Allahu i Madhëruar thotë: “O besimtarë! Kur të ngriheni për të falur namaz[1] lani fytyrën dhe duart deri në bërryla, fërkoni kokën me dorë të lagët dhe lani këmbët deri në nyje.[2] E nëse jeni të papastër (xhunub)[3] pastrohuni (duke u larë krejtësisht)! Në qoftë se jeni të sëmurë ose gjendeni në udhëtim, ose ndonjëri nga ju vjen pas kryerjes së nevojës natyrore, ose nëse keni pasur marrëdhënie me bashkëshortet e nuk gjeni ujë, atëherë synoni diçka të sheshtë e të pastër që gjendet mbi tokë dhe fërkoni fytyrat e duart me të.[4] Allahu nuk dëshiron t’ju ngarkojë ndonjë vështirësi, por dëshiron t’ju pastrojë dhe t’i plotësojë dhuntitë e Tij ndaj jush që të jeni falënderues (të Tij).” | El Maide: 6.
Shejh Ibën Uthejmini ka thënë: Nga ajeti përfitohet:
1. Vlera dhe mirësia e besimit, ngase Allahu i Lartësuar i thërret besimtarët me të.
2. Prej detyrave të besimit është dhe përmbushja e bindjes ndaj Allahut, duke kryer urdhëresat e Tij dhe largimi nga ndalesat e Tij.
3. Obligueshmëria e pastrimit për kryerjen e namazit nga papastërtia e vogël dhe e madhe me ujë ose me tejemum, kur personi është i justifikuar për mospërdorimin e ujit.
4. Obligueshmëria e larjes së fytyrës dhe duarve deri në bërryla, dhënia mes’h kokës dhe larja e këmbëve deri tek nyjet nga papastërtia e vogël.
5. Obligueshmëria e radhitjes gjatë pastrimit të gjymtyrëve. Pra, së pari fillohet me fytyrën, pastaj larjen e duarve, pastaj kokën e pastaj këmbët.
6. Obligueshmëria e larjes së gjithë trupit nga papastërtia e madhe/xhunubllëku.
7. Obligueshmëria e marrjes tejemum kur personi është i arsyetuar për mospërdorimin e ujit për shkak të sëmundjes, udhëtimit apo të mosgjetjes së ujit.
8. Obligueshmëria e dhënies mes’h fytyrës dhe duarve gjatë tejemumit nga papastërtia e vogël apo nga e madhja/xhunubllëku.
9. Tejemumi është pastrues dhe largues i papastërtisë derisa personi të ketë mundësi të përdorë ujin, qoftë kjo me gjetjen e tij (ujit) apo largimin e arsyes që pengon përdorimin e tij. Nëse personi bëhet xhunub dhe nuk ka ujë ai merr tejemum dhe falet, dhe në momentin që gjen ujë ai merr gusul. Nëse bëhet xhunub duke qenë i sëmurë dhe marrja gusul e dëmton atë, ai merr tejemum, dhe në momentin që shërohet lahet.
10. Urina dhe nevoja fiziologjike e prishin abdesin, qoftë e pakët apo e shumtë. Po ashtu (e prish abdesin) çdo gjë që del nga para dhe mbrapa.
11. Tejemumi nuk është ligjësuar për gjëra të tjera. Personi nuk merr tejemum për shkak të papastërtisë, qoftë ajo (papastërtia) në trupin apo në rrobën e tij, apo në vendin e faljes së tij.
12. Allahu i Lartësuar nuk dëshiron të na rëndojë me urdhërin e Tij që të pastrohemi, por dëshiron të na pastrojë dhe të plotësojë mirësitë e Tij ndaj nesh.
13. Lejimi i falënderimit të Allahut për ato gjëra me të cilat na ka urdhëruar nga urdhëresat e fesë, ngase ato janë në të mirën tonë dhe plotësim i mirësive të Tij ndaj nesh. Assesi ato nuk janë për të na vënë në vështirësi apo të na ngushtojnë.
14. Me të vërtetë feja nuk përmban vështirësi në urdhëresat dhe detyrat e saj.
Marrë nga libri: “El ilmam bi beada ajatil ahkam tefsiran uestinbatan”.
Përktheu: Unejs Sheme
——————————————-
[1] Kur të ngriheni për të falur namaz të detyrueshëm (pesë namazet e ditës dhe natës), namaz vullnetar apo namazin e xhenazes duke qenë se nuk e keni pastërtinë e vogël (abdesin) por keni vetëm të madhen (guslin), atëherë merrni abdes në mënyrën e përshkruar në vijim të ajetit.
[2] Ajeti rendit pjesët e trupit që duhen larë gjatë pastrimit të posaçëm (abdes) për të falur namaz, kurse tradita profetike sqaron në hollësi mënyrën e marrjes së abdesit; duke filluar me larjen e duarve së pari, pastaj me shpëlarjen e gojës dhe të hundës të cilat përfshihen në fytyrë, pastaj me larjen e fytyrës, pastaj me larjen e parakrahëve deri në bërryla duke filluar me të djathtin, të gjitha këto duke i larë nga tre herë. Pastaj fërkon kokën me njërën ose me të dyja duart e lagura, dhe në fund lan këmbët deri në kyçe duke filluar me larjen e këmbës së djathtë pastaj të së majtës.
[3] Është fjala për papastërtinë e madhe, xhunubllëkun, gjendjen e njeriut pas marrëdhënieve intime apo pas daljes së spermës në çdo mënyrë që të ndodhë, zgjuar apo në gjumë.
[4] Nga mëshira e Allahut për robërit e Tij, Ai ua ka lehtësuar praktikimin e fesë dhe kryerjen e obligimeve të tyre fetare. Kjo vërehet edhe në këtë ajet ku Allahu u lejon besimtarëve të përdorin dheun e pastër për pastrim simbolik në vend të larjes së trupit (guslit) dhe abdesit, kur ngrihen për t’u falur dhe nuk gjejnë ujë për t’u pastruar. Ky pastrim simbolik quhet “tejemum” dhe bëhet thjesht duke fërkuar shuplakat e duarve mbi dhe të pastër, pastaj me to fërkohet fytyra dhe pastaj duart me njëra-tjetrën deri në kyçe. Marrja e tejemumit në vend të guslit apo abdesit lejohet vetëm në rast sëmundje gjatë së cilës përdorimi i ujit do e përkeqësonte atë, si dhe në rast se gjendesh në udhëtim dhe nuk gjen ujë apo uji që të ndodhet është i mjaftueshëm vetëm për të pirë gjatë udhëtimit.
Dosje: Kurani
Të Ngjashme
- Dobitë e dhikrit të mëngjesit dhe të mbrëmjes Udha e Besimtarëve
- Një dijetar si Ibn Tejmije Udha e Besimtarëve
- Rregull i pandryshueshëm: Çdo gjë që përdoret për të kundërshtuar Allahun, ajo ka për tu prishur. Udha e Besimtarëve
- Rreziku i lidhjes mbas dynjasë dhe harresa e botës tjetër Emin Bilali
- Statusi dhe vlera e fikhut në Islam Udha e Besimtarëve