Shejh Abdulaziz ibën Bazi, Allahu e mëshiroftë, është pyetur: A është e lejuar të lexohet surja Jasin në momentet kur njeriu është duke dhënë shpirt?
Përgjigje: Leximi i sures Jasin në çastet e dhënies së shpirtit është transmetuar nga Meakal ibën Jesar se Pejgamberi, paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Lexojuni të vdekurve tuaj suren Jasin.”
Këtë hadith e kanë konsideruar si të saktë një grup prej dijetarëve duke menduar se zinxhiri i transmetimit është i mirë, dhe ky transmetim është nga Ebu Uthman el-Hindi nga Meakal ibn Jesar. Disa të tjerë e kanë konsideruar hadithin të dobët dhe kanë thënë se transmetuesi nga Meakal ibn Jesar nuk është Ebu Uthman el-Hindi, porse është dikush tjetër dhe nuk dihet gjendja e tij.
Ajo që është e ditur nga ky hadith është se konsiderohet i dobët për shkak se Ebu Uthman është i panjohur, ndaj nuk është i pëlqyeshëm leximi i kësaj sureje tek të vdekurit. Kurse ata që e kanë lejuar kanë menduar se hadithi është i saktë ndaj dhe e lejuan që të lexohej. Ne themi se leximi i Kuranit kur njeriu është në çastet e fundit të jetës është diçka e mirë, e ndoshta ky lexim i bën dobi atij tek Allahu. Kurse sa i përket leximit të sures Jasin në veçanti themi se origjina është se hadithi nuk është i saktë, ndaj veçimi i saj në lexim nuk ka arsye. [Fetaua Ibn Baz 13/93.]
Shejh Ibn Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, është pyetur: A është vërtetuar në sunet leximi i sures Jasin tek personi që është në prag të vdekjes?
Përgjigje: Leximi i sures Jasin tek personi që është në prag të vdekjes është prej sunetit tek shumë prej dijetarëve, për shkak të fjalës së Pejgamberit, paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të: “Lexojini suren Jasin të vdekurit tuaj.” Ndaj këtij hadithi kanë folur disa dijetarë për mos saktësimin e tij. Ata të cilët e konsiderojnë të saktë këtë hadith e konsiderojnë prej sunetit leximin e sures Jasin, kurse ata që nuk e saktësojnë nuk e konsiderojnë sunet. Allahu e di më së miri! [Fetaua Ibn Uthejmin 17/72.]
Ai gjithashtu ka thënë:
Hadithi: “Lexojini të vdekurit tuaj suren Jasin” – është hadith jo i saktë dhe në të ka pasaktësi. Edhe nëse hadithin e konsiderojmë si të saktë, leximi i sures Jasin është në momentet e daljes së shpirtit dhe atëherë i lexohet surja Jasin. Dijetarët kanë thënë: Në leximin e kësaj sureje ka dobi për të vdekurin sepse e ndihmon që shpirti t’i dalë me lehtësi, sepse në këtë sure gjendet fjala e Allahut: “Atij i thuhet: Hyr në Xhenet. E ai thotë: Ah mjerë për popullin tim sikur ta dinin. Çfarë më fali Zoti im e më bëri prej të nderuarve.”
Pra, kjo sure lexohet tek personi që po jep shpirt nëse hadithi është i saktë, kurse leximi i kësaj sureje tek varri nuk ka asnjë lloj origjine.
“Fetaua Ibn Uthejmin” 17/74.
Përktheu: Ylli Rama
Të Ngjashme
- Çfarë gjykimi ka këndimi i sures el Fatihah në namazin e xhenazes? Udha e Besimtarëve
- A lejohet që një person të punojë si haxham (praktikues i hixhames)? Udha e Besimtarëve
- Bashkimi i namazit të xhumasë me atë të ikindisë Udha e Besimtarëve
- Si të veprosh kur të ftojnë në një gosti Shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin
- Cila është mënyra më e mirë për të memorizuar? Meshhur Hasen