Është detyra jonë që t’i ndihmojmë besimtarët

October 22, 2023

“Është detyra jonë që t’i ndihmojmë besimtarët.”

Ky ajet fisnik i cili gjendet në suren Er-Rum ajeti 47, tregon qartë se Allahu i lartësuar u ka premtuar besimtarëve se do t’iu japë atyre fitoren kundër armiqve dhe se ky premtim nuk mund të thyhet. Allahu i lartësuar i dha fitoren të dërguarit të Tij, paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të, në luftën e Bedrit dhe në luftën e Ahzabëve si dhe në luftra të tjera. Po ashtu, u dha fitoren edhe shokëve të tij pasi ai ndërroi jetë kur luftuan kundër armiqve të tyre. Feja Islame u përhap, vendet u çliruan dhe muslimanët triumfuan megjithëse kishte vështirësi dhe fatkeqësi. Përfundimi ishte për besimtarët të cilët u treguan të sinqertë në besimin e tyre ndaj Allahut dhe në teuhidin e tyre, në adhurimin dhe lutjet ndaj Zotit në kohët e vështira por edhe në kohët e mira.

Kurani na tregon gjendjen e besimtarëve në luftën e Bedrit ku ata ishin të pakët në numër dhe në armatim. Ata e lusnin Zotin e tyre: “Ju kërkuat ndihmë nga Zoti juaj e Ai u përgjigj: Unë do t’ju ndihmoj me një mijë engjëj të cilët do të vijnë njëri pas tjetrit.” |El-Enfal: 9.

Allahu i lartësuar iu përgjigj lutjes së tyre dhe i ndihmoi ata me melaike që luftonin përkrah tyre kundër pabesimtarëve, duke i goditur ata në qafat dhe gjymtyrët e tyre. Allahu i lartësuar tregon duke thënë: “(Kujto o Muhamed) Kur Zoti yt i frymëzoi engjëjt: Unë jam me ju, andaj forcojini ata që besojnë. Unë do të shtie frikë në zemrat e mohuesve, andaj goditini në qafë dhe në të gjithë gishtërinjtë.” |El-Enfal: 12.

Kështu u përmbush fitorja për besimtarët njësues ndaj Allahut. Allahu i lartësuar thotë: “Allahu ju ndihmoi në Bedër kur qetë të pafuqishëm, andaj frikësojuni Allahut për të qenë falënderues.” |Al Imran: 123.

Prej lutjeve që i dërguari i Allahut, paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të, bënte në luftën e Bedrit: “O Allah! Plotësoje ndaj meje premtimin që më ke dhënë. O Allah! Nëse ky grup besimtarësh humbet atëherë nuk do të adhurohesh në tokë.” Transmeton imam Muslimi.

Sot shikojmë që muslimanët bëjnë luftra kundër armiqve të tyre në shumë vende por nuk e arrijnë fitoren. Cili është shkaku? A thua vallë Allahu e ka thyer premtimin e Tij ndaj besimtarëve? Jo, kurrsesi! Premtimi i Allahut nuk thyhet, por ku janë besimtarët në mënyrë që t’iu vijë atyre fitorja që është përmendur në ajetin kuranor?

Le t’i pyesim ata që luftuan:

1- A u përgatitën ata me besim të pastër ndaj Allahut, dy gjëra që i dërguari i Allahut, paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të, nisi me to në thirrjen e tij në Meke para se të luftonte?

2- A i morën ata shkaqet për të cilat i ka urdhëruar Zoti i tyre kur ka thënë: “Përgatituni sa të mundeni me forcë”, dhe i dërguari i Allahut, paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të, e ka shpjeguar forcën në këtë ajet se është shënjestrimi.

3- A i janë lutur Zotit të tyre duke e veçuar vetëm atë në lutje gjatë luftimit të tyre, apo kanë lutur edhe të tjerë bashkë me të?! Duke e kërkuar që tu vijë fitorja prej dikujt tjetër përveç Tij prej atyre që i konsiderojnë si njerëz të mirë tek Allahu, e që në fakt nuk janë gjë tjetër vetëm se robër të Tij?! Ata nuk posedojnë mirësi për vetët e tyre e as fatkeqësi.

Pse nuk e marrin si shembull Pejgamberin, paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të, i cili i lutej vetëm Allahut?! A nuk ka thënë Allahu i lartësuar: “A nuk i mjafton Allahu robit të Tij?!” |Ez-Zumer.

4- Dhe e fundit, a janë ata të bashkuar dhe mes tyre të ketë dashuri duke pasur si moto të tyre fjalën e Allahut të lartësuar ku thotë: “Mos u përçani sepse do të dështoni dhe do t’iu largohet krenaria juaj.” |El-Enfal.

Nëse e keni përmbushur besimin e kërkuar atëherë do t’ju vijë fitorja e premtuar, sepse; “Është detyra jonë që t’i ndihmojmë besimtarët.” |Er-Rum.

 

“Rruga e grupit të shpëtuar” i autorit Xhemil Zejno.

Përktheu: Ylli Rama

Dosje:

Loading...