Besimi në peshoren e veprave tek Ehli Suneti

February 27, 2023

Nga besimi i ehlu sunetit është se imani (besimi) është fjalë me gjuhë; shqiptimi i dëshmisë së teuhidit “Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut dhe Muhamedi është i dërguari i Tij”, besimi me zemër; të jetë i sigurtë në vërtetësinë e fjalës së teuhidit (dëshmisë së mësipërme – sh.p.), si dhe vepër me gjymtyrë.

Ka thënë imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë: “Sahabët, tabinët (brezi pas tyre), ata që erdhën pas tyre dhe ata që kemi arritur kanë rënë dakort dhe thonin:

Besimi është fjalë, vepër dhe nijet (qëllim). Nuk bën dobi njëra nga të treja përveçse bashkë me të tjerat.” Transmeton El-Lalikei në “Es-Suneh”.

Besimi shtohet me bindje (ndaj Allahut – sh.p.) dhe pakësohet me kundërshtim (të Tij). Allahu i Madhëruar ka thënë: “Ata (besimtarë) të cilëve njerëzit (hipokritë) u thanë: Vërtet, populli (pagan) ka grumbulluar kundër jush (një ushtri të madhe) kështu që frikësojuni atyre”, – kjo në të vërtetë vetëm u shtoi besimin.” |Ali Imran: 173|

“…dhe kur u lexohen vargjet e tij (Kurani) ato ua shtojnë besimin.” |Enfal: 2|

“Dhe sa herë zbret ndonjë sure (pjesë Kurani) disa prej tyre (hipokritëve) thonë: Cilit prej jush iu shtua besimi? Sa për ata që besojnë ajo e ka shtuar besimin e tyre dhe ndiejnë kënaqësi.” |Teube: 124|

“Dhe kur besimtarët i panë ahzabët, thanë: Kjo është ajo që Allahu dhe i dërguari i Tij na kishin premtuar, e Allahu dhe i dërguari i Tij kanë folur të vërtetën. – dhe kjo vetëm ua shtoi besimin dhe nënshtrimin (ndaj Allahut).” |Ahzab: 22|

“Ai është i Cili zbriti butësinë, gjakftohtësinë e qetësinë në zemrat e besimtarëve që atyre t’u shtohej besimi bashkë me besimin që kishin.” |Fet’h: 4|

“…dhe që besimtarët të shtojnë besimin.” |Mudethir: 31|

Transmetohet në “Sahihun” e Buhariut dhe Muslimit nga hadithi i Ibn Umerit, radijAll-llahu anhu, se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i këshilloi gratë e pastaj u tha:

“Nuk kam parë dikë që është i mangët nga mendja dhe feja e ia merr mendjen burrit të vendosur, sesa ndonjëra prej jush.” Ky është argument për pakësimin e besimit. E ngjashme më këtë është fjala e tij, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Besimtari me besimin më të plotë është ai që ka moralin më të mirë.” Transmeton Ahmedi dhe të tjerë përveç tij nga Ebu Hurejra.

Nëse ai që ka moralin e mirë është besimtari me besimin më të plotë, atëherë ai që ka moral të keq është me besim më të ulët.

Imani nuk është vetëm fjalë dhe vepër pa besim (i’tikad) sepse ky është imani i hipokritëve. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Ndërsa ka edhe njerëz (hipokritë me dy fytyra) të cilët thonë: Ne besojmë në Allahun dhe në ditën e fundit, – ndërsa në të vërtetë ata nuk besojnë.” |Bekare: 8|

Imani nuk është thjesht njohja (njohja e besimit të vërtetë – sh.p.) sepse ky është imani i mosbesimtarëve dhe i mohuesve. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Dhe ata i përgënjeshtruan ato (ajetet Tona) padrejtësisht dhe me mospërfillje, edhe pse vetë në veten e tyre ishin të bindur për to.” |Suretu En Neml: 14|

“Nuk je ti ai të cilin ata mohojnë por janë ajetet e Allahut (Kurani) që keqbërësit i mohojnë.” |Surja Enam: 33|

“Ata të cilëve u dhamë librat e parë (jehuditë dhe të krishterët) e njohin mjaft mirë atë (Muhamedin) ashtu siç i njohin bijtë e tyre.” |Bekare: 146|

“Atëherë kur tek ata erdhi ajo që e kishin dalluar, ata e mohuan atë.” |Bekare: 89|

“Edhe Adi dhe Themudi! Me të vërtetë që (shkatërrimi i tyre) duket qartë për ju nga vendbanimet e tyre të rrënuara plotësisht. Shejtani ua bëri që t’u duken të drejta punët dhe sjelljet e tyre dhe i largoi nga udha (e drejtë) edhe pse ishin të zgjuar e të aftë.” |Ankebut: 38|

Imani nuk është vetëm fjalë dhe besim pa vepër sepse Allahu  i ka quajtur veprat besim. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Allahu kurrë nuk do t’ua humbasë besimin.” |Bekare: 143| Pra, namazin tuaj drejt xhamisë së Aksas (sepse në fillim drejtimi në namaz ka qenë drejt Aksas).

Transmetohet në “Sahihun” e Buhariut dhe Muslimit nga hadithi i Ibën Abasit nga Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, se i ka thënë grupit të fisit Abdul Kajs: “Ju urdhëroj me katër gjëra: Besimin në Allahun. A e dini se ç’është besimi në Allahun? Ai është dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe të jepni një të pestën e plaçkës së luftës.”

Gjithashtu, transmetohet në “Sahihun” e Buhariut dhe Muslimit nga Ebu Hurejra, radijAllahu anhu, nga Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem se ka thënë: “Besimi është shtatëdhjetë e ca apo gjashtëdhjetë e ca gradë. Më e larta prej tyre është fjala “La ilahe il-lAllah (Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut), dhe më e ulëta prej tyre është largimi i pengesës nga rruga. Dhe turpi është një nga gradët e besimit.”

 

Shkëputur nga libri: “Besimi i saktë”.

Shkroi: Abdus-Selam ibn Berxhes AbdulKerijm

Përktheu: Ardit Ulqinaku

Loading...