Dyert e mirësisë (1)

March 22, 2015

Lavdëruar qoftë Allahu, ngaherë e përgjithmonë, e s’ka dyshim se Ai është i lavdëruar.

Të Tij janë cilësitë më të përsosura, të cilat janë aq të madhërishme saqë skanë të krahasuar.

Atij i takon falënderimi dhe lavdia, si në këtë botë ashtu edhe në amshim!

Te Zoti ynë do të jetë kthimi i gjithçkaje, e për këtë s’ka dyshim.

Allahu i Madhëruar, prej bujarisë dhe mëshirës së Tij ndaj robëve të Tij besimtarë, u caktoi atyre disa vepra, të cilat nëse ata i veprojnë, do t’u bëjnë dobi në këtë botë e do të jenë shkak për vijueshmërinë e sevapeve (shpërblimeve) për ta, edhe pasi të kenë ndërruar jetë e të jenë vendosur në varret e tyre.

Banorët e varrezave, nga kjo botë janë larguar, nga punët janë penguar dhe nga sevapet janë privuar, ndërsa kjo kategori fatlume, nga ky rregull janë përjashtuar.

Ata edhe pse kanë vdekur, e njerëzit i kanë harruar, shpërblimi i tyre për disa vepra që i kanë punuar, u vazhdon pa rreshtur e pa mbaruar. Këta fatlumë, edhe pse nga bota e punës (dynjaja) janë larguar, shpërblimet për ta vazhdojnë e nderimi dhe sevapet nuk shterojnë.

Gradat e tyre te Zoti i gjithësisë lartësohen, ndërsa të mirat e tyre shtohen e mes njerëzve ato kujtohen.

Eh, sa pozitë e lartë është kjo, dhe sa e dëshiruar!

Ajo është garanci për një përfundim të mirë e të nderuar, për të fituar kënaqësinë e Zotit të Madhëruar dhe Xhenetin e Tij të begatuar e të praruar.

O ju që keni besuar!

A e dini se cilat janë këto vepra të mira, shpërblimi i të cilave vazhdon edhe pas vdekjes, kur njeriu të jetë vendosur në varrin e tij?

I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!), na ka treguar se cilat janë ato, ashtu siç gjendet në hadithin e saktë në vijim:

 

عَنْ أَنَسٍ، قَالَ:

قَالَ رَسُولُ اللهِ -صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ : سَبْعٌ يَجْرِي لِلْعَبْدِ أَجْرُهُنَّ مِنْ بَعْدِ مَوْتِهِ وَهُوَ فِي قَبْرِهِ: مَنْ عَلَّمَ عِلْمًا، أَوْ كَرَى نَهَرًا، أَوْ حَفَرَ بِئْرًا، أَوْ غَرَسَ نَخْلًا، أَوْ بَنَى مَسْجِدًا، أَوْ وَرَّثَ مُصْحَفًا، أَوْ تَرَكَ وَلَدًا يَسْتَغْفِرُ لَهُ بَعْدَ مَوْتِهِ .

 

Nga sahabiu i nderuar Enes ibën Malik (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), transmetohet se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!), ka thënë:

“Janë shtatë vepra, shpërblimi i të cilave i vazhdon njeriut në varrin e tij, pas vdekjes së tij: Lënia trashëgimi e diturisë së dobishme (t’ju lësh njerëzve dituri nga e cila do të përfitojnë), t’u mundësosh të përfitojnë nga uji i një lumi (hapja e një vije që të kalojë uji), hapja e një pusi (apo burimi), mbjellja e një palme (hurme arabe, apo e çdo peme tjetër të dobishme), ndërtimi i një xhamie, dhurimi i një Mus’hafi (Kurani), si dhe të lësh pas, fëmijë të edukuar, të cilët luten dhe kërkojnë falje për ty pas vdekjes tënde.”[1]

Vëlla i nderuar!

Medito rreth këtyre veprave dhe mos harro se cilat janë ato, si dhe përpiqu sa të mundesh që të kesh edhe ti hisen (pjesën) tënde prej tyre, në mënyrë që të jesh prej fatlumëve, të cilët shpërblehen me sevape nga Zoti i tyre, edhe pasi të jenë larguar përfundimisht nga kjo botë provizore.

Nxito të veprosh prej tyre atë që ke mundësi ta kryesh, e mos vono, pasi vitet ikin njëri pas tjetrit e jeta mbaron. E s’ka dyshim se çfarëdo të mire që e depoziton njeriu për veten e tij, atë do ta gjejë te Allahu, ashtu siç ka premtuar në Kuranin e madhërishëm:

 

وَمَا تُقَدِّمُوا لِأَنفُسِكُم مِّنْ خَيْرٍ تَجِدُوهُ عِندَ اللَّهِ

“…Çfarëdo të mirë që bëni për veten tuaj, do ta gjeni tek Allahu” {El Bekare: 110}

 

فَمَن يَعْمَلْ مِثْقَالَ ذَرَّةٍ خَيْرًا يَرَهُ

“… Kush punon një të mirë sa grimca, atë do ta gjejë” {Ez Zelzele: 7}

 

اللَّهَ لَا يُضِيعُ أَجْرَ الْمُحْسِنِينَ (90)

“S’ka dyshim, Allahu nuk ia humb shpërblimin punëmirëve”. {Jusuf : 90}

Dijeni se ajo që gjendet në duart tuaja do të mbarojë e do të zhduket një ditë, ndërsa ajo që gjendet te Allahu, as nuk mbaron e as nuk pakësohet.

 

O ju që keni besuar!

Le t’i sqarojmë këto vepra të mira një e nga një, ashtu që të njihemi më mirë me secilën prej tyre.

 

E para: Lënia trashëgimi e diturisë së dobishme. Pra, t’ju lësh njerëzve dituri nga e cila do të përfitojnë pasi t’i të kesh vdekur.

Me ‘dituri të dobishme’ këtu, është për qëllim dituria fetare e cila i afron njerëzit me fenë dhe besimin, si dhe i njeh ata me Zotin e tyre, të Vetmin i Cili e meriton adhurimin.

Është për qëllim dituria e cila i udhëzon njerëzit në ‘Rrugën e drejtë’, ajo dituri me anë të së cilës dallohet e vërteta nga e kota, udhëzimi nga devijimi dhe hallalli nga harami.

Këtu vihet në dukje vlera dhe pozita e nderuar e dijetarëve dhe hoxhallarëve, të cilët këshillojnë për atë që është më e mira.

Ata janë pishtarë me të cilët gjendet udha e drejtë dhe fanar ndriçues me anë të të cilëve orientohen njerëzit. Ata janë ruajtësit e amanetit dhe janë burim i pashtershëm i diturisë dhe urtësisë. Jeta e tyre është mëshirë dhe begati për njerëzit, ndërsa vdekja e tyre është fatkeqësi dhe tragjedi për ta!

Ata e mësojnë injorantin, e këshillojnë të papërgjegjshmin, e zgjojnë të fjeturin dhe ja tërheqin vëmendjen të shkujdesurit. Prej tyre kurrë s’vjen e keqja e as mjerimi, por vetëm udhëzimi dhe shpëtimi.

Kur ndonjëri prej dijetarëve ndërron jetë, dituria e tij mbetet mes njerëzve dhe trashëgohet brez pas brezi.

Librat që ata kanë shkruar dhe dituria që kanë lënë pas, mbetet mes njerëzve dhe përfitojnë prej saj gjeneratat që vijnë. Për të gjitha këto, ata shpërblehen në varrin e tyre, për aq kohë sa njerëzit vazhdojnë të kenë dobi prej tyre.

Në të shkuarën thuhej: “Vdes dijetari, por libri i tij mbetet”, ndërsa sot, jo vetëm libri, por edhe zëri i tij mbetet, i regjistruar e i shumëfishuar, madje edhe figura ndonjëherë. Në këtë mënyrë, është ruajtur një pjesë e mirë e diturisë së tyre. Ato shumëfishohen dhe përkthehen në gjuhë të ndryshme anë e mbanë globit. Në këtë mënyrë, përfitojnë nga dituria e tyre edhe ata njerëz të cilët s’kanë qenë bashkëkohës të tyre.

Cilido që kontribuon për shpërndarjen e mësimeve dhe diturisë së tyre, duke i botuar librat e dijetarëve dhe duke shpërndarë diturinë e tyre, do ketë hisen (pjesën) e tij të shpërblimit dhe sevapeve.

E dyta: T’u mundësosh (njerëzve) të përfitojnë nga uji i një lumi (apo përroi). 

Me këtë është për qëllim hapja e një kanali në të cilin do të kalojë uji dhe do të përfitojnë njerëzit, duke ujitur të mbjellat e duke u bërë të mundur bagëtive të tyre të pijnë prej tij.

Eh, sa dobi dhe përfitim për njerëzit ka në këtë punë fisnike e tepër bamirëse!

Uji është baza e jetës, dhe nevoja për të është e patjetërsueshme, e sidomos në vendet e thata ku ndjehet mungesa e tij. Shpërblimin e kësaj punë të mirë, e përfitojnë edhe ata të cilët shtrijnë tubacione për kalimin e ujit nga ndonjë rezervuar, lum apo përrua, e po ashtu edhe ata të cilët vendosin depozita apo çezma në vendet publike, në mënyrë që ato t’u bëjnë dobi njerëzve.

 

E treta: Hapja e një pusi (apo burimi). Kjo vepër e mirë, është e së njëjtës natyrë me atë që përmendëm.

 

Në hadithin e saktë, transmetohet se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!), ka thënë:

“Dikë, i cili ishte në udhëtim e kishte kapluar etja. Ai arriti te një bunar (pus), zbriti në brendësi të tij dhe piu ujë. Kur doli nga bunari, pa një qen i cili për shkak të etjes së madhe, kishte nxjerrë gjuhën e po lëpinte pluhur. Atëherë njeriu tha: ‘Edhe këtë qen e paska kapluar etja njësoj si mua’. Atëherë ai zbriti përsëri në bunar, hoqi këpucën e tij dhe e mbushi me ujë, pastaj e kapi me dhëmbë, u ngjit nga bunari e i dha ujë qenit.

Allahu i Madhëruar, për këtë vepër të tij, e falënderoi dhe ia fali mëkatet.”
Të pranishmit e pyetën:” O i Dërguari i Allahut, a kemi shpërblim edhe kur u japim ujë kafshëve?” Ai u përgjigj: “Për çdo krijesë të gjallë keni shpërblim, (kur i jepni ujë, kur e ushqeni dhe kur silleni mire me to).”[2]

Kështu pra, Allahu i Madhëruar e falënderoi dhe ia fali mëkatet atij njeriu, sepse ai i dha ujë për të pirë një qeni të etur. Si do të ishte puna me atë njeri i cili e hap një pus apo një burim, dhe bëhet shkak që të shuhet etja e kushedi se sa njerëzve dhe kafshëve?! Natyrisht që puna e tij është për t’u pasur zili, për t’u admiruar e për t’u përgëzuar.

Mos kurseni ndaj vetes suaj, të gjithë ju që keni mundësinë për ta bërë bërë një vepër të tillë, pasi shpërblimi është vërtetë shumë i madh, pa harruar faktin, se është gjithashtu prej punëve, shpërblimi i të cilave i vazhdon njeriut edhe pas vdekjes së tij.

 

E katërta: Mbjellja e një palme (hurme arabe). S’ka dyshim se kjo përfshin çdo pemë tjetër të dobishme, siç është ulliri, fiku, shega, limoni etj.

 

Profeti (paqja qoftë mbi të!), ka përmendur hurmën arabe, pasi ajo konsiderohet mbretëresha e bimëve, si nga funksioni dhe roli që kryen në pastrimin e ajrit, ashtu dhe për nga paraqitja. Ajo jeton gjatë, u reziston ndryshimeve klimaterike gjatë vitit dhe prodhon fruta të shumta dhe dobiprurëse.

Gjatë një tubimi, i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) u tha shokëve të tij të pranishëm: ”Shembulli i besimtarit, është si shembulli i një peme, të cilës nuk i bien gjethet.”

Ndërsa në transmetimin e imam Muslimit, tregohet se Abdullah ibën Umeri, ka thënë: një ditë, i Dërguari i Zotit u tha shokëve të tij: ”Më tregoni një pemë, e cila është e ngjashme me besimtarin!”

Të gjithë të pranishmit filluan të përmendin emrat e pemëve që gjendeshin nëpër shkretëtira dhe lugina.

Abdullah ibnu Umer (i cili ishte djalë i vogël në atë kohë) tregon: ”Në atë çast ma diktoi zemra se ajo pemë është palma (hurma arabe). Unë u mata disa herë ta them, por prezenca dhe autoriteti i shokëve të (mëdhenj të)  Profetit, më bëri me turp. Kur të gjithë heshtën dhe nuk e gjetën dot, i Dërguari i Zotit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – tha: ”Ajo pemë është hurma arabe.”

Pra është përmendur mbjellja e kësaj peme, pasi frutat e saj janë të konsumueshme në çdo kohë dhe stinë. Ato mund të thahen dhe të përpunohen në shumë forma, duke i bërë të dobishme për njerëzit.

Ato kanë qenë ushqimi më i preferuar i udhëtarëve dhe zahireja (furnizimi) më e dashur për dimër. Frutat e hurmës arabe e ruajnë shijen dhe nuk kalben kollaj. Prej frutave të saj përfitonin njëkohësisht, si të varfërit, të cilët e përdornin atë në vend të ushqimit, ashtu edhe të pasurit, të cilët e konsumonin si ëmbëlsirë. Poeti arab Ahmed Sheuki, për frutat e hurmës arabe, thoshte:

Ato janë ushqimi i fukarait, ëmbëlsira e të pasurit

dhe furnizimi i mërgimtarit dhe udhëtarit.

Cilido që e mbjell një hurmë arabe, apo çfarëdo peme tjetër të dobishme, do të ketë shpërblim tek Zoti, për çdo kokërr nga e cila do të përfitojnë njerëzit, sa të jetë ajo pemë.

Prandaj paraardhësit tanë nuk hezitonin të mbillnin pemë, frutet e të cilave i përfituan brezat që erdhën pas tyre. Ata e kanë ditur se kjo është mënyrë e mirë për t’u shpërblyer te Zoti i gjithësisë, si dhe për të fituar bekimet dhe lutjet e njerëzve.

I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!), ka thënë:

”Çdo pemë apo bimë që e mbjell muslimani, nga e cila ushqehet ndonjë shpend, njeri, apo kafshë, do t’i llogaritet atij sadaka (çdo gjë që është ngrënë prej saj).”[3]

vijon…

Autor: Shejhu i nderuar  Dr. Abdurrazak bin Abdulmuhsin El BEDËR

Përshtati në gjuhën shqipe: Edmond AJDINI

 

[1] El Albani (Allahu e mëshiroftë!), në librin e tij “Sahihul xhamiu” me nr 3596, e ka vlerësuar si hadith hasen.

[2] E transmetojnë: Buhariu dhe Muslimi.

[3] E transmeton Muslimi.

Loading...