Besimi në Allahun përfituar nga Hadithi i Xhibrilit

September 11, 2007

Dobia e parë:

Përgjigjja e dhënë nga Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) përmbledh gjashtë shtyllat e besimit. Së pari, ai përmendi gjënë më të rëndësishme e cila është Besimi tek tek Allahu i Madhëruar. Themi kështu sepse shtyllat e tjera kanë lidhje të ngushtë me besimin tek Allahu dhe ai që nuk beson Atë konsiderohet mohues i të gjitha shtyllave të besimit.

Besimi në Allahun është: a) besimi në ekzistencën e Tij, b) besimi i sigurtë se vetëm Ai meriton të adhurohet dhe së fundi c) besimi në Emrat dhe Cilësitë e Tij. Këto që përmendëm quhen ndryshe: teuhidi rububijeh[1], teuhidi uluhijeh[2] dhe teuhidi esma ue sifat. [3] Ndarja e teuhidit në tre pjesë është bërë e mundur nga studimi i dijetarëve në librin e Allahut të Madhëruar dhe sunetin e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Kjo ndarje pasqyrohet më shumë në suren e parë të Kuranit Fisnik e cila është suretu El Fatiha dhe suren e fundit, e cila është Suretu Nas.

Suretu El Fatiha fillon me Fjalën e Allahut:

Falenderimet i përkasin vetëm Allahut, Zotit të të gjitha botrave.” Ky ajet i përmban të tre llojet e teuhidit, sepse fjala e Allahut: “Falenderimet i takojnë vetëm Allahut”, përmban llojin e dytë të teuhidit, i cili është teuhidi uluhijeh. Pra, falenderimi që i drejtohet vetëm Allahut dhe askujt tjetër përveç Tij, bën pjesë në llojin e teuhidit uluhijeh, i cili është njësimi i Allahut në adhurim.

Pjesa e dytë e ajetit të lartpërmendur: “Zotit të të gjitha botrave“, pohon qartë llojin e parë të teuhidit, i cili është teuhidi rububijeh. Të qenurit e Allahut Zot për të gjitha botërat dhe besimi se Ai është i tillë, pohon atë që përmendëm më lart (teuhidin rububijeh). Bota që ne shohim dhe ajo që nuk shohim quhet gjithësi, të cilën e ka krijuar Allahu. Pra çdo gjë, përveç Allahut është (gjithësi) e krijuar, ndërsa Krijuesi është Allahu, i Urti dhe Fuqiploti.

Gjithashtu, në këtë ajet përmendet një nga Emrat e Allahut, që është ”Zot“. [4]”Ai është Mëshiruesi, Mëshirbërësi“. Ky ajet, përmban llojin e tretë të teuhidit, i cili është teuhidi esma ue sifat. Këto dy emra që përmenden në ajet, janë nga emrat e Allahut që tregojnë për një prej cilësive të Allahut, e cila është Mëshira. Duhet të kemi parasysh se çdo emër prej emrave të Allahut, përmban një prej cilësive të Tij.

Sunduesi i Ditës se Gjykimit“. Në këtë ajet përmendet teuhidi rububijeh, sepse vetëm Allahu është Sunduesi i kësaj bote dhe botës tjetër. Nëse shtrohet pyetja: Pse në këtë ajet sundimi i Allahut përmendet vetëm për botën tjetër?! Themi: Shkaku kryesor është se në Ditën e Gjykimit të gjithë krijesat do t’i nënshtrohen plotësisht pushtetit të Allahut dhe nuk është si në këtë botë që ka njerëz që nuk i nënshtrohen urdhërave të Tij aq sa një nga njerëzit ka thënë: “Unë jam zoti juaj më i lartë.”[5]

Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.” Në këtë ajet, dallohet qartë teuhidi uluhijeh, sepse kuptimi i këtij ajeti është, vetëm Ty o Zot të përulemi me adhurim e askujt tjetër dhe ndihmën nuk e kërkojmë nga askush përveç Teje.

Na udhëzo në rrugën e drejtë! Në rrugën e atyre të cilët i begatove me të mira; jo në rrugën e atyre që humbën dhe as të atyre që kundër vetes tërhoqën hidhërimin .” Ky ajet përmban teuhidin uluhijeh, për shkak se kërkimi i udhëzimit nga Allahu është dua (lutje, adhurim). Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Duaja (lutja) është adhurim.

Në këtë ajet, besimtari i lutet Zotit të tij ta udhëzojë në rrugën e drejtë, në të cilën kanë shkelur njerëzit më të mirë si: profetët, të sinqertët, dëshmorët dhe njerëzit e devotshëm. Gjithashtu, kërkon nga Allahu që ta largojë nga rruga e njerëzve të humbur dhe rruga e atyre mbi të cilët zbriti hidhërimi i Allahut.

Ndërsa në suren e fundit të Kuranit Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaj: “Mbështetem (mbrohem) me Zotin e njerëzve!” Ky ajet, është i ngjashëm me ajetin e parë të sures El Fatiha, sepse edhe ky ajet përmbledh të tre llojet e teuhidit. Së pari, pohon teuhidin uluhijeh, sepse mbështetja dhe mbrojtja janë adhurime që i drejtohen vetëm Allahut. Së dyti, pohon teuhidin rububijeh, sepse Zoti i njerëzve është Krijuesi, dhe Mbikqyrësi i tyre. Së treti, pohon teuhidin esma ue sifat, sepse një prej emrave të Allahut është dhe emri ‘Zot’.

Sunduesin e njerëzve“. Ky ajet përmban teuhidin rububijeh dhe esma ue sifat.

Të adhuruarin e njerëzve“. Ndërsa ky përmban teuhidin uluhijeh dhe esma ue sifat.

Tre llojet e teuhidit që përmendëm janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin. Teuhidi rububijeh dhe esmu ue sifat janë të lidhur ngushtë me teuhidin uluhijeh ndërsa teuhidi uluhijeh përfshihet te dy të tjerët.

Me fjalë të tjera, themi se ai që pranon teuhidin uluhijeh, patjetër që ka pranuar edhe dy të tjerët. Ai që pranon Allahun si të adhuruar dhe e veçon Atë në adhurimin e tij, duke mos i shoqëruar asgjë, atëherë nuk ka mundësi që të jetë mohues i teuhidit rububijeh, që do të thotë se Allahu është Krijuesi, Furnizuesi, Ngjallësi etj. Gjithashtu, ai nuk mundet të mohojë emrat dhe cilësitë e Allahut. Ndërsa ai që beson në teuhidin rububijeh dhe esmau ue sifat, atëherë është i detyruar të pranojë dhe teuhidin uluhijeh.

Jobesimtarët që jetuan në kohën e të Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e pranuan teuhidin rububijeh, por kjo gjë nuk i shpëtoi ata nga zjarri i xhehenemit. Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i luftoi ata derisa të adhuronin Allahun dhe mos t’i bënin ortak në adhurim. Në Kur’anin famëlartë në shumë vende përmendet pohimi i jobesimtarëve për teuhidin rububijeh në mënyrë që ky pohim t’i tërhiqte në pranimin e teuhidit uluhijeh. Shembull për këtë kemi fjalën e Allahut të Madhëruar i Cili thotë:

Ai që krijoi qiejt dhe tokën dhe për ju lëshoi shi nga qielli, me të cilin bëri të lulëzojnë kopshte të bukura, gjë që ishte e pamundur për ju. A ka të adhuruar tjetër përveç Allahut (që mund t’i krijojë këto)? Jo, por ata janë popull që shtrembërojnë të vërtetën. A nuk ishte Ai që tokën e bëri vendqëndrim e nëpër të bëri të rrjedhin lumenj, ndërsa tokën e përforcoi me male dhe në mes të detrave bëri ndarje? A ka të adhuruar tjetër përveç Allahut? Jo, por shumica e tyre nuk dinë. Kush i përgjigjet nevojtarit kur ai thërret për ndihmë, madje i largon të keqen, ndërsa juve ju bën mbizotërues të tokës? A ka të adhuruar tjetër përveç Allahut? Jo, por ju shumë pak përkujtoni.Ai është që ju orienton në errësirë të tokës e të detit, Ai dërgon shiun që e lajmërojnë erërat përgëzuese. Vallë, a ka të adhuruar tjetër përveç Allahut? I Lartë është Allahu nga gjërat që ata i përshkruajnë. Ai është që filloi krijimin e njeriut dhe sërish do ta përsërisë atë. Ai është Furnizuesi juaj nga qielli dhe toka. A ka të adhuruar tjetër përveç Allahut (që mund të bëjë diçka të tillë)? Thuaju: “Sillni argumentet tuaja, nëse jeni të sinqertë. ” [6]

Në çdo ajet Allahu i Madhëruar u përmend jobesimtarëve argumentet e teuhidit rububijeh, në mënyrë që ta pranojnë teuhidin uluhijeh. Për këtë arsye Allahu, kur përmend argumentet e krijimit, i përfundon ato me një pyetje retorike, ”A ka të adhuruar tjetër përveç Allahut?

Ai që ka fuqi të krijojë dhe të furnizojë, është i Vetmi që meriton të adhurohet dhe të mos i shoqërohet asgjë. Si mund të adhurohen krijesat në vend të Allahut të Madhëruar (Krijuesit të tyre) në një kohë që ato nuk kanë qenë asgjë, ndërsa Allahu me fuqinë e Tij deshi dhe i solli në jetë?! Për këtë Allahu i Madhëruar në Librin e Tij thotë: “Ata që adhuroni janë njerëz si ju.” [7]

Shkëputur nga libri: “Erdhi t’ju mësoj fenë tuaj” me autor dijetarin Abdulmuhsin el-Abad

Përktheu Fatjon Isufi

Fundshënime:

  1. 1. Teuhidi rububijeh në kuptim më të gjerë, do të thotë; të njësosh Allahun në punët që Ai bën, p.sh.: ta njësosh në krijim, sepse vetëm Ai krijon dhe askush tjetër; ta njësosh në lindjen apo vdekjen e krijesave, gjë që ndodh vetëm me fuqinë e Tij; ta njësosh Atë në kontrollin absolut të gjithësisë, domethënë të jesh i bindur se askush nuk mund ta bëjë diçka të tillë përveç Allahut.
  2. 2. Teuhidi uluhijeh do të thotë, ta njësosh Allahun në adhurimin tënd. Shembull për këtë lloj teuhidi janë: duaja (lutja), frika dhe shpresa, të mbështeturit vetëm tek Allahu, kërkimi i ndihmës dhe mbrojtjes vetëm nga Ai, të bësh kurban dhe të betohesh vetëm me emrin e Tij. Pra, i gjithë adhurimi duhet t’i drejtohet Allahut dhe askujt tjetër.
  3. 3. Teuhidi esma ue sifat do të thotë, ta njësosh Allahun në emrat dhe cilësitë që i përkasin, ose me fjalë të tjera, të pranosh çdo emër dhe cilësi me të cilën e ka quajtur apo cilësuar Allahu veten në Librin e Tij apo në hadithet e Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Emrat dhe cilësitë e Allahut duhet t’i pranojmë ashtu siç kanë ardhur, duke mos pyetur për llojin, formën, mënyrën etj., sepse cilësitë e Allahut janë të veçanta vetëm për Të dhe nuk i ngjasojnë kurrsesi atyre të krijesave. Duhet të kemi kujdes që të mos mohojmë emrat dhe cilësitë e Allahut, duke ditur që nëse mohojmë ato, atëherë e bëjmë Allahun të njëjtë me krijesat. Gjithashtu, duhet t’i largohemi shëmbëllimit të cilësive hyjnore me ato njerëzore. Pra, duhet të pohojmë atë emër apo cilësi që ka pohuar Allahu, duke u larguar nga shëmbëllimi dhe përngjasimi dhe nuk duhet të mohojmë apo shtrembërojmë ndonjë prej cilësive të Tij. Allahu i Madhëruar në Librin e Tij thotë: “Asnjë send nuk i ngjan Atij, ndërsa Ai është Dëgjuesi, Shikuesi.
  4. 4. Ky emër është me kuptim të gjerë, sepse të jesh Zot i çdo gjëje, do të thotë të jesh i Përpiktë, Krijues, Mbikqyrës etj.
  5. 5. Këto fjalë i ka thënë armiku i Allahut dhe i besimtarëve, Ramsesi, faraoni i Egjiptit. (shpjegim i përkthyesit)
  6. 7. Suretu En Neml, 60-64.
  7. 8. Suretul Araf, 194
Loading...