Çfarë nënkuptohet me prangosjen e shejtanëve në muajin e Ramazanit?

March 31, 2022

Falënderimi i takon Allahut!

Buhariu 1899 dhe Muslimi 1079 transmetojnë nga Ebu Hurejra, se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur të vijë muaji i Ramazanit\ dyert e Xhenetit hapen, dyert e Xhehenemit mbyllen dhe shejtanët prangosen me zinxhirë.”

Dijetarët kanë dhënë mendime të ndryshme në lidhje me kuptimin e lidhjes ose prangosjes së shejtanëve gjatë muajit të Ramazanit.

El Hafidh ibën Haxheri duke e cituar El Hulejmin ka thënë: Mund të interpretohet në kuptimin që shejtanët nuk janë në gjendje t’i tundojnë muslimanët siç ndodh në kohët e tjera, sepse ata janë të zënë me agjërimin që i kontrollon dëshirat e tyre, me leximin e Kuranit dhe dhikrin (përkujtimin e Allahut). Një dijetar tjetër (madje disa të tjerë përveç El Hulejmit) kanë thënë se ajo që nënkuptohet me prangosjen e shejtanëve ka për qëllim disa prej tyre, përkatësisht maridët (djajtë kryeneç).

Ijadi ka thënë: Mund të merret edhe në kuptimin e drejtpërdrejtë se kjo është një shenjë për engjëjt se muaji ka filluar, dhe në nderim të madhështisë së tij edhe shejtanët janë të penguar që t’i dëmtojnë muslimanët.

Mund të interpretohet edhe si shenjë e sasisë së madhe të shpërblimit dhe faljes, dhe se shejtanët në këtë muaj i tundojnë njerëzit më pak kështu që ata janë si të lidhur me zinxhirë. Interpretimi i dytë mbështetet në faktin se hadithi që transmetohet nga Junusi e ky nga Ibën Shihabi i cili është regjistruar tek Muslimi, thuhet: “Dyert e mëshirës janë të hapura.”

Ai tha: Lidhja me zinxhirë e djajve mund të kuptohet gjithashtu edhe si një metaforë që ata nuk janë në gjendje t’i tundojnë njerëzit dhe t’i bëjnë tekat dhe dëshirat e tyre tërheqëse për ta. Zejn ibën el Munir ka thënë: Pikëpamja e parë ka shumë të ngjarë të jetë më e saktë, dhe nuk ka nevojë të përpiqemi ta kuptojmë në ndonjë formë tjetër përveç kuptimit të drejtpërdrejtë. “Fet’hul-Bari” 4/114.

Shejh Ibën Uthejmini u pyet për fjalët e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “… dhe shejtanët janë të lidhur me zinxhirë”. Ne ende shohim njerëz që vuajnë nga prekja e djajve apo epilepsia gjatë ditëve të Ramazanit, pra si mund të lidhen djajtë kur disa njerëz vuajnë nga këto sulme epileptike?

Ai u përgjigj: Në disa versione të hadithit thuhet; “… dhe shejtanët kryeneçë (maridët) janë të lidhur me zinxhirë”. Këtë e transmeton Nesaiu. Ky hadith flet për çështje të padukshme (të fshehta) prandaj ne duhet ta pranojmë dhe të mos e diskutojmë më tej. Kjo është më e sigurt për fenë e një personi. Prandaj, kur Abdullahu i biri i imam Ahmed ibën Hanbelit i tha babait të tij: Disa njerëz vuajnë nga kriza epileptike gjatë ditës në Ramazan. Imami i tha: – Kjo është ajo që thotë hadithi, prandaj mos diskuto për këtë.

Për më tepër, duket se ajo që nënkuptohet me lidhjen e tyre në zinxhir është se ata pengohen nga tundimi i njerëzve, bazuar në faktin se ka shumë mirësi dhe shumë njerëz që i drejtohen Allahut gjatë muajit të Ramazanit. “Mexhmu’ el fataua” 20.

Bazuar në këtë, lidhja me zinxhirë e shejtanëve është diçka që ndodh në një kuptim real për të cilën Allahu e di më së miri. Ashtu sikurse kjo nuk do të thotë se gjërat e liga nuk do të ndodhin ose se njerëzit nuk do të bëjnë mëkat.

Allahu e di më së miri!

 

Përktheu: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...