Cilat janë gjërat që Allahu i mësoi Ademit?
Falënderimi i takon Allahut!
Imam Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë) në Tefsirin e tij (1/256), ka thënë duke komentuar ajetin: “Dhe Ai ia mësoi Ademit të gjithë emrat.” El-Bekare 31.
“Mendimi më i saktë është se Ai ia mësoi atij emrat e të gjitha gjërave, çfarë janë, cilësitë e tyre dhe punën që kryejnë, madje edhe gazrat që nxjerr njeriu, d.m.th. emrat dhe cilësitë e të gjitha gjërave, të mëdha apo të vogla qofshin.
Për këtë arsye Buhariu në komentin e këtij ajeti në “Kitab et-Tefsir” në Sahihun e tij, madje edhe Ibn Kethiri e përmendi zinxhirin e Buhariut nga Enesi, se Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Besimtarët do të mblidhen në Ditën e Kijametit dhe do të thonë: Sikur të kërkonim dikë që të ndërmjetësojë për ne tek Zoti ynë. Kështu ata do të shkojnë tek Ademi dhe do t’i thonë: Ti je babai i të gjithë njerëzve. Allahu të krijoi me dorën e Tij, i urdhëroi engjëjt të të bëjnë sexhde dhe të mësoi emrat e të gjitha gjërave.”
Kjo tregon se Allahu ia mësoi atij emrat e të gjitha gjërave të krijuara, prandaj Ai më pas tha: “Pastaj ua tregoi engjëjve.” [El-Bekare 2:31] – d.m.th. emrat e sendeve që ia kishte mësuar Ademit.
El-Hafidh ibn Haxher i renditi mendimet e ndryshme në këtë temë në librin e tij El-Fat’h (8/10), duke thënë: “Janë kundërshtuar sa i përket kuptimit të emrave. Disa thanë se kjo u referohet emrave të pasardhësve të tij. Disa kanë thënë: Janë emrat e engjëjve, ose kanë thënë: Janë emrat e llojeve të ndryshme – pa hyrë në detaje, ose emrat e gjithçkaje që gjendet në tokë, ose emrat e të gjitha sendeve, madje edhe pjatës.”
Imam Sheukani në Fet’hul-Kadir (1/64) ka thënë: Emrat janë fraza ose shprehje, dhe ajo që nënkuptohet janë emrat e objekteve, emrat e të cilave Allahu ia mësoi Ademit. Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve dhe ky është kuptimi i vërtetë i fjalës ism (emër). Këtë e vërteton fjala “të gjithë” pra (të gjithë emrat), që tregon se Ai ia mësoi të gjithë emrat dhe nuk la asgjë pavarësisht se çfarë ishin.
Allahu e di më së miri!
Përktheu: Fatjon Isufi
Dosje: Ademi
Të Ngjashme
- Shembulli i humbjes së sevapeve për shkak të gjynaheve Emin Bilali
- A mund ti agjëroj ditët që i kanë mbetur borxh një të afërmi që ka vdekur? Lexhnetu Daime
- Nuk pranojnë ta falin Bajramin pas atyre që i kundërshtojnë në numrin e tekbireve? Shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin
- Çfarë është namazi i Bajramit dhe si falet ai? Udha e Besimtarëve
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve