Çfarë grade ka ky hadith?

Pyetje: Çfarë grade ka hadithi: “Kush falet për Allahun dyzet ditë me xhemat duke kapur tekbirin fillestar, i shkruhen atij dy garanci një garanci nga zjarri dhe një garanci nga hipokrizia (nifaku).” Cili është kuptimi i tij?

Përgjigje: Hadithi edhe pse ka disa probleme në zinxhirin e tij të transmetimit, është saktësuar nga sheih Albani në librin e tij ‘Es-Silsile Es-Sahiha’.

Ndërsa në lidhje me kuptimin e tij imam Et-Tibij, komentuesi i njohur i haditheve (vdekur në vitin 743 të hixhretit), thotë:

“Atë e ruan Allahu në dynja për të mos bërë punën e munafikëve, dhe i jep sukses për të bërë punën e të sinqertëve. Ndërsa në ahiret e ruan prej dënimit të munafikëve apo dëshmon për të se nuk është prej tyre, sepse munafikët kur ngrihen për namaz ngrihen me përtaci dhe ky është ndryshe nga ata.”

Imam Et-Tibij -Allahu e mëshiroftë- e lidh faktin që këtij njeriu Allahu i Madhëruar i jep garanci nga nifaku, me çfarë është përmendur në Kuran prej cilësive të munafikëve për të cilët Ai thotë:
“Dhe kur ngrihen për në namaz ngrihen me përtaci.” Suretu En-Nisa: 142.
“Dhe nuk vijnë për në namaz veçse me përtesë.” Suretu Et-Teube: 54.
Pra, duke qenë se munafikët nuk shkojnë për në namaz veçse me përtaci dhe nuk e falin atë veçse me përtaci, atëherë ai që ruan jo vetëm namazin por edhe faljen e tij me xhemat për dyzet ditë pa i humbur as tekbiri fillestar, nuk mund të jetë prej tyre.
Munafiku edhe nëse për syfaqësi do të mundet të ruaj imazhin e tij në disa namaze, nuk do t’a bëjë dot këtë në namazin e Jacisë dhe të Sabahut, siç thotë Profeti -alejhi selam-: “Nuk ka namaz më të rëndë për munafikun sesa namazi i Jacisë dhe i Sabahut.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

 

Dr. Abdullah Nabolli