A e keni lexuar ndonjëherë këtë hadith madhështor?

Bera Ibën Azib (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) përcjell duke thënë:

Dolëm me Profetin (salAllahu alejhi ve sel-lem) për të marrë pjesë në varrimin e njërit prej Ensarëve. Kur arritëm tek varri para se ai të varrosej, i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ve sel-lem) u ul (përballë Kiblës) dhe ne u ulëm rreth tij. Qëndruam të heshtur dhe të qetë sikur të kishte zogj mbi kokat tona. Në dorë ai mbante një shkop me të cilin gërmonte tokën. Ai filloi të shohë nga qielli dhe poshtë në tokë, e ngriti dhe e uli shikimin tri herë, pastaj tha: “Kërkoni shpëtim tek Allahu nga dënimi i varrit!”– dy ose tri herë. Ai u lut me këto fjalë: “O Zoti im, kërkoj shpëtimin Tënd nga dënimi i varrit!” – këtë e përsëriti tri herë, e pastaj tha:

“Kur robi besimtar arrin fundin e kohës së tij në këtë botë dhe fillon hapat e parë për në botën tjetër, nga qielli i zbresin engjëjt me fytyra të bardha që duken si dielli. Ata sjellin prej qefinëve të Xhenetit dhe Hanut (parfum) të Xhenetit. Ulen rreth tij në distancën që sheh syri, pastaj vjen engjëlli i vdekjes[1] dhe ulet pranë kokës së tij dhe i thotë: “O shpirt i mirë (në një version tjetër: i qetë), dil për tek falja dhe kënaqësia e Allahut.” – Transmetuesi tha: Kështu ai (shpirti i besimtarit) del si një pikë uji që rrjedh nga buza e enës prej lëkure, dhe ai (engjëlli i vdekjes) e merr atë.

(Në një transmetim tjetër thuhet: “Në momentin kur t’i dalë shpirti, çdo engjëll që është në mes të qiellit dhe tokës lutet për të, gjithashtu edhe engjëjt në qiell. Dyert e qiellit do të hapen për të dhe në çdo nivel të qiellit banorët e tij do t’i luten Allahut që të lejojë që ky shpirt të ngjitet përmes tyre.)

Kur (engjëlli i vdekjes) t’a marrë shpirtin (engjëjt e tjerë) nuk i’a lënë atë për asnjë moment; e marrin menjëherë, e mbështjellin me qefin dhe e aromatizojnë me Hanut (parfum prej Xheneti). Kjo është fjala e Allahut që thotë: “Kur i afrohet vdekja ndonjërit prej jush, engjëjt tanë i’a marrin shpirtin dhe nuk dështojnë kurrë në detyrën e tyre.” [2]

Nga shpirti i tij del një aromë si misku më i mirë që gjendet mbi faqen e dheut. Ai tha: Ata e marrin shpirtin, e sa herë që e kalojnë para një grupi engjëjsh thonë: Kush është ky shpirt i mirë? Është filani i biri i filanit! – duke përdorur emrat më të mirë me të cilët është thirrur në këtë botë. (Ata vazhdojnë) Derisa të arrijnë në qiellin e parë ku kërkojnë që të hapet dhe ai hapet para tyre. Në çdo qiell ku kalojnë ata (engjëjt që janë të afërt me Allahun) i shoqërojnë deri në qiellin tjetër, derisa të arrijnë në qiellin e shtatë ku Allahu i Lartësuar dhe i Madhëruar do të thotë: Regjistrojeni librin e robit Tim në Ilijin. “E kush do të t’a shpjegojë ty se ç’është Il-lijjûn? Është një libër i shkruar! Atë e dëshmojnë të afërmit (e Allahut).”[3]

Kështu që libri i tij do të regjistrohet në Il-lijun, pastaj Allahu i Lartësuar do të thotë: Kthejeni atë në tokë. Unë u pata premtuar se prej saj u kam krijuar, aty do t’iu kthej dhe prej saj do t’iu nxjerr përsëri. Kështu ai (shpirti) do të kthehet në tokë dhe shpirti do të kthehet pranë trupit të tij (dhe i vdekuri i dëgjon zhumrat e këpucëve të shokëve të tij ndërsa largohen).

Më pas dy engjëj të ashpër do të vijnë tek ai të cilin do t’a qortojnë dhe do t’a ulin. Ata do t’a pyesin: “Kush është Zoti yt?” Ai do të përgjigjet: Zoti im është Allahu! – Cila është feja jote? Ai do të thotë: Feja ime është Islami. Ata do ta pyesin: – Kush është ky njeri që u dërgua mes jush? Ai do të thotë: “Ai është i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ve sel-lem)”. – Çfarë veprash ke bërë? Ai do të thotë: E lexova (ose lexova) Librin e Allahut dhe besova në të.

Në një version tjetër thuhet: Ai (engjëlli) do t’a qortojë atë dhe do t’a pyesë: Kush është Zoti yt? Cila është feja jote? Kush është Pejgamberi yt? Kjo është sprova e fundit me të cilën do të përballet besimtari, siç thotë Allahu i Madhëruar: “Allahu do t’i forcojë ata që besuan me fjalën e qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër.”[4] Ai do të përgjigjet: “Zoti im është Allahu, feja ime është Islami, dhe Profeti im është Muhamedi (salAllahu alejhi ve sel-lem)”.

Një zë do të thërrasë nga qielli: “Robi im ka thënë të vërtetën ndaj shtrojeni varrin e tij me shtroje nga Xheneti, visheni atë me rroba nga Xheneti dhe hapini atij një derë për në Xhenet”. Profeti tha: Atij i vjen aty flladi dhe aroma e Xhenetit, ndërsa varri do t’i zgjerohet aq distancë sa të shohë syri.

Aty do t’i vijë (ose do t’i paraqitet) një burrë i pashëm, i veshur mirë dhe me aromë të këndshme, i cili do t’i thotë; “Përgëzohu me atë që do të gëzojë. Përgëzohu me kënaqësinë prej Allahut dhe Xhenete ku ka shpërblime të përhershme. Kjo është dita që të ishte premtuar”. Ai do t’i thotë: “Allahu të përgëzoftë me të mira. Kush je ti? Ai do të thotë: “Unë jam vepra jote e mirë. “Pasha Allahun unë të kam njohur si njeri që nxitoje për t’iu bindur Allahut dhe nguroje për t’a kundërshtuar Atë, kështu që Allahu të shpërbleftë me të mira”. Pastaj do t’i hapet një derë prej Xhenetit dhe një derë prej xhehenemit dhe do t’i thuhet: “Ai ishte vendi yt (Menzil) nëse nuk do t’i ishe bindur Allahut, por Allahu të dha këtë (Xhenetin) në vend të asaj.”

Kur të shohë se çfarë ka në Xhenet do të thotë: “O Zoti im! Shpejtoje ardhjen e ditës së kiametit, që të kthehem tek familja dhe pasuria ime! Do t’i thuhet: “Bëj durim” (fjalë për fjalë: Qëndro këtu).

Pastaj tha: Kur robi jobesimtar (ose i prishur) arrin fundin e kohës së tij në këtë botë dhe fillon hapat e para për në botën tjetër, nga qielli i zbresin engjëj të vrazhdë dhe të rreptë me fytyra të zeza dhe me vete sjellin thasë nga xhehenemi. Ulen rreth tij në distancën që sheh syri, pastaj aty vjen engjëlli i vdekjes dhe ulet pranë kokës së tij dhe i thotë:: “O shpirt i keq, dil në zemërimin dhe hidhërimin e Allahut!” Profeti tha: Shpirti shpërndahet dhe ai e rrëmben nga trupi i tij si një hell me dhëmbë të shumtë që tërhiqet zvarrë përmes leshit të lagur (venat dhe nervat do të shkatërrohen prej tij). Ai do të mallkohet nga çdo engjëll midis qiellit dhe tokës, dhe nga çdo engjëll në qiell. Dyert e qiellit do të mbyllen dhe banorët e çdo qielli do t’i luten Allahut që të mos lejojë që ky shpirt të ngjitet përmes tyre. Kur (engjëlli i vdekjes) t’a marrë shpirtin (engjëjt e tjerë) nuk i’a lënë atë për asnjë moment; e marrin menjëherë dhe e fusin në thes. Prej tij do të kundërmojë erë e keqe, më e keqe se e mishit të ngordhur që është nuhatur ndonjëherë mbi faqen e dheut. Ata do t’a marrin shpirtin, dhe sa herë që t’a kalojnë atë para një grupi engjëjsh do të thonë; “Kush është ky shpirt i keq?” Ata thonë: ‘Është filani i biri i filanit’, –  duke përdorur emrat më të këqij me të cilët është thirrur në këtë botë. (Ata do të vazhdojnë) Derisa të arrijnë në qiellin e parë ku do të kërkojnë që t’u hapet dera por nuk do t’u hapet. I Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) lexoi ajetin: “Me të vërtetë, atyre që i mohuan shenjat Tona me mendjemadhësi, nuk do t’u hapen dyert e qiellit dhe as që do të hyjnë në Xhenet, derisa të kalojë deveja nëpër vrimë të gjilpërës.”[5]

Allahu i Lartësuar dhe i Madhëruar do të thotë: Regjistrojeni librin e tij në Sixhxhin, në Tokën më të ulët. Pastaj do të thotë: “Kthejeni atë në tokë, sepse ky ishte premtimi im”: Unë i krijova ata prej saj, do t’i kthej në të dhe do t’i ringjall përsëri nga ajo. Kështu shpirti i tij do të hidhet poshtë nga qielli derisa të arrijë në trupin e tij. Ai lexoi ajetin: “Kush i shoqëron Allahut diçka (në adhurim) i ngjan atij që bie nga qielli e që e rrëmben zogu, ose i ngjan atij që stuhia e erës e ka hedhur në një vend të largët e të humbur.”[6]

Kështu që shpirti i tij do të kthehet pranë trupit të tij. (Profeti tha: Ai do t’i dëgjojë hapat e shokëve të tij kur ata të largohen).

Më pas dy engjëj të ashpër dhe të vrazhdë do të vijnë tek ai, do t’a qortojnë dhe do t’a ulin. Ata do të pyesin: “Kush është Zoti yt?” Ai do të thotë: ‘Hah-hah (tregues i dhimbjes ose i të qeshurit), nuk e di!’ Ata do t’a pyesin: ‘Cila është feja jote?’ Ai do të thotë: ‘Hah – Hah, nuk e di. Ata do t’a pyesin: “Çfarë di për këtë njeri që u dërgua mes jush?” Ai nuk do të dijë as emrin e tij, por do t’i thuhet ‘Muhamed’? Dhe ai do të thotë: ‘Hah-Hah, nuk e di! I kam dëgjuar njerëzit duke thënë kështu’. Atij do t’i thuhet: Kurrë nuk e mësove! Kurrë nuk e lexove!

Pastaj një zë do të thërrasë nga qielli, duke thënë: “Ai ka gënjyer, prandaj shtrojeni varrin e tij me shtroje nga Xhehenemi dhe hapini atij një derë për në Xhehenem.” Një pjesë e nxehtësisë dhe helmit të tij do të arrijë tek varri i tij i cili do të ngushtohet derisa brinjët të mblidhen e të shtypen së bashku.  Aty do t’i vijë (ose do t’i paraqitet) një njeri me fytyrë të shëmtuar, i veshur keq dhe me erë të keqe i cili do t’i thotë: “Përgëzohu me atë që të shqetëson: Kjo është dita që të ishte premtuar. Ai do t’i thotë: “Edhe ti, përgëzohu me më të keqen! Kush je ti? Fytyra jote sjell vetëm lajme të këqija!’ Ai do të thotë: “Unë jam vepra jote e shëmtuar”. Pasha Allahun, unë të kam njohur si njeri që nguroje për t’iu bindur Allahut dhe nxitoje për t’a kundërshtuar Atë, kështu që Allahu të shpërbleftë me të këqija”. Pastaj do të vijë tek ai një i verbër, i shurdhër dhe memec, i cili do të mbajë në dorë një shufër hekuri me të cilën nëse do të qëllonte një mal do t’a kthente në pluhur. Ai do t’a qëllojë me të derisa të bëhet pluhur, pastaj Allahu do t’a rikthejë siç ishte e pastaj përsëri do t’a qëllojë. Ai do të lëshojë një ulërimë të cilën do t’a dëgjojnë të gjitha krijesat përveç njerëzve dhe xhinëve. Pastaj do t’i hapet një derë për në Xhehenem dhe varri i tij do të shtrohet nga Xhehenemi. ‘ Ai do të thotë: Zoti im, mos e bëj kurrë Kiametin!’[7]

Përktheu: Fatjon Isufi

——————————————–

[1] Kështu e ka emrin sipas argumenteve të Kuranit dhe Sunetit, ndërsa emërtimi i tij si Azrail nuk ka ndonjë bazë ndryshe nga ç’njihet tek njerëzit. Ndoshta ky emër vjen nga Israilijatet. Për më shumë shih librin “Ahkam el Xhenaiz” fq. (156).

[2] El En’am: 61.

[3] El Mutafifin: 19-21.

[4] Suretu Ibrahim: 27.

[5] Suretu el A’raf: 40.

[6] Suretu el Haxh: 31.

[7] E përmend shejhu ynë në librin ‘Ahkam el Xhenaiz’ fq. 156-159.