Cilat janë duatë (lutjet) që duhen thënë para dhe pas abdesit?
Falënderimi i takon Allahut!
Duatë (lutjet) që thuhen në fillim të abdesit dhe pas përfundimit të tij janë transmetuar në hadithe autentike nga Pejgamberi (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të).
Duatë para abdesit
Për sa u përket lutjeve që thuhen në fillim, e vetmja gjë që është transmetuar është vetëm përmendja e emrit të Allahut duke thënë ‘Bismilah – në emër të Allahut’.
Dëshmi për këtë janë fjalët e Pejgamberit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) që thotë: “Nuk ka abdes për atë që nuk e përmend emrin e Allahut në të”. Transmeton Tirmidhiu me nr. 25.
Ai (Tirmidhiu) tha: Në lidhje me këtë temë është transmetuar nga; Aishja, Ebu Seidi, Ebu Hurejra, Sehl ibn Sadi dhe Enesi.
Ahmed ibn Hanbeli ka thënë: Unë nuk di ndonjë hadith me sened të mirë në këtë temë. Por hadithi u klasifikua si i saktë nga Albani në “Sahih et-Tirmidhi”.
Neveviu transmeton në el-Mexhmu’ (1/385) se Bejhakiu ka thënë:
Transmetimi më i saktë në lidhje me thënien Bismilah (para abdesit) është hadithi i Enesit, sipas të cilit Pejgamberi (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) e futi dorën në enë me ujë dhe më pas tha: “Merrni abdes në emër të Allahut. Enesi tha: E pashë ujin që buronte nga gishtat e tij dhe njerëzit morën abdes nga i pari deri tek i fundit, dhe aty ishin gati shtatëdhjetë burra.” Zinxhiri i këtij hadithi është i mirë dhe është cituar si dëshmi nga Bejhakiu në librin e tij “Ma’rifetu es-Sunen ue’l-Athar”, ndërsa hadithet e tjera i klasifikoi si të dobëta.
Duaja pas abdesit
Në lidhje me atë që thuhet pas abdesit janë transmetuar disa hadithe.
Nga transmetimet mund të konstatohet se ai ka thënë:
“Eshhedu en la ilahe il-allah vehdehu la sherike leh, ue eshhedu enne Muhameden ‘abduhu ue resuluhu. Allahumme ixhalni mine-teuabin ve xhealni min el-mutetahirin, subhaneke Allahumme ue bi hamdike, eshhedu en la ilahe il-la ente, estaghfiruke ue etubu ilejke.” (Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut të vetëm, pa ortak, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij. O Allah, më bëj prej atyre që pendohen dhe më bëj prej atyre që pastrohen! Lavdia dhe lavdërimi qofshin për ty o Allah, dëshmoj se nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Teje, kërkoj faljen Tënde dhe tek Ti pendohem!)
Muslimi (234) transmeton nga Umer ibnul Hattabi (Allahu qoftë i kënaqur me të) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nuk ka asnjë prej jush që merr abdes dhe e prefeksionon atë mirë, dhe pastaj thotë: Eshhedu en la ilahe il-Allah vehdehu la sherike leh, ue eshhedu enne Muhameden ‘abduhu ue resuluhu (Dëshmoj se nuk ka të adhruar tjetër me të drejjtë përveç Allahut të Vetëm, pa ortak ose shok, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij!) Veçse do t’i hapen tetë dyert e Xhenetit dhe ai do të hyjë nga cila derë të dojë.” Transmeton Muslimi me nr. 234.
Tirmidhiu (55) shtoi: “Allahumme ixh’alni min et-teuabin ue xh’alni min el-mutetahirin. – (O Allah, më bëj prej atyre që pendohen dhe më bëj prej atyre që pastrohen”.
Kjo shtesë u klasifikua si e dobët nga el-Hafidh ibn Haxheri (Allahu e mëshiroftë), i cili tha: Kjo shtesë që transmetohet nga Tirmidhiu nuk është vërtetuar se është pjesë e këtij hadithi. ‘El-Futuhat er-Rabbanijeh’; 2/19.
Por Albani e klasifikoi atë si të saktë në “Sahih et-Tirmidhi”. Edhe Ibn el-Kajjim në “Zad el-Mead” ka thënë se kjo shtojcë është vërtetuar të jetë fjalë e Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të).
Sa i përket shprehjes; “Subhaneke Allahumme ue bi hamdike, eshhedu en la ilahe il-la ente, estagfiruke ue etubu ilejke (Lavdia dhe lavdërimi qofshin për ty, o Allah, dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Teje, kërkoj falje prej Teje dhe pendohem tek Ti), këtë e ka transmetuar Nesaiu në ‘Amel el-Jeum uel-Lejleh’ dhe Hakimi në ‘El-Mustedrak’ nga Ebu Seid el-Hudri (Allahu qoftë i kënaqur me të). Transmetuesit u kundërshtuan nëse hadithi mund t’i atribuohet Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) apo nëse këto ishin fjalët e Ebu Seidit (Allahu qoftë i kënaqur me të).
El-Hafiz Ibn Haxheri (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:
“Senedi është padyshim i saktë, por ata u kundërshtuan nëse teksti mund t’i atribuohet Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) apo jo (d.m.th. nëse ishte merfu apo meukuf). Nesaiu gjithmonë vendos në bazë të shumicës dhe në anën e kujdesit, prandaj dhe gaboi në gjykimin e tij. Por sipas metodës së Neveviut duke ndjekur Ibn el-Salah dhe të tjerët, më shumë ka të ngjarë që hadithi të jetë merfu (fjalë e Profetit).” “El-Futuhat er-Rabbanijeh”; (2/21).
Ai u klasifikua si i saktë edhe nga shejh Albani në “Sahih et-Tergib” (225) dhe “Vargu i haditheve të Sakta” (2333).
Duatë gjatë abdesit
Këto që përmendëm deri tani janë duatë e transmetuara nga Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) për t’u thënë në abdes. Sa i përket duasë gjatë larjes së pjesëve të ndryshme të trupit, një gjë e tillë nuk është vërtetuar nga Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të).
Neveviu në “El-Edhker” (fq. 30) ka thënë: Sa i përket duave që thuhen gjatë larjes së pjesëve të ndryshme të trupit në abdes, një gjë e tillë nuk është transmetuar nga Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të).
Ibn el-Kajjim në ‘Zad el-Mead’ (1/195) ka thënë: “Nga ai nuk është transmetuar se thoshte diçka në abdes përveç fjalës Bismilah. Çdo hadith që flet për duatë që duhen thënë gjatë abdesit është i rremë dhe i trilluar. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) nuk tha asnjë nga këto gjëra dhe nuk i’a mësoi umetit të tij. Nga ai nuk transmetohet asgjë përveçse ka thënë Bismilah në fillim. Gjithashtu, në fund ka thënë: Eshhedu en la ilahe il-allah vehdehu la sherike leh, ue eshhedu enne Muhameden ‘abduhu ue resuluhu. Allahumme ixhalni mine-teuabin ve xhealni min el-mutetahirin! (Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut të vetëm, pa ortak dhe shok, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij. O Allah, më bëj prej atyre që pendohen dhe më bëj prej atyre që pastrohen!)
Sipas një hadithi tjetër të transmetuar në Sunen en-Nesai, një nga gjërat që mund të thuhet gjithashtu pas abdesit është: “Subhaneke Allahumme ue bi hamdike, eshhedu en la ilahe il-la ente, estaghfiruke ue etubu ilejke. (Lavdia dhe lavdërimi qofshin për Ty o Allah, dëshmoj se nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Teje, kërkoj faljen Tënde dhe tek Ti pendohem).
Në Fetvatë e Komisionit të përhershëm (5/221) thuhet: Nuk është vërtetuar që Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) të ketë thënë ndonjë dua gjatë abdesit. Ajo që populli i zakonshëm thotë në dua kur lahet çdo pjesë e trupit është bidat, si p.sh. kur lan fytyrën: “O Allah, ma bëj të bardhë fytyrën në ditën kur fytyrat do të nxihen”; ose gjatë larjes së duarve: “O Allah, më jep librin tim në dorën e djathtë dhe mos ma jep librin në dorën time të majtë”, dhe dua të tjera që thuhen kur lajnë pjesët e trupit në abdes.
Përktheu: Fatjon Isufi
Të Ngjashme
- Çfarë gjykimi ka këndimi i sures el Fatihah në namazin e xhenazes? Udha e Besimtarëve
- Kur je duke u falur me xhemat! Udha e Besimtarëve
- A lejohet që një person të punojë si haxham (praktikues i hixhames)? Udha e Besimtarëve
- Kush e fal namazin e sabahut është nën mbrojtjen e Allahut Udha e Besimtarëve
- Vlera e faljes së namazit vullnetar në shtëpi Udha e Besimtarëve