Është e domosdoshme të sqarohen se cilat janë obligimet ndaj Allahut të Lartësuar, çfarë është e pamundur për Të dhe çfarë është e lejuar për Të, në mënyrë që njerëzit të jenë të qartë për fenë e tyre dhe për të Adhuruarin e tyre.
Nuk ka rrugë tjetër për t’i njohur këto gjëra përveçse përmes shpalljes hyjnore, pasi ato kanë të bëjnë me gajbin (të padukshmen) që nuk mund të njihen as me logjikë e as me kijas (analogji).
Allahu na ka treguar në Kuran mënyrën se si profetët i ftonin popujt e tyre, dhe kjo mënyrë ka qenë e njëjtë për të gjithë: thirrje në njëshmërinë e Allahut (teuhid) dhe adhurimin vetëm të Tij. Profeti i fundit Muhamedi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i ndoqi gjurmët e tyre duke thirrur umetin e tij në të njëjtën rrugë në të cilën ftuan profetët para tij; në njohjen dhe adhurimin e Allahut Një. Ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk i braktisi njerëzit pa ua bërë të qartë rrugën e së vërtetës dhe pa u dalluar e vërteta prej të kotës.
Ibën Maxheh transmeton nga Ebu Derda se ka thënë:
“Doli tek ne i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ndërsa ne po flisnim për varfërinë dhe kishim frikë prej saj. Ai tha: Prej varfërisë po frikësoheni?! Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, do t’ju vërshojë pasuria e kësaj bote derisa zemrat tuaja të mos shmangen veçse nga ajo! Pasha Allahun, ju kam lënë në një rrugë të ndriçuar ku nata dhe dita e saj janë njësoj (në qartësi)!”
Ebu Derda më pas tha: “Pasha Allahun, i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë të vërtetën. Ai na la në një rrugë të ndriçuar ku nata dhe dita e saj janë njësoj (në qartësi)!” “Sunen Ibn Maxheh” 1/4 me nr 5. Hadithi është hasen. Për më tepër shiko librin “Vargu i haditheve të sakta” me nr. 688.
Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe Ne ta shpallëm Librin si shpjegim për çdo gjë, udhëzim, mëshirë dhe përgëzim për myslimanët.” | En-Nahl: 89.
“Ne ta shpallëm Librin vetëm që t’u sqarosh atë për të cilën janë kundërshtuar, dhe si udhëzim e mëshirë për një popull që beson.” | En-Nahl: 64.
“Ne ta kemi shpallur përkujtimin (Kuranin) që t’iu sqarosh njerëzve atë që u është shpallur, ndoshta ata do të mendojnë.” | En-Nahl: 44.
Besimi në Allahun, në emrat dhe në cilësitë e Tij, si dhe adhurimi i Tij janë gjërat më madhështore. Prandaj është e domosdoshme që Libri (Kurani dhe Suneti) i cili është sqarues për çdo gjë, të ketë dhënë sqarimin më të qartë për këto çështje.
Ai patjetër ka për të orientuar drejt udhëzimit më të lartë që është njohja e Allahut me emrat dhe cilësitë e Tij. Sidomos kur dihet se njëra nga çështjet më të mëdha për të cilat ka ndodhur mospajtim në këtë umet është pikërisht kjo temë, prandaj domosdo që e ka sqaruar.
Allahu na ka informuar se e ka zbritur Librin për të sqaruar atë në të cilën kundërshtohemi, kështu që domosdo se kemi për të gjetur në të sqarim që largon çdo dyshim e paqartësi. Ai është udhëzim dhe mëshirë por nuk është i tillë për të gjithë, ai është udhëzim dhe mëshirë vetëm për ata që besojnë.
Gjëja më madhore që na është shpallur është besimi në Allahun dhe njohja e Tij. Allahu na ka njoftuar se e ka shpallur Librin për tu sqaruar njerëzve atë që u është shpallur. Prandaj, si mund të lihet pa sqarim gjëja më e rëndësishme që na është shpallur (besimi)?!
Nga kjo dhe të tjera si kjo, kuptohet qartë se Allahu i Lartësuar përmes gjuhës së të Dërguarit të Tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i’a ka sqaruar umetit gjithçka që ata kanë nevojë në fenë e tyre dhe për njohjen e Zotit të tyre. Ai nuk e la këtë çështje në dorë të logjikës apo kijasit (analogjisë) njerëzor.
Ibn Abasi rreth fjalës së Allahut: “Sot e përsosa për ju fenë tuaj, e plotësova ndaj jush mirësinë Time, dhe jam i kënaqur që për ju Islami të jetë fe.” | El Maide: 3, ka thënë:
“Allahu i tregoi të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve se ua përsosi besimin, dhe se ata asnjëherë nuk do të kenë nevojë për ndonjë shtesë (në fe). Allahu e përfundoi atë ndaj nuk do të pakësohet kurrë. Ai e plotësoi atë dhe është kënaqur me këtë fe, prandaj kurrë nuk do të jetë i pakënaqur me të.” E përcjell Ibn Xherir et Taberi me senedin e tij. Për më tepër shih “Tefsir et Taberi” 9/518.
Përderisa Allahu i Lartësuar ua ka përkryer atyre besimin, atëherë çdo gjë që Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk e ka thënë në lidhje me çështjen e besimit, nuk e ka urdhëruar dhe nuk e ka sqaruar për umetin, është e pavërtetë dhe nuk bën pjesë në fenë e përkryer që ai ka sjellë.
Thelbi dhe themeli i fesë është njohja e Allahut të Lartësuar me emrat dhe cilësitë e Tij, si dhe njohja e asaj që Ai ka të drejtë ndaj robërve të Tij.
Nuk lejohet për një mysliman që beson në Allahun, të Dërguarin e Tij dhe Ditën e Fundit, të mendojë se i Dërguari sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk e ka sqaruar atë që duhet të besojë robi për Zotin e tij, sepse pikërisht për këtë ai është urdhëruar ta transmetojë dhe ta kumtojë.
Shejhul-Islam Ibn Tejmije ka thënë:
“Është e pamundur logjikisht dhe fetarisht që i Dërguari sal-lAllahu alejhi ue sel-lem me të cilin Allahu i nxori njerëzit nga errësira në dritë, dhe i shpalli Librin që të gjykojë mes tyre për atë që janë kundërshtuar, të ketë lënë çështjen e besimit në Allahun dhe njohjen e Tij të paqartë e të dyshimtë.
Të mos ketë dalluar mes asaj që i takon Allahut prej emrave të Tij më të bukur dhe cilësive të Tij më të larta, asaj që është e lejueshme për Të dhe asaj që është e pamundur për Të. Kjo nuk mund të ndodhë sepse njohja e këtyre gjërave është thelbi i fesë dhe më e mira e veprave.
Si është e mundur që Kurani, Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe shokët e tij të cilët janë më të mirët e njerëzve pas profetëve, të mos e kenë perfeksionuar saktë këtë çështje, si në besim, ashtu edhe në fjalë?!”
Është e pamundur që Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem t’i mësonte umetit të tij rregullat e ngrënies, pirjes, pastrimit dhe çështje të ngjashme, dhe të linte pa i mësuar se çfarë duhet të thonë me gjuhët e tyre dhe të besojnë me zemrat e tyre për Zotin dhe të Adhuruarin e tyre, kur kjo është më madhështorja e njohurive, më e larta e qëllimeve dhe arritja më e madhe.
Ndërkohë që vetë Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
“Çdo pejgamber që ka dërguar Allahu ka qenë detyrë e tij t’a udhëzojë umetin në të mirën më të madhe që ai dinte për ta, dhe t’i largonte prej së keqes më të madhe që ai dinte për ta.”
Gjithashtu, është e pamundur që ata që jetonin në kohën e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe gjeneratat që erdhën pas tyre, të mos kenë qenë të dijshëm për të vërtetën në çështjen e njohjes së Allahut dhe të mos e kenë shpallur (treguar) atë.
Është mëse e ditur se ai që në zemrën e tij ka jetë dhe dashuri për adhurimin, do të ketë një kujdes dhe dëshirë të madhe për ta njohur këtë (d.m.th. njohjen e Allahut; emrat e Tij, cilësitë dhe atë që i përket Atij në mënyrë të përshtatshme).
Ndërkohë është saktësuar nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem se ka thënë: “Njerëzit më të mirë janë të brezit tim, pastaj ata që vijnë pas tyre, pastaj ata që vijnë pas tyre. Pastaj do të vijnë njerëz që dëshmia e njërit prej tyre do t’i paraprijë betimit të tij, dhe betimi i tij dëshmisë së tij.” E përcjell Buhariu.
Fjala e Ibn Tejmijes gjendet e përmbledhur në “Fetava el Hamevije”. Për më shumë shiko librin “Mexhmu el fetava” 5/706.
Parathënia e librit “Sherh kitab et tevhid min sahih el Buhari”.
Autor: Shejh Abdullah bin Muhamed El Gunejman.
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: akide
Të Ngjashme
- Përsosmëria e udhëzimit dhe plotësimi i mirësisë ndaj këtij umeti Udha e Besimtarëve
- Kini kujdes nga adresat anonime në rrjetet sociale Udha e Besimtarëve
- Lutjet më të mira në muajin e Ramazanit Udha e Besimtarëve
- Israja dhe Mi’raxhi nuk është mit apo trillim Udha e Besimtarëve
- Emrat dhe atributet e Allahut të Madhëruar Udha e Besimtarëve