E pesta: Ndërtimi i një xhamie.
Xhamitë janë vendet më të dashura tek Allahu, ashtu siç na ka treguar për këtë i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!), i cili thotë: “Vendet më të dashura tek Allahu janë xhamitë.”[1]
Nëse ndërtohet një xhami e në të falet namazi, lexohet Kur’ani, përmendet emri i Allahut të Madhëruar, përhapet dituria e dobishme, tubohen muslimanët, e shumë të tjera prej punëve të mira e të lavdëruara, për të gjitha këto do të ketë shpërblim ai që e ndërtoi këtë xhami, e nuk do t’i ndërpritet ai shpërblim, as pas vdekjes së tij.
Transmetohet në një hadith se Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kush e ndërton një xhami, në të cilën përmendet Allahu i Madhëruar, Allahu do t’ia ndërtojë atij një shtëpi në Xhenet.”[2]
E gjashta: Dhurimi i një Mus’hafi (Kurani), apo lënia vakëf në xhami apo në bibliotekë.
Kjo bëhet duke kontribuar për botimin e Kuranit, apo ta blesh atë dhe ta lësh dhuratë në xhami, apo në bibliotekë, apo t’ia dhurosh dikujt i cili e lexon atë.
Çdo herë që të lexohet ai Kuran dhe sa herë që dikush mediton rreth ajeteve të tij dhe ndjek këshillat e tij, shpërblimet për atë i cili e dhuroi atë janë të vazhdueshme, edhe nëse ai ka vdekur prej kohësh dhe është harruar nga njerëzit.
Vëllezër besimtarë!
Ndoshta xhami nuk ndërtojmë dot, pasi ka njerëz që përpiqen për dekada me rradhë e nuk ndërtojnë dot një shtëpi ku të strehoet ai dhe familja e tij, mirëpo dhurimi i një Kurani, apo i një libri të dobishëm nuk kushton shumë.
Blije një Kuran dhe lërë në xhami si vakëf apo dhuratë, pasi kështu do të shpërblehesh sa herë që dikush do ta lexojë atë.
Njeriu përpiqet të gjejë mënyra se si ta shtojë pasurinë e tij me sa më pak lodhje, pse të mos mendojmë gjithashtu sesi të shtojmë sevapet tona, e sidomos në ato vepra të cilat na garantojnë shpërblim dhe nderim edhe pas vdekjes.
E shtata: Të lësh pas vetes fëmijë të edukuar, të cilët luten dhe kërkojnë falje për ty pas vdekjes tënde.
Fëmija është amanet nga Allahu për prindërit e tij. Edukimi i mirë i fëmijës është një sfidë e vështirë që kërkon përpjekje të vazhdueshme.
Prindi duhet të bëjë ç’është e mundur që ta edukojë fëmijën e tij në mënyrën më të mirë. Përveç arsimimit të duhur, prindi duhet të përpiqet që të kultivojë te fëmija, vlerat e moralit të mirë e fisnik, si dhe ndjenjën e besimit dhe mbikëqyrjes së Zotit.
Vetëm në këtë mënyrë, ata do të jenë fëmijë të mbarë e respektues ndaj prindërve. Këta janë fëmijët që luten e kërkojnë falje për prindërit e tyre, si kur i kanë gjallë ata, ashtu edhe kur t’u kenë vdekur e të jenë larguar nga kjo botë.
Dije o rob i Allahut, se të rrisësh një fëmijë të mirë, të mbarë, të edukuar e të mirë-arsimuar është një fitore e madhe, e cila jo vetëm të zbardh faqen në mesin e njerëzve, por bëhet shkak që të shpërblehesh me sevape edhe pas vdekjes.
Hadithe të tjera të ngjashme
Janë disa hadithe të sakta të cilat janë të ngjashme me hadithin që shpjeguam. Nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), transmetohet se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!), ka thënë:
“Prej veprave të mira, shpërblimi i të cilave nuk i ndërpritet njeriut, edhe pas vdekjes së tij, janë: ‘Lënia pas vetes e diturisë së dobishme, të cilën ua ka mësuar njerëzve dhe e ka shpërndarë mes tyre, lënia pas e një fëmije të mbarë, lënia trashëgimi e një Mus’hafi (Kurani), një xhami të cilën e ka ndërtuar, ndërtimi i një banese për dikë i cili ka mbetur mes katër rrugëve, hapja e një kanali që të kalojë uji, si dhe një sadaka (kontribut financiar) të cilën e ka dhënë sa ishte gjallë dhe i shëndetshëm, shpërblimin e së cilës e përfiton pasi të ketë ndërruar jetë.”[3]
Ahmedi dhe Et Taberani, transmetojnë nga sahabiu i nderuar Ebu Umameh se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!), ka thënë:
“Janë katër vepra, shpërblimi i të cilave i vazhdon njeriut në varrin e tij, pas vdekjes së tij. I tillë është shpërblimi i atij njeriu i cili vdes në rrugë të Allahut duke qenë në llogore (apo në kufi, në mbrojtje nga agresioni i armikut). Ndër ato vepra është edhe t’u mësosh njerëzve dituri fetare, e sa herë që ata punojnë në bazë të asaj diturie, ty të vjen shpërblimi, si dhe një sadaka (apo vakëf) për të cilën shpërblehet, për aq kohë sa ajo vazhdon t’u bëjë dobi njerëzve, si dhe të lësh pas një fëmijë të mbarë, i cili lutet dhe kërkon falje për ty pas vdekjes tënde.”[4]
Në “Sahihun” e imam Muslimit, nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), transmetohet se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!), ka thënë:
“Kur biri i Ademit (njeriu) vdes, i ndërpriten të gjitha veprat, me përjashtim të tri prej tyre: Sadakaja (lëmosha) rrjedhëse, dituria e dobishme dhe fëmija i mirë i cili lutet për të”[5]
Shumica e dijetarëve janë të mendimit se me sadakanë rrjedhëse janë për qëllim vakëfet[6]. Këtu bëjnë pjesë të gjitha ato pasuri, origjina e të cilave qëndron e bllokuar, ndërsa përfitimet që nxirren prej saj shfrytëzohen në rrugë të Allahut (në çdo gjë që u bën dobi muslimanëve).
Të gjitha veprat e mira të cilat janë përmendur në hadithet e mësipërme, bëjnë pjesë te sadakaja rrjedhëse. Në fjalën e të Dërguarit të Allahut (paqja qoftë mbi të!): “…si dhe ndërtimi i një banese për dikë i cili ka mbetur mes katër rrugëve” tregohet për rëndësinë e madhe që ka ndërtimi i banesave për të pastrehët.
Këtu përfshihet ndërtimi i konvikteve të nxënësve, si dhe ndërtimi i banesave sociale për shtresat në nevojë, siç mund të jenë jetimët, vejushat, apo të varfërit, të cilët nuk kanë mundësi ekonomike që ta përballojnë ndërtimin apo blerjen e një banese. S’ka dyshim se kjo është ndër veprat më të mira e më fisnike, shpërblimi i së cilës është shumë i madh.
Si përfundim mund të përmendim një numër veprash të dobishme, të cilat nëse njeriu i vepron sa është gjallë, shpërblimin për to do ta ketë të vazhdueshëm edhe pas vdekjes së tij. Imam Es Sujuti (Allahu e mëshiroftë!) i ka përmbledhur këto vepra të mira, në pak strofa, duke thënë:
Kur vdes biri i Ademit,
i ndërpritet çdo shpërblim
Përveç nëse ndonjë ndër dhjetë vepra ka punuar
Sa ishte gjallë, në atë botë pa u larguar.
Nëse dituri të dobishme njerëzve u pat mësuar
Apo një fëmijë të mbarë e ka edukuar
Apo një pemë e ka mbjellë
Apo një xhami e ka ndërtuar
Apo sadaka rrjedhëse ka vepruar
Apo një Mus’haf e ka dhuruar
Apo në llogore pat qëndruar, armikut pa i’u frikësuar
Apo një pus e ka hapur,e një çezmç ka punuar
Apo një kanal e ka thelluar, e ujin e lumit e ka afruar
Apo një shtëpi për të ngratin e ka ndërtuar
Për këto vepra të mira që ka vepruar
edhe pse nga bota e punës është larguar,
sevapi i vazhdon pa rreshtur e pa i’u pakësuar
Lusim Allahun e Madhëruar të na japë sukses për kryerjen e veprave të mira!
Lusim Allahun na udhëzojë në rrugën e drejtë!
Atë e lusim të mos na privojë nga shpërblimet dhe të na i çelë dyert e mirësive!
Lutja jonë e fundit është: Paqja, mëshira dhe bekimet e pashtershme, qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin; mbi familjen e tij të ndershme, mbi shokët e tij besnikë, si dhe mbi të gjithë ata të cilët ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!
Autor: Shejhu i nderuar Dr. Abdurrazak bin Abdulmuhsin El BEDËR
Përshtati në gjuhën shqipe: Edmond AJDINI
[1] ”Muhtesaru Muslim” 241 dhe “El Mishkah” 696.
[2] E transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
[3] “Sahihu Ibën Maxheh”, me nr 198.
[4] “Sahihu el xhemiu”, me nr 890.
[5] E transmeton Muslimi.
[6] Nga ana gjuhësore fjala vakëf (uakf në gjuhën arabe) do të thotë: i ndalur, i bllokuar, i palëvizshëm. (Mekajis el-luga, Mu’xhem el-uesit fq.1051 etj).
Fetarisht vakëfi është: “Ruajtja e një pasurie dhe shpenzimi i përfitimeve të saj në rrugë të Allahut”. (Fikhu Es-suneh 4/330).