Çfarë është zekati i fitrit?

March 27, 2025

Zekati i fitrit ose thënë ndryshe sadakaja e fitrit është lloj lëmoshe e cila jepet në fund të muajit Ramazan në formë bamirësie për të varfërit.

Qëllimi që synon kjo lloj sadakaje:

Ajo synon plotësimin e nevojave që kanë të varfrit në ditën e Fitër Bajramit, si dhe shlyerjen apo korrigjimin e disa mangësive të cilat mund të kryhen gjatë ditëve të agjërimit.

Rreth këtyre që përmendëm ka argument të posaçëm i cili shpjegon qartë pse synohet kjo lloj sadakaje.

Çfarë gjykimi ka?

Të katër medhhebet e konsiderojnë këtë sadaka si obligim për çdo person musliman qoftë ky mashkull apo femër, i madh apo i vogël në moshë. Madje Ibën Mundhiri prej hulumtuesve ka cituar se rreth këtij gjykimi ka unanimitet (ixhma) dhe se konsiderohet si obligim.

(Me përjashtim të një numri tepër të vogël dijetarësh në medhhebin maliki dhe në atë shafi të cilët janë të mendimit se është e pëlqyeshme [sunet i fortë], dhe këtë mendim vetë dijetarët e medhhebeve përkatëse nuk e konsiderojnë si të qënë.)

Në ç’mënyrë jepet?

Sheriati e ka përkufizuar qartë se kjo lloj sadakaje jepet nga artikujt ushqimorë bazikë të atij vendi ku muslimani jeton, ku pesha e përafërt është 3 kg sipas konvertimit bashkëkohor.

Ky mendim është i pjesës dërmuese të dijetarëve, përveç hanefive të cilët janë me mendimin se kjo lloj sadakaje mund të nxirret në vlerë monetare.

Mendimi më i saktë është mendimi i pjesës dërrmuese të dijetarëve se ajo jepet komfort përcaktimit sheriatik në formë ushqimi.

Kur jepet?

Kjo lloj sadakaje bëhet si obligim të jepet në moment kur perëndon dielli në ditën e fundit të Ramazanit, dhe afati i fundit është para se imami të falë namazin e Bajramit. Lejohet të jepet gjithashtu një ose dy ditë para siç vepronte Abdullah ibn Omeri radijAllahu anhu.

Shkroi: Edison Dukaj

Dosje:

Loading...