Dhjetë rregulla rreth qëndrueshmërisë në fe (1)

February 3, 2018

Me emrin e Allahut, Mëshirëplotit, të Gjithmëshirshmit!

Me të vërtetë lavdërimet i përkasin vetëm Allahut, Atë e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë! I kërkojmë mbrojtje Allahut prej të këqijave të veteve dhe prej dëmit të punëve tona të liga! Atë që e udhëzon Allahu ai është i udhëzuar, ndërsa atë që Ai e lë në humbje nuk ka për të udhëzues. Dëshmoj se nuk meriton të adhurohet askush tjetër me të drejtë përveç Allahut i Cili është i vetëm pa ortak, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij! Lavdërimet dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe mbi të gjithë shokët e tij!

Tema e kësaj broshure është ‘Qëndrueshmëria në fe’, dhe ajo është vërtetë një temë me rëndësi madhështore e me pozitë të lartë. Çdonjëri nga ne e ka për detyrë të merret me të dhe t’i kushtojë rëndësi dhe kujdes. Allahu i pastër nga të metat, thotë: “S’ka dyshim se ata që thanë: Zoti ynë është Allahu, – pastaj qëndruan fort në këtë besim, nuk kanë përse të frikësohen e as të brengosen. Ata janë banorë të Xhenetit, aty do të jenë përjetësisht si shpërblim për atë që vepronin.” | Ahkaf: 13-14 |
Dhe thotë i Lartmadhëruari: “S’ka dyshim se atyre që thanë: Zoti ynë është Allahu, – pastaj qëndruan fort në këtë rrugë të drejtë, do t’iu zbresin engjëjt e do t’u thonë: Mos u frikësoni e as mos u trishtoni, por përgëzohuni me Xhenetin që u premohej. Ne jemi miqtë tuaj në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër. Atje do keni atë që dëshirojnë shpirtrat tuaj dhe do të gjeni atë që kërkoni. Mikpritje prej Atij që fal shumë dhe është i Plotmëshirshëm.” | Fussilet: 30-32 |

Istikamja ka si shpërblim lumturinë në jetën e kësaj bote dhe në atë të botës tjetër. Prej saj varet suksesi i njeriut dhe rregullimi i gjithë gjendjes së tij. Prandaj është me vend për atë që ia do të mirën vetes dhe që synon të arrijë lumturinë që t’i kushtojë rëndësi të jashtëzakonshme istikames, me dituri, me punë dhe qëndrueshmëri në të deri në vdekje, duke kërkuar gjatë gjithë kësaj ndihmën e Allahut të Lartmadhëruar.

Sa të shpeshta janë pyetjet e njerëzve drejtuar njerëzve të dijes, studentëve, atyre që ftojnë për tek Allahu dhe këshilluesve rreth istikames, realitetit të saj dhe gjërave që ndihmojnë për të qenë i qëndrueshëm në rrugën e drejtë të Allahut, e të tjera pyetje që sillen rreth kësaj teme. Pashë se ishte e dobishme për veten time dhe për vëllezërit e mi mbledhja e disa rregullave të rëndësishme e gjithëpërfshirëse në këtë temë, me shpresë se do hedhin dritë dhe do na sqarojnë më së miri istikamen (qëndrueshmërinë në fenë e Allahut) pasi të shpalosim fjalët e dijetarëve rreth saj dhe gjërave që lidhen me të. Në këtë broshurë do të sjell dhjetë rregulla madhështore në temën e istikames, rregulla shumë të rëndësishme të cilave duhet tu kushtojë vëmendje secili prej nesh.
Vetëm prej Allahut e kërkoj ndihmën dhe suksesin!

Rregulli i parë: Istikamja është dhuratë hyjnore.

Në shumë ajete të Librit të Allahut të Lartësuar Allahu ia atribuon Vetes së Tij rrugën e drejtë dhe se kjo çështje është e gjitha në dorë të Tij. Ai udhëzon kë të dojë dhe humbet kë të dojë. Në dorën e Tij janë zemrat e njerëzve, atë që dëshiron prej tyre e drejton në rrugë të drejtë ndërsa atë që dëshiron e largon prej saj. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe sikur ata të bënin atë që u këshillohet do ishte më mirë për ta dhe më përforcuese. Do t’u jepnim atyre nga ana Jonë shpërblim madhështor dhe do t’i udhëzonim në rrugë të drejtë.” | Nisa: 66-68 |

Udhëzimi në rrugën e drejtë është në dorën e Allahut të Madhëruar ndaj dhe në Kuran thuhet: “Sa u takon atyre që besuan në Allahun dhe u kapën fort pas fesë së Tij, Ai do t’i përfshijë në mëshirën dhe mirësinë e Tij dhe do t’i udhëzojë në rrugë të drejtë.” | Nisa: 175 |
Dhe thotë: “Allahu fton për në vendqëndrimin e paqes (Xhenet) dhe udhëzon atë që dëshiron në rrugë të drejtë.” | Junus: 25 |
“Ata që i përgënjeshtruan argumentet Tona janë të shurdhër, memecë dhe në errësirë. Atë që dëshiron Allahu e humb dhe atë që dëshiron e vendos në rrugë të drejtë.” | El En’am: 39 |
“Ai (Kurani) s’është gjë tjetër veçse përkujtim për botët mbarë për atë që dëshiron prej tyre të eci në rrugë të drejtë. Por ju nuk mund të dëshironi veçse nëse dëshiron Allahu, Zoti i botëve.” | Tekuir: 27-29 |

Ajetet me këtë kuptim janë të shumta. Ato tregojnë se udhëzimi është në dorë të Allahut të Lartmadhëruar dhe ia dhuron atij që dëshiron prej robërve të Tij.
Prandaj dhe rregulli i parë i istikames dhe themeli i saj është t’i lutesh me sinqeritet Allahut të Madhëruar që të të dhurojë udhëzimin. Ai është vetëm në dorë të Tij dhe Ai është udhëzuesi për në rrugë të drejtë. Lutja më e shpeshtë e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ishte: “O Rrotulluesi i zemrave, përforcoje zemrën time në fenë Tënde!” Kjo është qëndrueshmëria në rrugë të drejtë.
Umu Sulejmi i tha: “O i Dërguar i Allahut, a rrotullohen zemrat? – Tha: Po. Nuk ka ndonjë krijesë prej bijve të Ademit veçse zemra e tij është mes dy gishtave të Allahut. Nëse dëshiron Allahu e drejton atë e nëse dëshiron e devijon.”

Pra istikamja është në dorë të Allahut. Kush dëshiron ta arrijë le ta kërkojë prej Allahut dhe të përgjërohet në dua. Ka ardhur në hadithin që e transmeton Muslimi prej Aishes, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ajo u pyet: “Me çfarë e hapte namazin e natës Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të? – U përgjigj: Kur ai ngrihej natën për t’u falur e fillonte namazin me (këtë lutje):
Allahumme Rabbe Xhibrile ue Mikaile ue Israfile, fatiras semauati uel erd, alimel ghajbi uesh shehadeh, Ente tehkumu bejne ibadike fima kanu fihi jekhtelifun. Ihdini limekhtulife fihi minel hakki bi idhnik, inneke tehdi men teshau ila siratin mustekim.
(O i Adhuruari im, Zoti i Xhibrilit, i Mikailit dhe i Israfilit, Krijuesi i qiejve dhe i tokës, Njohësi i të fshehtës dhe i të dukshmes. Ti gjykon mes njerëzve rreth asaj që ata kundërshtohen. Më udhëzo me lejen Tënde në atë që njerëzit janë kundërshtuar rreth së vërtetës. Me të vërtetë, Ti je Ai që udhëzon kë dëshiron në rrugë të drejtë.)
Kjo ishte lutja e tij, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, që e thoshte çdo natë në fillim të namazit të natës: Me të vërtetë Ti je Ai që udhëzon kë dëshiron në rrugë të drejtë.”
Meqënëse kërkesa të kërkuarit prej Allahut udhëzimin është kërkesa më madhore dhe më e ndershme, Allahu i Lartmadhëruar ua bëri detyrë robërve të Tij të kërkonin udhëzimin në rrugën e drejtë shumë herë si një lutje e përsëritur gjatë ditës dhe natës. Kjo kërkesë (lutje) bëhet në suren Fatiha (kaptina që hap Kuranin): “Na udhëzo në rrugën e drejtë. Në rrugën e atyre që u ke dhuruar të mira, jo në të atyre që kanë tërhequr mbi veten zemërimin Tënd e as në atë të të humburve.” | El-Fatiha: 6-7 |
Një prej dijetarëve ka thënë: Duhet t’u bëhet e qartë njerëzve të thjeshtë se kjo është lutje. Kur thua: “Na udhëzo në rrugën e drejtë”, i lutesh Allahut me këtë lutje që Ai ta ka bërë detyrë t’i drejtohesh me të 17 herë gjatë ditës dhe natës, sipas numrit të rekateve që kanë namazet e detyrueshme. Prandaj duhet që muslimani ta ndiej se kjo është lutje.

Ka thënë dijetari i Islamit Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë: “Kam medituar rreth asaj se cila është lutja më e dobishme, dhe gjeta se ajo është kërkimi i ndihmës (prej Allahut) për arritjen e kënaqësisë së Tij. Pastaj e gjeta këtë tek Fatihaja, tek ajeti: “Na udhëzo në rrugën e drejtë.” Dhe ka thënë gjithashtu: “U urdhërua njeriu që vazhdimisht t’i lutet Allahut për udhëzim në rrugën e drejtë.”

Prandaj kërkohet prej teje që të vazhdosh gjithmonë t’i kërkosh Allahut të të udhëzojë dhe të të dhurojë istikamen, dhe kjo gjë gjendet në suren el Fatiha.
Hasen el Basri kur lexonte fjalën e Allahut të Lartësuar: “Me të vërtetë ata që thanë: Zoti ynë është Allahu, e pastaj vazhduan në këtë besim…” – thoshte: O i Adhuruari im, Ti je Zoti ynë, pra na dhuro istikamen!

Rregulli i dytë: Realiteti i rrugës së drejtë është moslargimi nga metodologjia e saktë.

Për të njohur realitetin e istikames do të sjellim për orientim disa citime të bereqetshme nga sahabët dhe nga ata që i pasuan në mënyrën më të mirë. Kjo për të sqaruar kuptimin dhe thelbin e saj.
I sinqerti i këtij umeti Ebu Bekri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, duke komentuar fjalën e Allahut të Lartësuar: “Me të vërtetë ata që thanë: Zoti ynë është Allahu, e pastaj qëndruan në këtë…” ka thënë: Janë ata që nuk i shoqërojnë asgjë/askënd Allahut në adhurim (madhërim, dhe çdo gjë që është e posaçme vetëm për Zotin).

Transmetohet nga Umer ibën Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se ai e ka lexuar këtë ajet në minber: “Me të vërtetë ata që thanë: Zoti ynë është Allahu, e pastaj qëndruan në këtë…” Pastaj ka thënë: “Nuk dredhojnë siç dredhon dhelpra.”

Nga Ibën Abasi përcillet se për fjalën e Allahut të Lartësuar: “Pastaj qëndruan në rrugë të drejtë” – ka thënë: “(qëndruan) Në dëshminë se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut.” E ngjashme me këtë është përcjellë edhe nga Enesi, Muxhahidi, Esued ibën Hilali, Zejd ibën Eslemi, Es Suddij nga Ikrimeh dhe të tjerë.
Po nga Ibën Abasi përcillet se ka thënë: “Ishin të qëndrueshëm vazhdimisht në kryerjen e detyrimeve ndaj Allahut.”

Nga Ebul Alijeh përcillet se ka thënë: “Pastaj ishin të sinqertë në fenë dhe në punët e tyre.”
Nga Katade përcillet se tek ajeti i lartpërmendur ka thënë: “Pastaj qëndruan në adhurimin e Allahut.”
Këto fjalë i ka përmendur Ibën Rexhebi në librin “Xhamiul ulumi uel hikem”, pastaj e përkufizoi istikamen duke thënë: “Istikamja është ndjekja e rrugës së drejtë që është feja e drejtë, pa devijuar djathtas apo majtas. Kjo përfshin veprimin e të gjitha adhurimeve, të dukshme apo të fshehta, dhe po ashtu largimin nga gjithë të ndaluarat. Kjo porosi përmblodhi të gjitha porositë e fesë.”

Këto kuptime janë të përafërta dhe shpjegojnë njëra-tjetrën sepse istikamja është prej fjalëve përmbledhëse dhe ajo përfshin gjithë fenë. Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Istikamja është një fjalë gjithëpërfshirëse që ngërthen në vetvete të gjithë fenë, dhe ajo është qëndrimi përpara Allahut me sinqeritet të vërtetë dhe zbatim të premtimit.”

Rregulli i tretë: Thelbi i istikames është qëndrueshmëria e zemrës.

Imam Ahmedi transmeton nga Enesi se Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Nuk është i drejtë besimi i njeriut derisa të drejtohet zemra e tij.”
Pra, thelbi i istikames është drejtimi i zemrës. Kur zemra përmirësohet dhe qëndron në rrugë të drejtë e pason atë edhe trupi.
Hafidh Ibën Rexhebi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Thelbi i istikames është qëndrueshmëria e zemrës në njësimin e Allahut. Ashtu siç e komentoi Ebu Bekër es Sidiku dhe të tjerët fjalën e Allahut (të Lartësuar): “Me të vërtetë, ata që thanë Zoti ynë është Allahu e pastaj qëndruan në këtë besim…” se janë ata që nuk ia hodhën vështrimin asnjë besimi tjetër veç tij (por u përqëndruan në të). Kësisoj, kur zemra drejtohet duke njohur Allahun, duke u frikësuar prej Tij, duke e madhëruar, duke e lartësuar, duke e dashur Atë, duke e synuar, duke shpresuar prej Tij, duke iu lutur, duke u mbështetur tek Ai dhe duke u larguar nga të tjerët veç Tij, drejtohen edhe të gjitha gjymtyrët në adhurimin e Allahut. Zemra është mbreti i gjymtyrëve dhe ato janë ushtarët e tij, prandaj kur mbreti është në rrugë të drejtë edhe ushtarët dhe populli i tij janë në rrugë të drejtë.”

Te dy Sahihet përcillet se Numan ibën Beshiri e ka dëgjuar Profetin, sal lall llahu alejhi ue sel lem, të thotë: “Me të vërtetë në trup është një copë mishi e cila kur rregullohet rregullohet me të i gjithë trupi, e kur ajo është e prishur prishet i gjithë trupi. Ajo është zemra.”

Ibën Kajimi në parathënien e librit “Igathetul lehfan min mesaidish shejtan” (Shpëtimi i të eturit prej kurtheve të shejtanit) thotë: “Përderisa zemra është për gjymtyrët si mbreti për ushtarët i cili mbretëron mbi ta dhe i përdor ashtu si dëshiron, të gjitha ato (gjymtyrët) janë nën pushtetin e tij dhe prej tij e marrin udhëzimin apo devijimin dhe e pasojnë atë në synimet apo lëshimet e tij. Ka thënë Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Me të vërtetë, në trup është një copë mishi e cila kur përmirësohet përmirësohet i gjithë trupi. Vini re, ajo është zemra.”
Ajo është mbreti i gjymtyrëve dhe ato zbatojnë urdhërat që ajo jep dhe pranojnë dhuratat që u dërgon. Asnjë punë e tyre nuk rregullohet dot pa marrë miratimin dhe vendimin e saj. Ajo (zemra) është përgjegjësja për të gjitha ato.

Allahu i Lartmadhëruar ka thënë: “Ditën kur nuk bën dobi as pasuria e as fëmijët, vetëm se ai që i vjen Allahut me zemër të pastër”. | Gafir: 88-89 |
Një nga duatë e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka qenë: “O Allah, unë të kërkoj zemër të pastër.”

Rregulli i katërt: Udhëzimi i drejtë që kërkohet prej njeriut është qëllimi i së vërtetës, e nëse s’mundet së paku t’i afrohet asaj.

Ka bashkuar Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, mes këtyre të dyjave në fjalën e tij: “Me të vërtetë feja është e lehtë dhe nuk do të përpiqet ta mundë dikush atë veçse ajo do ta mundë. Prandaj, përpiquni ta arrini të vërtetën (në fjalë dhe vepra) ose afrojuni asaj, dhe përgëzohuni.”
Pra, ajo që kërkohet në temën e istikames është qëllimi i së vërtetës dhe ajo realizohet duke zbatuar sunetin. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i tha Aliut: “Thuaj: O Allah, më udhëzo dhe më drejto. (Pastaj) Tha: Dhe kujto tek udhëzimi orientimin tënd në udhëtim dhe tek drejtimi rregullimin që i bën shigjetës (ashtu që me të ta godasësh gjahun tënd).”
Ajo që kërkohet nga robi është që ai të përpiqet me veten e tij për të arritur të vërtetën dhe udhëzimin e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe të ecë sipas tij. Të përpiqet me veten e tij për ta arritur këtë, e nëse nuk e arrin dot le të përpiqet t’i afrohet atij (sunetit sa të mundet). Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ecni vazhdimisht në rrugë të drejtë në atë rrugë që ju çon tek Allahu, dhe kërkojini falje Atij.” | Fussilet: 6 |
Përmendja e istigfarit (kërkimit të faljes prej Allahut) pas istikames tregon se robi patjetër do ketë mangësi sado të përpiqet të qëndrojë në rrugë të drejtë. Për këtë arsye, Hafidh ibën Rexhebi ka thënë: Dhe tek fjala e Tij: “Ecni vazhdimisht në rrugë të drejtë në atë rrugë që ju çon tek Allahu, dhe kërkojini falje Atij.” – aludohet për atë se do të ketë pashmangshëm mangësi në këtë përpjekje për të qëndruar në udhën e drejtë të Zotit për të cilën jemi urdhëruar. Atë mangësi e rregullon duke kërkuar falje prej Allahut, gjë që nënkupton patjetër pendim dhe kthim tek istikamja. Kjo është si fjala e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, drejtuar Muadhit: “Ji i devotshëm ndaj Allahut kudo që të jesh, dhe të keqen pasoje me të mirë e cila do ta fshijë atë.”

Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, na ka njoftuar se njerëzit nuk do kenë mundësi të drejtohen plotësisht në istikame, siç përcjell imam Ahmedi dhe Ibën Maxheh prej hadithit që e transmeton Theubani, se Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Drejtohuni dhe përqëndrohuni në rrugë të drejtë, e megjithatë nuk do t’ja arrini plotësisht. Dijeni se vepra juaj më e mirë është namazi, dhe nuk është i vazhdueshëm ndaj abdesit veçse një besimtar.”
Tek dy Sahihet përcillet nga Ebu Hurejrah se Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Përpiquni ta arrini të vërtetën ose afrojuni asaj.” Ta arrish të vërtetën është realiteti i istikames, dhe ajo është të thuash të drejtën dhe të veprosh e të synosh të mirën, njësoj si ai që gjuan drejt shënjestrës dhe e qëllon atë. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e urdhëroi Aliun që t’i kërkojë Allahut të Lartmadhëruar qëllimin e së vërtetës dhe udhëzimin. Ai i tha: “Dhe kujto tek udhëzimi orientimin tënd nëpër udhë, dhe tek drejtimi rregullimin që i bën shigjetës (ashtu që me të të godasësh gjahun tënd).”
Ndërsa afrimi është që të godasë afër shënjestrës nëse nuk e qëllon dot në qendër, me kusht që të këmbëngulë në synimin për ta goditur shënjestrën dhe afrimi i saj të jetë i paqëllimshëm. Për këtë tregon fjala e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tek hadithi i Hakem ibën Hazen el Kulfij: “O njerëz! Ju nuk do të bëni dot (apo s’keni mundësi të bëni) çdo gjë që unë ju urdhëroj, ndaj përpiquni ta arrini apo t’i afroheni të drejtës, dhe përgëzohuni.”
Kuptimi i kësaj është: Synoni ta arrini të vërtetën dhe të qëndroni në rrugë të drejtë vazhdimisht, sepse po t’i arrinit të gjitha punët do të kishin zbatuar të gjithë atë që u urdhërohet.

Vijon…

 

Autor: Abdurrazak ibën Abdulmuhsin el Bedr, Allahu e ruajt dhe na bëftë dobi me të.

Përktheu: Emin Bilali

Loading...