A lejohet të kërkosh nga hoxha që të lutet për ty?

A lejohet të kërkosh nga hoxha që të lutet për ty?

Pyetje: Një vëlla i sëmurë me kancer – lus Allahun e Madhëruar Zotin e Arshit madhështor që ta shërojë – kërkon nga vëllezërit që falën namazin në këtë xhami të bëjnë dua për të.
Përgjigje: Do të ishte mirë që vëllai t’i kthehej mësimit të kaluar, të xhumanë e kaluar pas sabahut folëm për kërkimin e duasë nga tjetri.

I thanë Ikrimes: Lute Allahun për mua! – tha – “Kush është Ai që i përgjigjet atij që është në nevojë të madhe kur ai i lutet”?! (Neml: 62)* Ti vëllai im i sëmurë, ti je në hall. Je ti ai që është në vështirësi jo unë. Prandaj duhet që ti t’i drejtohesh Allahut me zemër të thyer, me frikërespekt dhe me nënshtrim të plotë para Tij.

Nëse ne iu drejtohemi të devotshmëve dhe të mendojmë se lutja e tyre nuk është si lutja jonë (por është më e mirë), atëherë pastërtia e teuhidit uluhije (njësimit të Allahut në adhurim në zemrat tona) fillon të turbullohet.

Për këtë imam Shatibiu në “I’tisam” ka përmendur nga Umeri dhe Hudhejfja se kur disa njerëz u thanë atyre: “Lutu për mua” – Umeri i tha: Nuk jam Profet! Lutu vet për veten tënde! – ndërsa Hudhejfja tha – Ky do të kthehet në shtëpi (në rehatinë e vet) dhe do t’i thotë gruas së tij: Sonte Hudhejfja do të lutet për mua”! (Sh.p.: Dhe kështu do të mbështetet plotësisht në duanë time dhe do të harrojë të kërkojë ai vet prej Allahut dhe të mbështetet tek Ai)

Pasi solli fjalë të shumta nga selefët në këtë çështje, imam Shatibiu përmendi në të një rregull bazë: “Kur kërkohet lutje nga një njeri i devotshëm dhe, në këtë kërkesë ka ngritje për të më lart seç është pozita e tij, atëherë është detyrë që të mbyllet kjo derë.”

Ndërsa lutja e përgjithshme e mbarë muslimanëve për njëri-tjetrin s’ka problem. Problem është kur zemra të lidhet me një person të caktuar dhe e ngre atë më lartë se pozita e tij, atëherë fillon të ndotet dhe të turbullohet pastërtia e teuhidit uluhije. (Nuk është më teuhidi në gradën e duhur)

Shejkh Mesh’hur Hasen, Allahu e ruajtë dhe bëftë dobi me të!

*Ka ardhur në tefsirin që Imam Kurtubiu i ka bërë këtij ajeti: Një burrë erdhi tek Malik ibn Dinari dhe i tha: Të kërkoj për hir të Allahut që të lutesh për mua sepse unë jam në hall të madh. – ai ia ktheu: Atëherë lutju Allahut sepse Ai i përgjigjet atij që është në hall të madh kur i lutet!

Meshhur Hasen Al Selman (Allahu e ruajte)