Ebu Ubejde ibën Xherrah besniku i këtij umeti

December 7, 2024

Emri i Ebu Ubejdes ishte Amir ibën Abdullah. Ai lindi në Meke dhe i përkiste fisit të kurejshëve. Ai ishte nga të parët që e përqafuan Islamin në fillimet e tij. Në mbledhjen e njohur si mbledhja e çardhakut të Beni Saides e cila u mbajt pas vdekjes së Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, Ebu Bekri vendosi ta emëronte atë kalif të muslimanëve dhe këtë ide ua sugjeroi dhe të tjerëve ngase mendonte që ai i plotësonte të gjitha cilësitë për të qenë një kalif i denjë. Atë ditë ai tha: Unë zgjedh për ju njërin prej këtyre dy burrave: Umerin ose Ebu Ubejden. Pema gjenealogjike e tij takohet me atë të Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem te stërgjyshi i tyre Fihri. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dëshmoi për të se ishte prej banorëve të xhenetit dhe i dha gjithashtu titullin“Besniku i këtij umeti”. Virtytet dhe meritat e tij janë të shumta dhe të mirënjohura.

Ai ka transmetuar disa hadithe nga Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe ka marrë pjesë në të gjitha betejat.

Në fillimet e shpalljes Uthman ibën Medh’uni, Ubejde ibën el Harithi, Abdurrahman ibën Aufi, Ebu Seleme ibën Abdul-Esedi dhe Ebu Ubejde ibën el Xherrahu u takuan me Pejgamberin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe ai u prezantoi atyre fenë islame dhe u foli për normat e saj, dhe të gjithë ata e përqafuan Islamin në të njëjtën kohë. Kjo ngjarje ndodhi para se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem të strehohej në shtëpinë e Erkamit.

Në betejën e Bedrit, Ebu Ubejdja u përball me të atin në dyluftim dhe e mundi. Ndërsa në betejën e Uhudit ai tregoi trimëri të rrallë. Në këtë betejë atij i ranë dy dhëmbët e përparmë teksa shkulte hallkat e helmetës që i ishin ngulur Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në fytyrë si pasojë e një goditjeje nga ana e armikut. Mirëpo fytyra e tij u hijeshua më shumë nga rënia e dhëmbëve të përparmë dhe u bë e famshme shprehja që nuk ishte parë ndonjëherë një njeri dhëmbëshkulur që të ishte më i hijshëm se Ebu Ubejde, Allahu qoftë i kënaqur me të.

Ebu Ubejde ishte nga ata sahabë që migruan në Abisini por ai nuk ndenji gjatë atje.

Ai bënte pjesë në mesin e sahabëve që e dinin përmendësh Kuranin.

Kur Amër ibën Asi i cili drejtonte një ekspeditë në tokat e Shamit u frikësua nga numri i madh i armikut dhe i kërkoi Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem përforcime, ai i dërgoi një njësi ushtarake e cila përbëhej nga muhaxhirët dhe në radhët e saj ishin burra si Ebu Bekri dhe Umeri. Komandant të kësaj njësie ai emëroi Ebu Ubejden. Kur mbërritën në Sham Amri u tha atyre: Unë jam komandanti juaj! Ata i thanë: Ti je komandanti i ushtrisë tënde ndërsa komandanti ynë është Ebu Ubejde! Amri u tha: Ju jeni përforcime dhe keni ardhur për të më përforcuar! Por Ebu Ubejde i cili kishte moral të lartë, ishte i urtë, i bindej urdhrit të Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe i përmbahej besës së tij, u tërhoq menjëherë nga posti i komandantit dhe u fut nën komandën e Amrit.

Ebu Ubejde shquhej për sjellje të mirë, urtësi të theksuar dhe për natyrë modeste. Përcillet në mënyrë autentike se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Çdo umet e ka pasur një besnik dhe besniku i këtij umeti është Ebu Ubejde ibën el-Xherrahu.” Transmeton Buhariu me nr. 3744 dhe Muslimi me nr. 2419.

Kur Umeri mbërriti në kufi me Shamin e njoftuan se në Sham ishte përhapur një epidemi e fortë, dhe tha: Nëse unë vdes dhe Ebu Ubejdja është gjallë atëherë unë e emëroj atë zëvendës timin, e nëse Allahu më pyet përse e emërove Ebu Ubejden kalif të umetit të Muhamedit, do t’i them se e kam dëgjuar Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem duke thënë: “Çdo umet e ka pasur një besnik dhe besniku i umetit tim është Ebu Ubejde ibën el-Xherrahu.”

E pyetën Aishen: “Cili nga shokët e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ishte më i dashur për të? Ajo tha: Ebu Bekri, pastaj Umeri, pastaj Ebu Ubejde ibën el-Xherrahu.” (Tirmidhiu 3658 dhe Ahmedi 25829.)

Kur përfaqësuesit e popullit të Nexhranit erdhën te Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe i kërkuan të dërgonte me ta një burrë besnik që t’u mësonte fenë, ai u tha: “Do të dërgoj me ju një burrë që është vërtetë besnik.” Kur njerëzit e dëgjuan këtë secili prej tyre dëshiroi të ishte ai personi që do ta dërgonte Pejgamberi me ta, por Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dërgoi Ebu Ubejden. (Buhariu 4120 dhe Muslimi 2420.)

Në kohën e Ebu Bekrit Ebu Ubejdja ishte përgjegjës për ekonominë e botës islame.

Kur i mbërriti Umerit lajmi për rrethimin e Ebu Ubejdes nga ana e armikut, ai i shkroi një letër ku ndër të tjera thuhej: Kur njeriu besimtar përballet me një situatë të vështirë, Allahu krijon rrugëdalje për të. Një vështirësi kurrë nuk mund të dominojë mbi dy lehtësimet (që i ka premtuar Allahu). “O ju që keni besuar, duroni dhe mos u dorëzoni dhe ruajini kufijtë.” | Ali Imran: 200.

Ebu Ubejdja i shkroi: Allahu i Madhëruar thotë: “Dijeni se jeta e kësaj bote është vetëm lojë, dëfrim, zbukurim, mburrje ndërmjet njëri-tjetrit dhe garë për t’u shtuar në pasuri e (në) pasardhës. Ajo është si shiu gjelbërimi i të cilit i mahnit bujqit, më pas ai thahet dhe ti e sheh të zverdhur, dhe më pas bëhet pluhur. Në ahiret ka edhe ndëshkim të rëndë, edhe falje e kënaqësi prej Allahut, kurse jeta e kësaj bote është vetëm një e mirë materiale mashtruese.” | Hadid: 20.

Kur e mori letrën Umeri u ngjit në minber, dhe pasi ia lexoi popullit tha: “O populli i Medines, me këtë letër Ebu Ubejdja na nxit që të tregojmë interes për luftën e shenjtë!”

Në kohën e epidemisë që ra në Sham Umeri i shkroi një letër Ebu Ubejdes ku i thoshte: “Kam një hall dhe më duhesh patjetër, andaj eja sa më shpejt!” Kur e lexoi letrën, Ebu Ubejdja tha: “E kuptoj hallin e prijësit të besimtarëve; ai synon të shpëtojë atë që nuk shpëton dot.” Më pas i shkroi Umerit: “E kuptoj hallin tuaj, por duhet të më ndjeni sepse unë jam me ushtarët e muslimanëve dhe nuk i braktis ata për të shpëtuar veten time.” Umeri u përlot teksa lexonte letrën e tij, dhe ata që ishin të pranishëm menduan se Ebu Ubejdja kishte ndërruar jetë dhe e pyetën për të. Ai tha: “Ende nuk ka vdekur, por zëreni se ka vdekur!” (Hakimi 3/263.)

Ijad ibën Gutajfi ka treguar: Shkova për vizitë tek Ebu Ubejdja kur u sëmur. E shoqja, Tuhajfa, qëndronte ulur te koka e tij ndërsa ai e kishte kthyer fytyrën nga muri. I thashë: Si është gdhirë sot Ebu Ubejde? Ajo tha: Është gdhirë me shpërblime. Ebu Ubejdja ia preu: Jo pasha Allahun, nuk jam gdhirë me shpërblime! Të pranishmëve nuk u erdhi mirë dhe heshtën. Ai tha: A nuk po më pyesni përse fola në këtë mënyrë? I thanë: Nuk na pëlqeu ajo që the dhe s’të pyetëm. Ai tha: Unë e kam dëgjuar Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem duke thënë: “Ai që shpenzon në rrugën e Allahut diçka që i ka tepruar prej pasurisë shpërblehet shtatëqind fish. Ndërsa kur njeriu shpenzon për familjen, apo viziton një të sëmurë, apo heq një mbeturinë nga rruga, në të gjitha këto raste e mira shpërblehet dhjetë fish. Agjërimi është mburojë për sa kohë që njeriu nuk e shqyen. Atë që Allahu e sprovon me një sëmundje në trupin e tij mundet që ajo të jetë pastrim për të nga mëkatet.”

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e emëroi Ebu Ubejden udhëheqës të ushtrisë disa herë. Një ndër to ishte dhe rasti kur ushtrinë e tij e cila përbëhej nga treqind ushtarë e zuri uria dhe nga deti doli një peshk i madh i cili njihej me emrin “amber”. Në fillim Ebu Ubejdja nuk pranoi të hante me arsyetimin se ishte ngordhësirë por pastaj i lejoi ushtarët të hanin me arsyetimin që ata ishin emisarët e Pejgamberit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe i kishte zënë uria në rrugën e Allahut. (Muslimi 1935.)

Pasi mbaroi punë me dezertorët dhe me Musejleme gënjeshtarin, Ebu Bekri emëroi komandantët e ushtrive islame që do të marshonin për të çliruar Shamin. Këta komandantë ishin: Ebu Ubejdja, Jezid ibën Ebi Sufjani, Amër ibën Asi dhe Shurahbil ibën Hasene. Nën komandën e tyre u zhvillua beteja e Exhnadinit në afërsi të Remlës në të cilën muslimanët korrën fitore me ndihmën e Allahut. Lajmet e fitores arritën në Medine në kohën kur Ebu Bekri dergjej në shtratin e vdekjes. Ebu Bekri e pati nisur Halidin për të çliruar Irakun, por para se të vdiste i çoi lajm të nisej drejt Shamit dhe të ndihmonte ushtritë islame që ishin atje, dhe me këtë rast e emëroi atë komandantin suprem të ushtrive islame në tokat e Shamit. Halidi përshkoi sipërfaqe të gjata të shkretëtirës, dhe kur arriti në Sham e rrethoi Damaskun me ushtrinë islame. Kur vdiq Ebu Bekri, Umeri e shkarkoi menjëherë Halidin dhe emëroi Ebu Ubejden si komandant të përgjithshëm të ushtrive islame, por Ebu Ubejdja ishte shumë i devotshëm dhe i urtë. Ai e mbajti të fshehtë emërimin e tij për njëfarë kohe derisa u çlirua Damasku nën komandën e Halidit. Pas çlirimit të Damaskut ai i njoftoi njerëzit për emërimin e tij dhe bëri marrëveshje me romakët, dhe në bazë të kësaj marrëveshje ata hapën për të portën e Xhabijes. Ndërkohë Halidi kishte hyrë në qytet nga porta lindore me luftë. Mirëpo, Ebu Ubejdja i cili tashmë ishte komandanti suprem, la në fuqi marrëveshjen që pati bërë me ta.

Në betejën e Jermukut Ebu Ubejdja ishte prijësi i muslimanëve. Në këtë betejë Allahu i shpartalloi ushtritë e romakëve si mos më keq.

Kur e preku epidemia Muadhin dhe Ebu Ubejden, Muadhi dërgoi Harith ibën Umejren që të interesohej për gjendjen e Ebu Ubejdes. Ebu Ubejdja i tregoi një pullë që i ishte shfaqur në dorë. Harithi u shqetësua shumë kur e pa dhe u frikësua për jetën e tij, por Ebu Ubejdja i tha: Këtë pullë nuk do ta ndërroja as me devetë me të shtrenjta! (Taberani në “Muxhem el kebir” me nr. 364, dhe Hakimi në “Mustedrek” 3/263.)

Ebu Ubejdja vdiq nga epidemia në vitin e tetëmbëdhejtë të hixhretit në moshën pesëdhjetë e tetë vjeçare. Ai kishte dy bishtaleca dhe i ngjyroste flokët.

Sipas historianëve trungu familjar i Ebu Ubejdes dhe i vëllezërve të tij është ndërprerë.

Allahu qoftë i kënaqur me Ebu Ubejden dhe me të gjithë sahabët e nderuar.

 

Përktheu dhe përshtati: Rexhep Milaqi

Marrë nga libri: “Sijer A’lam en-nubela” i imam Dhehebiut.

Dosje:

Loading...