Nga Ebu Hurejra përcillet se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur vdes njeriu ndërpritet puna e tij përveç tre lloje (punësh): Një lëmoshë rrjedhëse (e pandërprerë), një dije prej së cilës përfitohet, apo një fëmijë i devotshëm që lutet për të.” Transmeton Muslimi. [1]
Allahu e ka bërë dynjanë vend pune në të cilën njeriu furnizohet për në botën tjetër, e cila është vendi i shpërblimit me vepra të mira ose të këqija. Neglizhuesit do të pendohen kur të zhvendosen nga ky vend (vendi i punës, dynjaja) pa u furnizuar prej saj për në botën tjetër, gjë e cila (furnizimi) do t’i bënte ata të lumtur. Por në atë kohë nuk u bën më dobi përpjekja e tyre dhe nuk ka mundësi njeriu tu shtojë veprave të tij të mira asnjë grimcë, e as të fshijë nga gjynahet e tij asgjë. Kështu puna e njeriut është ndëprerë, përveç këtyre tri gjërave të cilat janë gjurmë të punës së tij.
E para: Lëmosha e vazhdueshme, pra ajo sadaka dobia e së cilës vazhdon. Si puna e pasurisë që lihet vakëf nga të ardhurat e së cilës përfitohet nëse ajo është tokë, apo enët prej të cilave përfitohet, apo kafshët të cilave u hipet dhe përfitohen prej tyre dobi të tjera, apo librat dhe Kuranet që ai ka lënë pas me leximin e të cilave njerëzit kanë dobi, apo xhami të ndërtuara, shkolla dhe shtëpi, e të tjera veç tyre prej veprave të bamirësisë nga të cilat njerëzit përfitojnë.
Të gjitha këto i sjellin shpërblim vazhdimisht njeriut për sa kohë që përfitohet prej tyre. Kjo është nga mirësitë më të mëdha të vakëfit sidomos vakëfet që ndihmojnë njerëzit në çështjet e tyre fetare, siç është; dituria, përpjekja në rrugë të Allahut, ndihma për ata të jenë të përkushtuar ndaj adhurimeve e të ngjashme.
Për këtë dijetarët kanë vënë kusht te vakëfi që përfitimi prej tij të shpenzohet në bamirësi dhe gjëra që të afrojnë tek Allahu.
E dyta: Dituria e dobishme prej së cilës njerëzit përfitojnë pas vdekjes së tij, si; dija që e kanë mësuar prej tij nxënësit që përgatiten për tu ngritur në dije, dija që ai ka shpërndarë në mesin e njerëzve, dhe librat që ai ka shkruar në dije të ndryshme prej diturive të dobishme.
Sa më shumë të zgjatet zinxhiri i përfitimit prej dijes së tij, qoftë prej atyre që ai i ka mësuar drejtpërdrejt apo prej atyre që ai ka shkruar, shpërblimi i tyre rrjedh pa pushim për autorin e tyre. Sa prej dijetarëve udhëzues kanë vdekur prej qindra vitesh ndërsa librat e tyre lexohen akoma, dhe zinxhiri i nxënësve dhe mirësisë së tyre vazhdon. Kjo është mirësi e Allahut!
E treta: Fëmija i mirë (i devotshëm) qoftë ai fëmijë i tij, fëmija i djalit të tij, fëmija i vajzës së tij, mashkull apo femër qoftë prindi i tij përfiton prej devotshmërisë dhe lutjes së tij. Ai në çdo kohë lutet për prindërit që Allahu t’i falë dhe t’i mëshirojë, tua ngrejë gradat e tu japë shpërblim të shumtë.
Këto që përmenden në këtë hadith janë të përfshira tek fjala e të Lartësuarit që thotë: “Me të vërtetë, Ne i ringjallim të vdekurit dhe shkruajmë atë që ata kanë punuar dhe gjurmët që kanë lënë pas.” | Jasin: 12. Ajo që kanë punuar janë veprat e tyre të mira apo të këqija, ndërsa gjurmët që kanë lënë janë ato që kanë ardhur si pasojë e punëve të tyre, prej veprave të mira që kanë bërë të tjerët pas tyre apo që kanë përfituar prej gjurmëve të tyre.
Gjithçka që i arrin njeriut prej gjurmëve të punëve të tij janë tre gjëra:
- Punë që i kanë bërë të tjerët për shkak të thirrjes së tij për të mira dhe orientimit që ai u ka bërë njerëzve (sh.p. dhe ata kanë punuar me këshillat e tij).
- Gjëra prej të cilave kanë pasur dobi të tjerët çfarëdolloj dobie qoftë ajo, edhe prej shembullit të mirë që kanë parë tek ai dhe ka qenë frymëzim për ta për vepra të mira.
- Vepra të mira që i kanë bërë të tjerët dhe shpërblimin e tyre ja kanë dhuruar atij, ndonjë sadaka që e kanë dhënë në emër të tij apo janë lutur për të, pa marrë parasysh a është prej fëmijëve të tij fizik apo fëmijëve të tij shpirtërorë që janë edukuar dhe mësuar prej duarve të tij, apo prej të afërmve, shokëve, dashamirësve, prej muslimanëve mbarë, sipas gradës së tij në fe dhe sipas mirësisë që ka përcjellë tek njerëzit apo është bërë shkak për të.
Në bazë të dashurisë që Allahu ka vendosur në zemrat e njerëzve për të e cila patjetër do lërë gjurmë të shumta, siç janë lutja dhe kërkimi i faljes për të. Të gjitha këto hyjnë në këtë hadith të ndershëm.
Mund të bashkohen për robin në një gjë të vetme përfitime të ndryshme të shumta, si; fëmija i devotshëm dijetar për të cilin babai është përpjekur që ai të arsimohet, librat që ai lë vakëf për mbarë muslimanët apo që ja dhuron atij që mund të ketë dobi prej tyre.
Me ketë hadith argumentohemi për nxitjen për martesë prej fryteve të së cilës është arritja e fëmijëve të devotshëm, dhe gjëra të tjera të dobishme si; edukimi dhe përmirësimi i gruas, mësimi i saj ato gjëra që i bëjnë dobi dhe ajo u bën dobi të tjerëve. Allahu është më i Dijshmi!
Përktheu: Emin Bilali
————————————————————–
[1] Muslimi 1631.
Dosje: Vdekja
Të Ngjashme
- Historik i shkurtër i Sahih El Buhari Udha e Besimtarëve
- Komenti i librit “Sëmundja dhe Ilaçi” – 5 – Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Lutje që mund t’i bëni në ditën e madhe të Arafatit Udha e Besimtarëve
- Tekbiri i përgjithshëm dhe tekbiri i kufizuar Udha e Besimtarëve
- Komenti i librit “Sëmundja dhe ilaçi” – 4 – Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër