Çështja e pestë:
Gjykimi rreth agjërimit të femrës të cilës i vijnë
periodat (hajdi) ose nifasi (lehonia).
Transmetohet nga Ebu Seidi radijAllahu anhu se ai ka thënë: Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “A nuk është (femra) që nuk falet dhe nuk agjëron kur i vjen hajdi (periodat)? Kjo është mangësia e fesë së saj”. E transmetojnë dy Shejhat[1].
Ky hadith tregon se femrat në kohën e hajdit nuk agjërojnë. Transmetohet nga Muadhete rahimehallah e cila tha: E pyeta Aishen radijAllahu anha duke i thënë: Pse femra e cila është me hajd, e kryen kaza agjërimin (pasi të pastrohet nga hajdi) dhe nuk e kryen namazin? Tha: A mos je nga harurijet (nga hauarixhët)? Thashë: Nuk jam nga hauarixhët por po pyes (për të mësuar). Tha: Kjo gjë (hajdi) na ndodhte (në kohën e Profetit) dhe urdhëroheshim që ta kryenim kaza agjërimin dhe nuk urdhëroheshim ta kryenim kaza namazin”. Transmeton Buhariu dhe Muslimi[2].
Ky hadith tregon se femra e cila nuk agjëron për shkak të hajdit, e ka detyrë, pasi të pastrohet, që t’i kryejë kaza ato ditë që i ka lënë pa agjëruar gjatë hajdit.
Ibn Kudameh Allahu e mëshiroftë ka thënë: Dijetarët kanë rënë dakort unanimisht se nuk i lejohet femrës të agjërojë gjatë kohës së hajdit (periodave) dhe nifasit (lehonisë). Femra me hajd ose nifas nuk i agjëron ato ditë të Ramazanit por duhet t’i kryejë kaza më vonë (pasi të pastrohet).
Nëse agjëron gjatë hajdit ose nifasit, ai agjërim është i pavlefshëm dhe nuk e kryen obligimin me këtë agjërim.
(Më poshtë thotë): Gjykimi është i njëjtë si për femrën me hajd ashtu dhe për atë me nifas sepse gjaku i nifasit është po ai gjak i hajdit dhe gjykimi i gjakut të nifasit është i njëjtë me atë të hajdit. Nëse ndodh që i vjen hajdi gjatë ditës së agjërimit atëherë agjërimi i asaj dite prishet dhe bëhet i pavlefshëm, nuk ka dallim mes hajdit që ndodh në fillim të ditës (së agjërimit) apo në fund të saj[3].
Neueuiu ka thënë: Agjërimi i femrës me hajd apo nifas është i pavlefshëm, jo vetëm që nuk e kanë detyrë agjërimin por përkundrazi e kanë të ndaluar (haram) atë, dhe e kanë detyrë ta kryejnë atë më vonë. Të gjitha këto që thamë janë me unanimitetin e dijetarëve[4].
[1] Transmeton Buhariu në disa pjesë të Sahihut të tij p.sh.: në Librin e Hajdit, kapitulli: Lënia e agjërimit nga femra me hajd, hadithi nr 304 dhe në librin e agjërimit, kapitulli: Femra me hajd e lë namazin dhe agjërimin, hadithi nr 1951. Muslimi në librin e dy Bajrameve, hadithi nr 889, shiko në librin Xhamiul Usul 6/137.
[2] Buhariu në librin e Hajdit, kapitulli: Femra me hajd nuk e kryen kaza namazin, hadithi nr 321, Muslimi në librin e hajdit, kapitulli: Obligueshmëria e kryerjes kaza të agjërimit nga femra me hajd dhe mosobligueshmëria e kryerjes së namazit, hadithi nr 335. Shiko: Xhamiul Usul 7/357.
[3] el Mugnij 3/142, el Ifsah 1/232.
[4] el Mexhmu 6/257.