Betimi në tjetërkënd përveç Allahut

February 13, 2015

Shejh Salih el Feuzani, Allahu e ruajt, thotë: Betimi në tjetërkënd përveç Allahut të Lartësuar është shirk. Siç transmeton Abdullah bin Umer radijAllahu anhuma, nga i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem se ka thënë: “Kush betohet në tjetërkënd përveç Allahut, ai ka mohuar ose ka bërë shirk.” Transmeton Tirmidhiu 1535 dhe e ka bërë hasen (të mirë). E ka saktësuar Hakimi.

Fjala e tij: “ai ka mohuar ose ka bërë shirk” mendohet se ky dyshim është nga ana e transmetuesit. Ose merret se lidhëza “eu – أو ” në hadith vjen me kuptimin “الواو”. Kështu që vjen: “ai ka mohuar dhe ka bërë shirk”. Ky nuk është kufri i madh, ndërsa shirku që përmendet në hadith është shirku i vogël.

Sot shumë prej njerëzve betohen në tjetërkënd përveç Allahut. Betohen në amanetin ose betohen në Profetin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, ose thonë: “Pasha jetën time dhe pasha jetën tënde o filan…” etj. të ngjashme me këto shprehje.

E dëgjuam atë që transmetohet në hadithet ku ndalohet betimi në tjetërkënd përveç Allahut të Lartësuar dhe se një gjë e tillë konsiderohet kufër ose shirk. Kjo ngase betimi në diçka është madhërim i asaj gjëje (në të cilën betohesh). Detyrë është se ai i cili meriton të madhërohet dhe tek i cili duhet betuar është Allahu i Lartësuar. Ndërsa betimi në tjetërkënd përveç Tij është shirk dhe krim i madh.

Ibën Mesudi, radijAllahu anhu, ka thënë: “Sikur të betohem në Allahun duke qenë gënjeshtar, është më e dashur për mua sesa të betohem në tjetërkënd përveç Tij duke qenë i sinqertë.” Transmeton Taberani në “El muxhemul kebir” 9/183 me nr. 8902.

Dihet se betimi në Allahun duke qenë gënjeshtar është prej mëkateve të mëdha, porse shirku e ai (në këtë rast) është betimi në tjetërkënd përveç Allahut, është më i madh se mëkatet e mëdha edhe pse llogaritet si shirk i vogël.

Detyrë për muslimanin është që të jetë i vëmendshëm ndaj kësaj gjëje. Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë: “Kush betohet le të betohet vetëm në Allahun ose përndryshe le të hesht.” Transmetojnë Buhariu 2689 dhe Muslimi 1646 prej hadithit të Ibën Umerit, radijAllahu anhuma.

Gjithashtu, profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Mos u betoni në baballarët (prindërit) tuaj.” (Pjesë nga hadithi i mësipërm). E shumë e shumë prej teksteve të cilat na urdhërojnë që kur duam të betohemi të mjaftohemi duke u betuar vetëm në Allahun, Një e të vetëm, dhe të mos betohemi në tjetërkënd përveç Tij.

Është detyrë që kush betohet në emër të Allahut, ai (ta pranojë këtë) dhe të jetë i kënaqur, siç ka thënë Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “Kushdo që betohet me emrin e Allahut duhet të thotë të vërtetën. Atij që i betohet dikush me emrin e Allahut duhet të kënaqet, dhe kush nuk kënaqet me Allahun ai nuk është afër me Allahun.” Transmeton Ibën Maxheh në “Sunenin” e tij me nr. 2101 prej hadithit të Ibën Umerit radijAllahu anhuma.

 

Shkëputur nga libri: “El irshad ila sahihi el itikad”.

Autor: Shejhu i nderuar Salih el Feuzani

Përktheu: Unejs Sheme

Dosje:

Loading...