Çështja e shtatë: Gjykimi i agjërimit në udhëtim

August 12, 2010

Çështja e shtatë:

Gjykimi i agjërimit në udhëtim1.

Allahu ka thënë: “Ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim le të agjërojë aq ditë (që nuk i agjëroi) nga ditët e mëvonshme. Allahu dëshiron për ju lehtësimin dhe nuk ua dëshiron ju të vështirën. (Agjërojini më vonë ditët e lëna pa agjëruar) në mënyrë që të plotësoni numrin e ditëve (të muajit) dhe që ta madhëroni Allahun për udhëzimin që u bëri dhe që të jeni falenderues e mirënjohës”(Bekare 186).

Ajeti vërteton ligjshmërinë e mosagjërimit në udhëtim dhe se ai që nuk agjëron në udhëtim, e ka detyrë t’i kryejë aq ditë sa ka lënë në ditët e mëvonshme. Ky gjykim është i pranuar nga dijetarët2.

Transmetohet nga Xhabir bin Abdilah radijAllahu anhu se ka thënë: Profeti salallahu alejhi ue selem ishtë në një udhëtim dhe pa një grumbull njerëzish dhe një person që po i bënin hije, tha: “Çfarë është kjo?” thanë: Është agjërueshëm. Tha: “Nuk është nga devotshmëria, agjërimi në udhëtim” transmetojnë dy Shejhat, në transmetimin e Nesaiut thuhet: Profeti salallahu alejhi ue selem kaloi pranë një personi që po rrinte nën hijen e një peme dhe po e lagnin me ujë, tha: “Si është puna e këtij?” Thanë: O Rasulallah, ai është agjërueshëm. Tha: “Nuk është devotshmëri që të agjëroni në udhëtim. Kapuni pas lehtësimit që Allahu u bëri ju dhe pranojeni atë”3.

Ky hadith përforcon gjykimin e ligjshmërisë së mosagjërimit në udhëtim.

Ibn Hazmi rahimehullah është argumentuar me këto argumente për mendimin e tij se: është i ndaluar (haram) agjërimi i Ramazanit gjatë udhëtimit, duke thënë: Ai që udhëton në Ramazan – qoftë ai udhëtim për të kryer një adhurim apo për diçka që nuk është as adhurim e as gjynah (pra thjesht e lejuar), – e ka detyrë që të mos agjërojë nëse kapërcen largësinë një milje ose të përafërt me të. Nëse agjëroni (gjatë udhëtimit) ai agjërim është i pavlefshëm dhe e ka detyrë t’i kryejë kaza ato ditë më vonë. I lejohet të agjërojë nafile (në ditët e Ramazanit në udhëtim) ose të agjërojë ndonjë agjërim që i është obliguar për ndonjë shkak ose të agjërojë ndonjë agjërim për të cilin është zotuar4.

Më poshtë Ibn Hazmi përforcon përgjithësimin e fjalës së Profetit salallahu alejhi ue selem: “Nuk është nga devotshmëria agjërimi në udhëtim”, duke thënë: Nëse dikush polemizon dhe thotë: Profeti salallahu alejhi ue selem e ndaloi agjërimin për atë person që i ndodh (vështirësi) ashtu siç i ndodhi personit që u përmend në hadith. Ne i themi: Ky supozim është i pasaktë, i pavend dhe nuk lejohet të thuhet diçka e tillë sepse është e ndaluar të arrihet në atë gjendje edhe sikur kjo gjë të ndodhë me dëshirën e vetë personit gjatë agjërimit në qëndrim (jo udhëtim) prandaj përcaktimi që Profeti i bëri ndalimit të agjërimit në udhëtim, e hedh poshtë këtë pretendim të shpikur ndaj Profetit. Është detyrë të merret fjala e Profetit salallahu alejhi ue selem si e përgjitshme5.

Ndërsa një pjesë tjetër e dijetarëve kanë zgjedhur se lejohet të agjërojë në udhëtim, qoftë ai agjërim i muajit të Ramazanit apo diçka tjetër, madje lejohet të agjërojë edhe nafile gjatë udhëtimit. Ky mendim është i Ebu Hanifes6, Euzaiut7, Malikut8, Shafiut9 dhe Ahmedit10.

Ajo që mua më duket e saktë në këtë çështje është lejimi i agjërimit në udhëtim. Kjo zgjedhje është e bazuar në argumentimet e mëposhtme:

  1. Janë vërtetuar hadithe të sakta që tregojnë lejimin e agjërimit në udhëtim, qoftë ky agjërim i muajit të Ramazanit apo agjërim tjetër.
  2. Sepse pretendimi që këto hadithe të jenë të anulluara është pretendim i pa bazuar në asnjë argument dhe nuk kalohet në fazën e pretendimit të anullimit apo të zgjedhjes së njërit mendim dhe rrëzimit të mendimit tjetër, në qoftë se është e mundur të realizohet përputhje mes mendimeve apo zbatim i secilit mendim në një situatë të caktuar.

Thashë: Ndër hadithet që tregojnë lejimin e agjërimit në udhëtim, janë si mëposhtë: Transmetohet nga Enesi radijAllahu anhu i cili tha: Ishim një ditë me Profetin salallahu alejhi ue selem. Hija më e madhe me të cilën dikush i bënte hije vetvetes ishte të mbulohej me rrobën e tij. Ata të cilët ishin agjërueshëm prej nesh, nuk punuan asgjë atë ditë ndërsa ata që nuk ishin agjërueshëm përgatitën kuajt, punuan, rregulluan gjëra, atëherë Profeti salallahu alejhi ue selem tha: “Sot të gjithë shpërblimin e morën ata që nuk ishin agjërueshëm” transmetojnë dy Shejhat11. Ky hadith tregon se mosagjërimi në udhëtim është më parësor se agjërimi dhe se agjërimi në udhëtim është i lejuar ndryshe nga mendimi i atyre që thonë se agjërimi është i pasaktë. Në hadith nuk bëhet e qartë se a ishte agjërimi farz apo nafile12. Aspekti i argumentimit me këtë hadith është se Profeti salallahu alejhi ue selem nuk i qortoi ata që agjëruan dhe nuk e konsideroi të pavlefshëm agjërimin e tyre, por u mjaftua duke thënë: “Sot të gjithë shpërblimin e morën ata që nuk ishin agjërueshëm”. E përforcon këtë një transmetim tjetër i këtij hadithi tek Muslimi, ku thuhet: “Ishim me Profetin salallahu alejhi ue selem në një udhëtim, ku disa prej nesh ishin agjërueshëm dhe disa nuk ishin agjërueshëm”, pra në këtë transmetim bëhet e qartë se Profeti salallahu alejhi ue selem e miratoi agjërimin e agjëruesve në udhëtim ashtu siç e miratoi dhe mosagjërimin, gjë e cila tregon lejimin e të dyjave.

Transmetohet nga Enesi radijAllahu anhu i cili tha: Ishim që udhëtonim me Profetin salallahu alejhi ue selem dhe agjëruesi nuk e qortonte atë që nuk agjëronte dhe po ashtu muftiri (ai që nuk agjëronte) nuk e qortonte agjëruesin” transmetojnë dy Shejhat13. Në një transmetim të Muslimit thuhet: Udhëtuam me Profetin salallahu alejhi ue selem në Ramazan.

Transmetohet nga Ebu Seid el Hudrij radijAllahu anhu se ai ka thënë: Dolëm për në luftë me Profetin salallahu alejhi ue selem pasi kishin kaluar 16 ditë nga Ramazani. Kishte prej nesh që agjëronin dhe kishte prej nesh që nuk agjëronin, agjëruesi nuk e qortonte atë që nuk agjëronte dhe as ai që nuk agjëronte nuk e qortonte agjëruesin”. Transmeton Muslimi14.

Transmetohet nga Hamzatu bin Amri el Eslemij radijAllahu anhuse ai ka thënë: O i Dërguari i Allahut! E ndjej veten të fuqishëm për të agjëruar në udhëtim, a kam gjynah nëse e bëj diçka të tillë? Profeti salallahu alejhi ue selem tha: “(Mosagjërimi) Është lehtësim nga Allahu, ndaj kush e merr këtë lehtësim ka vepruar diçka të mirë ndërsa kush dëshiron të agjërojë nuk ka gjynah për të”. Transmeton Muslimi. Në transmetimin e Ebu Daudit thuhet: (Sahabiu tha): Unë kam kafshë udhëtimi, kujdesem për të, udhëtoj me të dhe e jap me qera. Ndodh që udhëtimi të jetë në këtë muaj – domethënë Ramazanin – dhe unë jam djalosh që ndjej forcë dhe mundësi për të agjëruar. O i dërguari i Allahut unë e kam më të lehtë që të agjëroj (në udhëtim) se sa ta vonoj (kaza) dhe ta kem borxh, pra o i Dërguari i Allahut cila vepër ka më shumë shpërblim për mua, të agjëroj apo jo? Profeti salallahu alejhi ue selem tha: “Vepro cilën të duash o Hamza” transmeton Ebu Daudi15. Thashë: Këto hadithe bëjnë të qartë lejimin e agjërimit në udhëtim qoftë në Ramazan apo jashtë tij, madje tregon – në mënyrë të veçantë – lejimin e agjërimit të ditëve të Ramazanit në udhëtim, ndryshe nga mendimi që ka zgjedhur Ibn Hazmi i cili bën dallim mes agjërimit të Ramazanit në udhëtim dhe mes atij agjërimi që i është bërë obligim për një arsye të caktuar ose agjërimi kaza i një Ramazani të mëparshëm ose agjërimi për një zotim. Ai (Ibn Hazmi) mendon se është e lejuar të agjërojë në rastet e lartpërmendura gjatë udhëtimit dhe se nuk lejohet të agjërojë ditët e muajit të Ramazanit në udhëtimin i cili kryhet në këtë muaj.

  1. Ndër faktorët që përkrahin mendimin e shumicës së dijetarëve i cili e konsideron të lejuar agjërimin e Ramazanit në udhëtim në këtë muaj, është dhe fakti se: Ne gjendemi përballë (kemi të bëjmë) me dy grupe hadithesh: grupi i parë i haditheve e bën të lejuar agjërimin në udhëtim, siç e përmendën në paragrafin e dytë dhe grupi i dytë i cili na jep të kuptojmë se nuk lejohet agjërimi në udhëtim, si për shembull hadithi: “Nuk është devotshmëri (vepër e mirë) të agjërohet në udhëtim” si dhe hadithi i Xhabirit në të cilin thuhet se Profeti salallahu alejhi ue selem doli drejt Mekes në vitin e çlirimit në muajin e Ramazan dhe agjëroi derisa mbërriti në vendin e quajtur Kuraul Gamimi, po ashtu dhe njerëzit që e shoqëronin agjëruan. Pastaj, ai kërkoi një enë me ujë, të cilën e ngriti lart ashtu që ta shihnin njerëzit dhe piu prej saj. Më pas dikush i tha: Disa njerëz vazhdojnë akoma të agjërojnë, ai tha: “Ata janë të pabindurit, ata janë të pabindurit (që kanë kundërshtuar dhe rënë në gjynah)” Transmeton Muslimi16. Këto hadithe në pamje të parë bien ndesh me njëra tjetrën dhe në bazë të rregullit (i cili thotë): për sa kohë që është e mundur të realizohet përputhje dhe bashkim mes tyre, nuk lejohet që të themi për anullimin e njërës palë dhe as të bëhet përzgjedhje mes tyre.

Në rastin tonë konkret përputhja dhe bashkimi mes haditheve mund të bëhet me dy mënyra:

E para: Duke i konsideruar hadithet të cilat tregojnë se nuk lejohet agjërimi në udhëtim se ato kanë të bëjnë me atë person që e ka të vështirë dhe e stërmundon agjërimi në udhëtim, saqë ndjen lodhje, vështirësi dhe alivanosje. Ndërsa hadithet që e lejojnë kanë të bëjnë me atë person që nuk i sjell vështirësi agjërimi në udhëtim.

E dyta: Duke i konsideruar hadithet që e ndalojnë agjërimin në udhëtim se ato kanë të bëjnë me atë person që dëshiron të agjërojë ditët e Ramazanit në udhëtim ndërsa hadithet që e lejojnë kanë të bëjnë me atë që agjëron diçka tjetër përveç Ramazanit.

Ibn Hazmi ka zgjedhur këtë të dytën ndërsa shumica e dijetarëve (xhumhuri) kanë zgjedhur mënyrën e parë, e cila (sipas meje) është mënyra e saktë duke u bazuar në faktet e mëposhtme:

    1. Hadithet që e lejojnë, tregojnë se ngjarja në të cilën Profeti salallahu alejhi ue selem e ndërpreu agjërimin në udhëtim, ishte në Ramazanin e atij viti.
    2. Konteksti i hadithit: “Nuk është devotshmëri të agjërosh në udhëtim”, tregon se ajo thënie u tha për shkak të vështirësisë dhe gjendjes në të cilën ndodhej personi i asaj historie, duke lënë të kuptohet se ky hadith ishte i veçantë për atë person dhe për çdokënd tjetër që është në të njëjtat kushte me të.

Në këtë rast nuk ka vend për rregullin׃ Merret në konsideratë thënia përgjithësuese dhe jo shkaku specifik (ndodhia) për të cilin u tha ajo fjalë. Kjo për vetë faktin se ky rregull vlen atëherë kur nuk kemi elementë rrethanorë që na tregojnë se termi përgjithësues ka për qëllim diçka specifike. Pra, konteksti ose dispozita ka të bëjë me shkakun specifik, me ato kushte specifike dhe nuk kuptohet si normë përgjithësuese.

Kjo çështje bëhet akoma më e qartë nëse kemi parasysh faktin se tekstet fetare i kemi dy llojesh׃

  1. Tekste të formës përgjithësuese që kanë për qëllim përgjithësimin, pra, janë dispozita për të gjitha kategoritë.
  2. Tekste të formës përgjithësuese por që kanë për qëllim diçka të veçantë, pra janë dispozita për një kategori të caktuar njerëzish, të cilët kategorizohen nga një apo disa rrethana të ndryshme nga të tjerët17.

Shembujt ilustrues të kësaj ndarjeje janë të shumtë, ku ndër ta përmendim:

    • Fjala e Profetit salallahu alejhi ue selem: “Agjëroni kur ta shihni (hënën e muajit Ramazan) dhe mbylleni agjërimin kur ta shihni (hënën e muajit vijues)”.

Shprehja e përdorur në hadith është përgjithësuese, e cila lë të kuptohet se çdo musliman duhet të agjërojë kur të shohë hënën, por në të vërtetë nuk është kështu sepse me unanimitet dihet se nëse shihet hëna në një vend, atëherë të gjithë muslimanët (e atij vendi) e kanë detyrë të agjërojnë apo ta mbyllin muajin e agjërimit, si ata që e panë vetë dhe ata që nuk e kanë parë personalisht por janë lajmëruar nga njerëz të besueshëm që e kanë parë. Pra, hadithi është i llojit të dytë, tekst përgjithësues që ka për qëllim diçka specifike.

    • Shembull tjetër është fjala e Profetit salallahu alejhi ue selem: “Ndërmjet lindjes dhe perëndimit është kible”18 dhe hadithi tjetër: “Kur të kryeni nevojat fiziologjike, mos iu drejtoni kibles me pjesën e përparme të trupit dhe as me pjesën e pasme por drejtohuni nga lindja ose perëndimi’19.

Këto dy hadithe (në pamje të parë) janë tekste përgjithësuese por që në të vërtetë kanë për qëllim diçka specifike, kanë për qëllim banorët e Medines dhe çdokënd që ndodhet në të njëjtën pozitë gjeografike. Sepse siç dihet ata që jetojnë në lindje kibleja e tyre ndodhet ndërmjet veriut dhe jugut që do të thotë se këta kur të dëshirojnë që t’i shmangen kibles gjatë jashtëqitjes duhet të drejtohen nga veriu ose jugu.

Pra, megjithëse hadithet të japin përshtypjen se përfshijnë të gjitha kategoritë, në të vërtetë kanë për qëllim banorët e Medines apo ato që ndodhen në të njëjtat kushte, gjë të cilën e vërteton dhe e specifikon realiteti konkret.

Në këtë mënyrë duhet kuptuar dhe hadithi: “Nuk është devotshmëri të agjërosh në udhëtim”, tekst përgjithësues që ka për qëllim një kategori specifike: ata njerëz që kanë vështirësi në udhëtimin e tyre duke arritur në gjendje të atillë siç arriti personi në prani të Profetit salallahu alejhi ue selem apo diçka e ngjashme. Këtë specifikim ne e përftojmë nga konteksti i hadithit dhe nga fakti i vërtetuar se Profeti salallahu alejhi ue selem agjëronte në udhëtim. Po ashtu hadithi ku Profeti salallahu alejhi ue selem tha: “Ata janë të pabindurit” i cili siç shihet në transmetimin e Muslimit: Dikush i tha Profetit salallahu alejhi ue selem: Agjërimi është bërë i vështirë për njerëzit, ndaj ata po presin çfarë do bësh ti. Atëherë ai kërkoi një tas me ujë dhe piu prej tij. Kjo ndodhi pas ikindie”.

Ky transmetim tregon qartë se thënia e tij: “Ata janë të pabindurit” kishte për qëllim ata që vazhduan të agjërojnë në atë udhëtim megjithëse po përjetonin mundim të madh dhe nuk e pasuan Profetin salallahu alejhi ue selem në ndërprerjen e agjërimit. Kjo do të thotë që hadithi tregon për lejimin e agjërimit në udhëtim për ata që nuk ndjejnë vështirësi në përballimin e agjërimit.

Mënyra e argumentimit me këtë hadith është e tillë: Profeti salallahu alejhi ue selem agjëroi derisa arriti në vendin e quajtur Kuraul Gamim, që do të thotë se nëse agjërimi në udhëtim nuk lejohej, atëherë nuk do vazhdonte të agjëronte derisa arriti aty pas ikindie, ku pasi u lajmërua për vështirësinë e sahabëve në vazhdimësinë e agjërimit, e ndërpreu atë. Gjithashtu hadithi tregon për lejimin e ndërprerjes së agjërimit edhe nëse ka kaluar shumica e ditës, sepse Profeti salallahu alejhi ue selem e ndërpreu agjërimin pas ikindie.

Nuk ka dallim në këtë çështje, nëse e fillon agjërimin duke qenë vendas apo udhëtar. Hadithi tregon për moslejimin e agjërimit në udhëtim për ata persona që agjërimi i mundon madje nëse do të agjëronte në atë gjendje të mundishme do bënte mëkat dhe do kosiderohej gjynahqar. E përforcon këtë gjykim hadithi i Ebu Seid el Hudriut i cili tha: Udhëtuam me Profetin salallahu alejhi ue selem derisa ndaluam diku. Atëherë Profeti salallahu alejhi ue selem tha: “Ju i jeni afruar armikut tuaj, ndaj ushqyerja është më e mirë për ju sepse u jep forcë”. Kjo thënie ishte në formë lejimi dhe lehtësimi, ndaj kishte prej nesh që e ndërprenë. Më pas vazhduam derisa ndaluam diku tjetër. Profeti salallahu alejhi ue selem tha: “ Ju pas pak do përballeni me armikun tuaj dhe ushqyerja u jep më shumë forcë” ndaj e ndërpreu agjërimin.

Kjo ishte urdhëresë, ndaj ata e ndërprenë agjërimin. Më pas (Ebu Seidi) tha: Pas kësaj ngjarjeje ne agjëronim në udhëtimet me Profetin salallahu alejhi ue selem20.

Sheukani ka thënë: Mos agjërimi për udhëtarin apo të ngjashmit me të, është masë lehtësuese, por në qoftë se ekziston frika e stërmundimit fizik apo rrezikimi i shëndetit apo ndjen dobësi dhe pafuqi për vazhdimësinë e luftimit, atëherë ndërprerja e agjërimit shndërrohet në urdhëresë21.

Pasiqë treguam dhe argumentuam lejimin e agjërimit dhe mos agjërimit në udhëtim, sipas kategorive përkatëse, është me vend që të përmendim disa nënçështje në lidhje me këtë temë:

  1. Nënçështje: Muslimani që e ka vendosur të udhëtojë në Ramazan, e ka të lejuar që të ushqehet pas lindjes së agimit (pra fillimit të ditës së Ramazanit) megjithëse akoma nuk e ka filluar konkretisht udhëtimin dhe as nuk është shkëputur nga banesat e qytetit apo fshatit. Argument për këtë kemi fjalën e Allahut: “Kush prej jush është i sëmurë apo në udhëtim, le ta kompesojë (me agjërim) po aq (ditë sa ka lënë) nga ditët e mëvonshme” (Bekareh 185). Fjala: “në udhëtim” përfshin edhe atë person që është bërë gati për të udhëtuar pavarësisht se akoma nuk ka dalë që të fillojë udhëtimin22. E mbështet këtë gjykim transmetimi nga Muhamed bin Kabi i cili tha: Vajta tek Enes bin Maliku në Ramazan. Ai kishte vendosur që të nisej për në udhëtim. I ishte bërë gati kafsha e tij e udhëtimit dhe kishte veshur rrobat e udhëtimit. Ai kërkoi që t’i sillej ushqim dhe hëngri. Unë I thashë: A kështu është Suneti?

Ai tha: Po, kështu është Suneti. Më pas i hypi kafshës dhe u nis’23. Tirmidhiu tha: Disa dijetarë kanë zgjedhur atë që tregon ky hadith duke thënë se i lejohet udhëtarit që të ushqehet në shtëpinë e tij megjithëse akoma nuk është nisur për në udhëtim por nuk i lejohet që t’i shkurtojë namazet pa u shkëputur nga banesat e fundit të qytetit apo fshatit. Ky është mendimi i Is-hak bin Ibrahim el Handhalij24.

  1. Nënçështje: Nëse musafiri kthehet në vendin e tij gjatë ditës (në Ramazan) a e ka detyrë që të frenohet nga ngrënia në pjesën e mbetur megjithëse ai nuk ka qenë agjërueshëm gjatë ditës? Rreth kësaj çështjeje ka debat të mirënjohur mes dijetarëve. Imam Ahmedi ka dy mendime të ndryshme rreth kësaj çështjeje 25. Sido që të jetë ai e ka detyrë agjërimin kaza të asaj dite, pavarësisht nëse frenohet apo jo nga ngrënia në pjesën e mbetur të ditës26.

Ajo që unë zgjedh është preferimi dhe pëlqyeshmëria e frenimit nga ngrënia në shenjë respekti ndaj shenjtërisë së kohës, megjithatë nëse ushqehet ose pi, nuk konsiderohet mëkatar27.

  1. Nënçështje: Mendimi i saktë në lidhje me musafirin është se ai nuk e ka detyrë të agjërojë, në çfarëdolloj situate, qoftë edhe atëherë kur e di se do arrijë gjatë ditës së agjërimit. Kjo sepse Allahu ka thënë: “Kush prej jush është i sëmurë apo në udhëtim, le të kompesojë (me agjërim) po aq (ditë që ka lënë) nga ditët e mëvonshme” (Bekareh 184) duke mos përjashtuar asnjë rast.

Gjithashtu ai person që megjithëse e di se do arrijë në vendin e tij brenda kohës së namazit i lejohet që ta shkurtojë atë namaz apo edhe ta bashkojë me namazin pasardhëës, sepse për sa kohë që vazhdon të jetë në udhëtim i gëzon të gjitha të drejtat e udhëtimit, qoftë në lidhje me agjërimin, namazin apo çdo gjë tjetër që gëzon udhëtari, të cilat nuk i ndërpriten veçse me mbarimin e udhëtimit28.

1 Përkufizimi i udhëtimit të kosideruar në sheriat është: Dalja nga vendqëndrimi (vendbanimi) i tij, me nijet dhe përgatitje dhe kohëzgjatje, sipas asaj që konsiderohet udhëtim në zakonin e njerëzve (të banorëve të atij vendi). Nuk ka argument për përcaktimin e udhëtimit me largësi të caktuar apo që udhëtimi të jetë për diçka që nuk është gjynah apo kushte të tjera. Shiko rreth kësaj në Mexhmuul Fetaua 19/243-247, 24/35-40, 109, 135.

2 el Ifsah 1/247, el Mugnij 3/149.

3 Transmeton Buhariu në librin e agjërimit, kapitulli: fjala e Profetit rreth personit që i bëhej hije sepse ishte shumë vapë…, hadithi nr 1946, Muslimi në librin e agjërimit, kapitulli: Ajo që është transmetuar rreth agjërimit, 4/185. Shiko dhe në librin: Xhamiul Usul 6/397.

4 El Muhala 6/243.

5 El Muhala 6/254.

6 Muhtesar et-Tahauij fq 53, el Ihtijar 1/134.

7 Hiljetul ulema 3/145.

8 el Kafij fq 121, el Feuakih ed-deuanij 1/364-365.

9 et-Tenbih fq 66, el Mexhmu sherhul Muhedheb 6/261.

10 el Insaf 3/287, er-Raudu en-nedij fq 162.

11 Buhariu, libri i Xhihadit, kapitulli: Vlera e shërbimit gjatë luftës, hadithi nr 2890. Muslimi, libri i agjërimit, kapitulli: Shpërblimi i atij që nuk agjëron në udhëtim, nëse merr përsipër kryerjen e ndonjë pune, hadithi nr 1119.

12 Marrë nga Fet-hul Barij 6/84-85.

13 Buhariu, libri agjërimit, kapitulli: Shokët e Profetit nuk qortonin për agjërimin apo mosagjërimin hadithi nr 1947, Muslimi, libri agjërimit, kapitulli: lejimi agjërimit dhe mosagjërimit në Ramazan për musafirin, hadithi nr 1118.

14 Muslimi në librin e agjërimit, kapitulli: lejimi i agjërimit dhe mosagjërimit në Ramazan për musafirin, hadithi nr 1116, Shiko dhe në Xhamul Usul 6/398.

15 Transmeton Muslimi në librin e agjërimit, kapitulli: liria e të zgjedhurit mes agjërimit dhe mosagjërimit në udhëtim, hadithi nr 1121 dhe Ebu Daudi në librin e agjërimit, kapitulli i agjërimit në udhëtim, hadithi nr 2403. Shiko dhe në librin Xhamiul Usul 6/402. Vërejtje: në zinxhirin e transmetimit të Ebu Daudit ka dy transmetues të panjohur në gjendjen e tyre (mexhhul el hal) duke bërë që ky transmetim të jetë i dobët siç e ka cekur këtë el alameh Albani në Iruaul Galil 4/61-62 por transmetimi i Muslimit dëshmon me tekstin e tij: “Është lehtësim nga Allahu” duke e përforcuar transmetimin e Ebu Daudit dhe duke e ngritur në shkallën (gradën) hasen me perforcimin e transmetimit tjetër, Uallahu ealem.

16 Muslimi në librin e agjërimit, kapitulli i lejimit të agjërimit dhe i mosagjërimit, hadithi nr 1114. Shiko në Xhamiul Usul 6/394.

17 Këtë çështje e ka sqaruar imam Shafiu në librin e tij er-Risaleh në fq 28-62.

18 Hadithi është sahih ligajrihi. E ka saktësuar Ahmed Shakiri dhe reçensuesi i librit Xhamiul Usul 5/297. për më shumë shpjegime rreth kuptimit të hadithit, lexo shënimin e Ahmed Shakirit në reçensimin e tij të Sunenit të Tirmidhiut 2/175. (Sh.p.E ka saktësuar dhe Albani).

19 Hadithi është i saktë. Transmeton Buhariu në Librin e abdesit, dhe Muslimi nr 264. për më tepër shih Xhamiul Usul 7/120.

20 Transmeton Muslimi nr 1120.

21 ed – Derarij el Mudijeh 2/24.

22 El Xhamiu li ahkamil Kuran (Tefsiri i Kurtubiut) 2/278.

23 Transmeton Tirmidhiu nr 799. Hadithi është sahih ligajrihi. Hadithin e konsideroi hasen Tirmidhiu dhe reçensuesi i librit Xhamiul Usul 6/411, ndërsa Albani e ka saktësuar atë në Sahihu Suneni Tirmidhi 1/240.

24 Për më tepër, shejh Albani ka një broshurë me titull: Tes-hihu hadithi iftaris – saim kable seferihi badel fexhr.

25 Trajtimin e kësaj çështjeje e gjen në librin Bedaiu es-Sanai 2/102, el Ihtijar 1/135, el Kafij fq 123, el Hauij el kebir 3/447, el Mexhmu 3/262, el Mugnij 3/134.

26 Muhtesar Fetaua Ibn Tejmijeh fq 287.

27 Këtë mendim ka zgjedhur Sheukani në es-Sejlul Xherrar 2/116.

28 Marrë nga fjalët e shejhut AbduRrahman es-Sadij në librin el Muhtaratul Xhelijeh fq 84.

Loading...