A përmenden dinozaurët në Islam? A është vërtetuar ekzistenca e tyre në hadithe të sakta?

March 23, 2021

Pyetje: Ne jetojmë në perëndim dhe kemi disa miq jomuslimanë që diskutojnë me ne rreth Islamit. Ata janë shumë të interesuar në shkencë dhe në teoritë rreth universit dhe kanë një pyetje: A  përmenden dinozaurët në Islam? A është e vërtetuar ekzistenca e tyre në hadithe të sakta? Si mund t’u përgjigjemi atyre?

Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut.

Në Enciklopedinë botërore Arabe thuhet: “Dinozaurët e periudhës Jurasike (138-205 milion vjet më parë) përfshijnë dinozaurin më të gjatë të njohur, përkatësisht Diplodocus i cili arrinte një lartësi prej 27 m, si dhe dinosaurët e tjerë të tillë si Stegosauri i kromuar ose i blinduar, Alozauri dhe Kamptozauri. Dinozaurët ishin zvarranikë që jetuan miliona vjet më parë. Fjala dinozaur rrjedh nga dy fjalë greke dhe do të thotë hardhucë ​​e tmerrshme. Sidoqoftë, dinozaurët nuk ishin vërtet hardhuca sepse madhësia e disave prej tyre ishte e tmerrshme.

Dinozauri më i madh ishte kafsha më e madhe që ka jetuar ndonjëherë në tokë të thatë, me një peshë që ishte shumë herë më e madhe se një elefant i rritur plotësisht. Ekzistojnë shumë pak lloje balenash që rriten në një madhësi më të madhe se këta dinozaurë. Dinozaurët e parë u shfaqën në tokë 220 milion vjet më parë. Këto krijesa mbizotëruan në tokën e thatë për rreth 150 milion vjet dhe jetuan në shumicën e kontinenteve në tokë në mjedise të ndryshme, të tilla si kënetat dhe fushat e rrafshëta. Ata u zhdukën papritur 63 milion vjet më parë.” Këtu përfundojnë fjalët e Enciklopedisë Botërore Arabe.

Nuk ka asgjë në tekstet e Kuranit ose Sunetit që të konfirmojë ose mohojë ekzistencën e këtyre krijesave. Në Kuranin Famëlartë ka disa ajete të cilat studiuesit i kanë kuptuar se kishte krijesa që ekzistonin në tokë para Ademit (paqja qoftë mbi të!), siç është ajeti në të cilin Allahu i Lartësuar thotë:

“Dhe (kujto) kur Zoti yt u tha engjëjve: Me të vërtetë, unë do të vendos (njerëzimin) brez pas brezi në tokë. Ata thanë: A do t’ë vendosësh atje ata që do të bëjnë shkatërrime dhe do të derdhin gjak? Ndërsa ne të lëvdojmë Ty me lavdërime dhe falënderime, dhe të shenjtërojmë Ty? Ai (Allahu) tha: Unë di atë që ju nuk e dini.” [El-Bekare 2:30]

Shejh Ibn Uthejmin (Allahu e mëshiroftë) tha: Fjalët e engjëjve; “A do të vendosësh aty ata që do të bëjnë ligësi në të dhe do të derdhin gjak?” e bëjnë shumë të mundshme që ata të ishin pasardhës të krijesave të mëparshme, dhe se më parë kishte krijesa në tokë që derdhën gjak dhe përhapën ligësi. Kështu, engjëjt e pyetën Zotin e tyre: “A do të vendosësh aty ata që do të bëjnë shkatërrime në të dhe do të derdhin gjak, siç bënë ata që ishin para tyre?” Tefsir el-Kuran el-Kerim; 1/30.

Dinozaurët mund të kenë qenë midis atyre krijesave.

Nuk është e çuditshme që kishte krijesa të kësaj madhësie. Është vërtetuar në hadithe të sakta se Ademi (paqja qoftë mbi të) ishte i gjatë gjashtëdhjetë kut (krahë). Siç transmetohet nga Buhariu (3326) dhe Muslimi (2841) nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të), se Profeti (bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Allahu e krijoi Ademin gjashtëdhjetë krahë të gjatë, pastaj i tha: Shko dhe përshëndeti ata engjëj dhe dëgjo se si do të përshëndesin, sepse kjo do të jetë përshëndetja jote dhe e pasardhësve të tu. Kështu që ai shkoi dhe u tha: Es-selamu alejkum (paqja qoftë mbi ju), dhe ata thanë: Es-selamu alejke ue rahmetullah (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi ty). Kështu që ata shtuan (fjalën) ue rahmetullah. Të gjithë ata që do të hyjnë në xhenet do të jenë në formën e Ademit. Ndërsa njerëzimi vazhdoi të zvogëlohej në madhësi deri tani. “

Gjithashtu në hadithet e sakta Profeti (alejhi selam) tregon: Kur tokës t’i kthehet begatia në fund të kohës (para kiametit), një shegë në atë kohë do të jetë e mjaftueshme për një grup njerëzish dhe ata do të kërkojnë hije nën lëkurën e saj. Transmetohet nga Muslimi ( 2937) nga Neuas bin Seman (Allahu qoftë i kënaqur me të) i cili tregon se kur Profeti (bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) fliste për zbritjen e Isait (paqja qoftë mbi të) dhe shkatërrimin që Allahu do t’u bëjë Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve, thoshte: Atëherë Allahu do të dërgojë një shi që nuk do të mbahet nga asnjë shtëpi prej balte ose flokësh, do t’a lajë tokën dhe do t’a bëjë si një pasqyrë. Atëherë do t’i thuhet tokës: Jepi frytet e tua dhe rivendos bekimin tënd. Ato ditë një grup njerëzish do të hanë nga një shegë dhe do të strehohen nën lëkurën e saj. Qumështi do të ketë begati derisa një deve do të jetë e mjaftueshme për një turmë njerëzish, një lopë qumështore do të jetë e mjaftueshme për një fis, dhe një dele qumështore do të jetë e mjaftueshme për një familje njerëzish. 

Për ta përmbledhur: Islami nuk e mohon që këto krijesa të kenë ekzistuar ose të kenë pasur një madhësi të tillë, por mbetet për t’u diskutuar jetëgjatësia dhe detajet e formave dhe jetës së tyre. Kjo është fusha e shkencës dhe spekulimeve të kombinuara. Muslimani nuk duhet të preokupohet me këtë dhe nuk duhet të humbasë kohë për t’a diskutuar, ose të besojë se kjo është një çështje që ka ndonjë ndikim në angazhimin ose besimin e tij fetar. Ai e di se Kurani dhe Suneti u shpallën për t’i udhëzuar njerëzit dhe për t’ju treguar atyre rrugën e duhur. Fokusi i tyre (Kuranit dhe sunetit) nuk është historia, gjeografia, gjeologjia e tokës ose biologjia, megjithëse ai tregon shumë fakte që kanë të bëjnë me këto fusha. Ekzistojnë disa lloje kafshësh që nuk përmenden fare në Kuran dhe Sunet, edhe pse ato ekzistonin në kohën kur u shpall Kurani.

Allahu e di më së miri!

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...