Lutja e mbylljes së tubimeve

April 10, 2017

Ebu Hurejra – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – përcjell se i dërguari i Allahut – alejhi salatu ues selam – ka thënë: “Cilido që ulet në një mexhlis (tubim) dhe aty shtohen fjalët e kota, dhe para se të largohet nga ai mexhlis thotë: I Lartësuar qofsh o Allahu im, Ty të takon falenderimi! Dëshmoj se nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Teje! Kërkoj faljen Tënde dhe tek Ti pendohem! Këtij njeriu do t’i shlyhet ajo që ka folur në këtë mexhlis.” E saktëson Albani tek Tirmidhiu.

Ibën Rexhebi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: I Dërguari i Allahut alejhi salatu ues selam i mbyllte mexhliset e tij duke thënë duanë e mbylljes së mexhlisit, dhe urdhëroi që këto mexhlise të mbyllen me këtë lutje. Ai lajmëroi se nëse në mexhlis janë përdorur fjalë të kota atëherë kjo lutje i shlyen ato, dhe ky kuptim është transmetuar nga shumë prej sahabëve. “Fet’h el Bari” 3/345.

Shejh ibën Uthejmini ka thënë: Prej etikës së mexhliseve është se kur dikush ulet dhe aty shtohen fjalët e kota (boshe), ajo që i shlyen ato është duaja: “I Lartësuar qofsh o Allahu im, Ty të takon falenderimi! Dëshmoj se nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Teje! Kërkoj faljen Tënde dhe tek Ti pendohem!”

Këtë lutje duhet ta thotë para se të largohet nga mexhlisi. Nëse e thotë atëherë i shlyhen ato fjalë të kota që ka folur. Nisur nga kjo, pëlqehet që në mexhliset ku janë shtuar fjalët e kota të mbyllen me këtë dua.

Më poshtë shejhu thotë: Është rast i rrallë të gjesh mexhlise ku të mos përdoren fjalët boshe të pa dobishme, apo të mos ketë humbje kohe. Prandaj, pëlqehet praktikimi i kësaj duaje me qëllim që të jetë shlyrje për atë që thotë në ato mexhlise. Komenti i “Rijad es Salihin” 4/358, 360.

Përktheu: Fatjon Isufi

Dosje: ,

Loading...