Dikush bën mëkate dhe thotë: “Besimi është në zemër”!

May 23, 2022

Dikush bën mëkate dhe thotë: “Besimi është në zemër”!

Këto fjalë shpesh shqiptohen dhe i dëgjojmë nga disa njerëz të paditur që gabojnë. Fjalët janë të vërteta por përdoren në mënyrë të gabuar, sepse ai që e thotë këtë përpiqet të justifikojë mëkatin që po bën. Ai pohon se besimi në zemër është i mjaftueshëm dhe nuk ka nevojë të bëhen vepra të mira apo të heqësh dorë nga veprimet e ndaluara. Ky është një gabim i dukshëm sepse besimi nuk është vetëm në zemër. Besimi, siç përkufizohet nga Ehli Suneti ue’l-Xhema’ah, është fjalë që thuhet me gojë, besim me zemër dhe veprim me anë të gjymtyrëve.

Imam el-Hasen el-Basri (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: Besimi nuk është shfaqje e jashtme apo dëshirë e mirë. Përkundrazi, besimi është diçka që vendoset në zemër dhe vërtetohet përmes veprimeve.

Kryerja e mëkateve dhe moskryerja e detyrimeve është tregues se nuk ka besim në zemër, ose besimi që ekziston aty është i mangët. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që besuat, mos e hani kamatën!” Al Imran 130.

“O ju që besuat, kini frikë Allahun dhe kërkoni mjetet për t’iu afruar Atij, dhe luftoni në rrugën e Tij që të shpëtoni.” El-Maide: 35.

“Ata [prej tyre] që besuan Allahun dhe Ditën e Fundit dhe bënë vepra të mira.” El-Maide: 69.

“Vërtet, ata që besuan dhe bënë vepra të mira.” El-Bekare: 277.

“Ata [prej tyre] që besuan Allahun dhe Ditën e Fundit dhe bënë vepra të mira.” El-Bekare: 52.

Pra, besimi nuk mund të quhet besim i plotë nëse nuk shoqërohet me zbatimin e detyrave dhe heqjen dorë nga të ndaluarat. Allahu i Lartësuar thotë: “Pasha kohën! Me të vërtetë njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën dhe i këshillojnë njëri-tjetrit durimin.” El-Asr: 1-3.

“O ju që besuat, bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit.” En-Nisa: 59.

“O ju që besuat, përgjigjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ai ju thërret në atë që u jep jetë.” El-Enfal: 24.

Nga kjo kuptojmë se nuk mjaftojnë vetëm veprimet fizike pa patur besim në zemër, sepse kjo është karakteristikë e hipokritëve të cilët do të jenë në nivelin më të ulët në zjarrin e xhehenemit.

Po ashtu, edhe besimi në zemër nuk është i mjaftueshëm pa u shoqëruar me fjalë dhe veprime fizike, përndryshe kjo do të ishte rruga e Murxhive prej Xhehmive dhe të tjerëve e cila është një rrugë e devijuar. Pra është thelbësore të kesh besim në zemër, fjalë në gojë dhe veprime fizike. Kryerja e mëkatit tregon se besimi i cili është në zemër është i dobët dhe i mangët, sepse besimi shtohet duke bërë ibadet dhe bindje (vepra të mira) dhe zvogëlohet me kryerjen e mëkatit.” (El Muntaka min Fetaua esh-Shejh el-Feuzan. 1/19).

Ndërsa hadithi: ​​“… Ai i shikon zemrat tuaja.” – që transmetohet në Sahih Muslim (2564) sqarohet me versionin që vijon: “Allahu nuk shikon fizionominë tuaj (të jashtme) dhe pasurinë tuaj, përkundrazi, Ai shikon zemrat dhe veprat tuaja.”

Pra është një tekst i cili tregon qartë se ajo që kërkohet është edhe korrigjimi i zemrës dhe korrigjimi i veprave të njeriut, dhe se njeriu është i urdhëruar t’i bëjë të dyja. Pra, nuk i lejohet muslimanit të dështojë në kryerjen e veprave të mira apo të bëjë vepra haram dhe pastaj të thotë se Allahu shikon vetëm në zemrat e njerëzve. Ai i shikon zemrat dhe veprat e tyre, ndërsa njeriu do t’ë japë llogari për atë që ka në zemër dhe për veprat që ai bën.

Allahu e di më së miri!

 

Përktheu: Fatjon Isufi

Dosje: , ,

Loading...