I begatë është ai që Allahu i ka mundësuar çelësat e mirësisë

Transmetohet nga Enes ibn Malik – Allahu qoftë i kënaqur me të – se i dërguari i Allahut -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të- ka thënë:
“Ka prej njerëzve që janë çelësa të mirësive dhe dryna të së keqes. E ka prej njerëzve që janë çelësa të së keqes dhe dryna të mirësive. I begatë është ai që Allahu çelësat e mirësive ia ka mundësuar të jenë në dorën e tij, e mjerë për atë që Allahu çelësat e të këqijave i ka lënë në dorën e tij.”
[Transmeton Ibn Maxhe me nr. 237. Shejh Albani e ka konsideruar si hadith hasen (të mirë) në “Sahih Ibn Maxhe” me nr. 194].

Ai që dëshiron të jetë nga ata që posedojnë çelësat e të mirave e të jetë dryn i së keqes dhe të meritojë mirënjohjen, le të ketë parasysh këto gjëra:

1-Sinqeritetin me Allahun e Lartësuar në fjalët dhe veprat e tij. Sinqeriteti është baza e çdo mirësie dhe prej tij buron çdo gjë me vlerë. Duaja dhe shpeshtimi i lutjeve drejtuar Allahut të Lartësuar që t’i japë sukses në këtë punë.

2-Lutja është çelësi i çdo të mire, e Allahu është Bujar dhe nuk e kthen askënd që i lutet Atij, e as nuk e zhgënjen besimtarin që e thërret.

3-Të jetë kërkues i zellshëm i diturisë sepse dituria e fton njeriun në punë të mira dhe të vyera, si dhe e ruan atë nga gjërat e irrituara e gjynahet e mëdha.

4-T’i përkushtohesh adhurimit të Allahut të Lartësuar sidomos në ato adhurime që janë obligative e në veçanti namazit, sepse namazi e ndalon njeriun nga gjërat e këqija e të urryera.

5-Të zbukurohesh me morale të larta dhe të vyera, e të largohesh nga moralet e ulëta e të kota.

6-Të shoqërohesh me njerëzit e mirë e të rrish me ta, sepse vende të tilla janë të rrethuara me melaike dhe të përfshira me mëshirë. Të largohesh nga njerëzit e këqinj dhe vendtubimet e tyre sepse ato vende janë streha e shenjtanëve.

7-Përkujtoje vdekjen dhe qëndrimin para Zotit të gjithësisë, atë ditë ku i miri do të shpërblehet me të mirë e i keqi me të keqe. Allahu i Lartësuar thotë: “Ai i cili vepron një të mirë sado të vogël do ta gjejë atë. E ai i cili punon një të keqe sado të vogël do ta gjejë atë”. [Zelzele: 7-8]

Shtylla e gjithë kësaj është dëshira që ka njeriu për të vepruar mirë e për tu bërë mirë të tjerëve. Aty ku ndodhet dëshira, qëllimi dhe vendosmëria, mbështetja tek Allahu e kërkimi i ndihmës prej Tij, si dhe të veprohen punët ashtu siç duhen, atëherë me lejen e Allahut të Lartësuar do të jesh prej atyre që posedojnë çelësat e mirësisë dhe drynat e të keqes.

Allahu i Lartësuar kujdeset për robërit e Tij, u jep sukses atyre e ia mundëson kujt të dëshirojë. Vërtetë, Ai është Dhuruesi më i mirë!

Shkroi: Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el Bedr

Përktheu: Ylli Rama