Dije lexues i nderuar, Allahu më forcoftë mua dhe ty në këtë fe, se namazi nuk saktësohet pa qenë i pastër (me abdes). Për këtë ekziston konsensus mes dijetarëve. Baza e këtij konsensusi është fjala e Allahut të Madhëruar: “O besimtarë! Kur të ngriheni për të falur namaz[1] lani fytyrën dhe duart deri në bërryla, fërkoni kokën me dorë të lagur dhe lani këmbët deri në nyje.[2] E nëse jeni të papastër (xhunub) pastrohuni (duke u larë krejtësisht). Por në qoftë se jeni të sëmurë ose gjendeni në udhëtim, ose ndonjëri nga ju vjen pas kryerjes së nevojës natyrore, apo keni pasur marrëdhënie me bashkëshortet e nuk gjeni ujë, atëherë synoni diçka të sheshtë e të pastër që gjendet mbi tokë dhe fërkoni fytyrat e duart tuaja me të.[3] Allahu nuk dëshiron t’ju ngarkojë me ndonjë vështirësi,[4] por dëshiron t’ju pastrojë dhe t’i plotësojë dhuntitë e Tij ndaj jush që të jeni falënderues (të Tij).”[5]
Gjithashtu fjala e të dërguarit të Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, kur thotë: “Allahu nuk e pranon namazin pa qenë i pastër (me abdes).”[6]
Ata (dijetarët) janë në kundërshtim nëse është kusht abdesi për faljen e namazit të xhenazes, dhe në lidhje me këtë kanë dy mendime.
Mendimi i parë: Pastërtia (abdesi) është kusht për faljen e namazit të xhenazes.
Kjo është fjala e xhumhurit (shumicës) nga selefët dhe të mëvonshmit (halefët). Ibën Abdulberr, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ky është konsensusi i dijetarëve prej selefëve dhe të mëvonshmëve përveç Shabiut.”[7]
Ibën Hazmi thotë: “Abdesi është farz (obligim) dhe namazi nuk është i saktë vetëm se me të, dhe kjo për atë që gjen ujë. Për këtë ka konsensus dhe askush nuk ka kundërshtuar.”[8]
Kjo përfshin të gjitha namazet si farze dhe nafile (vullnetare). Ky është medhhebi hanefi,[9] malikij,[10] shafij,[11] hanbeli[12] dhe dhahirij.[13]
Mendimi i dytë: Pastërtia (abdesi) nuk është kusht për namazin e xhenazes. Me këtë fjalë është veçuar Esh Sha’bij, Allahu e mëshiroftë. E ka përmendur Ibën Rushdi[14] fjalën e Shabiut dhe e ka cilësuar si shadh [15] duke thënë: “Nuk janë kundërshtuar dijetarët se pastërtia është kusht për të gjitha namazet, përveç namazit të xhenazes dhe sexhdes së leximit. Për këto të dyja[16] ka kundërshtim por ai është shadh (sh.r.: që nuk ia hedhim shikimin si mendim për shkak se është shumë i dobët dhe i veçuar përballë morisë së madhe të dijetarëve që kanë mendim të kundërt me të, dhe nuk ndikon në prishjen e asaj që quhet ixhma – unanimitet).“
Po ashtu fjalën e Esh Shabij e ka përmendur Ibën Abdullberr dhe e ka cilësuar shadh duke thënë: “Ky është konsensusi i dijetarëve prej selefëve dhe të mëvonshmëve, përveç Sha’biu-t. Ai e ka lejuar faljen e namazit të xhenazes pa abdes.”[17]
Argumentet e grupit të parë.
Janë argumentuar për atë se pastërtia është kusht për saktësinë e namazit me argumentet e mëposhtme:
- Fjala e Allahut të Madhëruar: “O besimtarë! Kur të ngriheni për të falur namaz[18] lani fytyrat dhe duart tuaja deri në bërryla, fërkoni kokat (me dorë të lagët) dhe lani këmbët deri në nyje.”[19] | El Maide: 6 |
Pika e argumentimit: Allahu në këtë ajet urdhëron çdokënd që ngrihet për faljen e namazit që të marrë abdes.
- Fjala e Profetit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, që thotë: “Allahu nuk e pranon namazin e atij njeriu i cili e prish abdesin e tij, derisa të marrë përsëri.”[20]
- Transmetohet nga Nafiu nga Ibën Umeri, radijAllahu anhuma, se ai thoshte: “Nuk e fal namazin e xhenazes veçse ai që është i pastër.”[21]
- Konsensusi se namazi i xhenazes nuk falet vetëm se në drejtim të kibles.[22]
Pika e argumentimit: Nëse namazi i xhenazes do ishte thjesht dua atëherë nuk do të ishte kusht drejtimi nga kibla. Por ai është namaz dhe si i tillë ka të njëjtat kushte që kanë edhe namazet e tjera.
Argumentet e grupit të dytë.
Kush ka transmetuar fjalën e Esh Shabiu-t nuk përmend ndonjë argument nga Kurani dhe as nga suneti autentik, por kanë transmetuar vetëm pretendimin se namazi i xhenazes është kërkim faljeje dhe lutje për të vdekurin, e si rrjedhojë për të nuk është kusht abdesi.[23]
Ibën Abdullberri duke kundërshtuar fjalën e Esh Shabiu-t, ndër të tjera thotë: “Dijetarët janë në konsensus se namazi i xhenazes nuk falet vetëm se në drejtim të kibles. E nëse ajo do të ishte vetëm dua ashtu siç mendon Sha’biu, atëherë do ishte e lejuar të falej dhe në drejtim tjetër përveç kibles. Përderisa në të përfshihen tekbiri dhe drejtimi nga kibla atëherë nga kjo mësohet se ai është namaz, e nuk ka namaz vetëm se duke qenë me abdes.”[24]
Konkluzioni:
Fjala më e saktë në këtë çështje është ajo e grupit të parë të cilët thonë se pastërtia është kusht për faljen e namazit të xhenazes. Nuk është transmetuar nga i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, dhe as nga sahabët radijAllahu anhum se ata e kanë falur namazin e xhenazes pa abdes. Allahu e di më së miri!
Mblodhi dhe përktheu: Unejs Sheme
——————————————————————-
[1] Kur të ngriheni për të falur namaz të detyrueshëm (pesë namazet e ditës dhe natës), namaz vullnetar apo namazin e xhenazes duke qenë se nuk e keni pastërtinë e vogël (abdesin) por keni vetëm të madhen (guslin), atëherë merrni abdes në mënyrën e përshkruar në vijim të ajetit.
[2] Ajeti rendit pjesët e trupit që duhen larë gjatë pastrimit të posaçëm (abdes) për të falur namaz, kurse tradita profetike sqaron në hollësi mënyrën e marrjes së abdesit; duke filluar me larjen e duarve së pari, pastaj me shplarjen e gojës dhe të hundës të cilat përfshihen në fytyrë, pastaj me larjen e fytyrës, pastaj me larjen e parakrahëve deri në bërryla duke filluar me të djathtin, dhe të gjitha këto duke i larë nga tre herë. Pastaj fërkon kokën me njërën ose me të dyja duart e lagëta, dhe në fund lan këmbët deri në kyçe duke filluar me larjen e këmbës së djathtë pastaj të së majtës.
[3] Nga mëshira e Allahut për robërit e Tij ua ka lehtësuar atyre praktikimin e fesë dhe kryerjen e obligimeve fetare. Kjo vërehet edhe në këtë ajet ku Allahu u lejon besimtarëve të përdorin dheun e pastër për pastrim simbolik në vend të larjes së trupit (guslit) dhe abdesit, kur ngrihen për t’u falur dhe nuk gjejnë ujë për t’u pastruar. Ky pastrim simbolik quhet tejemum dhe bëhet duke fërkuar shuplakat e duarve mbi dhe të pastër, pastaj me to të fërkohet fytyra, dhe pastaj duart me njëra-tjetrën deri në kyçe. Marrja e tejemumit në vend të guslit apo abdesit lejohet vetëm në rast sëmundje gjatë së cilës përdorimi i ujit do e përkeqësonte atë, si dhe në rast se gjendesh në udhëtim e sipër dhe nuk gjen ujë, apo uji që të ndodhet është i mjaftueshëm vetëm për të pirë gjatë udhëtimit.
[4] Me urdhrin për pastrim të përgjithshëm të trupit (gusël) apo të pjesshëm (abdes), prandaj edhe ua ka bërë këto lehtësime në kryerjen e obligimeve fetare duke marrë në konsideratë gjendjen tuaj.
[5] | El Maide: 6 |
[6] Transmetuesi i hadithit është Ibën Umeri, radijAllahu anhu. E transmeton imam Muslimi në kapitullin “Et Tahara” në temën “Uxhub taharah lissalati” (me El Minhaxh, shpjegimi i imam Neveviut “Sahihut” të Muslimit) 3/98. Hadithi është mutefekun alejhi prej transmetimit nga Ebu Hurejra, radijAllahu anhu.
[7] “El Istidhkar” vëll. 8. Shih “El Ifsah” 1/245.
[8] “El Muhala” 1/130.
[9] “Fet’hul kadir” 1/179. Disa prej hanefive e kanë lejuar faljen e namazit të xhenazes me tejemum nëse personi frikësohet nga mos falja e namazit të xhenazes. Ky gjykim përshin si imamin ashtu dhe xhematin. Transmetohet nga Haseni nga Ebu Hanifja, Allahu i mëshiroftë të dy, se ka thënë: “Nuk i lejohet imamit që ta falë namazin e xhenazes me tejemum në qytet (pranë vendbanimeve).” Isai, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: Kjo është e sakta. “El Mebsut” 2/127, dhe “Bedaius Sanai” 1/742.
[10] “Neuadirah uez zijadat” 1/638.
[11] “El ummu” 2/155, “El mugni el muhtaxh” 2/26, “El hauij” 1/110 etj.
[12] “El mugnij” 3/420 dhe “El insaf” 2/500.
[13] “El muhala” 1/130.
[14] “Bidajetul muxhtehid” 1/466 dhe 1/83.
[15] Ai që veçohet nga dijetarët e tjerë duke mos patur argument të saktë.
“Kushdo që kundërshton të saktën në lidhje me ndonjë çështje ai është shadh.” Ibën Hazmi në “El Ahkam” vëll. 5.
[16] Namazin e xhenazes dhe të sexhdes së leximit.
[17] “El istidhkar” 8/284.
[18] Kur të ngriheni për të falur namaz, qoftë të detyrueshëm (pesë namazet e ditës dhe natës), namaz vullnetar apo namazin e xhenazes, duke qenë se nuk e keni pastërtinë e vogël (abdesin) por keni vetëm të madhen (guslin), atëherë merrni abdes në mënyrën e përshkruar në vijim të ajetit.
[19] Ajeti rendit pjesët e trupit që duhen larë gjatë pastrimit të posaçëm (abdes) për të falur namaz, kurse tradita profetike sqaron në hollësi mënyrën e marrjes së abdesit; duke filluar me larjen e duarve së pari, pastaj me shpëlarjen e gojës dhe të hundës, të cilat përfshihen në fytyrë, pastaj me larjen e fytyrës, pastaj me larjen e parakrahëve deri në bërryla duke filluar me të djathtin, të gjitha këto duke i larë nga tre herë. Pastaj fërkon kokën me njërën ose me të dyja duart e lagëta dhe në fund lan këmbët deri në kyçe duke filluar me larjen e këmbës së djathtë pastaj të së majtës.
[20] Mutefekun alejhi.
[21] “El meuta” me komentim të Ez Zerkanij, vëll. 2.
[22] “El istidhkar” 8/284.
[23] “El istidhkar” 8/284.
[24] “El istidhkar” 8/284.
Të Ngjashme
- Kur je duke u falur me xhemat! Udha e Besimtarëve
- Kush e fal namazin e sabahut është nën mbrojtjen e Allahut Udha e Besimtarëve
- Vlera e faljes së namazit vullnetar në shtëpi Udha e Besimtarëve
- Prezantim i shkurtër mbi Islamin Udha e Besimtarëve
- Dobitë e dhikrit të mëngjesit dhe të mbrëmjes Udha e Besimtarëve