Ajo ndërmjetëson për të zotin e saj derisa t’i falen mëkatet.
Transmetohet nga Ebu Hurejra radijallahu anhu se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Vërtetë në Kuran ka një sure me 30 ajete e cila ndërmjetësoi për një person derisa bëri që t’i faleshin mëkatet, e ajo është; Tebarekel-ledhij bijedihil mulk.”
Transmeton Ebu Daudi 1400, Tirmidhiu 2891 dhe e konsideroi hasen, Hakimi 1/565 dhe e saktësoi. Ibn Haxheri në “Telhisul habir” 1/382 ka thënë: Ky hadith ka një transmetim tjetër të saktë përforcues. E kanë saktësuar: Ibn Tejmije në “Mexhmuul fetaua” 22/277, Sheukani në “Nejlul eutar” 2/227, Ahmed Shakir në shënimet e tij ndaj “Musnedit” të Ahmedit 15/129, dhe e ka konsideruar hasen Albani në “Sahihul Xhami” me nr. 2091.
Ajo sure debaton në mbrojtje të atij që e ka përvetësuar atë, derisa bëhet shkak që ta fusë në xhenet.
Transmetohet nga Enes bin Malik radijallahu anhu se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Është një sure në Kuran e cila ka vetëm 30 ajete e cila polemizon në lidhje me përvetësuesin e saj derisa e fut atë në xhenet, e ajo është surja Tebarek.”
Transmeton Taberani në “El Eusat” me nr. 3654. El Hejthemi në “Mexhmeu ez-Zeuaid” 7/130 ka thënë: Transmetuesit e tij janë transmetuesit e Sahihut. E ka konsideruar hasen Albani në “Sahihul xhami” me nr. 3644.
Leximi i saj cdo natë mbron nga dënimi i varrit.
Transmetohet nga Abdullah bin Mesudi radijallahu anhu se ka thënë: Kush e lexon “Tebarekel-ledhij bijedihil mulk” cdo natë, Allahu e mbron nga dënimi i varrit për shkak të saj. Në kohën e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ne e quanim atë si penguesja (nga dënimi i varrit). Ajo është një sure të cilën kush e lexon cdo natë ka marrë shpërblime të mëdha dhe ka bërë vepër të mirë.
Transmeton Nesaiu në “Amelul jeumi uel-lejleh” me nr. 711, Taberani në “El Eusat” me nr. 6216. Hejthemi në “Mexhmeu ez-Zeuaid” 7/127 ka thënë se transmetuesit e tij janë të besueshëm. E ka konsideruar hasen Albani në “Sahihu et-Tergib” nr. 1589. Albani në “Es-Sahihah” nr. 1140 ka thënë në lidhje me këtë hadith: Ebu Shejhu e ka transmetuar si thënie nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem me zinxhir të mirë transmetimi, gjithashtu e ka trasnmetuar më të gjatë se kaq Hakimi si thënie nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue selem 2/498, dhe tha se zinxhiri është i saktë, gjë të cilën e miratoi dhe Dhehebiu. Ndaj ky hadith ka gjykimin e thënies së Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem .
Është nga Suneti leximi i saj para se të flesh.
Transmetohet nga Xhabir bin Abdullahi radijallahu anhu se ka thënë: Ishte Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem që nuk flinte derisa të lexonte “Elif Lam Mim”, “Tenzil”, “Es-sexhdeh”, dhe “Tebarekel-ledhij bijedihil mulk”.
Transmeton Ahmedi dhe Tirmidhiu. E ka saktësuar Albani në “Es-Sahihah” nr. 585.
Marrë nga libri: “Ikdu ed-durar fi fedaili es-suer”.
Autor: Ejmen Abdulaziz Ebanami
Përktheu: Shuajb Rexha
Dosje: Besimi
Të Ngjashme
- Qëndrimi në xhami është adhurim dhe shpërblim i madh Dr. Fatmir Strumi
- Kur dija ngrihet dhe padituria sundon Udha e Besimtarëve
- Koha që ikën pa u ndier Udha e Besimtarëve
- Sekreti i bereqetit në veprat dhe kohën e dijetarëve Dr. Fatmir Strumi
- Kopshtet e Xhenetit dhe dëshirat që nuk shterojnë Udha e Besimtarëve