Fjalët e fundit të Pejgamberit

September 19, 2022

Fjalët e fundit të Profetit sal-lAllahu alejhi ve  sel-lem para se t’i jepte lamtumirën kësaj bote, ishin: “O Allah, (me) shoqërinë më të lartë.” Ky është titulli që Buhariu i dha një kapitulli në “Kitab el magazi” në Sahihun e tij: “Fjalët e fundit të Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem”. Aty citoi hadithin e Aishes e cila tha: “Kur Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ishte shëndosh e mirë, thoshte: Asnjë profeti nuk i merret shpirti derisa t’i tregohet vendi i tij në Xhenet, dhe pastaj i jepet zgjedhja. Në kohën kur iu afrua vdekja dhe koka e tij qëndronte mbi këmbën time, ai ra pa vetëdije dhe më pas e mori veten. Ai përqëndroi shikimin lart në tavanin e shtëpisë dhe tha: O Allah, (me) shoqërinë më të lartë. Thashë (me vete): Atëherë ai nuk po zgjedh të qëndrojë me ne. Pastaj e kuptova se çfarë donte të thoshte kur na i tha këtë fjalë kur ishte i shëndetshëm, kështu që fjalët e fundit që tha ishin: O Allah, (me) shoqërinë më të lartë.”

Transmeton Buhariu me nr. 4463 dhe Muslimi me nr. 2444.

Ahmedi 1691 përcjell nga Ebu Ubejde, i cili ka thënë se fjalët e fundit që ka thënë Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem kanë qenë: “Dëbojini hebrejtë e Hixhazit dhe të Nexhranit nga Gadishulli Arabik, dhe dijeni se njerëzit më të këqij janë ata që i morën varret e profetëve të tyre si vend adhurimi.” Ky hadith u klasifikua si sahih nga shejh Albani në librin “Es Sahiha” me nr. 1132.

Ebu Daudi 5156 dhe Ibën Maxheh 2698 transmetojnë se Aliu ka thënë: Fjalët e fundit që tha i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ishin: “Namazi, namazi! Kini frikë Allahun për ata që posedoni nën pushtetin tuaj.” Edhe ky hadith u klasifikua si sahih nga shejh Albani në librin “Sahih Ebi Davud”. Gjithashtu ka edhe hadithe të tjera të ngjashme.

Ajo që kuptohet përmes këtyre transmetimeve është se këto ishin disa nga fjalët e fundit që ka thënë Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, fjalë që ia tha familjes, shokëve të tij, dhe atyre që do të ishin në pushtet pasi ai të largohej. Këto hadithe janë ndër gjërat e fundit që ai tha, por hadithi i Aishes është i fundit nga të gjithë hadithet.

Shih “Fejd el Kadir” nga El Manavi 5/250–251.

Shënim: Suhejli ka thënë: Urtësia e mbylljes së jetës së Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem me këto fjalë: “O Allah, (me) shoqërinë më të lartë”, është sepse ato i referohen Teuhidit dhe dhikrit me zemër. Ajo u ofron ngushëllim atyre që nuk janë në gjendje të flasin (kur vdesin) sepse disa njerëz mund të mos jenë në gjendje të flasin me zë të lartë për ndonjë arsye, por kjo nuk ka rëndësi nëse zemrat e tyre kanë qenë të palëkundura në përkujtimin e Allahut.

Cituar nga El Hafidh në librin “El Fet’h” 8/138.

 

Përktheu: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...