Disa njerëz janë bërë preh të disa çështjeve që e tronditin akiden islame dhe kanë rënë në disa të kundërta që e kundërshtojnë atë. Prandaj, ngelet si detyrë që t’i sqarojmë ato në këtë ligjëratë.
Këto gjëra që e trondisin akiden janë dy lloje:
– Njëri lloj e kundërshton këtë akide dhe e bën atë të pavlefshme, kështu që edhe ai person që hyn në këtë lloj është jobesimtar, Allahu na ruajt prej kësaj.
– Kurse lloji tjetër e bën të mangët këtë akide dhe e dobëson atë.
Lloji i parë quhet kundërshtues. Ai e bën të pavlefshme akiden dhe e shkatërron atë, ndërsa personi që bie në të është jobesimtar, d.m.th. e ka braktisur fenë islame. Ky quhet kundërshtues dhe shkatërrues.
Lloji i parë:
Gjërat që e tronditin akiden dhe janë shkak për mosbesim. Gjërat që e kundërshtojnë Islamin të cilat e bëjnë të detyrueshme braktisjen e fesë (ridden) quhen të kundërta. E kundërta është herë fjalë, herë vepër, herë besim, herë dyshim. Njeriu mund ta braktis fenë (të bëjë ridde) qoftë edhe me një fjalë që thotë, me një punë që vepron, me një besim që beson apo një dyshim që has (takon). E kundërta që e trondit akiden dhe e bën të pavlefshme vjen si pasojë e këtyre katër gjërave që përmendëm. Këto gjëra i kanë përmendur dijetarët në librat e tyre dhe e kanë quajtur: “Gjykimi mbi atë që braktis fenë”.
Ai që braktis fenë është ai i cili ka mohuar dhe ka bërë mosbesim pas Islamit (pasi ka deklaruar se ai është musliman). Ky pra është ai që braktis fenë, ai i cili i kthehet prej fesë së Allahut dhe e braktis atë.
Në dy Sahihët (Buhariut dhe Muslimit) transmentohet se pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dërgoi Ebu Musa Eshariun në Jemen. Pas tij dërgoi Muadh bin Xhebelin. Kur ky (Muadhi) mbërriti tek ai (Ebu Musa Eshariu), ai i tha: “Zbrit dhe vendosi atij një jastëk. Ndërkohë tek ai ishte një burrë i lidhur. Ai i tha: çfarë është ky? Ai iu përgjigj: Ky ka qenë çifut dhe u bë musliman, porse më pas u kthye në fenë e tij, fenë e keqe, dhe u bë çifut. Ai tha: Unë nuk ulem derisa ai të vritet, sepse ky është gjykimi i Allahut dhe i të dërguarit të Tij. Ai i tha: Ulu! Por ai këmbënguli duke thënë: Unë nuk ulem derisa ai të vritet! Gjykimi i Allahut dhe i të dërguarit të Tij. Kjo u përsërit tri herë. Atëherë ai urdhëroi që ai burrë të vritej.”
1- Braktisja e fesë me fjalë.
Të kundërtat që e kundërshtojnë Islamin janë shumë. Disa prej tyre janë me fjalë si p.sh. sharja e Allahut. Kjo fjalë është në kundërshtim të plotë me fenë. Po ashtu dhe sharja e të dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem d.m.th. mallkimi dhe sharja e Allahut dhe të dërguarit të Tij, ose cilësimi me shprehje të pahijshme si p.sh. të thotë: “Allahu është i padrejtë, Allahu është kurrnac (koprrac), Allahu është i varfër.” Ose të thotë: “Allahu i Lartësuar nuk i di disa çështje, ose nuk ka mundësi për disa gjëra.” Që të gjitha këto fjalë janë (ridde) braktisje e Islamit. Kushdo që e cilëson Allahun me diçka të pahijshme apo e shan, apo e cilëson me diçka të mangët, ai është mosbesimtar (qafir) që e ka braktisur Islamin, Allahu na ruajt prej kësaj.
Kjo pra është braktisja e fesë me fjalë. Kur dikush shan Allahun apo tallet me Të, e emërton me diçka të mangët, apo e cilëson me diçka të pahijshme për Të siç thonë çifutët: “Allahu është kurrnac, Allahu është i varfër dhe ne jemi të pasur.” Po ashtu nëse thotë: “Allahu nuk i di disa çështje, ose nuk ka mundësi për disa gjëra,” ose mohon cilësitë e Allahut dhe nuk beson në to, ky është person që ka braktisur fenë me fjalët e tij të këqija.
Gjithashtu, kur dikush thotë: “Allahu nuk e ka obliguar namazin për ne.” Kjo fjalë e tij është largim dhe braktisje e Islamit. Pra, kush thotë: “Allahu nuk e ka obliguar namazin,” e ka braktisur Islamin (ka bërë ridde) dhe ky është mendimi i të gjithë muslimanëve. Me përjashtim kur një person është injorant dhe është larg muslimanëve e nuk e di. Këtij personi i mësohet e vërteta, dhe nëse vazhdon me këmbëngulje atëherë ka mohuar dhe është mosbesimtar.
Ndërsa kur është mes muslimanëve dhe i di çështjet e fesë dhe thotë: “Namazi nuk është detyrë,” atëherë kjo është braktisje e Islamit dhe kërkohet prej tij që të pendohet. Ose kur thotë: “Zekati nuk është detyrë për njerëzit,” ose thotë: “Agjërimi i Ramazanit nuk është detyrë për njerëzit,” ose thotë: “Haxhi nuk është detyrë për atë që ka mundësi ta kryej atë dhe nuk është detyrë për njerëzit.”
Si përfundim, ai që i thotë këto shprehje ka bërë kufër në bazë të mendimit të përgjithshëm, dhe prej atij që i thotë këto fjalë kërkohet që të pendohet. Këto çështje ishin braktisje e fesë me fjalë.
2- Braktisja e fesë me vepër.
Braktisja e fesë me vepra si p.sh. lënia e namazit.
Fakti që një përson nuk falet edhe pse thotë që namazi është detyrë por nuk falet, është braktisje e fesë sipas mendimit më të mirë të dijetarëve rreth kësaj çështjeje, duke u bazuar tek thënia e pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “Besa që është midis nesh dhe atyre është namazi, dhe kush e lë atë ka bërë kufër (mosbesim).” Transmeton imam Ahmedi, Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibën Maxheh me zinxhir transmetimi të saktë. Shekik ibën Abdullah el Ukejli, tabiini për gradën e lartë të të cilit kanë rënë dakord (dijetarët), thotë: “Shokët e Muhamedit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem nuk shikonin ndonjë vepër lënia e së cilës ishte kufër (mosbesim), me përjashtim të namazit.” Transmeton Tirmidhiu dhe zinxhiri i transmetimit të tij është i saktë. Kjo është braktisja e fesë me vepër (e cila është lënia e namazit qëllimisht).
Prej këtij lloji është dhe bërja e Mus’hafit Sherif (Kuranit) objekt përbuzjeje dhe përçmimi, ose ulja mbi të me përbuzje, ndotja e tij me pisllëk qëllimisht, shkelja e tij me këmbë me mospërfillje dhe përbuzje. Me të gjitha këto njeriu del prej Islamit.
Prej braktisjes së fesë me vepër është dhe tavafi (sjellja rrotull) rreth varreve duke e bërë në shenjë afrimi tek banorët e varreve, ose të falet për ta ose për xhindët. Këto gjithashtu janë braktisje e fesë me vepër.
Ndërsa lutja që bën njeriu duke u drejtuar atyre, kërkimi i ndihmës prej tyre dhe zotimi për ta është braktisja e fesë me fjalë. Përsa i përket atij që bën tavaf rreth varreve duke patur për qëllim me këtë vepër adhurimin e Allahut, ai ka bërë një bidat (risi) që e trondit fenë porse nuk është dalje nga feja. Pra, është bidat që e trondit fenë nëse ai nuk ka për qëllim të afrohet tek i varrosuri me këtë vepër. Veprimi i kësaj gjëje duke dashur të afrohet tek Allahu i Lartësuar është injorancë prej atij që e bën këtë.
Prej kufrit (mosbesimit) me vepër është edhe kur dikush ther diçka për dikë tjetër përveç Allahut, dhe kur afrohet me atë që ther tek dikush tjetër përveç Allahut. P.sh.: kur ai ther devenë, delen, pulën ose lopën për të varrosurit për t’u afruar tek ata duke i adhuruar me anë të tyre, ose kur e bën një gjë të tillë për xhindët duke i adhuruar me anë të tyre. Po ashtu, kur dikush i bën këto për yjet duke u afruar tek yjet me këto vepra. Këto nuk janë therur me emër të Allahut por për dikë tjetër përveç Tij prandaj kanë gjykimin e të ngordhurës, dhe ky veprim i tyre është kufër i madh, Allahu na ruajt prej tij. Të gjitha këto që përmendëm janë prej braktisjes së fesë dhe prej të kundërtave të Islamit me anë të veprave.
Vazhdon . . .
Shkëputur nga broshura: “Çfrarë e trondit akiden” (origjina e kësaj broshure është një ligjeratë e shejhut të nderuar).
Autor: Abdulaziz ibën Abdullah ibën Baz
Përktheu: Bledar Aliu
Dosje: Besimi
Të Ngjashme
- Emrat dhe atributet e Allahut të Madhëruar Udha e Besimtarëve
- Kur pasionet bëhen idhull dhe Zot Ibën Rexheb el Hanbeli
- A mund të ndikojë mësyshi edhe në këtë rast? Emin Bilali
- Si ka mundësi që Allahu ua jep dynjanë jobesimtarëve?! Emin Bilali
- Cilat ishin fjalët e fundit që tha Profeti para se të largohej nga kjo botë? Udha e Besimtarëve