Çështja e tretë: Bërja e nijetit për agjërim para agimit.

August 10, 2010

Çështja e tretë:

Bërja e nijetit për agjërim para agimit.

Transmetohet nga Hafsate radijAllahu anha nga Profeti salallahu alejhi ue selem se ai ka thënë: “Kush nuk e ka vendosur për të agjëruar para agimit nuk ka agjërim për të” Transmeton Tirmidhiu. Në transmetimin e Darekutniut thuhet: “Nuk ka agjërim për atë që nuk e ka vendosur që natën”[1] .

Nga hadithi përfitohet se nijeti për të agjëruar atë ditë duhet bërë në natën paraardhëse të asaj dite dhe ajo që kuptohet nga hadithi në pamje të parë është se bërja e nijetit para agimit është kusht për vlefshmërinë (saktësinë) e agjërimit, qoftë ai agjërim farz apo nafile.

Mënyra e të argumentuarit është: kuptimi i fjalës së Profetit salallahu alejhi ue selem : “Nuk ka agjërim për të” e cila mohoi ekzistencën e agjërimit të vlefshëm sipas sheriatit nëse nuk bëhet nijeti para agimit. Sepse siç dihet mënyra e të shprehurit (“Nuk ka ..”) me këtë është për qëllim mohimi i vlefshmërisë (saktësisë) të asaj gjëje sipas sheriatit dhe nuk është për qëllim thjesht mohimi i gradës më të lartë e përsosmërisë më të plotë të asaj gjëje përveç nëse në raste të veçanta ka ndonjë argument tjetër që vërteton se është për qëllim thjesht mohimi i gradës më të lartë e më të plotë duke ngelur e vlefshme origjina e asaj gjëje.

Mendimin se: agjërimi nuk mund të jetë i vlefshmëm sipas sheriatit nëse nuk bëhet nijeti para agimit, qoftë në farz apo nafile, e kanë zgjedhur Maliku[2], Daudi, el Muzenij[3], Ibn Hazmi[4] dhe i biri i Sheukanit[5].

Është kundërshtuar mënyra e të argumentuarit e mëparshme e cila e bën kusht bërjen e nijetit para agimit, si në agjërimin farz ashtu edhe në nafile, në mënyrën e mëposhtme. Përsa i përket agjërimit farz: është vërtetuar nga Profeti salallahu alejhi ue selem se ka urdhëruar një person që të thërrasë me zë të lartë mes njerëzve në ditën e Ashurasë duke i urdhëruar që ta agjëronin atë ditë, siç transmetohet nga Selemete bin el Ekua se Profeti salallahu alejhi ue selem dërgoi një person që të thërriste në mes të njerëzve (t’i lajmëronte ata) ditën e Ashurasë duke u thënë se: kush ka ngrënë më parë (në këtë ditë) le të agjërojë (tani e tutje) ndërsa ai që nuk ka ngrënë (sot) atëherë të mos hajë (deri në fund të ditës)…” , në një transmetim tjetër thuhet: Profeti salallahu alejhi ue selem urdhëroi një person nga fisi Eslem që të thërrasë mes njerëzve duke thënë: Kush ka ngrënë (sot) le ta gjërojë pjesën e mbetur sepse sot është dita Ashura”. E kanë transmetuar dy Shejhat[6].

Agjërimi i ditës Ashura ishte obligim në atë kohë kështuqë po qe se do të ishte kusht bërja e nijetit për vlefshmërinë e agjërimit atëherë nuk do ishte i saktë agjërimi i Ashurasë që u përmend në hadith por duke qënë se Profeti salallahu alejhi ue selem urdhëroi për diçka të tillë (në hadithin e mësipërm rreth agjërimit të Ashurasë) kjo tregon se ai agjërim ishte i vlefshëm dhe nga kjo rrjedh se bërja e nijetit para agimit nuk është kusht për vlefshmërinë e agjërimit. Në bazë të kësaj, del përfundimi se ky hadith e kalon argumentimin me hadithin e Hafsas nga kushtëzimi për vlefshmërinë e agjërimit, në pëlqyeshmërinë e kësaj gjëje ose e thënë më thjeshtë: Bërja e nijetit para agimit në agjërimin farz është diçka e pëlqyeshme dhe jo kusht.

Këtë mendim e ka Ebu Hanifeja, i cili nuk e konsideron kusht bërjen e nijetit para agimit në agjërimn e Ramazanit por e konsideron kusht në agjërimin që është farz i pacaktuar si p.sh.: agjërimi i ditëve kaza të Ramazanit apo agjërimi i kefareteve[7].

Kurse përsa i përket agjërimit nafile, është vërtetuar argumenti që tregon  se nëse dikush gdhihet duke mos pasur për qëllim të agjërojë atë ditë por nuk ha dhe as nuk pi dhe më pas i lind dëshira për ta agjëruar atë ditë, kjo gjë lejohet dhe agjërimi është i vlefshëm. Transmetohet nga Aisheja radijAllahu anha se ajo ka thënë: Një ditë prej ditësh, Profeti salallahu alejhi ue selem hyri tek unë dhe tha: “A keni ndonjë gjë për të ngrënë”? Thamë: Jo. Tha: “Atëherë pra unë jam agjërueshëm”. Pastaj erdhi tek ne një ditë tjetër dhe i thamë: o Rasulallah, më kanë dhuruar pak hajs[8]. Tha: “Ma trego ta shoh sepse unë jam gdhirë agjërueshëm, pasi e pa hëngri prej tij”, e ka transmetuar Muslimi[9].

Pjesa e argumentimit nga hadithi është fjala e tij: “Atëherë pra unë jam agjërueshëm” që do të thotë se në atë moment e bëri nijet për të filluar agjërimin.

Mënyra e të argumentuarit: Nëse bërja e nijetit para agimit do të ishte kusht atëherë agjërimi nafile i Profetit salallahu alejhi ue selem (që u përmend në hadith) do të ishte i pavlefshëm sepse ai e bëri nijetin gjatë ditës dhe nuk e kishte bërë që para agimit por ky supozim nuk qëndron sepse agjërimi i Profetit salallahu alejhi ue selem është i vlefshëm, ndaj kjo tregon se bërja e nijetit që para agimit nuk është kusht në agjërimin nafile. Në bazë të kësaj, mohimi i përmendur në hadithin e Hafsas: “Nuk ka agjërim për të” është thjesht mohimi i gradës më të lartë të pëlqyeshmërisë dhe përsosmërisë së asaj vepre dhe jo mohimi i vlefshmërisë së saj sipas sheriatit, sepse ky kusht nuk ishte për qëllim as në agjërimin farz e as në atë nafile.

Shumica e dijetarëve janë të mendimit se në agjërimin nafile lejohet bërja e nijetit gjatë ditës deri para zeualit (para kohës së namazit të drekës), nga këta dijetarë janë: Shafiu[10], Ahmedi[11], Is’haku(bin Rahujeh)[12] dhe Ebu Hanifeja[13].

Thashë: Ajo që për mua më duket si mendimi më i saktë – dhe dija e vërtetë i përket Allahut- është se bërja e nijetit për të agjëruar që para agimit është kusht për vlefshëmrinë e agjërimit si në farz ashtu edhe në nafile, siç tregohet kjo në hadithin e Hafsas: “Kush nuk e ka vendosur që para agimit se do të agjërojë, nuk ka agjërim për të”. E zgjodha këtë mendim duke u bazuar në faktet e mëposhtme:

  1. 1. Mënyra e të shprehurit që u përdor në hadith tregon se bërja e nijetit para agimit është kusht për vlefshmërinë e agjërimit sepse si mund të mohohet ekzistenca e një vepre për shkak të mosekzistencës së gradës së saj më të lartë të pëlqyeshme?! Ibn Tejmijeh ka thënë: Vepra nuk hidhet poshtë përveç nëse humbet ndonjë nga uaxhibatet e tij ndërsa nëse e vepron një vepër ashtu siç e ka urdhëruar Allahu atëherë nuk është me vend (e drejtë) që të hidhet poshtë ajo vepër (të mos konsiderohet) vetëm se nuk e kreu atë vepër në formën më të përsosur me të gjitha mustehabatet (gjërat e pëlqyeshme në të) të cilat nuk janë detyrë. Ajo që disa njerëz thonë se: kjo mënyrë e të shprehurit do të thotë: mohim i shkallës më të plotë të asaj gjëje, ne u themi: po, ashtu është, mohimi i shkallës më të lartë por: i shkallës më të plotë në gjërat e obligueshme të asaj vepre apo i shkallës më të lartë në gjërat e pëlqyeshme (mustehabate)?

E vërteta në këtë mes është se bëhet fjalë për llojin e parë (uaxhibatet) ndërsa pretendimi se ka të bëjë me llojin e dytë (mustehabatet) është i pasaktë (i kotë), ky lloj pretendimi nuk ekziston kurrë në fjalën e Allahut (Kur’an) dhe as në fjalën e të Dërguarit të Tij, sepse nëse në një vepër plotësohen gjërat e obligueshme (uaxhibatet) atëherë si mund të mohohet vlefshmëria e asaj vepre[14]?! (mbaroi fjla e tij).

Ibnul Kajimi ka thënë: Nuk është e drejtë të mohohet vlefshmëria e një vepre për shkak të mangësisë në disa mustehabate (gjëra të pëlqyeshme) sepse nëse ky mendim do ishte i saktë atëherë do hidhej poshtë çdo adhurim në të cilin lihen mangut disa mustehabate por ky pretendim është i pasaktë si nga ana gjuhësore ashtu dhe në sheriat e në atë që dihet mes njerëzve. Nuk njihet në sheriat mohimi i vlefshmërisë së një ibadeti përveç nëse lihet mangut një nga obligimet (uaxhibatet) e asaj vepre[15].

Thashë (autori): Nëse për momentin le ta pranojmë se ekziston një argument tjetër që e shmang hadithin e parë nga kushtëzimi por përsëri ngelet të themi se e shmang kushtëzimi dhe e kalon në gradën e uaxhibit dhe jo në atë të mustehabit sepse mënyra e të shprehurit në hadith nuk mund të jetë e saktë përveç nëse kuptohet në këtë mënyrë. Nga hadithi përfitohet mohimi i shkallës së plotë të domosdoshme (uaxhib) që duhet të jetë në agjërim nëse nuk bëhet nijeti që para agimit. Pra, nuk ka agjërim për atë person që me dashje dhe vetëdije nuk e bën nijetin për të agjëruar që para agimit sepse bërja e nijetit para agimit është detyrë – siç e vërtetuam më herët –  ndryshe nga ai person që harron ta bëjë nijetin ose nuk e di gjykimin. E gjithë kjo që thamë nëse e pranojmë ekzistencën e një argumenti tjetër që e shmang hadithin nga kushtëzimi, por ajo që kemi zgjedhur është se nuk ka argument prej të cilit të merret argumentim i saktë dhe i vlefshëm për të shmangur hadithin e kushtëzimit nga kuptimi i tij i qartë dhe i dukshëm.

  1. 2. Argumentimi (i palës tjetër)me hadithin e agjërimit të ditës Ashura, nuk është me vend sepse hadithi tregon gjykimin e agjërimit për atë person që nuk e ka ditur obligueshmërinë e agjërimit të asaj dite dhe që e mësoi këto gjë gjatë asaj dite dhe menjëherë filloi ta agjëronte sapo e mori vesh, ndërsa studimi ynë ka të bëjë me gjykimin e bërjes së nijetit para agimit për atë person që e di të sigurtë se nesër është detyrë të agjërohet, pra shihet qartë dallimi mes këtyre dy çëshjteve.

Rregulli thotë: Kërkohet nga personi që t’i zbatojë dispozitat (ahkamet) pasi të ketë mbushur moshën e pubertetit dhe pasi t’i mbërrijnë ato dispozita (pasi ta njohë gjykimin e tyre). Pra, ashtu siç nuk i kërkohet atij zbatimi i dispozitave para moshës së bulugut po ashtu nuk është i ngarkuar me zbatimin e atyre dispozitave që akoma nuk i ka mbërritur dija rreth tyre (gjykimi  i tyre). Ky rregull është i vlefshëm në zbatimin e ndëshkimeve të përcaktuara me sheriat, në ibadete dhe në muamelate (marrdhëniet ndërshoqërore)[16]. Sipas kësaj themi se në hadithin e Ashurasë nuk ka argument që tregon se bërja e nijetit para agimit nuk është kusht në namazin farz, prandaj është i pasaktë konsiderimi i këtij hadithi si shmangës i kuptimit të hadithit të Hafsas nga përfitimi i kushtëzimit, në diçka të pëlqyeshme (mustehab) apo vaxhib.

  1. 3. Argumentimi (i palës tjetër) me hadithin e Aishes për në agjërimin nafile nuk është me vend. Kjo sepse ajo që kuptohet dhe të shkon menjëherë në mendje nga hadithi i Aishes – në bazë të haditheve të transmetuara rreth kësaj çështjeje – është rregulli: Ai që agjëron nafile është emiri (prijësi, komanduesi) i vetvetes nëse dëshiron e plotëson agjërimin e tij ose nëse dëshiron ta ndërpresë atë e ndërpret. Profeti salallahu alejhi ue selem ishte që gdhihej agjërueshëm – domethënë e kishte bërë nijet që para agimit se do të agjëronte – dhe nëse gjatë ditës e shihte më të arsyeshme që ta ndërpriste agjërimin, e ndërpriste. E pyeste bashkëshorten e tij se a kishte ushqim apo jo, nëse nuk kishte ushqim atëherë e plotësonte atë agjërim që e kishte bërë nijet që para agimit. Pra sipas kësaj fjala e tij: “Atëherë pra unë jam agjërueshëm” do të thotë: Po e vazhdoj nijetin e agjërimit me të cilin jam gdhirë. E vërteton këtë që thamë meditimi (reflektimi) në transmetimet e hadithit, ndër to p.sh.: Transmetohet nga Aisheja  radiAllahu anha e cila tha: Profeti  salallahu alejhi ue selem më tha një ditë prej ditësh: “O Aishe, a ka ndonjë gjë (për të ngrënë) tek ju? Thashë: O Rasulallah, nuk kemi asgjë. Tha: “Unë pra jam agjërueshëm”. Aisheja tha: Profeti salallahu alejhi ue selem doli. Pas pak erdhi dikush dhe na dhuroi diçka – ose tha: na erdhën vizitorë – , tha: Kur Profeti salallahu alejhi ue selem  u kthye thashë: O Rasulallah, na është dhuruar diçka – ose tha: na erdhën vizitorë (dhe sollën dhuratë) – dhe ta kam ruajtur ty një pjesë prej saj. Tha: çfarë është ajo? Thashë: Hajs. Tha: Sille atë. Ia solla dhe e hëngri. Pastaj tha: Unë sot isha gdhirë agjërueshëm. Talha (një nga transmetuesit e hadithit) tha: Ia tregova Muxhahidit këtë hadith dhe ai më tha: Kjo ( çështja e plotësimit të agjërimit nafile) është njësoj si shembulli i atij personi që bëhet gati të japë sadaka nga pasuria e tij, nëse do e jep atë nëse do e mban (nuk e jep). Transmeton Muslimi[17] . Në transmetimin e Nesaiut thuhet: Thashë: O Rasulallah, kur hyre tek unë ishe agjërueshëm pastaj hëngre hajs? Tha: “Po o Aishe. Ai që agjëron diçka tjetër përveç Ramazanit ose përveç ditëve kaza nga Ramazani ose që agjëron nafile është si shembulli i një personi që bëri gati të nxirrte sadaka një pjesë nga pasuria e tij, u tregua bujar me aq sa deshi nga kjo sadaka dhe bëri kopraci me pjesën tjetër duke e frenuar dhe mbajtur për vete”[18]. Thashë: Nëpërmjet meditimit të këtyre transmetimeve (Shiko të gjitha transmetimet në librin Xhamiul Usul 6/286-288) bëhet e e qartë se fjala e Profetit salallahu alejhi ue selem : “Unë pra jam agjërueshëm” dhe në transmetimin tjetër : “Atëherë pra unë jam agjërueshëm”, do të thotë: Unë do e vazhdoj agjërimin tim të cilin e kisha bërë nijet që para se të gdhihesha. E vërteton këtë kuptim fjala e Profetit salallahu alejhi ue selem : “Isha gdhirë agjërueshëm” dhe në transmetimin tjetër” Vërtetë isha gdhirë agjërueshëm”.
  2. 4. Hadithi i Aishes është ngjarje e veçantë (personale) dhe rregulli thotë se: ngjarjet e veçanta duhet të kuptohen sipas parimit të përgjithshëm në çdo çështje të caktuar. Parimi i përgjithshëm në çështjen tonë është se: Nuk ka agjërim për atë person që nuk e ka vendosur (bërë nijet) për të agjëruar që para agimit, ndaj hadithi i Aishes duhet të kuptohet në mënyrë të atillë që të përputhet me këtë parim sidomos nëse rikujtojmë se mohimi i vlefshmërisë së ibadetit nuk mund të jetë për shkak të lënies mangut të asaj që është mustehab ose gjë e mirë plotësuese.

Vërejtje: NIjeti i bërë gjatë natës (kurdo qoftë deri pa gdhirë agimi) për të agjëruar (të nesërmen) nuk prishet dhe nuk ndikohet nga ngrënia apo pirja apo marrdhëniet bashkëshortore që mund të ndodhin në kohën pas bërjes së nijetit deri në gdhirjen e agimit[19].

Dobi: Nëse muslimani bën çfarëdolloj gjëje, sado të vogël (qoftë me vepra të jashtme apo të brendshme) për shkak se nesër është agjërim, nijeti konsiderohet i bërë.

Nijeti është qëllimi (për të bërë diçka) dhe vendi i tij është zemra ndërsa shqiptimi i nijetit është bidat. Ibn Tejmijeh rahimehullah ka thënë: Nëse dikujt i shkon në mendje se ai nesër do të agjërojë ky është nijeti i tij, po ashtu nëse personi kur ha darkë duke pasur për qëllim se nesër do të agjërojë ndaj dhe ka dallim mes darkës që ha natën e Bajramit dhe darkës së netëve të Ramazanit[20].

Sidik Hasen Han ka thënë: Kurse përsa i përket obligueshmërisë së ripërtëritjes së nijetit për çdo ditë agjërimi: siç dihet nijeti është thjesht qëllimi për të bërë diçka ose dëshirimi i veprimit të asaj gjëje, duke mos marrë parasysh asgjë tjetër (për tu konsideruar ky nijet). Nuk ka dyshim se kush ngrihet në kohën e syfyrit dhe ha e pi në atë kohë duke mos e pasur këtë gjë zakon personal jashtë ditëve të agjërimit, e ka bërë nijetin e konsiderueshëm (e vlefshëm) sepse veprimet e vetëdijshme të njerëzve të logjikshëm janë të qëllimshme (kanë një qëllim të caktuar). Po kështu, frenimi i vetvetes nga gdhirja e agimit deri në perëndimin e diellit, nga gjërat që e prishin agjërimin nuk ndodh veçse nga ai person që ka për qëllim agjërimin përveçse nëse ekziston ndonjë arsye tjetër që e pengon atë nga ngrënia dhe pirja. Pra një diçka e tillë (vetëfrenimi i lartpërmendur) nuk mund të ndodhë nga dikush në mënyrë të paqëllimshme përveç nëse është i çmendur ose ka harruar ose është në gjumë siç mund të ndodhë p.sh.: që dikush të flejë gjatë gjithë ditës. Pas kësaj që thamë të bëhet e ditur se thjesht dëshira për tu ngritur për të ngrënë syfyr konsiderohet nijet i bërë që natën, sipas mendimit të atyre që e marrin në konsideratë (e bëjnë kusht) nijetin që natën. Po ashtu, vetëm frenimi nga gjërat që e prishin agjërimin gjatë gjithë ditës konsiderohet nijet i bërë, sipas mendimit të atyre që nuk e marrin në konsideratë (nuk e bëjnë kusht ose uaxhib) bërjen e nijetit para agimit. Nëse dikush thotë se është detyrë të bëjë diçka tjetër shtesë mbi këtë që thamë atëherë i kërkojmë të na sjellë argument për atë që thotë sepse koncepti i nijetit në gjuhë dhe sheriat nuk tregon gjë tjetër perveç asaj që thamë. E njëjta gjë vlen dhe për të gjitha ibadetet e tyre, mjafton thjesht qëllimi për ta bërë atë vepër, pa pasur nevojë për diçka tjetër shtesë[21].

Nënçështje e cila bazohet mbi çështjen e temës për të cilën sapo folëm: Nëse njerëzit agjërojnë atë ditë që është detyrë të agjërohet duke e bërë nijetin gjatë ditës  sepse atëherë e morën vesh (iu erdhi lajmi) se kjo ditë duhet agjëruar, atëherë a e kanë detyrë ta agjërojnë përsëri atë ditë kaza?

Transmetohet nga AbduRrahman bin Meslemeh nga xhaxhai i tij se fisi Eslem erdhi tek Profeti salallahu alejhi ue selem dhe u tha: “A jeni duke e agjëruar këtë ditë të sotme? Thanë: Jo. Tha: “Atëherë plotësojeni pjesën e mbetur të ditës me agjërim dhe pastaj kryejeni atë kaza”. E ka transmetuar Ebu Daudi dhe tha: Kishte për qëllim ditën Ashura[22].

Ibnul Kajimi në Tehdhibu Muhtesari es-Sunen 3/326 ka thënë: AbdulHaki ka thënë: Ky hadith që flet për kryejen e asaj ditë kaza nuk është i saktë.

Shprehja: “Kryejeni atë kaza” është transmetuar vetëm tek Ebu Daudi ndërsa Nesaiu nuk e ka përmendur. Hadithi gjendet tek Nesaiu pa këtë shprehje në librin e agjërimit kapitulli: Nëse nuk e ka bërë nijetin natën për agjërim, a i lejohet të agjërojë atë ditë si nafile, 4/192. Hadithin e ka konsideruar të dobët Ibn Hazmi në el Muhala 6/168, Ahmed Shakiri në verifikimin e tij të këtij libri (el Muhala) dhe verifikuesi i librit Xhamiul Usul 6/310. (Sh.p.: Gjithashtu e ka dobësuar dhe shejh Albani në verifikimin e tij të Suneni Ebi Daudit tek hadithi 2447).

Thashë: Ky hadith është tekst vendim i prerë dhe i qartë në këtë çështje por hadithi është i dobët.

Dijetarët kanë mendime të ndryshme rreth kësaj çështjeje: Ibn Hazmi rahimehullah ka thënë: Njerëzit kanë rënë në mospajtim mes tyre dhe janë ndarë në mendime të ndryshme, në lidhje me atë person që gdhihet joagjërueshëm (muftir) në ditën e parë të Ramazanit pastaj mori vesh (iu bë me dije, i erdhi lajmi) se mbrëmë është parë hëna: Dikush prej tyre (dijetarëve) tha: E bën nijetin të agjërojë që në atë moment dhe kjo i mjafton për atë ditë (nuk ka nevojë ta kryejë kaza). Ky mendim është i Umer bin AbdulAzizit dhe këtë mendim kemi[23] ashtu siç ka ardhur në tekstin e mësipërm (autori: ka për qëllim hadithin e Selemes në lidhje me agjërimin e Ashurasë)[24].

Dikush tjetër ka thënë: Nuk agjëron në atë ditë sepse nuk e ka bërë nijetin e agjërimit që natën dhe gjithashtu nuk ka detyrë kryerjen kaza të asaj dite. Ky mendim është i Ibn Mesudit, Daudit (edh-Dhahirij) dhe i dijetarëve të medhhebit tonë (Dhahirijeh). Dikush tjetër ka thënë: Nuk agjëron atë ditë, ha e pi (fshehurazi), por e ka detyrë ta kryejë kaza atë ditë. Ky mendim na është transmetuar nga Atau.

Dikush tjetër ka thënë: E frenon veten nga çdo gjë që frenohet agjëruesi por kjo nuk i vlen si agjërim dhe e ka detyrë ta kryejë kaza atë ditë.

Ky mendim është i Malikut, Shafiut (dhe i Ahmedit)[25].

Gjithashtu këtë mendim ka Ebu Hanifeja në lidhje me atë person që ka ngrënë atë ditë para se ta merrte vesh lajmin ose ai që e merr vesh lajmin pas zeualit (pas kryerjes së kohës së namazit të drekës) duke mos bërë dallim në rastin e dytë mes atij që ka ngrënë (para zeualit) apo jo.

(Marrë nga el Muhala 6/167 me disa shkurtime të lehta).

Thashë: Ai që mua më duket më i sakti është mendimi i Umer bin AbdulAzizit, të cilin e zgjodhi Ibn Hazmi dhe Ibn Tejmijeh dhe e përforcoi es-Sadij.

E bën këtë mendim më të zgjedhurin fakti se agjërimi i Ashurasë ishte detyrë në atë kohë dhe Profeti  salallahu alejhi ue selem e urdhëroi thirrësin (tellallin) që të thërriste mes njerëzve duke i urdhëruar të agjëronin atë ditë dhe të frenoheshin. Nëse ky agjërim nuk do të i vlefshëm atëherë ky veprim (thirrja mes njerëzve dhe urdhërimi i tyre për të agjëruar) do të ishte i pakuptimtë dhe i padobishëm[26] dhe nëse kryerja kaza do të ishte e detyrueshme atëherë Profeti salallahu alejhi ue selem do i kishte urdhëruar për diçka të tillë sepse ishte moment i duhur për të bërë këtë lloj sqarimi dhe nuk lejohet që të vonohet sqarimi i gjësë së domosdoshme nga momenti  i tij i duhur. Uallahu ealem.


[1] Hadithi është i saktë. E ka tranmsetuar Tirmidhiu në kapitujt rreth agjërimit, kapitulli: Nuk ka agjërim për atë që nuk e ka vendosur natën, hadithi nr 730, Ebu Daudi në librin e agjërimit, kapitulli: Bërja e nijetit për agjërim, hadithi nr 2454, Nesaiu  në librin e agjërimit, kapitulli: Bërja e nijetit për agjërim, 4/196-197. Ibn Maxheh në librin e agjërimit , kapitulli: cfarë ëshhtë transmetuar rreth bërjes së nijetit për të agjëruar që natën, hadithi nr 1700, Darekutni në Sunenin e tij 2/172. Hadithin e ka saktësuar Albani në el Irua 4/25, hadithi nr 914 dhe e ka saktësuar senedin e tij verifikuesi i Xhamiul usul 6/285

[2] El Kafij 1/120, el Feuakih ed-Deuanij 1/353-354. Vërejtje: Imam Maliku nuk e konsideron të pëlqyeshme domosdoshëmrinë e bërjes së nijetit çdo natë në Ramazan dhe ka thënë: Mjafton ta bëjë nijetin në natën e parë të tij (për të gjithë muajin).

[3] Hiljetul ulema 3/159.

[4] el Muhala 6/170, çështja nr 730

[5] es-Sumut edh-Dhehebijeh  fq 117.

[6] Buhariu në disa vende në Sahihun e tij, psh: në librin e agjërimit kapitulli: Nëse e bën nijet gjatë ditës që të agjërojë hadithi nr 1924, ose në një transmetim tjetër në kapitullin e agjërimit të ditës Ashura hadithi nr 2007, Muslimi në librin e agjërimit, kapitulli: Kush ka ngrënë ditën e Ashurasë le të frenohet pjesën e mbetur të ditës” hadithi nr 1135.

Dobi e vecantë: Ky hadith është një nga hadithet të cilat Buhariu i transmeton nga Profeti salallahu alejhi ue selem  duke pasur ndërmjet tyre vetëm tre transmetues, senedi i këtij hadithi është: Buhariu tha: Ebu Asim na ka thënë nga Jezid bin Ebi Ubejd nga Selemete bin el Ekua se Profeti salallahu alejhi ue selem  ….., pastaj tha hadithin.

[7] Muhtesaru et-Tahaui fq 53 el Ihtijar 1/126-127.

[8] Hajsi: lloj ushqimi i përgatitur me miell, gjalp dhe hurma.

[9] Muslimi në librin e agjërimit, kapitulli: Lejimi i agjërimit nafile duke e bërë nijetin gjatë ditës para zeualit dhe lejimi i prishjes së agjërimit nafile pa pasur arsye, hadithi nr1154. Shiko gjithashtu Xhamiul Usul 6/286.

[10] Et-Temhid fq 65-66, Nihajetul muhtaxh 3/159.

[11] El Insaf 3/297-298, er-Raudu en-nedij fq 162-163.

[12] Sunenu et-Tirmidhi 3/108.

[13] Muhtesaru et-Tahaui fq 53, el Ihtijar 1/126-127.

[14] Mexhmul Fetaua 22/530.

[15] Tehdhibu Muhtesari es-Sunen 3/349.

Shënim: Fjalët e Ibn Tejmijes dhe nxënësit të tij Ibn Kajimit rreth asaj mënyre të të shprehurit i kam marrë gjatë shpjegimit të tyre të një çështjeje të ndryshme me këtë tonën.

[16] Marrja në konsideratë është mendimi më i saktë nga mendimet e dijetarëve të medhhebit të Ahmedit dhe e ka zgjedhur këtë shjehul islam Ibn Tejmijeh dhe e ka saktësuar atë Ibnul Kajimi  në Bedaiul Feuaid 4/168.

[17] Muslimi në librin e agjërimit, kapitulli: lejimi i agjërimit nafile duke e bërë nijetin gjatë ditës para zeualit dhe lejimi i ndërprerjës së agjërimit nafile pa patur arsye, hadithi nr 1154.

[18] E ka transmetuar Nesaiu në librin e agjërimit, kapitulli: Nijeti në agjërim 4/193-195.

[19] El Hauij 3/404, Hiljetul ulema 3/155, el Insaf 3/294, Nihajetul Muhtaxh 3/159.

[20] El Ihtijarat fq 107.

[21] Er-Raudu en-Nedijeh 1/226.

[22] Zinxhiri i tij është i dobët. E ka transmetuar Ebu Daudi në librin e agjërimit, kapitulli rreth vlerës së Ashurasë hadithi nr 2447. Në zinxhirin e këtij hadithi është AbduRrahman bin Meslemeh dhe xhaxhai i tij. Mundhiriu në Muhtesaru es-Sunen 3/326 ka thënë: E ka transmetuar Nesaiu. Bejhakiu pasiqë e përmendi këtë AbduRrahmanin tha: Ai është mexhhul (i panjohur) dhe ka kontradikta (mospajtime) në përcaktimin e emrit të babait të tij nuk dihet kush është ky xhaxhai i tij. Kaq tha Bejhakiu. Është thënë se transmetuesi quhet AbduRrahman bin Meslemeh siç e përmendi Ebu Daudi, është thënë se quhet: AbduRrahman bin Selemeh, është thënë: Ibnul Minhal bin Meslemeh.

[23] Këtë mendim ka zgjedhur shjehul islam Ibn Tejmijeh, el Ihtijarat fq 107 dhe e ka përforcuar këtë mendim shejh Sadij në el Muhtarat Xhelijeh fq 81-84.

[24] Ibn Haxheri në Fet-hul Barij 4/142-143, 249 e ka përmendur argumentimin e Ibn Hazmit dhe e replikoi me gjëra që nuk janë të pranueshme (nuk qëndrojnë). Allahu është që jep sukses.

[25] Autori: Shtesa në kllapa është nga unë. Shiko për këtë er-Raudu en-Nedijeh fq 161.

[26] Ebu Is-hak esh-Sherazij e ka quajtur frenimin e lartëpërmendur, agjërim të vlefshëm sipas sheriatit duke u argumentuar me faktin se është detyrë frenimi i vetes në këtë rast. E ka përmendur këtë gjë Mauerdi në el Hauij 3/421.

Loading...