Cilësitë e muslimanit

Cilësitë e muslimanit

Nga Abdullah ibn Amr – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – transmetohet se ka thënë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut – paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të: Musliman është ai që kanë shpëtuar muslimanët prej gjuhës dhe dorës së tij, dhe emigrues (muhaxhir) është ai që emigron (ikën prej) asaj që ka ndaluar Allahu” Muttefekun alejhi[1].

Ka shtuar Tirmidhiu dhe Nesaiu: “Dhe besimtar (mu’min) është ai prej të cilit ndihen të sigurtë njerëzit në gjaqet dhe pasuritë e tyre.”[2] Ka shtuar Bejhekiu: “Dhe luftëtar është ai që lufton veten e tij në bindje ndaj Allahut.”[3]

Janë përmendur në këto hadithe plotësia (kulmi) i këtyre emërtimeve të ndershme dhe fisnike, me të cilat Allahu i Madhëruar e lidhi lumturinë e dynjasë dhe akhiretit dhe ato emërtime janë: “Islami”, “Imani” (besimi), “Hixhreti” dhe lufta në rrugë të Allahut, dhe përmendi kufijtë e tyre me fjalë përmbledhëse, gjithpërfshirëse duke thënë: Muslimani është ai që kanë shpëtuar muslimanët prej gjuhës dhe dorës së tij. Kjo sepse Islami i vërtetë është: dorëzim ndaj Allahut dhe plotësimi i robërimit ndaj Tij dhe kryerja e detyrimeve kundrejt Tij dhe kryerja e detyrimeve kundrejt muslimanëve.

Dhe nuk plotësohet islami i (feja e) dikujt derisa të dojë për muslimanët atë që do për veten e tij, dhe kjo nuk mund të realizohet veçse duke shpëtuar ata prej të keqes së gjuhës së tij dhe të keqes së dorës së tij. Sepse kjo është shtylla e këtij detyrimi që ai ka kundrejt muslimanëve. Kështu ai që nuk kanë shpëtuar muslimanët prej gjuhës dhe dorës së tij, si mund të jetë zbatues i detyrimit që ka ai kundrejt muslimanëve?! Prandaj shpëtimi i tyre prej sherrit të tij, – me fjalë dhe me vepra – është tregues i plotësimit të islamit të tij.

Dhe e shpjegoi besimtarin duke thënë se është ai që ndihen të sigurtë njerëzit në gjaqet dhe pasuritë e tyre. Sepse kur imani (besimi) rrënjoset në zemër dhe ajo mbushet me të, e bën të domosdoshëm zbatimin e detyrimeve të tij (detyrimeve të imanit), më e rëndësishmja prej të cilave është: ruajtja e amaneteve, sinqeriteti në marrëdhënie, dhe largimi nga të bërit padrejtësi njerëzve në gjaqet dhe pasuritë e tyre. Dhe ai që është i tillë njihet në mesin e njerëzve për këto cilësi dhe ata ndihen të qetë prej tij në gjaqet dhe pasuritë e tyre (e dijnë se ai nuk dëmton njeri qoftë fizikisht, qoftë në pasuri) dhe kanë besim tek ai për shkak të asaj që dinë për të, se i ruan amanetet (gjërat që njerëzit vendosin tek ai në ruajtje).

Nuk ka besim (iman) ai që s’ka amanet

Sepse ruajta e amanetit është prej detyrimeve më të veçanta të imanit, siç thotë Profeti – paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të: “Nuk ka besim (iman) ai që s’ka amanet”[4] (që nuk është i besës, nuk e ruan amanetin që i besohet).

Dhe e shpjegoi Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të –  hixhretin (shpërnguljen, emigrimin) – i cili është detyrim personal (fard ajn) për çdo musliman – duke thënë se: ajo është largimi nga gjynahet dhe fajet e dënueshme. Dhe ky detyrim nuk bie (nuk largohet) kurrë prej çdo të përgjegjshmi, në asnjë lloj situate. Sepse Allahu ua ndaloi robërve të Tij veprimin e të ndaluarave (harameve) dhe ecjen drejt gjynaheve. Ndërsa hixhreti i veçantë  që është zhvendosja nga vendi i kufrit (mosbesimit), apo vendi i bidateve (shpikjeve në fe) për në vendin Islam dhe ku zbatohet suneti, është një pjesë e këtij hixhreti dhe nuk është detyrë për çdonjërin, por është detyrë nëse ekzistojnë shkaqet e saj të njohura.

Ndërsa luftëtarin në rrugë të Allahut e shpjegoi duke thënë se: është ai që lufton veten e tij në bindje ndaj Allahut. Sepse shpirti anon shumë nga përtacia në adhurime, dhe është shumë urdhërues për të këqia, ndikohet shumë nga fatkeqsitë, prandaj ka nevojë për durim dhe përpjekje që të mësohet me adhurimin e Allahut dhe të qëndrojë në këtë. Ashtu siç ka nevojë të luftohet (vetja) për ta ndaluar atë nga kundërshtimi i Allahut (gjynahet), dhe të kërcënohet për to, dhe ka nevojë të luftohet për të bërë durim ndaj fatkeqsive. Dhe pikërisht këto janë adhurimet: zbatimi i urdhërave, largimi nga të ndaluarat dhe durimi ndaj caktimit të Allahut.

Prandaj luftëtar në realitet është ai që e lufton veten në këto gjëra që të zbatojë detyrat e tij.Dhe lloji më i ndershëm e më fisnik është detyrimi i vetes të luftojë armiqtë dhe lufta ndaj tyre bëhet me fjalë dhe vepër, sepse lufta në rrugë të Allahut është kulmi i Islamit.

Kush zbaton atë për të cilën tregon ky hadith (bashkë me shtesat e tij) ka zbatuar krejt fenë: Ai që shpëtojnë muslimanët prej gjuhës dhe dorës së tij, prej të cilit ndihen të sigurtë njerëzit në gjaqet dhe pasuritë e tyre dhe largohet nga ajo që ka ndaluar Allahu dhe e lufton veten e tij në bindje ndaj Allahut – të Lartësuar e pa të meta -, i këtilli nuk ku ka lënë mirësi të dynjasë dhe të akhiretit, të dukshme apo të fshehtë veçse e ka bërë atë dhe as ndonjë të keqe veçse është larguar prej saj. Dhe vetëm Allahu është Ai që jep sukses.

Behxhetu kulubil Ebrar

Autor: Dijetari i madh Abdurrahman ibn Nasir es-Sa’dij.

Përktheu Emin Bilali

 

[1] Bukhari (53), Muslimi (40) dhe shprehja është e Bukharit.

[2] Tirmidhi (2629), Nesai (105,104/8), Ahmedi (2/379) Ibn Hibban i (1/406), (180) dhe ka thënë Tirmidhiu: Ky është hadith hasen sahih ( i mirë i saktë)

[3] Ahmedi (6/22), Bejhekiu në “Shuabul iman” (7/499) dhe të tjerë. Shiko “Vargun e haditheve të sakta” (549)  të al-lameh (dijetarit të madh) Albanit – Allahu e mëshiroftë dhe gjithë të përmendurit!

[4] Transmeton Ahmedi (3/135, 154, 210, 251); Ibn Hibbani (1/422) dhe të tjerë, dhe e ka saktësuar shejkh Albani në “Sahih el xhami’” (7179) dhe në vende të tjera.