Çfarë e trondit akiden – pjesa e katërt

January 25, 2008

Lloji i dytë


Gjërat që e tronditin dhe që nuk janë kufër (mosbesim) por që e bëjnë të mangët besimin dhe e dobësojnë atë.

Në pjesën e parë sqaruam gjërat që e tronditin akiden, që e kundërshtojnë Islamin dhe e bëjnë atë të pavlefshëm. Ndërsa përsa i përket atij personi që i vepron ato ai është person që e ka braktisur fenë dhe kërkohet prej tij të pendohet. Nëse pendohet, mirë, e nëse jo, atëherë vritet.

Kurse lloji i dytë janë gjërat që e tronditin akiden e dobësojnë besimin, e bëjnë të mangët atë dhe e bëjnë personin që i bën këto t’i ekspozohet zjarrit dhe mërzisë së Allahut. Mirëpo, ai që bie preh e këtyre gjërave nuk quhet mosbesimtar.

Tani do të paraqesim disa shembuj konkretë në lidhje me këtë lloj, si p.sh.; imoraliteti – kur dikush beson se ai është i ndaluar dhe nuk e bën atë të lejuar. Pra, ai e di që është i ndaluar dhe nuk e bën atë të lejuar, por bën imoralitet dhe e di që është gjynahqar. Ky nuk është mosbesimtar por është gjynahqar dhe besimi i tij është i mangët. Ky gjynah që ai bëri e tronditi akiden e tij, mirëpo nuk arrin në gradën e kufrit (mosbesimit). Por siç e thamë edhe më parë se nëse ai beson se imoraliteti është i lejuar, atëherë ai quhet mosbesimtar.

Gjithashtu, nëse dikush thotë sse vjedhja është e lejuar ose fjalë të tjera të kësaj natyre ai quhet mosbesimtar, sepse lejon atë që e ka ndaluar Allahu.

Edhe përgojimi, thashethemet, mosrespektimi i prindërve, ngrënia e kamatës dhe gjynahet e tjera, që të gjitha këto janë prej gjërave që e tronditin akiden dhe e dobësojnë fenë dhe besimin (imanin).

Këtu hyjnë edhe bidatet (risitë) të cilat janë më të këqija se gjynahet. Bidatet në fe e dobësojnë besimin, por nuk arrijnë deri në gradën e braktisjes së fesë përderisa në to nuk gjendet shirk. Prej shembujve konkretë lidhur me këtë çështje është bidati i ndërtimit mbi varre, si p.sh. të ndërtojë një xhami ose kube mbi varr. Ky është një bidat që e trondit fenë dhe e dobëson besimin, mirëpo duhet pasur parasysh se ky gjykim është për atë që e ndërton atë, por që nuk beson që lejohet t’i bësh kufër Allahut dhe nuk e shoqëron këtë gjest me lutjen e të vdekurve, kërkimin e ndihmës prej tyre dhe zotimin për ta. Ai vetëm beson se me këtë vepër të tij i respekton ata dhe i vendos në gradën që meritojnë. Atëherë, kjo vepër nuk është kufër por bidat i cili e trondit fenë, e dobëson besimin, e bën atë të mangët dhe është rrugë që të çon drejt shirkut.

Nga bidatet e tjera që hyjnë në këtë çështje është dhe bidati i festimit të mevludit (ditëlindjes) të Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Disa njerëz në datën dymbëdhjetë të muajit Rabiu el Euuel festojnë ditëlindjen e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Kjo vepër është bidat sepse këtë nuk e ka  vepruar Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, as shokët e tij dhe as zëvendësit (kalifët) e tij të drejtë. Këtë vepër nuk e ka bërë asnjë prej atyre që jetuan në shekullin e dytë dhe të tretë, dhe kjo vepër është një bidat i shpikur. Këtu hyn edhe festimi i ditëlindjes se Bedeuiut, Abdul Kadër Xhilanit dhe as të ndonjë tjetri.

Festimi i ditëlindjeve është një bidat prej bidateve dhe një e keqe prej të këqijave të cilat e tronditin akiden, sepse Allahu nuk ka zbritur për to asnjë fakt dhe asnjë provë. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë: “Gjërat më të këqija janë gjërat e shpikura (në fe), dhe çdo bidat është humbje.” Transmeton Muslimi.

Gjithashtu thotë: “Kush shpik diçka të re në çështjen tonë çfarë nuk është prej saj, ajo është e refuzuar.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi. D.m.th. ajo vepër i refuzohet atij. Dhe thotë: “Kush vepron një vepër e cila nuk është në çështjen tonë, ajo është e refuzuar.” Transmeton Muslimi në Sahihun e tij. Në një hadith tjetër thotë: “Kujdes prej gjërave të shpikura (në fe), ngase çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është humbje.” Transmeton imam Ahmedi, Ebu Daudi, Ibën Maxheh dhe Hakimi.

Pra bidatet e tronditin fenë, mirëpo nuk arrijnë shkallën e kufrit përderisa në to nuk gjendet kufër. Duhet ditur se nëse në festimin e mevludit ekziston lutja e Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, kërkimi i ndihmës prej tij dhe kërkimi i fitores prej tij, atëherë lutja u kthye në shirk (se i shoqëruan Allahut shok në adhurim). Këtu hyn dhe lutja që bëjnë kur thonë: “O i dërguari i Allahut! Na ndihmo! Përkrahje! Përkrahje! O i dërguar i Allahut! Ndihmë! Ndihmë!” Gjithashtu hyn këtu edhe ideologjia që ata kanë në lidhje me të dërguarin kur besojnë se ai di gajbin (të fshehtën). Ose ideologji të tjera siç është ideologjia e shijave për Aliun, Hasenin dhe Husejnin kur pretendojnë se ata dinë gajbin (të fshehtën). Të gjitha këto janë shirk dhe braktisje nga feja (riddetun) kur ndodhin gjatë mevludit apo në raste të tjera jashtë tij.

 

Vazhdon . . .

Shkëputur nga broshura:Çfarë e trondit akiden” (origjina e kësaj broshure është një ligjëratë e shejhut të nderuar).

Autor: Abdulaziz ibën Abdullah ibën Baz

Përktheu: Bledar Aliu

Dosje: ,

Loading...