Disa shkelje që ndodhin gjatë marrjes së tejemumit – 5 –

May 17, 2025

19 – Disa njerëz kur prishin abdesin në vendin ku janë duke qëndruar pas namazit, çfarë bëjnë? Prekin me duart e tyre mbi qilimin ose sexhaden që ndodhet poshtë tyre, më pas marrin tejemum dhe falen bashkë me xhematin. Kjo ndodh zakonisht kur ka shumë ngjeshje njerëzish, siç ndodh në dy Haremet (Meke, Medine) ose në xhamitë e mëdha. Kjo ndodh gjithashtu edhe kur koha është e ftohtë, ndërkohë që personi e prish abdesin dhe tregohet dembel për të shkuar te vendet e abdesit për të marrë abdes me ujë. Ose ndodh kur bëhet ikameti i faljes dhe ky njeri mendon se arritja e faljes me xhemat përmes tejemumit është më me vlerë sesa të shkojë për të marrë abdes.

Për të gjitha rastet e përmendura më lart që ndodhin nga disa njerëz për shkak të padijes ose me qëllim të mirë, themi: Ai që e lë abdesin (pastrimin) me ujë ndërkohë që është në gjendje ta marrë dhe i drejtohet tejemumit, veprimi i tij nuk është i lejueshëm dhe falja e tij është e pavlefshme.

Kjo sepse Allahu i Lartësuar nuk e ka dhënë lejen për tejemum përveçse kur mungon uji ose pamundësohet përdorimi i tij. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që besuat! Kur të ngriheni për në namaz lani fytyrat dhe duart tuaja deri në bërryla, fërkoni kokat dhe (lani) këmbët tuaja deri te nyjet e këmbëve. E nëse jeni xhunub atëherë pastrohuni mirë. Por nëse jeni të sëmurë ose në udhëtim, ose dikush nga ju vjen prej nevojës (fizike), ose nëse keni prekur gratë dhe nuk gjeni ujë, atëherë merrni tejemum me dhe të pastër dhe fërkoni me të fytyrat dhe duart tuaja.” | El Maide: 6.

Pra, domethënia e ajetit është e qartë se tejemumi nuk është i lejuar kur ekziston uji.

Shejhul Islam Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

“Muslimanët janë unanim në mendimin se; kur nuk gjendet uji gjatë udhëtimit, atëherë personi merr tejemum dhe falet derisa të gjejë ujë. E kur ta gjejë ujin, atëherë është i detyruar ta përdorë atë.”

 

Autor: Dr. Abdul Aziz es Sed’han

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje: ,

Loading...