A mund të shkëputem nga namazi me xhemat nëse fëmija im fillon të qajë?

March 22, 2021

Së pari: Dijetarët janë pajtuar për faktin se; ndërprerja e qëllimshme e një namazi të detyrueshëm (farz) pasi që ka filluar pa patur ndonjë justifikim, është haram.

Arsyetimet legjitime që e bëjnë të lejueshme ndërprejen e namazit janë ato që përmenden në hadithet e sakta dhe ato që janë përcaktuar me analogji se janë të ngjashme me to, ose që janë arsye më të forta.

Ndër arsyetimet e ligjshme që e bëjnë të lejueshme ndërprerjen e namazit – qoftë i detyrueshëm apo vullnetar – është; vrasja e gjarprit, frika e humbjes së një sendi, ndihma ndaj dikujt që është në fatkeqësi, shpëtimi i dikujt që po mbytet, fikja e një zjarri, dhe paralajmërimi i një personi të pakujdesshëm për diçka që mund ta dëmtojë.

Së dyti: Nëse një fëmijë qan dhe babai ose nëna e tij nuk janë në gjendje ta qetësojnë gjatë namazit me xhemat, atëherë lejohet ndërprerja e namazit për ta qetësuar atë, nga frika se e qara mund të jetë për shkak të ndonjë dëmi që i ka ndodhur, dhe nga frika se mos namazi i të tjerëve mund të prishet për shkak të këtij shqetësimi.

Nëse është e mundur që ta qetësojnë me ndonjë lëvizje të lehtë dhe pa u larguar nga kibla, atëherë gruaja mund ta bëjë atë dhe të kthehet përsëri në namazin e saj. Për shembull; ajo mundet të lëvizë prapa për ta marrë atë pa e ndaluar lutjen e saj. Por nëse nuk është në gjendje ta qetësojë pa e ndërprerë namazin, atëherë ajo duhet ta bëjë këtë, dhe nuk ka mëkat në dashtë Allahu.

Në librin “Me talib ulin-nuha” 1/641, thuhet: Është sunet që imami të falë namazin më shkurt nëse dikujt prej atyre që janë duke u falur i ndodh diçka gjatë namazit që e detyron të largohet prej tij (namazit), siç është dëgjimi i një fëmije duke qarë. Kjo sepse Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Unë e filloj namazin duke synuar që ta zgjas atë, pastaj dëgjoj të qarën e një fëmije dhe e fal më shkurt që të mos i shkaktoj vështirësi nënës së tij.” (Ebu Daudi)

Dijetarët e Komisionit të përhershëm u pyetën: A lejohet të ndërpritet namazi nëse namazliu sheh një kafshë që vjen drejt tij, si p.sh. një akrep ose një kafshë tjetër helmuese? Ose kur është duke u  falur në Harem (Meke ose Medine), a është e lejuar ta ndërpresë namazin në mënyrë që të mund të ndjekë djalin ose vajzën e tij, që me shumë mundësi mund t’i humbasë në grumbullin e njerëzve?

Ata u përgjigjën: Nëse e ka të lehtë që ta heqë qafe akrepin pa e ndërprerë namazin, atëherë ai nuk duhet të largohet nga namazi. Në të kundërtën, ai mund ta ndërpresë atë. Në të njëjtën mënyrë; nëse e ka të lehtë të kujdeset për fëmijën e tij pa e shkëputur namazin ai duhet ta bëjë këtë, përndryshe ai mund ta ndërpresë (namazin).

AbdulAziz ibn Abdilah ibn Baz, AbduRrazak Afifi, Abdullah bin Gudejan (8/36, 37).

 

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...