) kaq e kaq parakrahë, dhe pastaj gërmo se do t’a gjesh. Ajo në atë kohë ishte vend mbeturinash dhe ata gërmuan derisa u shfaq shkëmbi. Atëherë, Omeri i tha Kabit: Ku mendon të ndërtojmë një vend për falje? Kabi i tha: Pas shkëmbit me qëllim që të bashkosh mes dy kibleve; kibles së Musait -alejhi selam- dhe kibles së Muhamedit -alejhi selam. Omeri i’u përgjigj atij: I përngjave jehudizmit o Ebu Is’hak (llagapi i Kabit)! Më i miri vend është ai i përparmi (që namazliu të ketë për kible vetëm Qaben pasi kibla e Beni Israilëve është gjykim i anuluar). Dhe kështu ai e ndërtoi atë në pjesën e përparme të xhamisë.”[14]

Kjo periudhë ka vazhduar dhe do të vazhdojë me ndihmën e Allahut të Madhëruar deri në fund të Dynjasë, sepse jemi njoftuar se Shami është vendi i pushtetit të Mehdiut, vendi i zbritjes së Isait -alejhi selam- dhe vendi i grupit të përkrahur të besimtarëve deri në ditën e Kiametit.

 

Shkroi Dr. Abdullah Nabolli

———————————————

[1] Nuk mund të lemë pa përmendur se në lidhje me ndërtimin e Qabes përveç mendimit se atë e ka ndërtuar Ibrahimi -alejhi selam- ka edhe mendime të tjera se atë para tij e kanë ndërtuar melaiket, apo Ademi -alejhi selam- bazuar në disa transmetime të përmendura në librat e historisë (shih librin ‘Ekhbar Meke’ të El-Ezrakij 1/31 dhe 1/36). Disa dijetarë bazuar në ato transmetime thonë se ndërtimi i Ibrahimit -alejhi selam- për Qaben është rindërtim, mirëpo më e sakta është se ndërtimi i tij është ndërtimi i parë i saj sepse transmetimet në të cilat janë bazuar nuk e kalojnë kritikën siç theksojnë dijetarët e hadithit. Shih çfarë thotë Ibn Kethiri në librin ‘El-Bidaje ue En-Nihaje’ 1/188, dhe shejh El-Albani në librin ‘Es-Silsile Ed-Daife’ 13/927.

[2] E transmeton Ibn Ebi Shejbe me zinxhir të saktë.

[3] Shih librin e autorit me titull ‘El-Bidaje ue En-Nihaje’ 1/187. Fjalët të cilat ai përmend nga librat e Ehli Kitabit në versionin e sotëm të Teuratit gjenden në Bibël te Zanafilla, ku thuhet: “Atëherë Zoti i tha Jakubit: Çohu dhe ngjitu në Bejt-il (d.m.th. Ilija, emri i vjetër i Kudsit) e bano atje. Ndërto një vend adhurimi në nderim të Zotit.” Shih ‘Zanafilla’ 35/1.

[4] Shih librin e autorit me titull ‘El-Bidaje ue En-Nihaje’ 1/187.

[5] Shih ‘Tefsir Et-Taberij’ 19/39.

[6] Shih ‘Tefsir Ibn Kethir’ 5/477.

[7] Shih Suretu El-Bakara: 248.

[8] Shih librin e autorit me titull ‘El-Bidaje Uen-Nihaje’ 1/358-359, dhe përshkrimi i tij  në versionin e sotëm të Teuratit është në librin e Daljes, kapitulli 25-40.

[9] Shih ‘Tefsir Ibn Kethir’ 5/5.

[10] Shih librat: ‘El-Bidaje ue En-Nihaje’ 2/39 , ‘Tefsir Ibn Kethir’ 4/93, dhe ‘El-Xheuab Es-Sahih’ 5/94-95.

[11] Shih librin ‘El-Xheuab Es-Sahih’ 5/95, dhe ‘El-Kamil fij Et-Tarikh’ 1/286.

[12] Shih librin ‘El-Bidaje ue En-Nihaje’: 7/68.

[13] Shih fjalët e autorit në librin e tij “El-Bidaje ue En-Nihaje”: 7/64.

[14] E transmeton imam Ahmedi dhe Ibn Zenxheuejh me dy zinxhirë të ndryshëm transmetuesish të cilët forcojnë njëri-tjetrin.

Dosje:

Loading...