Cilësitë e popullit prijës

January 23, 2023

Të nderuar besimtarë, robër të Allahut! Allahu i Madhëruar u ka bërë një premtim në Kuran robërve të Tij të bindur se do t’ju japë pozitë në tokë. Ai thotë: “… me të vërtetë premtimi i Allahut është i vërtetë.” | Fatir: 5 | Gjithashtu thotë: “… e kush flet fjalë më të vërteta se Allahu?” | Nisa: 87 |
Thotë i Lartësuari: “Me të vërtetë fjala e besimtarëve kur ftohen për tek Allahu dhe tek i Dërguari i Tij që ai të gjykojë mes tyre, nuk është tjetër vetëm se të thonë: ‘Dëgjuam dhe u bindëm’. Të tillët janë të shpëtuarit. E kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit, i frikësohet Allahut dhe ruhet prej zemërimit të Tij, të tillët janë të fituarit. Dhe ata u betuan në Allahun me betime të forta se; nëse do t’i urdhërosh për të dalë në luftë ata do të dalin. Thuaj: Mos u betoni, por kur të vijë koha për të treguar bindjen tuaj atëherë tregojeni atë. Me të vërtetë Allahu është i mirinformuar për atë që bëni. Thuaj: Bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit, e nëse ata kthejnë shpinën atëherë le ta dinë se ai ka përgjegjësi vetëm për atë që është urdhëruar (vetëm përcjelljen e shpalljes dhe ai veçse e ka kryer atë) ndërsa ju keni detyrë t’i bindeni. E nëse i bindeni do të udhëzoheni (s’ka udhëzim pa sunet, pa e njohur dhe pa e zbatuar atë), dhe i Dërguari nuk ka tjetër obligim veç përcjelljes së qartë të fesë.

U ka premtuar Allahu atyre që besuan prej jush dhe bënë vepra të mira, se patjetër do t’i bëjë trashëgues të tokës (do të kenë pushtet në tokë) ashtu siç i bëri trashëgimtarë të saj edhe ata që ishin para tyre. Do t’i japë pozitë në tokë fesë së tyre që Ai e pëlqeu për ta (Islamit), dhe patjetër do t’iu dhurojë siguri pas frikës së tyre. Më adhurojnë vetëm Mua dhe nuk më bëjnë ortak askënd dhe asgjë në adhurim. Kush mohon pas kësaj të tillët janë të prishurit (të shkatërruarit moralisht). Faleni namazin e jepeni zekatin, dhe bindjuni të dërguarit në mënyrë që të mëshiroheni.” | Nur: 51-56 |

Bindja ndaj të Dërguarit të Allahut – paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të – është  përmendur vetëm në këto ajete 5 herë. E si mundet një popull që nuk i jep rëndësi sunetit të Profetit – paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të – të pretendojë të jetë prijës i njerëzimit? Ai nuk e meriton këtë pozitë.

Zoti ynë na ka treguar qartë në Librin e Tij  fisnik se cila është rruga që duhet të ndjekim për të arritur deri tek pushteti. Ai madje ua ka premtuar pushtetin në tokë disa robërve të Tij, dhe ata nuk janë njerëz specifik e të veçantë që vetëm ata e arrijnë pushtetin në tokë e askush tjetër veç tyre. Por ato janë disa cilësi që nëse robërit e Allahut i përvetësojnë dhe i zbatojnë, Zotin e tyre do ta kenë në krah, do t’i ndihmojë, do t’i fuqizojë dhe do t’i lartësojë në të dyja botët. Allahu i Madhëruar thotë në Librin e Tij famëlartë:

“Dhe patjetër do ta ndihmojë Allahu atë që e ndihmon atë (që ndihmon fenë e Tij duke e mësuar atë, duke e zbatuar dhe duke i ftuar edhe të tjerët tek ajo). Sigurisht që Allahu është i Gjithfuqishëm, i Pamposhtur, Krenar.” | Haxh: 40 |

Dhe thotë i Lartësuari: “Është detyra Jonë t’i ndihmojmë besimtarët.” | Rum: 47 |

Dhe thotë: “O ju që keni besuar, nëse e ndihmoni Allahun Ai ju ndihmon juve dhe ua përfocon këmbët tuaja.” | Muhamed: 7 |

“Nëse Allahu ju ndihmon juve nuk ka kush që t’u mposhtë, e nëse Ai u lë në baltë (u braktis) kush është Ai që do t’ju ndihmojë pas Tij? Allahut le t’i mbështeten besimtarët.” | Ali Imran: 160 | Besimtarët e vërtetë janë ata që i mbështeten realisht Allahut të Madhëruar e jo fuqisë dhe aftësive të tyre.

“Nëse Allahu ju ndihmon juve nuk ka kush që t’u mposhtë, e nëse Ai u lë në baltë (u braktis) kush është Ai që do t’ju ndihmojë pas Tij?” Askush o Allah s’na ndihmon dot sepse e gjithë çështja është në dorën Tënde, siç na ke treguar në Kuran: “Thuaj: O Allahu im (o i Adhuruari im i Vetëm), Ti që e ke në dorë pushtetin (mbretërimin), Vetëm Ti ja jep pushtetin atij që dëshiron dhe ia heq pushtetin atij që dëshiron. Krenon atë që dëshiron dhe nënçmon atë që dëshiron. Në dorën Tënde është e gjithë mirësia, Ti për gjithçka ke mundësi (fuqi).” | Ali Imran: 26 |

“Jeni populli më i mirë që ka dalë në mesin e njerëzimit, urdhëroni për të mira, ndaloni nga të këqijat dhe besoni në Allahun…” | Ali Imran: 110 |
Nxitja për vepra të mira, largimi nga të këqijat dhe besimi në Allahun me besim të drejtë na bën popullin më të mirë. Këshillues, refuzues të së keqes e besimtarë të vërtetë.

Po ashtu, i Lartësuari duke përshkruar robërit e Tij të sinqertë që u ka premtuar pozitë në tokë thotë: “O ju që keni besuar! Frikësojuni Allahut ashtu siç duhet frikësuar prej Tij, dhe mos vdisni ndryshe veçse si muslimanë (robër njësues të Allahut, të nënshtruar ndaj Tij duke kryer urdhrat e Tij.) Dhe kapuni të gjithë për litarin e Allahut e mos u përçani. Kujtoni mirësinë e Allahut ndaj jush kur ishit armiq dhe Ai ua bashkoi zemrat, e ju u bëtë me mirësinë e Allahut vëllezër, dhe ishit në buzë të greminës së zjarrit e Ai u shpëtoi prej saj. Kështu ua shpjegon Allahu argumentet e Tij në mënyrë që të udhëzoheni. Le të jetë një grup prej jush që thërrasin për kah e mira, që nxisin për vepra të mira dhe ndalojnë nga të këqijat. Të tillët janë të shpëtuarit.” | Ali Imran: 102-104 |

Shokët e Profetit – paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të – ishin shoqëria më e mirë, e megjithatë nuk i ndihmoi Allahhu derisa i bashkoi. Si mund të ishin udhëheqës të njerëzimit ata që ishin armiq mes veti?! Është e pamudur të arrijmë diçka pa u bashkuar zemrat tona, dhe ato i bashkon vetëm besimi i saktë, teuhidi (njësimi i Allahut) dhe ecja në të njëjtën rrugë kur të shkojmë drejt Zotit. Atë në të cilën eci i Dërguari i Allahut dhe shokët e tij, suneti. Në një ajet tjetër Allahu i  Madhëruar i kujton Profetit të Tij – alejhi selam – se si e ndihmoi me besimtarët. Thotë i Lartësuari: “… Ai është i Cili të ndihmoi me ndihmën e Tij dhe me besimtarët, dhe i bashkoi zemrat e tyre. Sikur të shpenzoje gjithë çka në tokë ti kurrë s’do t’i bashkoje zemrat e tyre, por Allahu i bashkoi ata. Ai është i Plotfuqishëm, i Urtë.” | Enfal: 62-63 |
Allahu i Madhëruar e ndihmoi me ndihmën e Tij dhe me besimtarët, por një herë i bashkoi zemrat e tyre. Pasi s’kishte më përçarje mes tyre atëherë i bëri ndihmës të Profetit – paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të .
Me çfarë i bashkoi? Me pasuri? E gjithë pasuria e tokës t’u shpërndahej nuk do t’i kishte bashkuar: “… Sikur të shpenzoje gjithë çka në tokë ti kurrë s’do t’i bashkoje zemrat e tyre, por Allahu i bashkoi ata.” I bashkoi me besim. Nëse kemi besim (akide) të njëjtë jemi së bashku, përndryshe jemi të përçarë e asgjë nuk na bashkon dot. Pra, teuhidi dhe suneti na bashkojnë.

Më të mirët e njerëzimit pas profetëve nuk do t’i vyenin asgjë Profetit e as umetit nëse do të ishin të përçarë.

O musliman, synimi yt kryesor në jetë është që të jesh i shpëtuar, të shpëtosh veten tënde. Por veten nuk e shpëton dot derisa të bësh ato që urdhëron Zoti yt, e në mesin e tyre është dhe thirrja e njerëzve në fenë Islame. Kjo bëhet me fjalë e për këtë të duhet dituri në çfarë do t’i thërrasësh. Gjithashtu, thirrja dhe me vepra duke e zbatuar ti vet i pari fenë e Zotit sa të mundesh. Atëherë njerëzit do të shikojnë se çdo të thotë të jesh rob i Allahut dhe do të hyjnë në fenë e Allahut grupe-grupe, ashtu siç hynë; Indonezia, Malajzia dhe disa vende afrikane. Pra pa luftë, pa dhunë, por vetëm me sjellje të mirë.

Nëse gjendja jonë është e atillë që ne frikësohemi se mos njerëzit qëndrojnë larg fesë së Zotit për shkak të sjelljes sonë, atëherë jemi në rrezik të madh. Jemi në rrezik të madh nëse jemi ne ata që i largojmë njerëzit nga kjo fe e bukur dhe madhështore, siç thotë Profeti paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të: “Me të vërtetë ka prej jush që i largojnë njerëzit nga feja.” Transmeton Buhariu me nr. 704.
Me mungesën e besnikërisë tonë, me mungesën e amanetit, me mungesën e sinqeritetit, me gënjeshtra, me fjalë të ulëta, me mungesë morali. Nëse njerëzit nuk janë të sigurt prej nesh në trupat, nderet dhe pasuritë e tyre, si mund të presim që të bëhen muslimanë?! Nëse ata janë të frikësuar në marrëdhëniet me ne, nëse kanë frikë se mos ua hedhim, se mos i shajmë, se mos i ofendojmë, ironizojmë apo lëndojmë në çfarëdo mënyre, thjesht ne s’kemi kuptuar asgjë nga Islami dhe jemi shumë larg cilësive të popullit udhëheqës.

Gjithçka fillon nga edukata dhe nga frika prej Allahut. T’i edukojmë vetet me këtë dhe fëmijët tanë. Nëse fëmijët tanë ua lëmë të na i ç’edukojnë celulari, interneti dhe televizioni, pastaj kur të arrijmë në pikën ku të mos i njohim më ata mos të qortojmë askënd veç vetes. Nëse tregohemi të pavëmendshëm ndaj tyre, çfarë besimi marrin, çfarë sjellje kanë, kë kanë shok prej njerëzve dhe prej sendeve, atëherë mjerimi do të bjerë mbi ne. Ne kemi shpërdoruar amanetin që na është lënë dhe për të cilin do të pyetemi dhe merremi në llogari. Kjo nuk është diçka vullnetare por është obligim madhor nga Allahu, që sa të kemi mundësi t’i udhëzojmë, t’i paralajmërojmë nga zjarri i Xhehenemit dhe nga veprat që të çojnë në të, dhe t’ua bëjmë sa më të dashur bindjen ndaj Allahut, Krijuesit, Mëshirëplotit. “O ju që keni besuar, ruajini vetet dhe familjet tuaja nga një zjarr i cili djeg njerëz dhe gurë.” | Tahrim: 6 |

E Profeti – paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të – ka thënë: “Çdonjëri prej jush është bari dhe do të merret në llogari për tufën e tij, burri është bari në familjen e tij dhe do të pyetet për ta.”  Ti je prijësi i familjes tënde, për këtë pushtet dhe për këtë qeverisje do të pyetesh nga Allahu se si e ke menaxhuar. A e ke kryer obligimin tënd si duhet? A ke bërë përpjekjet maksimale që populli që ke nën përgjegjësi të arrijë sukses apo jo? Nuk do të pyetesh përse s’arrite të marrësh pushtetin mbi gjithë njerëzit, madje nuk është ajo rradha e punës. Përkundrazi, shëro shoqërinë nga sëmundjet që ka familje për familje, e këto familje të shëndosha do të bëjnë një shoqëri të shëndoshë e cila do të meritojë të udhëhiqet prej bijve të vet më të mirë. Siç kanë thënë ata që i njohin mirë ligjet e Allahut në ndryshim, dijetarët tanë të shquar: “Zbatoje sheriatin e Allahut në familjen tënde, të zbatohet në tokën tënde dhe në vatanin tënd.”

Rruga e pozitës në tokë është edukimi, dituria, pastrimi i zemrave prej sëmundjeve të tyre që sjell bashkimin, dhe durimi derisa të arrijnë të piqen frytet e punës së vazhdueshme. Më shpejt nuk do të arrijmë dot.

O Allah!Na i trego të vërtetën të vërtetë dhe na bëj ta pasojmë atë, dhe na i trego të kotën ashtu siç është dhe na bëj të largohemi prej saj!

Dosje:

Loading...