Veprat që bëjnë dobi pas vdekjes

March 23, 2022

1- Lutja (namazi) për të.

I dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Nëse një grup muslimanësh prej njëqind vetësh falin namazin mbi një të vdekur për të ndërmjetësuar për të, atëherë ndërmjetësimi i tyre (lutjet për falje dhe mëshirë) do të pranohet.” [1]

Gjithashtu, i dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Nëse një grup njerëzish luten për një të vdekur, ata do ndërmjetësojnë për të.”

2- I ndjeri e ndien pas varrimit praninë ngushëlluese të vëllezërve të tij që i deshi për hir të Allahut, për aq kohë sa merr therja e një deveje dhe shpërndarja e mishit të saj.

Si u citua më parë nga Amër ibën el-Asi, radiAllahu anhu, i cili tha: Kur të më varrosni qëndroni rreth varrit tim për aq kohë sa duhet për të bërë kurban dhe për të shpërndarë mishin e një deveje, në mënyrë që të ngushëllohem me praninë tuaj dhe derisa të shoh se si do t’u përgjigjem të dërguarve të Zotit tim.[2]

3- Lutja për përforcim dhe kërkimi i faljes për të menjëherë pas varrimit.

Uthman Ibën Afani radiAllahu anhu ka thënë: Sa herë që Profeti, salAllahu alejhi ve sel-lem, përfundonte varrosjen e dikujt qëndronte pranë varrit dhe thoshte: “Kërkoni falje dhe përforcim për vëllain tuaj sepse ai tani ai po merret në pyetje.” [3]

4- Bamirësia e vazhdueshme (sadakatu el xharijeh) të cilën e dha gjatë jetës së tij, si p.sh. njohuri të dobishme ose një djalë të devotshëm që lutet për të. I dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Kur njeriu vdes i ndërpriten veprat e tij përveç tri veprave; lëmoshës së vazhdueshme, diturisë që u sjell dobi të tjerëve, ose djalit të devotshëm që lutet për të.” [4]

5- Bamirësia e dhënë nga djali i të ndjerit në emër të tij.

Aishja radiAllahu anha tregon se një burrë i tha Profetit, salAllahu alejhi ve sel-lem: Nëna ime vdiq papritur pa lënë asnjë testament. Unë mendoj se ajo patjetër do kishte dhënë lëmoshë (sadaka) nëse do kishte qenë në gjendje të fliste. A merr ajo shpërblim nëse unë jap sadaka në emër të saj? Ai tha: Po. [5]

6- Lutjet e të gjithë besimtarëve dhe muslimanëve dhe kërkimi i faljes për të. Allahu i Lartësuar thotë: “Edhe ata që erdhën pas tyre thonë: O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë të cilët kanë besuar para nesh.”[6]

Ndërsa i dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Kushdo që kërkon falje për besimtarët dhe besimtaret Allahu do t’i japë atij një shpërblim për çdo besimtar dhe besimtare (që është lutur për të).” [7]

7- Mbrojtja e kufijve të Islamit për hir të Allahut kur i ndjeri ishte në këtë botë.

I dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: Kur njeriu vdes veprat e tij të mira ndërpriten, përveç veprës së tij në mbrojtjen e kufijve të Islamit për hir të Allahut (në rrugë të Allahut). Kjo vepër do të rritet (në shpërblim) deri në ditën e gjykimit dhe ai do të jetë i mbrojtur nga sprova e varrit. [8]

 

“Jeta pas vdekjes” i autorit Husejn el Auajshe.

Përktheu: Fatjon Isufi

—————————————

[1] E përcjell Muslimi dhe të tjerë.

[2] E përcjell Muslimi.

[3] E përcjell Nesaiu dhe e ka konsideruar hadith të mirë shejhu ynë Albani në ”Sahih el Xhami” me nr. 956.

[4] E përcjell Muslimi.

[5] Muttefekun alejhi.

[6] Suretu El Hashr: 10.

[7] E përcjell Taberani në ‘El Kebir’ dhe e ka klasifikuar si të mirë shejhu ynë Albani në ‘Sahih el Xhami’ me nr. 5902.

[8] E përcjell Ebu Daudi dhe Tirmidhiu i cili ka thënë se hadithi është i mirë dhe i saktë.

Dosje: , ,

Loading...