Ibn Kajjim el-Xheuzije – Allahu e mëshiroftë – në veprën e tij “ʿUddetu es-Sabirin” shkruan:
Shpirti njerëzor është i pajisur me dy forca themelore:
1- Forcën e guximit për të vepruar.
2- Forcën e përmbajtjes (frenimit nga veprimi).
Thelbi i durimit qëndron në përdorimin e mençur të këtyre dy forcave:
pra kur forcën e guximit e orienton drejt asaj që i sjell dobi dhe mirësi,
dhe forcën e përmbajtjes e vë në shërbim të shmangies nga ajo që është e dëmshme dhe e ndaluar.
Njerëzit në këtë aspekt ndahen në kategori të ndryshme:
Disa kanë durim të fortë për të kryer vepra të dobishme dhe bindje, dhe qëndrueshmëria e tyre është më e fortë se durimi për t’u përmbajtur nga tundimi i epshit dhe kryerja e ndalesave.
Pra, ai i duron vështirësitë e bindjes, por nuk i reziston epshit dhe mëkatit kur ai i servohet.
Të tjerë janë më të fortë në durimin për t’u përmbajtur nga shkeljet dhe ndalesat, por nuk kanë forcë të duhur për të përballuar lodhjen dhe mundimin e bindjeve dhe adhurimeve.
E disa nuk kanë durim as për këtë e as për atë.
Ndërsa më i virtytshmi dhe më i miri ndër ta është ai që bashkon durimin në të dyja anët:
që është i qëndrueshëm në bindje dhe në përmbajtje, njëkohësisht.
🔸 Shembuj konkretë:
Shumë njerëz durojnë me këmbëngulje e përkushtim faljen e namazit të natës në të ftohtë apo vapë, dhe agjërimin e ditëve të gjata, por nuk e përmbajnë dot veten nga një shikim i ndaluar!
E ka të tjerë që i shmangen me sukses shikimeve të ndaluara e ndjeshmërisë ndaj imazheve,
por janë të paaftë dhe të pafuqishëm kur vjen fjala për të urdhëruar të mirën, ndaluar të keqen, apo për të luftuar kundër armiqve të fesë dhe hipokritëve.
Në këtë aspekt, ata janë ndër më të dobëtit dhe më të pafuqishmit.
Ndërsa shumica nuk kanë durim për asnjërin nga këta dy aspekte: as për të vepruar me bindje, e as për t’u përmbajtur nga mëkati. Të paktë janë ata që gërshetojnë me sukses të dy llojet e durimit.
Përshtati: Fatjon Isufi
Të Ngjashme
- Shpjegimi i librit “Mburoja e Muslimanit” – 3 – Udha e Besimtarëve
- Shpjegimi i librit “Mburoja e muslimanit” – 2 – Udha e Besimtarëve
- Shpjegimi i librit “Mburoja e muslimanit” – 1 – Udha e Besimtarëve
- Komenti i librit “Sëmundja dhe ilaçi” – 5 – Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Komenti i librit “Sëmundja dhe ilaçi” – 4 – Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër