Domethënia e Asketizmit

May 6, 2023

Asketizëm në origjinë dmth diçka e pakët. Në fjalor gjejmë: “Zehide” u largua prej dynjasë, për shkak të përçmimit ndaj saj, e la të lejuarën e saj nga frika prej llogarisë dhe e la të ndaluarën e saj nga frika prej dënimit.

Kanë thënë: Asketizëm është: të lësh këtë botë dhe të lejuarat e saj, dhe t’i përkushtohesh botës tjetër. Por kjo s’është e saktë, sepse shokët e Profetit صلى الله عليه وسلم ishin zotërinjtë e asketëve dhe nuk u larguan prej kësaj jete.

Përkufizimi më i saktë për asketizmin është ai që i ka bërë Ibn Tejmijeh – Allahu e mëshiroftë – i cili ka thënë: “Asketizëm është të braktisësh atë që s’të bën dobi në Botën Tjetër”

Kësisoj angazhimi me diçka prej të lejuarave të kësaj jete nuk bie ndesh me asketizmin, dhe kështu kanë jetuar sahabët. Madje lejimi për këtë ka ardhur edhe nga Profeti صلى الله عليه وسلم kur i tha Handhales: Një çast kështu (me Akhiretin dhe punën për të) e një çast kështu (me dynjanë dhe punën në të).”

Kuptimin e zuhdit e plotëson fjala e tyre: “Të jesh më i sigurtë në atë që është në dorë të Allahut se sa në atë që ke në dorën tënde” dmth, ke siguri dhe besim në premtimin që u ka dhënë Allahu i Lartësuar robërve të Tij të zgjedhur se do t’i ndihmojë, do t’i furnizojë, e do tu japë rrugëzgjidhje e jetë të mirë në të dyja botët. Kjo për shkak të mendimit të mirë dhe mbështetjes tek Zoti.

Kjo është edhe porosia e Allahut në Kuran ku thotë: “E me atë që të ka dhënë Allahu përpiqu të fitosh jetën tjetër, e mos e harro edhe pjesën tënde nga kjo botë” (Kasas: 77) për sa kohë që këtë e bën pa shfrenim, e pa luks të tepruar që ta merr mendjen e të bën të harrosh synimin final.

Sepse angazhimi i tepërt me të lejuarat e kësaj bote bie ndesh me asketizmin. E këto i përmbledh fjala e Allahut të Madhëruar që thotë: “E ti mos ia ngul sytë asaj me të cilën i kemi furnizuar disa prej tyre, prej bukurive të kësaj bote, që t’i sprovojmë me të, e furnizimi i Zotit tënd është më i mirë dhe që mbetet përgjithmonë.” (Taha : 131).

Realiteti ka treguar se dynjaja i ka shpërqëndruar shumë njerëz, e kanë rënë në sprovën e saj, kanë harruar Allahun dhe takimin me Të, e vdekjen dhe përgatitjen për çka vjen pas saj me vepra të mira.

Kështu, nëse njeriu ia ngul sytë bukurive të kësaj bote kjo do të bëjë që zemra e tij të lidhet me të, e kjo bie ndesh me asketizmin.

E kanë pyetur imam Ahmedin – Allahu e mëshiroftë – : A mund të jetë asket i pasuri? – ka thënë: Po, nëse arrin që të mos lumturohet kur t’i shtohet dynjaja, e as të mos pikëllohet kur t’i pakësohet.”

Asketizëm është që të mos ngresh kokën me dynja përpara njerëzve, kur të kesh dynjanë në dorë mos të bëhet shkak ajo që të krenoheh me të para njerëzve. Nëse njeriu krenohet me atë që e do Allahu përpara njerëzve – dmth me adhurime – është i qortuar, dhe kjo ia shkatërron punët, ç’mund të thuash nëse ai krenohet me diçka që është e nënçmuar tek Allahu, dmth me dynjanë?!

Asketi është ai që vepron atë që do Allahu dhe që i bën dobi në botën tjetër, dhe nuk interesohet për njerëzit a janë të kënaqur me të apo hidhërohen, a e lavdërojnë apo e shajnë.

Emin Bilali

 

Loading...