A është më mirë të ndahem prej njerëzve apo të përziem me ta?

April 26, 2015

A është më mirë të ndahem prej njerëzve apo të përzihem me ta?

Përgjigje: Njerëzit dallohen rreth saj pjesërisht apo plotësisht, dhe realiteti i kësaj çështjeje është se të përzierit me njerëzit ndonjëherë është obligim apo e rekomanduar. I njëjti individ nganjëherë ka mundësi të urdhërohet të përzihet me të tjerët dhe në kohët e tjera mund të urdhërohet të ndahet prej tyre.

Të përzierit nëse përfshin bashkëpunim në të mirë dhe devotshmëri është obligim, dhe nëse përfshin bashkëpunim në mëkat dhe tejkalim të kufijve është i ndaluar. Të përzierit me muslimanët me qëllim të ibadeteve me xhemat, siç janë; pesë kohët e namazit, namazi i xhumasë, namazi i bajramit, namazet e eklipseve, namazi i shiut (istiska) etj. është prej asaj çka Allahu dhe i Dërguari i Tij kanë urdhëruar. Po ashtu, në një tubim ku adhuruesi ka mundësi ta shtojë imanin e tij, për shkak të dobisë që ka prej tij apo se ai është i dobishëm për ta është e së njëjtës kategori.

Sidoqoftë, një person duhet të ketë kohë për veten e tij që të merret me dua, dhikër (përmendje të Allahut), namaz, meditim, ta llogarisë veten e tij, ta përmirësojë zemrën e tij. Këto janë çështje që askush s’mund të marrë pjesë me të në ato dhe që duhet të shihen në baza individuale, qoftë ajo në shtëpinë e tij apo gjetkë. Siç thotë Tausi: “Sa strehim i shkëlqyeshëm është shtëpia! Në atë njeriu mund ta frenojë shikimin dhe gjuhën e tij.”

Pra, të zgjedhësh që të përziesh me njerëzit pa kufizime është gabim, dhe të zgjedhësh të ndahesh prej njerëzve pa kufizime është gabim.

 

Marrë nga libri: “Mexhmu el-fetaua” 10/218.

Autor: Shejhul Islam Ibën Tejmije

Përktheu Shuajb Rexha

Loading...